Nga: Alastair Sooke, kritik arti / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
“Jam në kafaz – kafaz turpi, vetëdyshimi dhe dështimi”, ankohet Vincent van Goghu në biopikun Epshi për jetën [Lust for Life] – një film i shpërblyer me Oskar i Vincente Minnellit. I aktruar nga Kirk Douglas në vitin 1956, holandezi i varfër – i veshur me lecka dhe me fytyrë të pistë – nga një shtrat kashte i lutet vëllait të vet Theo. “Dikush duhet të më besojë”!
Kanë kaluar pothuajse shtatë dekada nga premiera e filmit të përshtatur nga romani me të njëjtin titulli i Irving Stoneit, i vitit 1934. Megjithatë, ndikimi i nervozizmit dhe ankesës së Douglasit ka qenë i tillë, saqë për artistin e shekullit XIX është ngulitur imazhi si ekscentrik i izoluar dhe i ndjeshëm, i aftë për të përcjellë emocionet e thella përmes ngjyrave të ndezura të shtrira me penel.
A është kjo e saktë? Jo sipas një ekspozite të re në Galerinë Kombëtare në Londër, e cila do të hapet muajin e ardhshëm. E konceptuar për të shënuar dyqindvjetorin e galerisë – një shekull pasi bleu Lulediellin mahnitës të Van Goghut (1888), së bashku me pikturën e tij të thjeshtë nga i njëjti vit me karrigen e fshatit mbi pllakat e dheut – Van Goghu: Poetët dhe të dashuruarit do të sfidojë disa nga keqkuptimet më të mëdha për këtë artist kompleks dhe vizionar, të cilat për herë të parë mbinë në imagjinatën e publikut pasi ai e qëlloi veten në gjoks – në një fushë jashtë fshatit francez Over-syr-Oaz – në korrik të vitit 1890. Ishte 37 vjeç. Për organizatorët e ekspozitës, është koha për të përmbysur mitin se Van Goghu ishte një i çmendur i pamatur me brisk, i cili gjatë gjithë jetës së tij nuk arriti askund si artist. Për këtë unë them: më në fund!
Askush nuk do të mohojë se Van Goghu vuante nga sëmundja mendore. Megjithatë, historianët e artit vënë në dyshim nocionin e modës së vjetër se gjeniu gjatë gjithë kohës mbahej i lidhur për “çmendurinë” e vet. Gjatë karrierës së tij të shkurtër 10-vjeçare si piktor, ai arriti sukses të konsiderueshëm, të paktën brenda qarqeve avangarde. Për dallim nga rropatja në errësirë në Francën jugore, ku u zhvendos në vitin 1888 në qytetin antik në Arle (ku qëndroi për 15 muaj përpara se të pranohej në një azil jashtë San-Remi-de-Provansës, me pamje nga një fushë me grurë dhe malet Alpije mbrapa), Van Goghu vazhdimisht krijonte emrin e vet.
Madje i rremë është edhe “fakti” se para vdekjes ai shiti vetëm një pikturë – Vreshtin e kuq (1888), një pamje pulsuese nga vjelja rrushi në perëndim të diellit, të cilën piktorja belge Anna Boch e bleu për 400 franga në vitin 1890 – gjë që vazhdimisht citohet për të mbështetur sugjerimin se gjatë jetës së tij ishte një anonim i mjerë: “Kjo thjesht nuk është e vërtetë”, qesh Cornelia Homburg, kuratore mysafire e ekspozitës së re.
Lexo po ashtu: “Luledielli” i Vincent van Goghut
Nga letrat e artistit dimë se derisa ishte në Paris, ku jetoi me Theon për dy vjet deri në vitin 1888, ai shiti disa piktura – disa prej të cilave mund të jenë humbur që atëherë – duke përfshirë njërën për 20 franga. Për dallim, rekordi në ankande për punën e tij sot arrin në 117.2 milionë dollarë [105.3 milionë euro) – çmim ky që ka marrë Pemishtja me selvi (1888) te Christie’s në Nju-Jork në vitin 2022. Gjithashtu, u mbështet financiarisht nga Theo dhe çdo muaj ka marrë po aq para nga punonjësi i postës Joseph Roulin, me të cilin u miqësua dhe të cilin e pikturoi në Arle.
Koha e Van Goghut në Paris është jashtë sferës së ekspozitës së Galerisë Kombëtare, e cila në vend të kësaj përqendrohet në qëndrimin e tij në jug, ku krijoi pikturat Luledielli dhe Nata me yje. Megjithatë, shqyrtimi i asaj periudhe është i rëndësishëm për të korrigjuar konfuzionin që ende rrethon këtë figurë të keqkuptuar, i cili vendosi të bëhej artist në moshën 27-vjeçare, në vitin 1880. Kah viti 1885, Van Goghu besonte se, siç shprehej në një letër, “fuqitë” e tij krijuese ishin “pjekur”, por vetëm kur mbërriti në Paris, në shkurt të vitit 1886, arti i tij nisi të shpërthente.
