Ndryshe nga Homeri, ne më lehtë e admirojmë cenueshmërinë sesa guximin dhe pendesën më shumë sesa triumfin. Por, qytetërimi ende ka nevojë të mbrohet.

Nga: Daniel Taub / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


“Para se të kishte hebrenj, ishte Odiseu”.

Ky ishte slogani i zgjedhur reklamues nga një kinema amerikane për të promovuar filmin e suksesshëm veror të Christopher Nolanit. Në aspektin historik, sigurisht se është absurditet. Populli hebre i paraprin prej shumë kohësh Homerit dhe bashkësitë hebraike ekzistonin në pjesën lindore të Mesdheut shumë shekuj përpara se të kompozohej Odiseja. Në aspektin ironik, pas protestave raportohet se kinemaja e ndryshoi sloganin në: “Para se të kishte Waze, ishte Odiseu”, duke iu referuar aplikacionit izraelit të navigimit.

Megjithatë, slogani ishte ironik edhe në një kuptim tjetër më të thellë. Larg së përfaqësuari një botë “para hebrenjve”, Odiseja e Nolanit është vetë e formësuar thellësisht nga përfytyrimi moral që u shfaq pas Homerit. Anakronizmi më i madh në film nuk janë armatura, anijet apo dialogu. Është heroi i tij. Nolani e ka shndërruar luftëtarin e Homerit, të nderit dhe fitores, në një hero të dallueshëm modern perëndimor: introspektiv në aspektin moral, i plagosur në aspektin psikologjik dhe thellësisht i shqetësuar nga fitorja që e bëri të famshëm.

Odiseu i Homerit i përket një bote të ndërtuar mbi nder dhe reputacion. Duke u kthyer në shtëpi pas fitores në Luftën e Trojës, virtyti i tij përcaktues është metis - zgjuarsia dinake. Ai mashtron, maskohet dhe ua hedh përbindëshave dhe tundimeve që përpiqen t’ia bllokojnë rrugën. Këto nuk janë të meta të turpshme; janë pikërisht cilësitë që e bëjnë të madh. Dredhia e Kalit të Trojës nuk është njollë morale, por triumfi i tij më i madh. Nëse ka një të metë, ajo është një e metë tipike greke - hubris, krenaria që e shtyn t’ia zbulojë emrin e vet Ciklopit dhe që e çon në rrënimin e tij.

Odiseu i Nolanit është njeri krejt tjetër. Tipari i tij përcaktues nuk është nderi, por ndërgjegjja. Kali i Trojës nuk e kurorëzon më me lavdi; e rëndon me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD). Shtëpia nuk është më shpërblimi për madhështinë, por një vend shërimi psikologjik.

Një motiv që përsëritet në filmin e Nolanit është veçanërisht domethënës. Sa herë që Odiseu ngre harkun e tij të famshëm - përpara se të lëshojë shigjetën vdekjeprurëse - ai bën që korda e harkut të lëshojë një tingull të dëgjueshëm. Është gjest korrektësie që synon t’ia japë gjahut të tij një mundësi për t’u mbrojtur. Odiseut të Homerit ky instinkt do t’i dukej i pakuptueshëm. Drejtësia, te Homeri, nuk kërkon që së keqes - apo edhe gjahut - t’i jepet një mundësi e ndershme për t’u përballur. Motivi i përsëritur i Nolanit pasqyron një intuitë morale, thellësisht moderne: se heroizmi i vërtetë duhet të zbutet gjithmonë nga vetëpërmbajtja - edhe kur përballet me ata që nuk do të tregonin aspak vetëpërmbajtje në këmbim.

Është instinkt tërheqës, i lindur prej shekujve të përparimit moral. Por, ngre gjithashtu një pyetje të parehatshme. A jemi bërë të paaftë të përfytyrojmë një hero që vepron me vendosmëri kundër së keqes së vërtetë, pa kërkuar më parë falje që po e bën këtë?

Kontrasti pasqyron diçka më të madhe sesa një pikëpamje të ndryshme për heroizmin. Pasqyron qëndrime të ndryshme ndaj vetë fitores. Për Homerin, qëllimi i guximit nuk është thjesht të luftosh me nder, por të ngadhënjesh. Shoqëritë moderne liberale, përkundrazi, shpesh flasin në mënyrë elokuente për vetëpërmbajtjen dhe kostot morale të luftës, por ngurrojnë të flasin për fitoren. Diskutojmë shumë më me gatishmëri se si duhet të zhvillohen luftërat sesa pse ato ndonjëherë duhet të fitohen.

