LAJMI I FUNDIT:

Saga e dinastisë Cakrani

Saga e dinastisë Cakrani
Sarajet e familjes Cakrani

”Një ditë do shuhemi e do vdesim, po vatani duhet të rrojë, qoftë dhe t’u tregojë atyre që do vijnë prapa, se kush lëftoi e u vra për të, kush e deshi atë me shpyrt e kush u përpoq për t’a nxjerrë më dritë!” – Hajredin Bej Cakrani.

Nga: Anila Ahmataj

Shekulli XIV, prej fillimi deri në fund u trondit nga ngjarje që po projektonin shekujt e ardhshëm. Një perandori e re lindi prej disa fiseve islame pa shumë pretendime, por që u përhap në tri kontinente, pikërisht në territoret e Perandorisë së krishterë Bizantine duke bërë të përfundonte jeta e saj 1000-vjeçare me emrin Perandoria Osmane. Vetë perandorët bizantinë, por dhe princat e saj të pafuqishëm ndaj përhapjes së vrullshme luftarake në territoret e tyre, nxituan në marrëveshje të ndryshme të krijonin aleanca të shumëllojshme me osmanët, qofshin këto edhe me konvertim islam brenda sulltanatit dhe strukturës së dinastive që e mbështesnin fuqishëm zgjerimin osman në Lindje dhe Perëndim. Mes pushteteve e ndikimeve perandorake, dinastia e madhe Murjusuf shfaqet fuqishëm qysh fillimet e periudhës së sulltanit Orhan.


Qysh nga fillimi i Reformave të Tanzimatit, u shfaq ndjeshëm shpirti shqiptar kryengritës, i cili pasqyrohet gjerësisht në korrespondencën e Portës së Lartë. Kryeministri perandorak Reshid Mehmet Pasha i raporton Sulltan Mahmudit II: “Sikurse e kam thënë dhe herë të tjera, ky popull i mallkuar nuk mund të krahasohet në burrëri dhe trimëri me asnjë popull tjetër … Futja e tyre nën zap dhe nën nizam është konsideruar nga të gjithë si çështje jo vetëm e vështirë, por dhe e pamundur” (Basbakanlik Arsivi, Instanbul, Fondi Hatt-i Humayun Defter Nr. 1, 2, 12, vesika 521518, dt. 23.9.1830). Ndërsa Sulltani: “Është krejt e ditur se këta shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me dinin dhe me fenë islame … Me të drejtë futja në binarë e kësaj Shqipërie ka një rëndësi të domosdoshme, por sa para bën, tani për tani nuk është koha” (BAI, Fondi Hatt-i Humayun Defter Nr 1, 3, 12, 24-31, vesika 21513-1).

Dihet gjerësisht se kryengritja kundër reformave të Tanzimatit më 1847, ishte më e fuqishmja e gjithë shekullit XIX, por fare pak dihet se kush e organizonte dhe e financonte atë. Ajo ishte klasa feudale shqiptare, opozitare e Stambollit, e cila duke pasur parasysh ndëshkimin perandorak ndaj krerëve të pashallëqeve shqiptare, përpunoi një strategji krejt të ndryshme nga ajo klasike për të dal vetë në plan të dytë. Me këtë ajo arriti të krijojë, në një kohë të shkurtër me udhëheqësit popullorë të sprovuar në luftëra, udhëheqjen si dhe një numër të madh kryengritësish të vendosur për të përballuar ushtritë osmane. “Në të kaluarën, në krye të lëvizjes popullore në Shqipëri viheshin njerëz nga familje të dëgjuara, por këtë herë ndodhi diçka e çuditshme. Në kryengritjen e vitit 1847 u arrit nga të gjithë marrëveshja që udhëheqjen e kryengritjes të mos e merrnin këta njerëz, por ata njerëz me përvojë lufte – edhe pse mund të mos ishin njerëz të dëgjuar. Familjet e para u mënjanuan në marrjen e udhëheqjes dhe cilido qoftë vendimi i tyre, i shërben padyshim interesit të përgjithshëm” (raport nr.2603/295 i konsullit grek të Janinës, Klerinxis qeverisë së tij. Revista “O neos kuvaras”, Athinë, 1966, fq. 164-165).

Kryengritja shpërtheu pikërisht në trevën e Mallakastrës, ku përfshirja e përfaqësuesit të familjes më të madhe të Veis Bej Cakranit e theu çdo rregull të vendosur.

Në sabah pa zbardhur mirë / Vinin gjyletë zinxhirë,
Veis Be ç’e bëre mirë / Ndeze dyfek n’mugullirë.

Pas shtypjes së dhunshme të kryengritjes ndaj reformave të Tanzimatit dhe burgosjes së qindra krerëve të saj me vrasje, burgime e internime në Anadoll nga Porta e Lartë, në Ballkanin sllav shpërtheu një krizë ndërkombëtare, prapa së cilës si gjithmonë gjendej Perandoria Ruse. Rreziku i veçantë ishte ai i trojeve shqiptare, pasi popujt sllavë po i shfaqnin lëvizjet e tyre si çlirimtare dhe territoret shqiptare po i konsideronin si osmane. Në këtë situatë të brishtë, Stambolli amnistoi me urgjencë krerët shqiptarë të kryengritjes, me kushtin që duhej të luftonin në territoret malazeze, serbe e boshnjake. Lufta në një territor të panjohur ishte goditje e shumëfishtë që po bënte Porta e Lartë, por këtë herë ajo që do t’i çonte luftëtarët përtej së pamundurës, ishte detyra e shenjtë ndaj atdheut. Kahreman Bej Cakrani, i biri Veis Cakranit, ushtarak osman, tashmë niset jo vetëm si ushtar i atdheut, por me një detyrë të qartë për kthimin e emrit të madh të familjes së tyre në një vazhdimësi të rrallë përgjegjësie. Pas betejave që nuk kursyen as udhëheqësit më në zë të kryengritjes së mëparshme, si Zenel Gjoleka, Hodo Ali Nivica etj. Kahreman Bej Cakrani depërtoi nëpërmjet Malit të Zi duke udhëhequr luftërat triumfuese deri në Bosnjë. Kështu e ngriti lavdinë e dikurshme në një horizont të ri, por u kujdes të zgjeronte territoret e domenit të tij, së bashku me influencën.