Në kryeqytetin francez – pjesërisht falë lidhjeve të Theos i cili ishte tregtari arti që përkrahte pikturën avangarde – Van Goghu u njoh me tendencat moderne artistike dhe u miqësua me tre post-impresionistë të rëndësishëm: Paul Signac (i cili më vonë e vizitoi në spital), Henri de Toulouse-Lautrec dhe Emile Bernard. “E kuptoi se nëse donte të merrej parasysh”, shpjegon Homburg, “duhej të bëhej pjesë e turmës më të re të artistëve”.
Ai ishte gjithashtu i informuar për letërsinë bashkëkohore, ndoqi koncertet muzikore të Richard Wagnerit dhe koleksionoi artin ukijo-e – gdhendjet ekspresive japoneze në dru (të cilat në atë kohë ishin në modë). Me sa duket, atmosfera e metropolit – në atë kohë kryeqyteti i botës së artit perëndimor – ishte shumë stimuluese.
Për më tepër, ishte ambicioz. Në Paris organizoi dy ekspozita – njërën në një kafene në Monmart; tjetrën një ekspozitë në grup në një restorant me më shumë se 100 vepra arti; ndërsa, në të tretën – në një dhomë provash në një teatër – ka marrë pjesë me Signacun dhe Georges Seuratin. Ashtu si Paul Cézanne dhe të tjerët, ekspozoi gjithashtu në vitrinën e një dyqani të vogël të ngjyrave që drejtohej nga tregtari i artit francez, Julien “Père” Tanguy, portretin e të cilit e pikturoi tri herë.
Lexo po ashtu: Rasti i veshit të van Goghut: Mos ishte faji i Paul Gauguinit?
Mos asgjë, thotë Bregje Gerritse – studiuese në Muzeun “Van Gogh” të Amsterdamit, e specializuar në suksesin e hershëm parisian të artistit dhe e cila dëshiron “të zhbëjë mitin se ishte artist kaq i pasuksesshëm” – shpejtësia me të cilën ky holandez i vrullshëm dhe i pakëndshëm në aspektin shoqëror depërtoi në avangardën e qytetit, duhet të konsiderohet si “diçka e jashtëzakonshme”. Mund të mos ketë bërë shumë shitje, por respektohej nga bashkëkohanikët me të cilët shkëmbente pikturat. Arti i tij po shihej.
“Mësonte shpejt”, thotë Homburg. “Dhe, kurrë nuk ndaloi. Vazhdimisht përpiqej të përmirësohej, të gjente gjëra të reja, forma të reja shprehjeje”.
Kah viti 1888 ishte i lodhur, madje i dërrmuar nga jeta urbane; por lëvizja në Arle nuk duhet të shihet si tërheqje. Gjatë shekullit XIX, ishte e zakonshme që artistët avangardë të kalonin kohën jashtë Parisit. Seurati, për shembull, shkoi në veri në portin e Gravelinit afër Dankërkut; Signacu bleu një shtëpi në San-Trope, atëherë një fshat i vogël peshkimi në Kot d’Azur; Paul Gauguin, së bashku me Bernardin, kaluan kohë në koloninë e artistëve të Pont-Aven në Bretanjë. Pra, vendimi i Van Goghut për t’u nisur për në Provansë – ku shpresonte të joshte artistët e tjerë që t’i bashkoheshin atij në një “Studio të Jugut” – mund të mos shihet si dëshmi e ekscentricitetit ose dëshpërimit.
Nga Provansa, Van Goghu mbeti në kontakt me zhvillimet në Paris, duke korresponduar me Theon, si dhe me Bernardin (me të cilin, sipas brezave të ardhshëm, kishte vazhduar shkëmbimin e ideve artistike) dhe, natyrisht, me Gauguinin. Në tetor 1888, Gauguini mbërriti në Arle dhe jetoi e punoi me Van Goghun për nëntë javë në të ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë “e lyer jashtë me të verdhën e gjalpit të freskët, me grila të gjelbra”, siç e përshkroi Vincenti në një letër.
Po, koha e tyre e përbashkët përfundoi në katastrofë: më 23 dhjetor 1888, Van Goghu pësoi krizën e parë mendore dhe e preu veshin e majtë. Megjithatë, pavarësisht sëmundjes dhe natyrës së tij, Van Goghu ishte, siç thotë Homburg, “një artist jashtëzakonisht i arsimuar, i zhytur në mendime dhe i qëllimshëm … i cili kishte vizion se për çfarë donte të kontribuonte në artin bashkëkohor dhe bëri gjithçka që mundi për ta realizuar këtë”. Kjo shpjegon pse ai pikturoi motive të freskëta, si luledielli inkandeshent ose selvitë e errëta (të cilat i krahasoi me obeliskët egjiptianë në peizazhin provansal “të lagur nga dielli”, duke shkruar: “Më habit se si askush nuk i ka bërë ende ashtu siç i shoh unë”), për të maksimizuar dallueshmërinë e artit të tij. Siç e tha në një letër drejtuar Theos: “Në njëfarë mënyre, luledielli është i imi”. Siç thotë Humburg, ende “anashkalohet” ana tjetër e çmuar e mendjes strategjike të Van Goghut.
