LAJMI I FUNDIT:

QENTË

QENTË
Pink Floyd (nga e majta): Nick Mason, David Gilmour, Roger Waters and Richard Wright of Pink Floyd (foto: Michael Ochs, 1973)

Nga: Roger Waters (albumi “Animals”, Pink Floyd, 1977)
Përktheu: Agron Shala dhe Besnik Hamiti

Duhet të jesh i krisur, një zavall të madh duhet ta kesh
Me sy çelë të flesh, ndërsa në rrugë kur je
Me sy të mbyllur duhet të dish ta piketosh prenë e lehtë
E pastaj pa bëzan, lëviz bashkë me erën dhe pa u vërejtë
E në çastin e duhur duhet të sulmosh, pa i çuar mendtë


Dhe, pas një kohe duhet të punosh stilin si ta lartësosh
Të mbash kravatë të klubmenëve, dorën tjetrit si t’ia shtrëngosh
Shikimin ta kesh bindës dhe buzëqeshjen të natyrshme
Besimin e njerëzve që i rren, duhet ta fitosh
Ashtu që kur ata shpinën ta kthejnë
Të jepet rasti që me thikë t’i shposh

Me njërin sy prapa krahut duhet të shikosh
Se ti e di se keq e më keq, e më keq, do të bëhet kur po plakesh ti
Dhe në fund valixhet i paketon e në jug fluturon
Kokën me rërë të mbuluar
Si një tjetër burrë i pikëlluar
Që në vetmi nga kanceri vdes

Dhe kur kontroll më nuk ke, çfarë ke mbjellur do të korrësh
Dhe teksa frika shtohet, gjaku i prishur ngadalësohet dhe ngurtësohet
Dhe është tepër vonë ta humbësh peshën që dikur duhej t’ia hidhje tjetrit
Ndaj zhytu sa më mirë, teksa përmbytesh në vetmi
Nga guri i lidhur në qafë që të fundos në thellësi

Më duhet ta pranoj se jam paksa i hutuar
Ndonjëherë po më duket sikur thjesht jam i shfrytëzuar
Duhet të rri zgjuar, ta shkund nga vetja këtë ligësi
Po s’qëndrova i fortë si mal, nga ky labirint si do të dal?

I shurdhër, memec dhe i verbër, thjesht vazhdo kështu të shtiresh
Se të gjithë janë material shpenzues dhe askush s’ka një mik besnik
Mendja ta merr se duhet të veprosh fitimtarin ta veçosh
Por, asgjë e re mbi këtë tokë nuk ndodh
Dhe se të gjithë janë vrasës ti thellë në zemër beson

Kush lindi në shtëpinë përplot me dhimbje
Kush u mësua se po pështyve lart poshtë do të bjerë
Kush u udhëzua nga njeriu se çfarë duhet të bëjë
Kush u dërrmua nga zbatuesit e urdhrave
Kush u mbërthye me hallkë e zinxhir
Kujt ia rrihnin krahët
Kush u shkëput nga tufa
Kush veç jabanxhi në shtëpi ka qenë
Kush në fund u shtri përtokë
Kush u gjet i vdekur pranë telefonit
Kush u tërhoq poshtë nga guri i lidhur në qafë

/Telegrafi/

DELMET
Lexo po ashtu DELMET