Lufta Ruso-Osmane që shpërtheu më 1877 i gjeti të papërgatitur armatat osmane, dhe ato ruset depërtuan deri në Portat e Stambollit, duke e vënë në kushte kapitulluese Perandorinë Osmane. Për këtë ajo bëri – në dhjetor 1877 – një armëpushim në Edërne dhe në mars 1878 mbajti sekret të famëkeqin Traktat të Shën Stefanit. Dorëzimi i Portës së Lartë ishte i plotë, duke lënë pothuaj gjithë Ballkanin në dorën sllave. Kur u pa se cari rus po vinte dorë jo më mbi Ballkanin, por vetë Lindjen, Fuqitë e Mëdha dhe Gjermania e sapokrijuar kërkoi me urgjencë një kongres ndërkombëtar për këtë çështje, që të zbuste sa të ishte e mundur dominimin sllav. Kjo ishte e papritura më e madhe historike, jo më e Perandorisë Osmane, por e shqiptarëve që tashmë zhdukeshin si komb.

Por, qysh më parë, Kahreman Bej Cakrani kishte aderuar si ushtarak në Komitetit e Stambollit, krahas atdhetarëve me peshë si Abdyl Bej Frashëri, Mehmet Ali Pashë Vrioni, Mustafa Pashë Vlora, Vaso Pashë Shkodtrani etj. që koha do ta sillte si faktorin e parë shtetformues modern shqiptar të gjithë historisë, në Lidhjen Kombëtare të Prizrenit. Pozitës së pa hasur më parë me armiq sllavë, këtë herë i shtohej edhe dorëzimi pa kushte i Stambollit – që e bënte misionin e tyre jo më të vështirë, por në kufijtë e së pamundurës. Lidhja, që filloi si nismë e vetë sulltanit Abdylhamid II, me emrin Xhemijeti Itiffaki Islamije (Lidhja e Shenjtë Islame) si veprim i dështuar perandorak për një luftë fetare, u kthye shpejt në një vepër me shërbim ndaj kombit dhe shtetit të ri shqiptar që herë shfaqej e herë zhdukej në horizontet e errëta të kohës. Shqiptarët, duke kuptuar se ishin në mes një situate të pashpresë, si fillim kërkuan që territoret shqiptare të ishin një vilajet i vetëm (Tevihdi Vilajet) që do të thoshte autonomi e zgjeruar, e cila falë kushteve e zhvillimeve do të kthehej shpejt në shtet shqiptar, era e të cilit po frynte.

Kahreman Bej Cakrani, me të birin Hajredin, firmëtarin e ardhshëm të pavarësisë, nuk pushoi së bashku me kryesinë e Komitetit të Stambollit në punën për këtë gjë. Vendimi u shpall botërisht si lajm, pa emër autori, më 27 shtator 1878 në gazetën “Terxhuman-i Shark” që botohej nën drejtimin e Sami Frashërit në kryeqytetin perandorak, ku Lidhja Shqiptare e kishte hartuar si program prej shtatë pikave. Në pikën e parë thuhej se sovraniteti i sulltanit do të ruhej në Shqipëri, porse asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nuk duhej t’u jepej shteteve të tjera. Në pikën e dytë kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë, pra bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative. Pikat e tjera trajtonin prerogativat autonomiste dhe parimet kushtetuese që duhej të kishte vilajeti. Të gjithë nëpunësit do të ishin shqiptarë. Në administratë e në shkollë do të përdorej gjuha shqipe. Sulltani nuk e pranoi kërkesën, madje shkoi më tej duke lëshuar thirrjen se ata që kërkojnë “Tefhidi Vilajet” janë armiqtë më të rrezikshëm të Perandorisë Osmane.

Patriotët shqiptarë, dhe në veçanti rilindësi Sami Bej Frashëri, e vazhdoi me vetëmohim luftën kombëtare, në një drejtim tjetër – duke parë se daljen nga Perandoria Osmane veç luftës e favorizonin në mënyrë vendimtare faktorët kulturorë, si gjuha dhe feja, dy kolonat kryesore të kombit aq jetikë, por që shqiptarët i kishin lënë pas dore, në mos i kishin shkelmuar. Pas “Alfabetarit të Gjuhës Shqipe” dhe të tjerë botimeve me alfabetin latin, gjuha e shkruar po rilindte. Pranë rilindasit të madh në mungesë të të atit Kahreman Bej Cakrani, qëndron tashmë studenti ushtarak Hajredin, i cili fillon të sjell në vendlindje nga Stambolli alfabetarin dhe të tjerë libra nga “Shoqëria e të shtypurit shkronjat shqip” e mendjes më të ndritur enciklopedike shqiptare në kohëra, Sami Frashërit.

“Qysh nga fundi i shekulli XIX, bejlerët e Cakranit kishin në konakët e tyre mësonjës shëtitës – herë Hamit Lumi e herë unë. Bejlerët e Cakranit i kishin paguar mësonjësit shëtitës, jo vetëm për katundin e tyre, por edhe për katunde të tjerë, si Gorishovë, Buzmadh e Klos”, shkruan përfaqësuesi i Kolonisë së Bukureshtit, Kristo Karbunara.

Të katër djemtë e Kahreman Bej Cakranit, Sabriu, Hajredini, Sulejmani dhe Bektashi bëhen protagonistë të shumë ngjarjeve të mëdha dhe tejet të guximshme, gjithmonë kundër pushtetit osman dhe dorës së fortë të atyre njerëzve që ata mbanin si zbatues të politikave të tyre shkombëtarizuese – thellësisht orientale. Me të hyrë shekulli XX, Bektash Bej Cakrani, një jurist i ri, konfliktohet me bimbashin e Beratit, duke e vrarë me gjithë rojet e tij në mes të qytetit, gjë që bëri të arrestohen të katër vëllezërit dhe madje të burgoseshin në hapsanën famëkeqe të Janinës. Pas shumë përpjekjesh, i ati Kahreman Bej arriti të bindte gjyqin që për mungesë faktesh t’i nxjerrë djemtë e tij të pafajshëm. Konsulli austrohungarez, Dr. Ranzi, e pasqyron qartë betejën me pushtetin osman në gjyqin kundër tyre në një raport të hollësishëm ministrit të jashtëm perandorak në Vjenë, Kontit Goluçovski; “Në pranverë 1905, iu bë një atentat komandantit të xhandarmërisë së Beratit, i cili mbeti i vrarë me gjithë rojat, dhe si shtytës u akuzuan Bejlerët e Cakranit, fisi më i pasur dhe më me influencë i Mallakastrës, të cilët ishin armiqësuar me të. Por, gjyqi që e gjykoi ngjarjen i liroi, megjithëse mytesarifi (prefekti) akuzoi bejlerët për veprimtari nacionaliste, akuzë për të cilët ishin arrestuar ata.”

