LAJMI I FUNDIT:

Historia e Hafiz Sabri Koçit, që i agjëroi 21 ramazane në burg

Historia e Hafiz Sabri Koçit, që i agjëroi 21 ramazane në burg
Hafiz Sabri Koçi, në shtëpinë e tij, me gruan Naime (Foto: Barry Lewis/Getty Images)

Të agjërosh në burgjet e diktaturës për 21 vite rresht. Këtë e bëri Hafiz Sabri Koçi (1921-2004), kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit.

Koçi u burgos pikërisht për shkak të bindjeve të tij fetare, pasi regjimi synonte të zhdukte ndërgjegjen fetare.

Mbesa e tij, Jusri Koçi, tregon se sakrifica në këtë atë të vështirë ishte e dyfishtë, për shkak se agjëroi fshehurazi për 21 vjet, vetëm me një kokërr qepë në xhep dhe me një gotë kauçuku në të cilën zinte kos me qumështin që i jepnin kundër helmit.

Ai kishte gjetur një hapësirë bosh në mes të banjove, ku shkonte çdo ditë për t’u falur, larg syrit të gardianëve të burgut dhe shokëve të qelisë që prisnin të spiunonin dikë për të marrë një shpërblim.

I rritur jetim dhe në kushte të vështira ekonomike ai nisi të praktikonte fenë që moshë të re, ndërkohë që kur ishte vetëm 17 vjeç jepte mësime islame për fillestarët.

Ai doli nga burgu 65-vjeç, dhe u detyrua t’i përvishej punës së krahut për të mbajtur familjen.

“Gjeti një punë si punëtor krahu në lavatriçen e larjes së zhavorit në ndërmarrjen e parafabrikateve bujqësore. Pas 20 vjet pune krahu në burgje, ju përvesh sërish punës”, tregon Jusri.

Ajo e kujton shumë pak gjyshin e saj dhe do të kishte dashur ta njihte edhe sot më e rritur, që të merrte prej tij sa më shumë nga dijet e pafundme që ai kishte gdhendur nga orët e pafundme të leximit.

Në kujtesën e saj kanë mbetur mëngjeset e hershme, kur e gjithë familja ngrihej për të ngrënë syfyr dhe gjyshi gjallëronte tavolinën me historinë e tij.

Sot e gjithë familja ka trashëguar besimin dhe dashurinë e tij për fenë, duke agjëruar së bashku në muajin e Shenjtë të Ramazanit. /ABC News/