Nolani përpiqet ta rrënjosë këtë instinkt modern në një ide autentike homerike: ligjin e Zeusit për ksenian ose mikpritjen e shenjtë. Pothuajse çdo episod i Odiseut, nga Ciklopi që gllabëron vizitorët e tij deri te mëtonjësit që shpërdorojnë mikpritjen e shtëpisë së Odiseut, sillet rreth këtij parimi. Megjithatë, edhe ky ndryshohet në mënyrë të menduar. Në poemën e Homerit, ksenia është larg së qeni ndalesë për të fituar luftëra. Ajo nuk e ndalon mashtrimin në luftë. Troja nuk ishte mikpritëse; ishte qytet armik. Por, në duart e Nolanit, mikpritja zgjerohet në një etikë universale të besimit, duke e bërë Kalin e Trojës tradhtinë fillestare të vetë qytetërimit.

A ka diçka që Homeri mund të na mësojë e që Nolani e lë pas? Odiseu i këtij të fundit pasqyron instinktet morale të Perëndimit liberal bashkëkohor. Ne instinktivisht nuk u besojmë heronjve që nuk kanë ndërlikime. Presim që madhështia të shoqërohet me plagë të dukshme psikologjike. E admirojmë cenueshmërinë më lehtë sesa guximin dhe pendesën më lehtë sesa triumfin.

Zhvendosja e Nolanit pasqyron dy mijë vjet zhvillim moral. Bibla Hebraike paraqiti idenë revolucionare se vetë mbretërit i nënshtrohen gjykimit moral. Davidi nuk mbahet mend vetëm për mposhtjen e Goliatit, por edhe për pendimin pas Bathshebës. Profetët vazhdimisht ia nënshtrojnë suksesin ushtarak drejtësisë.

Katastrofat e shekullit XX i thelluan këto instinkte. Të tmerruara - në mënyrë të kuptueshme - nga masakrat e industrializuara, shoqëritë perëndimore u bënë dyshuese ndaj suksesit ushtarak. U bëmë më të vëmendshëm ndaj vuajtjeve të civilëve, më të vetëdijshëm për plagët e padukshme që ushtarët sjellin me vete në shtëpi dhe më ngurrues për ta kremtuar fitoren ushtarake si një të mirë pa asnjë rezervë.

Kjo përfaqëson një përparim të vërtetë moral. Por, a jemi bërë aq të zotë për ta vënë në pikëpyetje heroizmin, saqë ndonjëherë e kemi të vështirë ta njohim atë? Çdo fitore kërkon një kërkimfalje. Çdo luftëtar ka nevojë për terapi. Çdo triumf duhet të zbërthehet moralisht përpara se të mund të admirohet pa rrezik.

Ironia është se Homeri kuptonte diçka që shoqëritë liberale tani po detyrohen ta rizbulojnë. Qytetërimi nuk mbahet vetëm nga empatia. Ai varet gjithashtu nga gatishmëria për t’i mposhtur ata që do ta shkatërronin atë. Demokracitë liberale këmbëngulin me të drejtë që luftërat të zhvillohen në mënyrë të drejtë. Por, drejtësia në luftë ka përfshirë gjithmonë dy detyrime: minimizimin e vuajtjeve të panevojshme dhe arritjen e fitores që e bën të mundur paqen.

Ka momente kur diplomacia dështon, kur me të keqen ajo nuk mund të arsyetohet dhe kur paqja varet jo thjesht nga guximi për të luftuar, por nga vendosmëria për të fituar. Vlerat liberale mbijetojnë vetëm sepse, herë pas here, shoqëritë liberale nxjerrin burra dhe gra të gatshëm për t’i mbrojtur ato me vendosmëri. Odiseja e Homerit është e rrënjosur në këtë frymë. Ajo e Nolanit ndihet thellësisht e parehatshme me të.

Vetë kjo parehati është një nga arritjet e mëdha të qytetërimit perëndimor. Ajo na ka bërë më njerëzorë, më reflektues dhe më të vetëdijshëm për kostot e dhunës. Por, nëse bëhemi të paaftë ta kremtojmë fitoren mbi të keqen e vërtetë, apo edhe të flasim me bindje për domosdoshmërinë e fitores, do të kemi fituar një ndërgjegje duke rrezikuar të humbasim guximin e nevojshëm për ta mbrojtur atë. /Telegrafi/