Lehtësisht përmbyset vlerësimi i pranuar se ishte dështim i përhershëm gjatë kohës sa ishte gjallë. Në vitin 1889, Van Goghu u ftua të shfaqte vepra në Bruksel, në ekspozitën Les XX (“Njëzetëshja”), te një grup i formuar më 1883 nga avangardistët belgë, i cili ftonte 20 artistët më të njohur ndërkombëtarë për të marrë pjesë në ekspozitën e tyre vjetore.
Lexo po ashtu: “Dhoma e gjumit” e van Goghut
Deri atëherë, Camille Pissarro dhe Claude Monet, si dhe Seurati, kishin ekspozuar me Les XX: “Kur merr ftesë për Les XX”, shpjegon Homburg, “ishte punë vërtet e madhe”. Van Goghu paraqiti gjashtë piktura në ekspozitën e grupit të vitit 1890 – duke përfshirë Vreshtin e kuq (ku ra në sy nga Bochi – e vetmja anëtare grua në Les XX).
Katër ditë pas hapjes së ekspozitës, revista Mercure de France botoi një artikull për Van Goghun, nga poeti dhe kritiku francez i artit, Albert Aurier, i cili me një gjuhë të ndërlikuar dhe të vjetruar e vlerësoi atë si “artist të fortë dhe të vërtetë, nga një racë e pastër me duar brutale prej gjiganti, me nervat e një gruaje histerike, me shpirtin e një mistiku”.
Kështu, deri në vdekjen e tij, Van Goghu pati një reputacion vazhdimisht të rritur ndërkombëtar. Ishte ndoshta gati për të kapur momentin e duhur. Shpeshherë thuhet se bashkëkohësit e tij nuk mund të kuptonin se çfarë nënkuptonte me pikturat e tij, por kjo nuk është e saktë; ndërsa Van Goghu besonte se po krijonte “artin e së ardhmes”, pikturat e tij u vlerësuan – të paktën nga disa – edhe në kohën e tij. Kur fjalët për të u përhapën, shumë njerëz të interesuar për zhvillimet më të fundit në pikturë, vizituan apartamentin parisian të Theos ku ishte ekspozuar puna e Vincentit.
Në të vërtetë, befasia më e madhe është se sa vëmendje ka marrë Van Goghu, pavarësisht se kishte filluar të pikturonte vetëm disa vjet më parë. Nuk ishte vetmitar apo viktimë, por, thotë Homburg, “lojtar kryesor në skenën e artit bashkëkohor”. Ajo shton se nuk është “aspak i vërtet” sugjerimi se arti i tij bie pas krizës fillestare. “Nuk ikën fuqia dhe ambicia e tij prej artisti”.
Pse atëherë vazhdojnë metaforat e vjetra për Van Goghun si gjeni i çmendur dhe hero tragjik? Ndoshta njerëzve nuk u pëlqen që faktet të kundërshtojnë një rrëfim të mirë – dhe ende vazhdon të jetë bindëse skica e biografisë së tij me gjithë ato vuajtje dhe (pa dashur të tingëllojë i pashpirt) me fundin i tij dramatik. Edhe Aurieri i hodhi themelet e mitit kur e përshkroi Van Goghin – të cilin në titullin e esesë së tij e quajti si njëri nga “les isolés” (të izoluarit, ose autsajderët) – si “fanatik” dhe “gjeni i tmerrshëm dhe i çmendur … gjithmonë pranë patologjikes”.
Për më tepër, falë zbulimeve intime të letrave në formë ditari të Van Goghut (më shumë se 800 prej të cilave mbijetojnë), është e lehtë të ndiejmë se kemi një lidhje personale me këtë artist – gjë që, nga ana tjetër, mund të jetë pjesërisht për shkak të hezitimit tonë për të ndryshuar mënyrën se si mendojmë për të. Siç shpjegon Gerritse: “Të gjithë duan ta shohin veten si dikush që, ndonëse tani është i pasuksesshëm, do të zbulohet dhe do të bëhet shumë i suksesshëm pas 10 ose 20 vjetësh”. Në një nivel të thellë instinktiv, ndoshta reagojmë ndaj historisë së suksesit pas vdekjes së Van Goghut, sepse edhe ne shpresojmë se një do të mbahemi mend. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Ylli i Real Madridit ulërin nga dhimbjet e mëdha pas lëndimit të tmerrshëm që pësoi ndaj Villarrealit
Kader Kicaj pjesë e kinematografisë evropiane?
Ronaldo kërkon nga drejtuesit e Al Nassr t’i bëjnë yllit të Man Cityt një ofertë prej një milionë eurosh në javë
Mysafirëve në "daljen e parë publike në 11 vjet" të Michael Schumacher iu dha një rregull i rreptë për t'u ndjekur
Xhuli Nura zbulon lidhjen e re: Djaloshi nga Zvicra është më i ri se ajo
Dyshohet se përmban një oqean dy herë më të madh se ai i Tokës, NASA gati të nisë anijen më të madhe kozmike drejt hënës së Jupiterit