Nga: Tobias Buck / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Në vizitën e tij të parë në Aushvic, Navid Kermani bëri një zbulim befasues. Më në fund u ndje gjerman.
I lindur nga prindërit iranianë në qytetin Zigen të Gjermanisë Perëndimore në vitin 1967, Kermani gjithë jetën e vet e kaloi në këtë vend. Botoi dhjetëra libra dhe ese, duke e fituar admirimin e gjerë si shkrimtar, romancier dhe intelektual publik. Kishte pasaportë gjermane. Votoi në zgjedhjet gjermane. Fitoi çmime letrare gjermane. Megjithatë, vetëm këtu, në vendin e krimit më të madh të Gjermanisë ku u vranë rreth një milion hebrenj, Kermani kuptoi se vërtetë i përkiste.
Pasi në gjuhën gjermane u regjistrua për vizitë në kampin e përqendrimit, atij iu dorëzua një ngjitëse për rrobat: Deutsch. “Nëse ishte një moment i vetëm në të cilin jam bërë gjerman, pa ‘nëse’ dhe pa ‘por’, atëherë nuk ishte lindja ime në Gjermani, nuk ishte natyralizimi im, nuk ishte hera e parë kur shkova të votoj”, shkroi ai në Frankfurter Allgemeine Zeitung, pas vizitës. Ishte “kur e vura ngjitësin në gjoks, para meje barakat, pas meje qendra e vizitorëve: Gjerman. Shkova te grupi im dhe në heshtje prita udhërrëfyesin tonë. Te porta ku shkruan Arbeit macht frei, grupet qëndruan një nga një për një foto të çuditshme. Vetëm ne kishim turp”.
Momenti i realizimit të Kermanit në Aushvic – ai përdorimi prekës i fjalës “ne” – duhet të duket i veçantë për jogjermanët. Nga të gjithë shënuesit e identitetit kolektiv – flamujt, festat, fitoret e futbollit, kompozitorët, poetët, peizazhet – pse djali i emigrantëve do ta kishte ndjenjën e përkatësisë kur përballet me simbolin përfundimtar të gjenocidit nazist?
Megjithatë, parë përmes lentës gjermane, kishte një logjikë të fuqishme dhe intuitive ndaj reagimit të Kermanit. Holokausti prej kohësh ka qenë në qendër të Gjermanisë moderne, duke e formësuar politikën dhe shoqërinë e saj, aversionet, konventat dhe instinktet; e ka definuar vendin si asnjë ngjarje tjetër. Por, Holokausti është gjithashtu i rëndësishëm për vetë idenë se çfarë do të thotë të jesh gjerman. Siç tha Joachim Gauck, ish-president gjerman në një fjalim në Parlament: “Nuk ka identitet gjerman pa Aushvicin”.
Që në ditët e para të Republikës Federale, ka qenë e pranishme çështja se si Gjermania lidhet me të kaluarën e saj dhe se çfarë mësimesh duhet të marrë nga katastrofa e Rajhut të Tretë. Kjo mbetet shumë e theksuar sot dhe ndoshta më e kontestuar sesa ka qenë për shumë dekada. Në lojë është ajo që gjermanët i referohen si Erinnerungskultur, ose kultura e kujtesës – angazhimi kolektiv për të kujtuar dhe përballur krimet e kombit nën Hitlerin, si dhe për të pranuar përgjegjësinë e vetme dhe të përhershme të Gjermanisë për vrasjen e gjashtë milionë hebrenjve.
Ky angazhim zbulohet në shumë mënyra: është i pranishëm në sistemin arsimor, në ruajtjen e përpiktë të vendeve të ish-kampeve të përqendrimit, në libra dhe filma dhe në një rrjet unik e të dendur të monumenteve, duke përfshirë Memorialin e madh të Holokaustit në zemër të Berlinit. Mbetet gjithashtu e rëndësishme si pikë referimi në politikën e përditshme, duke ua lënë trashëgimi vendimmarrësve të vendit një busull të thjeshtë morale, por të fuqishme: bëni gjithçka që duhet bërë për të qenë të sigurt se Aushvici nuk do të përsëritet. Farkëtimi i këtij imperativi – që e ka udhëhequr Berlinin drejt pacifizmit në disa raste dhe në të tjerat gjatë konflikteve ushtarake – nuk e ul fuqinë apo thelbin e tij.
