Historia e një kryevepre: “Kështjella e zezë” nga Paul Cézanne


Nga: Alexandra Kiely / Daily Art Magazine
Përkthimi: Telegrafi.com
Kështjella e zezë është një nga disa pikturat që Paul Cézanne i bëri një kështjellë neo-gotike në qytetin e tij të lindjes, Eks-an-Provans, në jug të Francës. Chateau Noir në frëngjisht do të thotë Kështjella e zezë dhe kjo nofkë mund të vijë nga pamja e zymtë e kështjellës. Në këtë pikturë ajo duket vërtet kërcënuese, por në disa prej veprave të tjera të tij paraqitet shumë më miqësore. Këtu po ju paraqesim peizazhin Kështjella e zezë, që sot ruhet në Galerinë Kombëtare të Artit në Uashington.

Paul Cézanne (1839-1906) ishte ndoshta figura më e rëndësishme e artit modern të fundit të shekullit XIX. Ai konsiderohet shpesh si pararendësi i lëvizjeve të tilla si Kubizmi, Fovizmi dhe Abstraksioni. Edhe pse kritikët dhe publiku i kohës së tij nuk dinin si ta vlerësonin stilin e tij të veçantë, breza të tërë artistësh të shekullit XX e kanë parë atë si burim frymëzimi. Vepra e tij zakonisht përfshihet në grupin e post-impresionistëve, megjithëse ai vetë nuk e konsideroi kurrë veten pjesë të ndonjë stili apo grupi.

Te Kështjella e zezë mund të shohim se si Cézanne u shkëput nga natyralizmi në një mënyrë krejtësisht të re. Ndërsa impresionistët kishin tërhequr më parë vëmendjen me risitë e tyre, synimi i tyre kryesor mbetej paraqitja e botës ashtu siç e shihnin. Ata thjesht kishin ide të reja për mënyrën se si duhej bërë kjo. Edhe pse Cézanne ishte mik me disa impresionistë dhe mori pjesë në disa nga ekspozitat e tyre, ai nuk pajtohej me ta në aspektin artistik.
Cézanne ishte një nga artistët e parë perëndimorë që mendoi se çdo subjekt përmbante më shumë sesa pamja e tij vizuale në një çast të caktuar. Pikturat e tij bashkojnë këndvështrime të ndryshme brenda të njëjtit kompozicion; kjo ishte një qasje novatore që hapi rrugën për Kubizmin. Për Cézannein, format ishin elementët më thelbësorë të një pikture dhe ai i krijonte ato duke ndërtuar shtresa ngjyrash, shpesh me tonalitete të gjalla.
Në pikturën Kështjella e zezë, është mjaft e qartë se Cézanne nuk i kushtonte rëndësi perspektivës konvencionale. Është e pamundur të përcaktohet marrëdhënia hapësinore midis kështjellës dhe pemëve. Vepra krijon një efekt të rrafshuar, ku këto dy elemente duken sikur janë vendosur drejtpërdrejt njëri mbi tjetrin. Mali është qartësisht në sfond, por është e vështirë të kuptohet se sa larg ndodhet. Këto hollësi nuk kishin rëndësi për Cézannein i cili ishte më i interesuar të shprehte të vërtetat më të thella përmes pikturës sesa thjesht të riprodhonte atë që shihte përpara vetes.

Shumë nga subjektet e preferuara artistike të Cézanneit, përfshirë Kështjellën e zezë, ndodheshin në zonën e Eksit, ku ai kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij. Më i njohuri është Mali Sen-Viktuar, të cilin Cézanne e pikturoi shumë herë gjatë gjithë karrierës së tij. Pranë tij ndodhen edhe guroret e Bibemysit, të cilat ai gjithashtu i pikturoi shpesh. /Telegrafi/
________________________
Bibliografia:
1. Chateau Noir. National Gallery of Art. Washington DC. Qasja më 19 janar 2020.
2. Paul Cézanne. National Gallery of Art. Washington DC. Qasja më 19 janar 2020.
3. Beth Harris dhe Steven Zucker. “An introduction to the painting of Paul Cézanne.” Në Smarthistory, 9 gusht 2015. Qasja më 19 janar 2020.
4. Ivan Savvine. “Paul Cézanne Artist Overview and Analysis.” Në TheArtStory.org. Redaktuar dhe botuar nga The Art Story Contributors. 1 qershor 2011. E plotësuar dhe modifikuar rregullisht. Qasja më 19 janar 2020.
5. James Voorhies. “Paul Cézanne (1839–1906).” Në Heilbrunn Timeline of Art History. New York: The Metropolitan Museum of Art, 2000–. Tetor 2004. Qasja më 19 janar 2020.




