Me shpërthimin e Revolucionit xhonturk më 1908 në Stamboll, u kërkua t’i jepej fund mënyrës autoritare të sundimit të sulltanit me krijimin e një kushtetute që kërkonte zbatimin e të drejtave të kombeve brenda Perandorisë Osmane. Patriotët shqiptarë nuk mund ta linin rastin e artë dhe nxituan të krijonin lëvizjen më të fuqishme kulturoro-arsimore, atë të Gjuhës Shqipe, e cila do të mundësonte përfundimisht të shkruhej gjuha. Dinastia kishte kohë që po lëvizte me kapacitet të plotë dhe me librat e dhënë nga Sami bej Frashëri tashmë mësohej kudo.

Për herë të parë zyrtarisht shkollën bejlerët e Cakranit e hapën në sarajet e veta me një inaugurim madhështor dhe pjesëmarrje të gjithë figurave sa patriotike, aq edhe kulturore, ku i pari foli Babë Dudë Karbunara.

Përfaqësuesi i Kolonisë së Bukureshtit, Kristo Karbunara, shkruan: “Shoqëria e Bukureshtit më pati dërguar me postën austro-hungareze në mol të Vlorës, pliko me vivlla e fletore shqipe më 1909 për bejlerët e Cakranit. Zotnia Hajredin kishte letër porosi me Jani Vruhon, Josif Bagërin e Nuçi Naçin, ndërsa Bektash Beu e Sulo Beu, me anën e Azis Vrionit ishin lidhur me Komitetin e Stambollit. Këto i çova kaq herë në Cakran tok me Ibrahim Abdullahun”. Shkolla nuk u mbyll dot, por dhe nuk e mori asnjëherë lejen, pasi administrata xhonturke filloi represionin. “Na erdhi dhe neve këtu leja për shkollën e Cakranit, e cila është një shkollë e vjetër, mbase nga më të vjetrat në Toskëri dhe e cila gjer më sot është mbajtur pa lejen zyrtare të guvernës”, shkruan gazeta “Dielli” e Bostonit.

Iluminizmi është tipar i rrallë fisnik, por ai duke ndriçuar me gjuhë e dije krahina dhe një popull të tërë, nuk mund të quhet më Rilindje Kombëtare, por Rilindje Evropiane.

Spikatja e përfaqësuesve të Dinastisë Cakrani nuk ishte garë mes tyre, por një shpirt i gjallë drite dhe lirie, një përzierje ndjenjash patriotësh dhe sakrificë luftëtarësh mbi një emblemë me emrin atdhe. Cili ishte në të vërtetë përfaqësuesi i saj Bektash bej Cakrani që Mallakastra do të personifikohej me të? “Në ka historia e Kryengritjes Shqiptare në Toskëri që të tregojë ndonjë burrë trim të madh, që me tërë fuqinë e patriotizmit dhe me dëshirën e flaktë për të fituar lirinë, pa dyshim njëri prej tyre është Bektash Bej Cakrani. Nuk është më shumë së tridhjetë e pesë vjeç, me një shtat të derdhur, një trup robust e madhështor, është i katërti djalë i të ndjerit Kahreman Bej Cakranit. Është i martuar në Tepelenë me të bijën e një fisniku që rrjedh nga fisi i Ali Pashës. Që i vogël Bektashi tregonte një afsh të madh për kombin tonë. Sa herë që i binte në dorë ndonjë libër i Naim Frashërit, ai e këndonte dhe qante. Mbaroi shkollën e lartë ‘Sulltanie’ në Stamboll dhe Fakultetin e Drejtësisë. Është mjaft i ditur dhe i kuptuar. Ndjenjat e tij kombëtare dhe kalorësinë e theroizmit për atdhe, i ka mjaft të zhvilluara. Flet dhe shkruan shumë mirë frëngjishten dhe turqishten, persishten, dhe më pak greqisht e gjermanisht. Tërë Mallakastra e nderon dhe e respekton si një shpëtimtar”.

Përplasja me Perandorinë nga sfidë, po bëhej një realitet i paduerueshëm për të.

“Ndër të arrestuarit shënohen 13 vetë. Xhandarmëria xhonturke ka nxjerrë shpallje për arrestimin e Bektash Cakranit, Xhemil bej Vlorës, Osman Haxhiut, Hamza Isait etj. të cilët nuk gjenden në vend”, thuhej në relacionin e konsullit austriak Kraus dërguar ministrit të tij të jashtëm Alois Fon Erental, më 1909. Si e distancuar nga Perandoria, domeni ishte pothuaj jashtë kontrollit të saj. “Cakrani ndodhet në Mallakastrën e Poshtme dhe ne e quajshim Republika e Cakranit, mbasi ç’do gja që ndodhte në Fier, a në Vlorë, a në Berat, nuk ndihesh aspak në Cakran, i cili ishte i qetë nga çdo zhurmë shtetnore e Qeverisë Otomane”, shkruan firmëtari i pavarësisë dhe mësuesi i shkollës së Cakranit, Thanas Floqi.

Por, Kryengritja e Toskërisë, fare e panjohur në histori, ishte iniciativë e patriotëve toskë që kërkonin me çdo kusht bashkërendimin me Kryengritjen e Veriut, apo Gegërisë që udhëhiqej nga deputetët Nexhip Bej Draga dhe Hasan Bej Prishtina.

“Më 1911 kish ardhur në Stamboll Bektash Cakrani me të ndjerin Baki Gjebrea. Gjithmonë bashkoheshim në zyrën ‘Shqiptari’ drejtuar nga Dervish Hima. E gjetëm të arsyeshme të ftojmë deputetët shqiptarë Nexhip Bej Dragën dhe Hasan Bej Prishtinën. Këtë barrë e mori përsipër Bektash Cakrani dhe Dervish Hima ku u mblodhëm në hotel ‘Imperial’. Nexhip Bej Draga dhe Hasan Bej Prishtina thanë që për Kosovën kanë shpresën më të madhe për një kryengritje të përgjithshme. Për Toskërinë duhet arritur me çeta bashkimi gegë e toskë i kësaj kryengritje. Në Toskëri u nisëm, unë Bakiu dhe Bektashi”, kujton Mihal Grameno. Por, rreziku i shumëfishtë nga të gjitha anët, e bëri kryengritjen të përqendrohej tek dinastia. “Vetëm një kryengritje në Toskëri do na afroj me gegët, do na nderoj në sy të Evropës … kuptohi me Bektash Cakranin po dhe Bakin e Beratit, Tepelenën e Gjirokastrën e ngrihuni se humbmë”, shkruan në një letër Fazil Pashë Toptani, Pandeli Cale dhe Alush Taka nga Korfuzi. Por, problemi ishin armët. Pas përpjekjes së rrëmbimit të tyre nga vetë oficerët Hajredin e Bektash Bej Cakrani në kazermën e Beratit, dhe me dekonspirimin e aksionit që erdhi nga Vlora, dinastia e hedhur e tëra në luftë kërkon rrugë të reja. “Fjalosuni edhe me zotin Bozio në mund të na bjerë nga Italia njëmijë e pësëqind mavzerrë edhe sa të holla njërin. Pas dy a tri ditë do vij dhe unë atje dhe këtë fjalë ta gjej gati të bërë”, i shkruan Bektash Cakrani mikut të tij, Hamza Isait, por këtë herë pas rreziqesh të panumërta arriti të blejë dhe të sjellë për kryengritjen 1500 pushke austriake.