Në të vërtetë, epoka e Holokaustit dhe e nazistëve me raste mund të ndihet përgjithësisht si shtypëse në jetën publike. Kur kritikët e masave pandemike të qeverisë dolën në rrugë për të demonstruar në vitet 2020 dhe 2021, disa u shfaqën të veshur me yje të verdhë, duke bërë krahasime me persekutimin e hebrenjve nën sundimin e Hitlerit. Kur partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) hyri në Parlament në vitin 2017, paralajmërimet për ngritjen e nazizmit ishin refren i vazhdueshëm.
Kur Gjermania u pajtua të furnizonte Ukrainën me armë, për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus në vitin 2022, këtë e bëri vetëm pas debateve të dhimbshme në të cilat mbështetësit dhe kundërshtarët bënë me dije për përgjegjësinë e veçantë historike të vendit. Tanket gjermane nuk duhet të drejtojnë më tytat drejt forcave ruse, argumentoi njëra palë. Gjermania nuk mund të qëndrojë mënjanë kur një tiran kërkon të pushtojë fqinjin paqësor, kundërshtoi pala tjetër. Argumenti themelor në fund ishte i njëjtë: për shkak të Hitlerit dhe Aushvicit, Gjermania duhet.
Ky imperativ mbetet i fortë, ashtu si edhe angazhimi i gjermanëve për të ruajtur kujtimin e Holokaustit. Megjithatë, disa nga parimet qendrore të kulturës së kujtesës gjermane tani veten e shohin të sulmuar si rrallëherë më parë. Kritikat më të ashpra vijnë, çuditërisht, nga e djathta ekstreme e ringjallur, veçanërisht nga AfD-ja. Ashtu si lëvizjet e tjera gjermane të ekstremit të djathtë, partia e përçmon atë që e sheh si kulturë të vetëfshikullimit. Qëndrimi i saj u përmblodh në vërejtjen famëkeqe të një prej liderëve të AfD-së, më 2018, duke e hedhur poshtë Rajhun e Tretë si “njollë dëshpërimi në më shumë se një mijë vjet të historisë së suksesshme gjermane”.
Ka qenë një kohë kur deklarata e tillë do të kishte qenë fundi i karrierës për çdo politikan të zgjedhur në Gjermani. Që nga ngritja e AfD-së, gjërat e tilla mund të thuhen – pa u ndëshkuar – nga drejtuesit e një partie që, sipas sondazheve të fundit, ka mbështetjen e rreth 20 për qind të votuesve gjermanë.
Por, nuk janë vetëm politikanët e ekstremit të djathtë ata që kanë shprehur shqetësime për kulturën gjermane të kujtesës. Në të vërtetë, disa nga kritikët më të mprehtë të Erinnerungskultur-ës sot – brenda dhe jashtë Gjermanisë – qëndrojnë fuqishëm në kampin progresiv. Ata ndër të tjera theksojnë ndryshimin dramatik demografik që ka pësuar vendi që nga epoka e menjëhershme e pasluftës dhe pyesin se çfarë mundet dhe duhet të nënkuptojë Holokausti për miliona gjermanë që rrënjët i kanë në Turqi, Portugali, Marok, Rusi, Iran apo Bosnje?
Përgjigja e Kermanit për këtë pyetje ishte se edhe ata duhet ta shohin Holokaustin si pjesë të historisë së tyre. Por, në një vend ku një në katër qytetarë vjen nga komuniteti i imigrantëve, a mundet Holokausti – dhe reagimi i pasluftës i Gjermanisë ndaj Holokaustit – të mbeten vërtet dritë drejtuese politike, e lëre më komponent i identitetit kombëtar për të gjithë?
Një linjë tjetër e sulmit nga një brez i ri i historianëve dhe intelektualëve, synon nocionin se Holokausti ishte ngjarje e veçantë që kundërshton krahasimin me krimet e tjera historike. Ky është territor i pabesë intelektual, veçanërisht që nga Historikerstreit-i famëkeq i viteve 1980, ose mosmarrëveshja e historianëve në të cilën historianët e krahut të djathtë u përpoqën të avanconin tezën se krimet e nazistëve ishin të krahasueshme dhe në një farë mënyre edhe reagim ndaj krimeve të Stalinit. Ky argument u diskreditua përfundimisht. Sot është rishfaqur, megjithëse me paralele të ndryshme historike: krimet e sundimit kolonial gjerman në Afrikë.
Atë episod disa historianë e shohin si prelud të gjenocidit nazist dhe argumentojnë se Holokausti duhet të vendoset në një kontekst më global dhe në të vërtetë kolonial. Ky argument, nga ana tjetër, ka ndezur një kundërsulm të furishëm nga studiuesit më të njohur, të cilët i akuzojnë homologët e tyre se po përpiqen ta relativizojnë Holokaustin.
