Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), John Ratcliffe ndodhet në Moskë të Rusisë për takime, kanë bërë të ditur për CBS News burime të njohura.

Sipas CBS News, vizita e Ratcliffe në Moskë vjen në një kohë kur negociatat e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes Rusisë dhe Ukrainës kanë mbetur kryesisht të bllokuara, ndërsa palët vazhdojnë të jenë larg një marrëveshjeje për çështjet kryesore.


Lajmi për vizitën u bë publik pasi një avion transportues i Forcave Ajrore amerikane, Boeing C-17A Globemaster III, u pa në një aeroport të Moskës, së bashku me një kolonë automjetesh diplomatike amerikane.

Të dhënat e gjurmimit të fluturimit treguan se avioni kishte mbërritur në Moskë nga Riga. Ai kishte zbarkuar në kryeqytetin letonez më 23 gusht, pasi ishte nisur nga Camp Springs, Maryland, vendndodhja e Bazës së Përbashkët Andrews pranë Uashingtonit.

Megjithatë, as qeveria amerikane dhe as ajo ruse nuk kanë komentuar identitetin e zyrtarit amerikan që ndodhet në Rusi apo qëllimin e vizitës.

CIA, ndërkohë nuk ka dhënë asnjë koment rreth raportimeve për këtë vizitë.

Kjo besohet të jetë vizita e parë e njohur e Ratcliffe në Rusi që prej marrjes së drejtimit të CIA-s. Megjithatë, ai ka ruajtur kontakte me homologë të shërbimeve ruse të inteligjencës.

Sipas CBS News, vizita e Ratcliffe zhvillohet në një moment delikat për marrëdhëniet SHBA-Rusi, ndërsa përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë vazhdojnë të përballen me vështirësi. /Telegrafi/