Beteja e Pazarit të Cakranit është epike jo sepse u kap i gjallë batalioni osman me 200 trupa, por bimbashi i tij Ismail Haki Libohova e braktisi dhe për këtë doli në gjyq. Përfaqësuesit e aristokracisë së tij, këtë radhë atdheu i thirri për komitë. “Drejt Beratit janë 400 burra nën kryesinë e Bektash bej Cakranit, që ka shumë ndikim si dhe kryengritës nga Vlora e jugu që arrijnë mijëra vetë, dhe nëse nuk merren masa sigurie popullsia e Beratit do të pranojë miqësisht kryengritësit dhe të zbatojë urdhrat e tyre po të vijnë me forca më te mëdha se ato osmane”, thuhet tek relacioni i konsullit Lejhanec ministrit të tij kontit Bertold. Produkti u pa shpejt dhe memorandumi i Sinjës ka mbrojtjen ushtarake, përpilimin në frëngjisht dhe brendinë diplomatike të Bektash Bej Cakranit, ku ishte prologu i pavarësisë që po vinte me shpejtësi.

Sipas këshillave dhe orientimeve austro-hungareze për rrezikun sllav të pushtimit në Luftën Ballkanike, shqiptarët kërkojnë me ngut të shpallin pavarësinë. Në një Vlorë krejt të pasigurt prej ndasive e përçarjevem prej kohësh ndodhet Bektash Bej Cakrani, së pari për të krijuar një situatë të qetë qysh mes vetë Vlorajve dhe organizimin financiar e të gjithanshëm të kuvendit të afërt. Si personazh kyç, Ismail Qemali i beson atij udhëtimin dhe nipit të vet Xhemil Bej Vlorës gjendjen në qytet. “Zotni Bektash Cakranit, Vlonë. Me urdhër të Ismail Qemal Beut, ju lutem pas dy orëve të ndodheni në zyrën post-telegrafike të atyrshme. Luigj Gurakuqi, 22 Nëndor 1912”. Pas bisedës dyorëshe niset telegrami. “Azis Pashë Vrionit, Berat. E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Ismail Qemal Beu me shokët e vet janë nisur nga Budapesti për në Vlorë, për t’u gjëndur në Mbledhjen e Përgjithshme Kombëtare që do të mbahet në Vlorë. Ata kanë kërkuar që t’u dërgohen atje kuaj ose karroca që deri nesër mbrëma duhet t’i dërgoni. Lutemi na lajmëroni sa më shpejt. Bektash Cakrani”. Por edhe në çastin më errët për të, perandoria nuk i lejon shqiptarët. “U informova konfidencialisht se mytesarifi ka marrë dje urdhër telegrafisht për të arrestuar Ismail Qemal Beun. Urdhëri ka ardhur pak me vonesë”, raporton konsulli Rudnai nga Durrësi, Vjenës. Një letër i dërgohet Hajredin bej Cakranit, ku i kërkohet që të devijojë delegacionin nga rruga kryesore me evitimin e arrestimit të Ismail Qemalit. “Nuk e di si e qysh po ti duhet t’u këmbesh udhë në rast rreziku e mundohi t’i futësh nëpër çifliqet e tua. Lumi do ket dalë e ka mbytur dynjanë pa të dua me bujq, me kuaj e me buaj më këmbë nuk e di si do t’ja bësh. Po të ndoth ndonjë e pa bërë, punën e luftën t’onë të filluar qëkur e muar lumi. Druaj se ajo punë do të vejë tek pushka mos hap batare i pari se do bësh dëm tek ndonjë yni po u përpoqët me t’a”.

Hajredin Cakrani me batalionin e vet do të mprehë buajt në këtë udhëtim dhe do të gjejë Ismail Qemalin me gjithë delegatët, të cilët kalojnë natën në sarajet e tij. Ai sjell në Vlorë për të ruajtur kuvendin, batalionin e tij, që është garda e parë në historinë moderne, dhe vet si firmëtar i deklaratës, shpallet senator. E kush tjetër si Bektash bej Cakrani mund të organizonte e mbulonte financiarisht shtetin e parë shqiptar? Emërimi i tij si ministër Thesari ishte vulosja në situatën e pashpresë, të cilën mund ta zgjidhte vetëm ai me të ardhurat e veta dhe kontributin e përhershëm e shekullor të dinastisë ndaj kombit, zyrtarisht si guvernatori i parë i shtetit të ri. “Do ti, do bëjë udhë shteti, s’do, do japë xhanë! Ndaj ti që nuk je kursyer qëkurë për vatanë, si ke thënë e ke bërë, tani do zgjidhësh qesen tënde t’i vësh nga liratë e floritë e tua. Pa nevej tani që llafos kaq fuqi kemi, të të themi t’u shtofshin e mos t’u mbarofshin, është emërimi që i bën kryeministri Ismail Qemali”, shkruan në kujtimet e tij firmëtari Hajredin, tashmë zëvendës i ministrit të Luftës Derralla, ku me ushtritë e tyre mallakastriote merrte pjesë në betejat më vrastare të mbrojtjes së Janinës.

Ngutja e Qeverisë Provizore Vlora për të shkuar në Londër, ku po vendosej fati i kufijve dhe e vetë kombit, bën që ministri i Thesarit, Bektash bej Cakrani, të vinte në një kohë fare të shkurtër në punë dinastinë, për të sjell të hollat për Londër. “Po ju dërgoj njeriun tim të besuar që të njoftosh sonte me urgjencë Sulo Beun dhe të dy duhet të sillni lira flori, se ato shkëmbehen andej, për 10 vetë që do venë tek anglezët dhe për të ndenjur atje 20-25 ditë, se ata duhet të duken fisnikë”. Kjo ngjarje bëri që oborri habsburgas t’i tërhiqte vërejtje ministrit të Thesarit, ndërsa delegacionin e qeverisë provizore ta dëbonte si pa mandat për probleme të kësaj përmase.

Por, pas 29 korrikut 1913 që u njoh ndërkombëtarisht pavarësia e Shqipërisë, qeveria Vlora në gusht hedh hapin tjetër me tepër ngut të ngrinte një bankë kombëtare në mungesë të plotë financash, me bankat private vjeneze dhe milaneze. Me të drejtat pa kufi, si prerja e monedhës, dhënia e kredive duke lënë peng tokën, shitblerja me jashtë, bënë që ministrit të Thesarit dinastia e tij t’i trokiste fort për t’ia kujtuar detyrën që e kishin qëndrim shekullor krah atdheut.

Qëndrimit ngutës së qeverisë provizore i del përballë qëndrimi këmbëngulës i një opozite patriotësh së vendosur me në krye Bektash Bej Cakranin, përfshirë edhe disa ministra të tjerë të vetë qeverisë, ku në një memorandum drejtuar asaj, i kërkonte të anulonte koncesionet ndaj të huajve. “Po lind në Qeverinë e Vlorës një opozitë nga më të fuqishmet; kemi të bëjmë me një opozitë serioze e cila s’kërkuaka gjëra të erës dhe mërira, por gjëra fondamentale. Siç mësojmë, në këtë opozitë qënkan shumë njerëz të provuar në luftra kombëtare”, shkruan Mihal Grameno në gazetën “Atdheu.

Opozitën e parë në historinë e shtetit, e nënshkruan me Bektash bej Cakranin dhe e67 krerë elitarë, si Faik Bej Konica, Hasan Bej Prishtina, Pandeli Cale, Dervish bej Hima, Fazil Pashë Toptani, Sotir Kolea, Baki bej Gjebrea, Hamid Bej Toptani, Sami Bej Vrioni, Qemal Bej Vrioni, Hajredin Bej Fratari, Ismail Bej Klosi etj.

Ministri i Thesarit papritur pa që qeveria – duke dërguar në fillim të shtatorit 1913 një forcë luftarake qindra trupash – vrau banorët dhe djegi Pazarin e Cakranit. Lufta mbrojtëse e dinastisë me shtetin, tashmë në një pozitë të vështirë, vazhdon në fushën diplomatike edhe letrat Fuqive të Mëdha dhe përkrahërit dhe themeluesit të shtetit shqiptar Austrisë.

“I kemi dërguar Qeverisë provizore një memorandum, për të cilin Shkëlqesia juaj ishte në dijeni. 300-400 banditë të dënuar me vdekje u dërguan si xhandarët e Ismail Qemal Beut në Cakran, ku kanë djegur pazarin, shkatërruar mullinj dhe vendin e bagëtinë, për të ulur prestigjin e një familje të madhe dhe të tregojnë fuqinë e tyre duke terrorizuar popullin, përveç dëmit të shkaktuar mbi 40 mijë Napolonash. Shqipërinë dhe qeverinë e tyre e krijoi kombi juaj i lartë për të çliruar shqiptarët nga zgjedha e huaj dhe për të treguar asaj dritën e qytetërimit, por jo për të na bërë skllevër Ismail Qemal Beu që si kryetar i qeverisë së përkohshme dhe kolegët e tij të zëvendësohet”, i shkruan Kontit Bertold, Bektash Cakrani.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit zbarkon me të shpejtë në Vlorë, i pasuar nga një xhandarmëri holandeze dhe për të hetuar konfliktin. Përfaqësuesi francez, Leon Krajevski, i raporton Stefen Pishonit, ministrit të Jashtëm në Paris: “Por, unë nuk mund të ndaloj së fajësuari Ismail Qemal Beun që përdori vartësite tij, të cilët në fakt, pasi morën urdhrat e tij, krijuan një gjendje veprimesh nga më të keqardhshmet. Kush janë arsyet e konfliktit? Është, sipas mendimit tim, një që i përmbledh të gjitha: Lëvizjet në opozitë ndaj qeverisë së përkohshme të Ismail Qemal Beut nga Bektash Bej”.

Më në fund, pas mosmarrëveshjeve të shumta ndërkombëtare, u emërua sovrani shqiptar, një monark gjerman Vilhem fon Vid, mes një situate kaotike. Ai kërkoi nga familjet e mëdha të vinin në shërbim të shtetit të ri, së bashku me ushtritë e tyre që ato i mbanin me pagesë. Bektash Bej Cakranit iu caktua Jugu shqiptar, i përmbytur tashmë me masakra andartësh ndaj civilëve dhe ngarkuar me probleme kufijsh.

Orienti shpërtheu papritur me dorën e zezë kundër monarkut Vid dhe mbështetësve të Shqipërisë evropiane me dorën e fanatikëve të Haxhi Qamilit. Frika ectë më me shpejtësi se drita, duke detyruar bujqët e krishterë të Myzeqesë, si njohës të vendit, të mbushnin radhët e ushtrisë së fanatikëve islamë, rast unikal në luftërat fetare. Qëndresën më të madhe në emër të monarkisë e shtetit të ri e bëri dinastia me një reagim maksimal luftarak me të katër vëllezërit Cakrani. Por, mbrojtësi i jugut, koloneli Bektash Bej, vetëm në Lushnjë me rebelët la mbi 200 të vrarë. Depërtimi rebel ndaloi në domenin e tyre në Cakran, duke djegur sarajet, gjithë pazarin, ku nuk harruan të digjnin dhe shkollën së bashku me fëmijë brenda.

Këto tmerre luftërash shqiptare do të merrnin fund me ardhjen e ushtrisë perandorake austriake deri në Luginën e Vjosës. Ata i panë pasuritë natyrore dhe u habitën me djegien e sarajeve bërë nga të njëjtët njerëz të fesë islame, ku me bashkëpunimin e tyre ndërtuan rrugën Fier-Cakran, hekurudhën Selenicë-Seman, si dhe rindërtuan sipas modelit të tyre sarajet-kështjellë, madhështi e merituar e Dinastisë.

Në një intervistë të hershme gjejmë këtë fakt: “Kështjella jonë kishte katër kulla, që dominonin kodrat e pyllëzuara dhe pjerrësitë përreth. Brenda në salla ishin të varura armë, kishte mobilie antike, qilima persianë, bizhuteri të çfarëdollojshme … për të cilën kujdesej një numër i madh shërbëtorësh … Kthehesha nga gjuetia, ku gjuaja derra të egër, dhelpra, shpendë dhe darkonim … Vetëm ne kishim radio, kur njerëzit jetonin si në Perandorinë Otomane”.

Viti 1918 solli për Shqipërinë fatkeqe një realitet kompleks të futjes së saj nën suazën italiane, por dinastia duhet të kish syrin dhe veshin e saj atje. Hajredin Bej Cakrani, në Kongresin e Durrësit lobon me Namik Bej Delvinën, Mehmet Bej Konicën etj. Si grupi proamerikan nga fituesit e Luftës së Parë Botërore dhe në minorancë largohet prej tij. Fatit të Shqipërisë i kishin mbetut tashmë orë, jo ditë ekzistence, kështu që Dinastia së pari në këtë situatë të mbrapshtë dërgon për zgjidhje Bektash Bej Cakranin, si njeriu kyç për mbajtjen e një Kongresi në Lushnjë, për mënjanimin e zgjedhës italiane, ndërsa tre vëllezërit e tjerë me ushtritë e trupat e tyre për mbrojtjen e Kongresit. Bektash Bej Cakrani mbajti barrën e madhe të përfaqësuesve të Vlorës nën Italinë, një rrezik i barasvlershëm sa vetë kongresi, deri në ardhjen e tyre, si dhe përfundimisht promovoi qeverinë e Kongresit me një zgjedhje të ministrit të Brendshëm, të 24-vjeçarit Ahmet Bej Zogolli, monarkut të ardhshëm shqiptar.

Senatori Bektash Cakrani, me një rrezik të lartë për të futur në konflikt Tiranën zyrtare ku bënte pjesë, me Qeverinë Italiane e ushtrinë pushtuese, ishte i vetmi që mori direkt pjesë në Luftën e Vlorës së bashku me forcat e Mallakastrave, duke bashkuar qytetin e flamurit me trungun shqiptar.

Rruga parlamentare kishte në përbërje të saj elita intelektuale që i tejkalonin kohët në një Shqipëri post-osmane, por duhej dhe një revolucion social për të treguar qartazi rrugën e humbur për vite, drejt Perëndimit, detyrë iluministe që koha ia ngarkonte dinastisë dhe ajo përfaqësuesve të saj për kohën. “Ngrihet z. Bektash Cakrani; Unë qysh tani unë heq dorë nga titulli Bej. Tashmë duhet ta thërresim njëri këtu tjetrin zotërinj, se të tërë këtu të tillë jemi e si zotër e nderojmë më shumë veten, e sidomos, vatanin!”, lexojmë në Parlamentarizmin shqiptar ‘20.

Ngjarjeve të vitit 1924, si eksperiment në trupin e brishtë dhe tërë plagë luftërash të atdheut, u shtohet syri vigjilent i vëllezërve Bektash e Hajredin bej Cakrani qe takojnë mikun e tyre Fan Noli, duke e kritikuar për ndihmën bolshevike ruse që kish marrë.

Republika dhe monarkia shqiptare mbajnë vulën e Ahmet Zogut, djalit energjik që vetë Bektash Cakrani e kish promovuar me forcë në Kongres të Lushnjës, i cili nuk i shpëtoi kurthit shqiptar të pushtetit në kohëra, duke e kthyer atë në pushtet autokratik që në shqip përkthehet nënshtrim për këdo. Por, dinastia e vjetër e kish promovuar atë dikur dhe kjo e vërtetë monarkut energjik i shfaqej përherë në ëndërr si një lloj fantazme që e ndiqte kudo që mund të fshihej. Në mes qëndronin koncesionet që i kishin kushtuar jetë njerëzish më 1913. Nga armiqësi e heshtur ajo u shfaq papritur në Kryengritjen e Fierit m[ 1935, ku dinastia e lënë në baltë e në një rrezik të vetë ekzistencës së saj, vazhdoi luftën si përherë, të vetëm. Kreu i kryengritjes, si gjithmonë legjenda Bektash Bej, cakton nipin e tij Jashar Cakranin për të vrarë kreun ushtarak të Mbretërisë Shqiptare, gjeneralin kroat Leone Gilardin në Fier. Nga të dënuarit me vdekje, pothuaj gjysma ishte me mbiemër Cakrani, tashmë nën tortura nga komandanti i operacionit Ali Topalli dhe ai i burgut Spiro Mojsiu – vetëm se patriotin nuk guxuan as ta pyesin. Ai kërkoi që ta pyeste mbreti vetë, gjë e cila dihej që nuk mund të ndodhte. Ndërhyrja ndërkombëtare e detyroi Mbretin Zog t’i linte të lirë pas pak kohësh.

Me hyrjen e ushtrisë italianë më 7 prill të vitit 1939, shumë kundërshtarë të mbretit iu bashkëngjitën italianëve, por kundërshtari më i madh Bektash Bej Cakrani u shpalli sërish luftë. Monarkia kryengritësve mallakastriotë u kishte marrë edhe çiftet e gjahut, prandaj në kërkesën për të pritur pushtimin me armë morën përgjigje negative. Shumë krerë që i çuan mbretit italian Viktor Emanuelit III kurorën e Skënderbeut, i bënë Bektash Bej Cakranit vizitë, por morën këtë përgjigje: “Mbretit tonë asnjë nga ju nuk i ka thënë një fjalë nga frika! Bektash Bej Cakrani e ka sharë shqip! Juve do të veni tek një Mbret i huaj dhe do t’i bëni lajka në gjuhën e Tij. Edhe vetë e dini që keni trokitur në portë të gabuar, se këtë të huaj e kam luftuar që të njëzetën”!

Pas mirëqënies relative që shqiptarët po shijonin në vitet e parë të invadimit italian, përfaqësuesit e dinastisë tashmë duke ja kanë kaluar përgjegjësinë një tjetër gjenerate, bijve të tyre. Nuk e harronin se ishin engjëlli mbrojtës, roja e përjetshme i kombit. Në skenë kanë dalë emra të rinj të kësaj gjenerate, ku spikasin si dikur etërit e tyre në fushën e luftës: Kadri Hajredin Cakrani që ka studiuar në Vjenë, Kujtim Bektash Cakrani në Milano në fushën e diplomacisë e kulturës, Qani Sabri Cakrani në Budapest, poligloti Vasfi Hajredin Cakrani dhe Jashar Sulejman Cakrani në Sorbonë, Suhade Hajredin Cakrani në Firence etj. Dhe, lufta erdhi shpejt. Një rrymë e re u shfaq në Mallakastrën e egër: komunizmi, praktika vrastare për të cilën Bektash BejCakrani ishte konfliktuar qysh më 1924 me Fan Nolin, por nën një kujdes të madh ai e mbajti nën kontroll, sa të ishte e mundur. Përfaqësuesi i saj ishte Mehmet Shehu, biri i famëkeqit Sheh të Çorrushit, që kishte luftuar kundër sa e sa patriotëve duke i varur ata, por dhe vetë Bektash Bej Cakranin si kolonel i Princ Vidit properëndimor, në emrin e fanatizmin islamik dhe Orientit.

Vetëm për të evituar përçarjen në Mallakastër në këtë kohë mjaft kompleks, pa diskutim si përherë pjestarët e Dinastisë u rreshtuan edhe këtë herë krah kombit e atdheut, duke krijuar formacionet e shumta nacionaliste në krahinë. Por, për të evituar çdo lloj përçarje, Bektash Bej Cakrani caktohet unanimisht kryetar i këshillit nacionalçlirimtar të Mallakastrës. Si gjithmonë pararojë në çdo ngjarje, Cakranët ndërmarrin betejën e parë luftarake në Luftën e dytë në Shqipëri, atë të Ruzhdies në shkurt 1943, ku nga dezertimi i formacionit komunist kushtoi jetën e studentit të Sorbonës, Jashar Cakranit, por dhe dhjetëra ushtarëve italianë.

Mehmet Shehu me çetën e tij “plakë” të Mallakastrës, në koordinim me atë të Vlorës pas betejës me batalionin karabinier, si forcë e ruajtjes së rendit që ruante Minierën e Selenicës, kërkuan marrëveshje në Mallakastër. Qëllimi ishte shkëmbimi i robërve italianë me të burgosur komunistë, të cilën ushtria italiane nuk mund ta pranonte. Në kundërshtim me çdo ligj lufte, komunistët mallakastriotë masakrojnë dhe ekzekutojnë qindra karabinierët e mbajtur peng duke i hedhur në “Shpellën e lakuriqëve” në Kremenar të Mallakastrës.

Për mënyrën e traditës “luftë armikut nën flamurin kombëtar”, patrioti legjendë Bektash Bej Cakrani qe i detyruar të shmangte përçarjen duke përjashtuar të dy grupet ndërluftuese, nacionalistët dhe komunistët, gjë që i bën të dy këto grupime luftarake të shkonin me të shpejtë – ndoshta të paftuar, pasi e dinin fuqinë dhe karizmën e patriotit. Por, këtë herë Luciferi, si engjëll i dështuar, ishte vënë në shërbim të djallit fshehtas. Dhe, fshehtas kryente gjithçka! Nacionalistët akuzuan komunistët për sjelljen në Mallakastër të dy emisarëve jugosllavë. “Është më se e vërtetë që Nasjonal Çlirimtarja e Komunistët në të, kanë me vete në Mallakastër dy sërbët më të egër dhe u mburren atyre se kanë në dorë atë, Mallakastrën! E dini pse janë këtu? I mban i biri i Ismail Klosit në konak, se duhet të mësojnë të birin e Ismail Shehut që i vari të jatin këtij, se si e qysh të therë e vrasë nevej! Kjo nga që nuk ka mësuar mirë në Spanjë! Prandaj, i kërkoj popullatës, jashtë sërbët nga Mallakastra”! Ky fakt që solli mosëmarrveshje, u kthye në konflikt në çast mes Kadri Cakranit dhe Mehmet Shehut që nxorën armët. Por, në mes gjendej ai, Atdheu, që i pengoi me të drejtë, apo jo! “Unë në çast e kishja nxjerrë nagantin për t’a vrarë dhe u sula. Këdo që të qëlloja nga grupi i tyre, e dija se ishte shërbimi më i madh që mund t’i bëhej Shqipërisë. Sa më preu rrugën Bektash Beu edhe ai e nxori revolen. E dija që ai do të godiste dhe xhaxhanë në kokë për të më vrarë mua, po ky ishte një rast që nuk të vjen më në jetë. Mundësitë për të vrarë të birin e Shehut dhe t’i shpëtoja të tërë, ranë fare, se xhaxhaji j’u afrua dhe atij, kur Bektash Beu pështyti fort në mes nesh: Ptu! Ju do t’a bëni Shqipërinë?! Prapë po më tërhiqnin nga dora dhe i thashë xhaxhajit duke u prapsur. – Jo do t’a bëjnë Sërbët!”, shkruan Kadri Cakrani. Mehmet Shehu u largua menjëherë në drejtim të Korçës, por ajo që nisi aty ishte tashmë një rrugë pa kthim.

Në Berat, me kapitullimin e italianëve dhe ardhjen e gjermanëve, i dilte detyrë urgjente ruajtjen e mijëra hebrenjve, që kishin qenë dhe kishin ardhur së fundmi. “Xhaxha, po të shkruaj urgjent mes halleve të shumta që pllakosën tani me kapitullimin e italianëve, pasi ti e ke Mallakastrën në dorë. Duhet me urgjencë të transportojmë nga Berati te ju një numër të madh njerëzish, që tani për tani nuk kemi as mjete për t’i prurë aty. Nuk duhet të bjenë në dorë të armatës gjermane që është duke ardhur, asnjë çifut nga këta që kanë qënë dhe kanë ardhur në Berat, për arsye se dihet qëndrimi i gjermanëve për ta. Gjithashtu, nuk duhet të konsiderohen shqiptarët dhe Berati si mëshehës i tyre, për arsye se do të mbizotërojë mbi popullatën më prapa një klimë terrori. Tjetër rrezik që ti e di vetë është se po u muarr vesh, Mallakastra mund të digjet”, shkruan ai. Pas pamundësisë së fshehjes, pasi gjermanët mbërritën në Berat, i pajisi hebrenjtë me dokumente të fesë islame, por edhe duke nxjerrë një urdhër pushkatimi për atë që tregon se janë hebrenj. Ky është rasti unikal në Luftën e Dytë Botërore, që në një qytet bashkëjetojnë hebrenj dhe ushtria gjermane për plot një vit. “Të çoja furrave çifutët, se kisha në dorë Beratin? Dy orë punë duhej, dhe 20 kambjonë!”, vazhdon ai. Adolf Hitler e dekoroi Kadri Cakranin si ushtarak antikomunist, dhe ky i fundit shkelmoi pa drojë doktrinën e tij antisemite. Engjëlli mbrojtës tashmë kishte shkelur çdo ligj. Kjo nuk quhet më njerëzore! Kjo është hyjnore!

Duke marrë vesh të vërtetën e masakrës së karabinierëve të Kremenarit, në këtë kohë të ardhjes së gjermanëve, kapiteni i kavalerisë së akademisë milaneze, Kujtim Cakrani, shkoi me forcat e veta në Skrapar, nga ku shpëtoi 7500 trupa të kapitulluar italianë të divizionit “Peruxhia” Ndërsa, 500 trupave të batalionit 151 i ngriti një kamp në Cakran, me spital dhe kushte, si e kërkonte ndjenja kalorsiake e fisnikërisë dinastike, e ti paguante vetë të gjitha. “Kam shpëtuar jetën e 7500 ushtarëve italianë, të cilët pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943 u braktisën nga fati i tyre, nga qeveria qendrore e Romës, në Mallakastër dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë. Pa shpërblim unë kisha krijuar edhe një spital për të sëmurët duke paguar mjekët nga xhepi im. Janë 7500 italianë të braktisur, të dënuar si ‘tradhtarë’ nga gjermanët dhe ‘pushtues’ nga partizanët shqiptarë; të dy të tjerët donin t’i vrisnin. Unë i shpëtova ata”! Përshkrimi i ushtarakëve italianë është tamam tronditës. “Mbi 500 burra ushqeheshim në mëngjes bukë vaj ulliri, djathë dhe qepë; në drekë mish qengji dhe bukë (jo më pak se katër herë në javë), në darkë polenta (arapash)”, deklaron përpara senatit italian kolonel Rubino Rubini, ndërsa At Daniele Barbierini Aidinei, kreu i misionit katolik në Shqipëri flet po aty: “Misioni ynë punoi tek spitali që bëri vetë kapiten Kujtim Cakrani i cili pagonte mjekët ushtarakë, marrë nga spitali 146 fushor tek ai yni duke shëruar shumë italianë. Vetëm rreth një viti punë bamirësie spitali u plaçkit dhe u shkatërrua nga hordhitë komuniste”.