Debati ka marrë kah më të mprehtë pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe luftës izraelite që pasoi në Gazë – mes paralajmërimeve për rritjen e antisemitizmit dhe islamofobisë në Gjermani. Në kohën kur vetë Izraeli akuzohet për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë – një rast që ka shkaktuar zemërim jo vetëm në Izrael, por edhe në Gjermani – është nën hetim intensiv mbështetja e fortë historike e vendit për shtetin hebraik.
Një akuzë – e bërë jo më pak se nga intelektualet progresive hebraike si Susan Neiman dhe Deborah Feldman – është se faji gjerman për Holokaustin e ka bërë vendin të verbër ndaj padrejtësive të politikës izraelite ndaj palestinezëve. Kritikat ndaj Izraelit, veçanërisht pas sulmeve të 7 tetorit, në të vërtetë shpeshherë pasohen nga një reagim i ashpër publik.
Dhjetorin e kaluar, për shembull, shkrimtarja dhe eseistja ruso-amerikane Masha Gessen duhej të merrte çmimin prestigjioz Hannah Arendt. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u anulua papritur pasi u botua një artikull në The New Yorker që krahasonte Rripin e Gazës me getot hebraike në Evropën Lindore të pushtuar nga nazistët dhe duke e akuzuar Izraelin për “likuidimin e getos”. (Çmimi përfundimisht iu dha Gessenit, por vetëm pas një breshërie të kritikave dhe një ceremonie shumë të reduktuar.) Në festivalin e filmit në Berlinale, në muajin e kaluar, fakti se disa nga fituesit u shprehën në skenë për dënimin e luftës së Izraelit në Gazë, kjo tërhoqi një qortim të shpejtë nga qeveria federale – dhe një debat të ri mbi subvencionet publike për festivalin.
I kam ndjekur këto debate me interesim të madh personal. Meqë jam rritur në Gjermani në vitet 1990, trashëgimia e Holokaustit dhe çështja e fajit kolektiv gjerman për krimet e nazistëve, ishin çështje që kishin brenga të menjëhershme – si për mua ashtu edhe për shumë nga bashkëkohësit e mi. Polemikat e fundit mbi kulturën e kujtesës u zhvilluan çdo herë e më shumë teksa punoja në një libër për gjyqet e fundit të Holokaustit në Gjermani – përpjekja e vonuar nga prokurorët dhe gjyqtarët gjermanë për të dhënë drejtësi për viktimat e regjimit nazist, pas dekadave të të tëra të neglizhencës së turpshme.
Këto gjyqe ofruan mundësinë e fundit për dëshmitarët e mbetur, të pafajshëm dhe fajtorë, për të treguar historinë e tyre në një forum publik. Zërat e tyre shumë shpejt do të heshtnin. Pa ta dukej edhe më nxitëse çështja se si do të kujtohet Holokausti dhe cilat mësime mund të nxirreshin prej tij.
Ndër intelektualët gjermanë që në mënyrë më elokuente lufton me këtë dilemë është Per Leo – romancier dhe eseist që jeton në Berlin dhe i cili ka shkruar gjerësisht për kulturën e kujtesës. Gjermania sot, thotë ai, ka nevojë për një qasje të re ndaj kulturës së kujtesës – pjesërisht sepse vendi nuk mund të kuptohet më thjesht si pasardhësi i shoqërisë që solli Hitlerin dhe Aushvicin.
“Mund ta shtronit këtë rast më 1978 ose në 1988 dhe ndoshta edhe në fillim të viteve 1990. Por, nuk mund ta shtrosh tani këtë rast”, më tha Leo. “Së pari, tash e kemi brezin e katërt [pas nazizmit], brez të cilit i përket vajza ime e që është brezi i parë që nuk preket dhe shënjohet më në aspektin biografik. Kemi gjithashtu një shoqëri migrimi, jashtëzakonisht komplekse, me popullsi shumë të madhe arabe dhe myslimane dhe me një pakicë të vogël – por shumë të theksuar – hebraike që në vetvete është krejtësisht e larmishme. Dhe, më pas kemi popullsinë e dikurshme të RDGj-së (Gjermanisë komuniste Lindore) që ka qasje shumë më ndryshe ndaj historisë së diktaturës dhe kujtesa e së cilës në shumë mënyra bie ndesh me kujtesën e Holokaustit.
Me fjalë të tjera, kultura e kujtesës së Gjermanisë ishte produkt i një grupi të caktuar të rrethanave në një vend dhe në një kohë të caktuar. Imponimi i tij mbi një brez të ri dhe mbi qytetarët e rinj gjermanë rrënjët e të cilëve shtriheshin diku tjetër, ishte e gabuar dhe në fund të fundit e kotë.
Ajo që e shtyu Leon drejt marrjes së një qëndrimi më kritik ndaj qasjes së Gjermanisë ndaj kujtimit të Holokaustit, siç më tha, ishte ngritja e AfD-së. Shfaqja e një partie të re e ekstremit të djathtë u prit me dëshpërim nga shumë gjermanë. Shumë nga politikat dhe deklaratat e saj ishin vërtet të neveritshme. Megjithatë, ajo që e shqetësoi Leon ishte përdorimi i vazhdueshëm i imazheve dhe metaforave naziste nga kritikët e AfD-së. Paralelet e tilla, mendon ai, nuk ishin vetëm të pasakta në aspektin historik, por në fund të fundit ishin vetëshkatërruese. AfD-ja lulëzoi me to. Indinjata politike dhe krahasimet naziste jo vetëm që dështuan të trembnin mbështetësit e saj, por e përforcuan ndjesinë – të ushqyer nga partitë populiste kudo – se rrjedha e përgjithshme liberale e kishte bravën përkitazi me atë që mund të thuhej dhe se çfarë nuk mund të thuhej, dhe se AfD-ja kishte plotësisht të drejtë për ta sfiduar këtë bllokim.
Nëse kritikat ndaj politikës së Gjermanisë për azilin ju bëjnë nazist në sytë e establishmentit politik, atëherë ndoshta institucioni është ai që e ka humbur rrugën. “Duhet ta ndalojmë partinë e re naziste në mënyrë që të mos përsëritet regjimi fashisti – kjo është marrëzi”, më tha Leo. “Nuk funksionon. Ju thjesht po e bëni AfD-në më të fortë sesa duhet”.
Reagimi ndaj AfD-së ishte, përfundoi ai, simptomë e një problemi më të gjerë. Periudha naziste dhe Holokausti ishin aq dominuese në diskursin publik, saqë gjermanët vazhdimisht synonin krahasime dhe atë në mënyrë refleksive. “Është krejtësisht absurd pretendimi bazik se kultura jonë e kujtesës dhe kujtimi i Holokaustit është themeli i demokracisë sonë. Kjo nuk do të thotë se ne duhet ta harrojmë Holokaustin, por do të thotë se duhet të mendojmë me shumë kujdes se si ta kujtojmë atë”, argumentoi Leo.
Jürgen Zimmerer, profesor i historisë në Universitetin e Hamburgut dhe drejtor i një instituti që i përkushtohet studimit të kolonializmit gjerman dhe trashëgimisë së tij, është një tjetër zë i spikatur që bën thirrje për rimendim. Shqetësimi i tij kryesor është se Gjermania ka dështuar t’i kushtojë vëmendje të mjaftueshme një njolle më pak të njohur të historisë së vendit në shekullin të XX – masakrën masive të fiseve Herero dhe Nama nga forcat koloniale gjermane në Afrikën Jugperëndimore gjermane, në Namibinë e sotme, ndërmjet viteve 1904 dhe 1908.
Përballë rebelimit të këtyre dy fiseve kundër sundimit kolonial, ushtria gjermane nisi një fushatë brutale nënshtrimi, duke i shtyrë disa pjesë të popullsisë në shkretëtirë, pa furnizime, dhe duke i grumbulluar të tjerët në kampe përqendrimi. Deri në 100 mijë pjesëtarë të hererove dhe namave u vranë në atë që tani gjerësisht shihet si gjenocidi i parë i shekullit XX.
Zimmereri dëshiron që bashkatdhetarët e tij të kuptojnë lidhjen midis gjenocidit gjerman në Afrikën Jugperëndimore dhe gjenocidit gjerman në Evropën Qendrore dhe Lindore më pak se katër dekada më vonë. Teza e tij përmblidhet në titullin e librit të tij më të njohur: Nga Vindhuku në Aushvic?
“Ushtria gjermane zhvilloi një luftë asgjësimi në Namibi, një luftë gjenocidale asgjësimi”, më tha ai. “Dhe, këtë parim të një lufte gjenocidale asgjësuese e gjejmë të përsëritur në luftën kundër Bashkimit Sovjetik. Ky është argumenti”. Vetë Holokausti, vazhdoi Zimmereri, nuk mund të shkëputet nga ajo luftë.