Komandant ushtarak i nacionalistëve të Ballit Kombëtar ishte Kadri Cakrani, i cili zbulon se në Berat fshihen tri infermiere amerikane në tetor të 1943, rënë nga një aeroplan aleat të cilat nuk e arritën grupin e tyre. Së bashku me një anglishtfolës shkon dhe i takon nën një rrezik të pazakontë të survejimit gjerman. “Kadri Cakrani ka vizituar disa herë infermieret dhe u shqetësua kur familja strehuese i tha se ato kishin vendosur të iknin vetë. Një natë i mori me makinë dhe i dërgoi te shtëpia e tij për darkë. Nga fillimi i marsit, Cakrani ua kishte shpjeguar planin infermiereve. Ai i pajisi me pasaporta shqiptare. Plani u realizua kur me dy makina të Ballit në Berat, infermieret i çuan të maskuara deri në Karaburun, pasi që andej do të niseshin me anijë në Itali”, thuhet nga dëshmitaret infermiere në librin “Arratisja e fshehtë”

Në Berat armata gjermane tashmë i kërkoi Kadri Cakranit nëpërmjet një oficeri bizantolog, kodikët mijëravjeçarë të kishës Shën Gjergjit. Në bashëkpunim me peshkopin At Visarion Xhuvani, e bindi këtë të fundit që sinodi i kishës të bënte një dëshmi të rremë para gjermanëve, por peshkopi kundërshton sepse ndëshkimi për këtë gjë vjen prej vetë Zotit. “Peshkop! Zoti ka shkuar në luftë, nuk e thërret dot as ti e as unë. E shikon si është ndezur gjithë dynjaja dhe ai Zot që e krijoji, i vuri zjarrin nga lart me Komunismën! Ju ortodoksët mbanit urën”, përgjigjet Cakrani. Përgjegjësitë që i ngarkon dinastia përfaqësuesit të saj, por dhe koha për të satën herë si engjëll mbrojtës, duken nga më të çuditshmet, por ato vetëm sa i tregojnë misionin atij: detyrën ndaj atdheut e dinte vetë!

Po fitimtarët e luftës, zgjedhur dhe bekuar prej aleatëve, e njihnin fare mirë fuqinë dhe influencën e Dinastisë Cakrani. Ata kishin luftuar pa pushim kundër saj dhe misionit të madh, mbrojtjes së atdheut, duke bërë ç’është e mundur kundër tij, krah armiqve shekullorë të shqiptarëve, serbëve. Mehmet Shehu e pushkatoi promovuesin dhe mirëbërësin e vet Bektash Bej Cakranin, i cili qëndroi në truallin e të parëve vetëm për t’i treguar se misioni i tij ishte atdheu dhe koha e solli që të ishte ai qëndrestari i fundit. Në gjyqin farsë ai iu drejtua prokurorit, nipit të tij Qemal Klosit: “Unë qysh në moshën e njomë e gjer sot në moshën e thinjave të bardha çdo gjë të shtrenjtë e të shenjtë të trupit e mendjes sime ia kam kushtuar atdheut me parimin. Çdo gjë për atdhe, dhe atdheu mbi të gjitha”!

Terrori i verbër i fitimtarëve komunistë u derdh pa kufi mbi qëndrestarët dhe ushtarët e fundit të dinastisë, që koha i vendosi si ushtarët dhe flamurmbajtësit e fundit të ngjarjeve epokale, por dhe fatkeqe që do t’i ndodhnin Shqipërisë. Në epilogun e hidhur të kësaj lufte një listë e gjatë ogurzezë u fashit, ku vetëm me familjen e firmëtarit të pavarësisë Hajredin bej Cakrani, makabriteti nuk njohu kufi. Ishte ajo urrejtja për shtetbërësin, por dhe gjeneratave që u caktuan të iluminonin dhe mbronin atdheun! Biri i tij ushtarakun e Hajdar Cakrani u var në Fier, vëllezërit e tij Hysen e Vasfi Cakranin e Sorbonës i dergjën burgjeve, nëna e tyre vdes me helmin e fëmijëve të ndëshkuar, dhe motra Suhade Cakrani, studentja e arteve të bukura, vdes pas pak kohe në vetmi të plotë në një çmendinë. Atdheu i kapur nga disa duar të përgjakura, do të njihte tashmë errësirën dhe zgjedhën më të kobshme në histori.

Dinastitë kanë natyrë ciklike, thuhet, por Dinastinë Cakrani u kujdesën ta zhduknin pa lënë gjurmë. Ajo identifikohej me vetë atdheun që e shqetësonte diktaturën pa masë, ndaj koha e rilindi përsëri pas një kohe të errët shqiptarësh. Madhështia dallon nga vegjëlia nga misioni. Dikush e grabit dhe e gjymton atdheun me shitje detesh e kufijsh, por dinastia qëndron si ushtari flamurmbajtës i përjetshëm, si engjëlli mbrojtës i atdheut. Ajo herë me klithmën e një zogu vetmitar dimëror, dhe herë me tingullin e një kambane alarmi gjëmëmadh, jo si notat e internacionales nga orët e Kremlinit, gjëmon ndër kohëra për tu kujtuar shqiptarëve betimin e përjetshëm: Çdo gjë për atdhe dhe atdheu mbi të gjitha!

Në trend Kultura

Më shumë
QENTË

QENTË

Shqiptari dhe tradita e rrëmbimit të gruas: Pa rrëmbim, nuk ka martesë të lumtur!

Shqiptari dhe tradita e rrëmbimit të gruas: Pa rrëmbim, nuk ka martesë të lumtur!

Bisedë me Nënë Terezën

Bisedë me Nënë Terezën

Dashunuesit e poezisë

Dashunuesit e poezisë

Rikthimi i AC/DC-së

Rikthimi i AC/DC-së

Historia e Hafiz Sabri Koçit, që i agjëroi 21 ramazane në burg

Historia e Hafiz Sabri Koçit, që i agjëroi 21 ramazane në burg

Kalo në kategori