“Këtu është një kulturë ushtarake dhe një kulturë burokratike që në harkun kohor të 40 vjetëve solli zgjidhje gjenocidale për të dy rastet. Mendoj se kjo meriton një vështrim më të afërt”, tha ai. Në mendjen e Zimmererit, injorimi i kësaj lidhjeje ishte i barabartë me minimizimin e përgjegjësisë gjermane për Holokaustin, sepse i paraqiste krimet naziste si lajthitje: “Është shfajësuese, sepse po e shkëputni Holokaustin nga historia gjermane”, më tha ai.
Faji gjerman nuk ishte një “ose/ose” në aspektin që kujtimi i Holokaustit përjashtonte kujtimin e gjenocidit afrikan ose anasjelltas. Vetëm duke i njohur të dy ato – dhe duke e kuptuar lidhjen mes të dyjave – Gjermania dhe bota në përgjithësi mund t’i nxjerrin mësimet e duhura historike.
Pas këtyre debateve është ndjenja se ka diçka të ritualizuar në lidhje me Erinnerungskultur-ën e Gjermanisë dhe se kjo shumë shpesh e merr formën e një gjesti performues. Janë pa dyshim të vërteta, si pendesa ashtu dhe turpi që shumë gjermanë kanë ndier ende ndiejnë për Holokaustin, siç është edhe impulsi politik për të qenë të sigurt se krimet e nazistëve nuk do të përsëriten. Por, ndjenja kolektive e turpit të Gjermanisë ndonjëherë përputhet me ndjenjën kolektive të krenarisë për faktin se kombi në radhë të parë po e ndien turpin – dhe se kaq haptas e shpreh atë turp dhe çdo ditë.
Në një akt të jashtëzakonshëm të xhijuxhicusë historike, Gjermania gjatë viteve ka arritur ta kthejë negativen në pozitive: përmes kujtimit dhe njohjes, krimi i tmerrshëm i Holokaustit u bë burim i ri i forcës morale dhe madje i epërsisë morale. Mesazhi i nënkuptuar është: edhe kombet e tjera kanë kapituj të errët në historitë e veta. Megjithatë, askush nuk ka qenë kaq i plotë në shqyrtimin e këtyre krimeve dhe në shlyerjen e tyre. Në gjuhën e marketingut, kultura e kujtesës së Gjermanisë është bërë pikë unike e shitjes, pjesë e rëndësishme e markës kombëtare, e admiruar jashtë vendit si një nga ato makinat luksoze të krijuara me saktësi inxhinierike.
Me të vërtetë, ka ende shumë për të admiruar në lidhje me Erinnerungskultur-ën e Gjermanisë – seriozitetin e debatit, vendosmërinë për të mësuar nga historia – veçanërisht në një kohë kur vendet e tjera vazhdojnë ta shohin historinë e vet vetëm përmes prizmit të lavdisë apo viktimizimit. Por, duket gjithashtu e qartë se pothuajse tetë dekada pas përfundimit të luftës, dhe me një shoqëri gjithnjë e më të larmishme dhe të fragmentuar, do të bëhen më të forta thirrjet për një qasje të re.
“Kur them se Erinnerungskultur-a do të zhduket pas 20 vjetëve, kjo nuk do të thotë se ne shpresojmë se nuk do të angazhohemi ende në shumë mënyra, dhe në mënyrë inteligjente, me nacionalsocializmin”, më tha Leo. Është e padyshimtë se Gjermania dëshiron dhe duhet të vazhdojë ta ndiejë përgjegjësinë për viktimat e Holokaustit. Megjithatë, ajo që rrodhi nga ajo përgjegjësi, në aspektin praktik dhe politik, ishte shumë më pak e sigurt. “Sigurisht që ne duhet të nderojmë viktimat”, tha ai. “Por, kjo nuk mund të jetë baza e politikës tonë”.
Me gjithë ashpërsinë dhe ankthin e krijuar nga këto polemika të fundit, ka diçka qetësuese në lidhje me nxehtësinë dhe tërbimin e krijuar nga luftërat e kujtesës në Gjermani. Ato tregojnë se – pavarësisht kalimit të viteve – Holokausti mbetet çështje e gjallë dhe që ende e ka kapacitetin për ta shtyrë vendin që të ndalet dhe të mendojë. Për sa kohë debatojmë, nuk harrojmë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR
Para 70 vitesh u incizua kënga “Kur gjethet bien në vjeshtë”: Me këngëtarin Rudolf Stambolla, të parin e muzikës moderne shqiptare
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje