LAJMI I FUNDIT:

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Përgatiti: Andreas Dushi

Në numrin 8 të vjetit V, datë 22 Fëruer (Shkurt) 1942, e përjavshmja Kumbona e së Diellës çelet me kryeartikull “Emzot Prengë Dochi” të shkruar nga Dom Nikollë Sahatçia. Me detaje, ai tregon jetën dhe veprën e klerikut e gjuhëtarit të shquar. Mes të tjerash, thotë:

Në vjetin 1899, bashkë me Dom Ndoc Nikajn, themeloi ma të paren shoqni letrare në Shkoder, shoqnin “Bashkimi”. Kjo shoqni i dha shkas të madh zhvillimit të gjuhës shqipe që Dera e Stambollit donte m’e zhdukë, kurse ndalote çdo botim në ket gjuhë e dënote randë autorin, e veç toleronte botimet me subjekt fetar. Prandej Emz. Dochi kësaj shoqnie i dha ngjyrë fetare, e pjestarët e saj i zgjodh prej klerit: françeskaj e priften. Posë librave të botuem, prej kësaj shoqnie kemi Alfabetin që Kongresi i Manastirit, mbajtë në Nanduer 1908, e miratoi, duke i bâ pak ndryshime.

Pra, sipas Sahatçisë, është pikërisht alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” ai që u zgjodh nga Kongresi i Manastrit për të qenë alfabeti i gjuhës shqipe.

Paraprakisht, le të sqarojmë pak si u krijua kjo shoqëri. Në parathënien e ribotimit të  Fialuer i Rii i Shqypes, Perbâam prêie Shocniiet t’Bashkimit (Botimet Fishta, 2018), Nikë Ukgjini citon Dom Ndoc Nikajn i cili, si dëshmitar i kohës, flet se si kjo shoqëri zë fill në vitin 1893 kur bëhet një takim mes Doçit dhe disa klerikëve:

[Shoqëria Bashkimi] kishte për detyrë Bashkimin e Shqyptarve pa dallim feje dhe fisi… U lidhme me shkrue në giuhen shqype, seicili si mbas andjes së vet dhe si mbas prirjet përkatëse.

Në vitin 1899, kjo shoqëri merr formën e vet zyrtare nën emrin “Bashkimi”. Në takimin themelues të saj ishin: Imzot Preng Doçi, Imzot Lazër Mjeda, Dom Jak Sarreqi, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndoc Sheldia, Dom Gjon Koleci, Dom Mark Shllaku, Atë Pashko Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Dodë Koleci, Dom Mëhill Çuni, Mati Logoreci, Gasper Beltoja dhe Ndue Paluca. Kryetar i saj u zgjodh Preng Doçi.

Për t’u rikthyer te tema e alfabetit, po në Kumbonën e së Diellës¸ pak muaj më vonë, përkatësisht më datë 17 Mâjë 1942, numri 20, Gjon Ujka nën pseudonimin Lul Shkurti shkruan një artikull me titull Shênjime rreth alfabetit.

Ai kundërshton pohimin e Sahatçisë duke thënë:

I vlerti D. Nikollë Sahatçija n’artikullin kujtimuer që ka botue në “Kumbonë” nr. 8 permbi atdhetarin e madh Imz. Prengë Doçin, paraqet pohimin se alfabeti që na përdorim sod nuk âsht tjeter, por ai i “Bashkimit” të cilin Kongresi i Manastirit e miratoi me pak ndryshime.

Âsht një gabim në të cilin pa dashtë bjen shumëkush, ky që me kujtue se alfabeti i “Bashkimit” kje ai që, me pak ndryshime, u pranue prej Kongresit të Manastirit i cili i dha fund çështjes atëherë aq të vshtirë t’alfabetit tue adoptue dy alfabetna, prej të cilit i dyti âsht ky që na kemi sod, por që qyshë atëherë u parashifte se do të mbetej i vetmi në përdorim të përgjithshëm. Prandaj, mbasi faktet historike shumë herë harrohen, besoj se nuk âsht keq me kërkue e me pa se çka alfabeti i sotshëm kâ marrë e çka kâ lânë prej atij të “Bashkimit”. 

Para se të vijojmë, të shohim cilat janë shkronjat e alfabetit të “Bashkimit”, marrë nga faqja VII e Fjalorit të hartuar prej shoqërisë në fjalë:

Bazuar në këtë, Ujka argumenton:

Tue lânë jashte germat që i kanë të perbashkëta me të tjerë dy alfabetat, një shqyrtim i këtyne ka me na diftue se n’alfabetin e sotshëm gjinden vetem pesë germa t’atij të “Bashkimit”, d. m. th. dh, ll, th, sh e rrPerkundra janë lânë jashtë prej si dymbedhetë germa me vlerë fonetike që këto kishin n’atë alfabet… Në vênd të germave të perjashtueme prej atij të “Bashkimit”, alfabeti i Manastirit mori shtatë prej atij të “Stambollit” e të “Agimit”… e pesë të tjera i shtîne së parit në perdorim.

Duhet thënë se Shoqria e Stambollit, e njohur ndryshe si Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip u themelua më 12 tetor 1879 në Stamboll nga disa intelektualë shqiptarë si Sami Frashëri, Pashko Vasa e të tjerë, ndërsa Agimi “lindi” nga gjiri i Bashkimit kur dy vëllezërit Mjeda, Imzot Lazri dhe dom Ndreu u shkëputën duke krijuar shoqërinë e tyre letrare.

Por pse ndodhi kjo shkëputje?

Është shkruar shumë rreth kësaj teme, ama studiuesi më pasionant i jetës dhe veprës së dom Ndre Mjedës mbetet Mentor Quku me dhjetë vëllimet kushtuar personalitetit të tij. Në të tretin, ai flet gjerë e gjatë për këtë temë duke cituar njerëz që dëshmuan gjithë çfarë ndodhi, mes tyre edhe vetë Imz. Doçin që, në një letër dërguar Golluhskovit më 11 gusht 1903 shkruan:

Dom Ndre Mjeda, i liruar prej shoqërisë Jezuitëve, qe vendosur në Abacinë e Mirditasve prej meje, kryesisht që talentin e vet t’ia konsakronte kësaj shoqërie letrare [Bashkimit]. Por ai, që më përpara kishte deklaruar se është gati të sakrifikojë edhe opinionet e tij private për dëshirat e mija, u shfaq kundërshtar në mbledhjen e parë (qershor 1899) në të cilën qe ftuar si anëtar i saj, pasi pa se nuk arrinte t’ia ndryshojë programin veçanërisht lidhur me alfabetin e saj ose të shkëpusë pjesëtarët e saj nga qëllimi për ta mbajtur.

Më pas, ai citon Dr. Ranzin i cili në raportin e tij për Doçin thotë:

Mbledhja tjetër e “Shoqërisë për unifikimin e gjuhës shqipe”, u bë… Përveç Dom Andrea Mjedës, që u shkëput nga shoqëria, të gjithë anëtarët e tjerë u solidarizuan plotësisht me mënyrën e re të shkrimit duke hequr dorë nga pretendimet apo vërejtjet e tyre të mëparshme.

Deri tani, del se arsyeja e vetme e shkëputjes së Mjedës nga “Bashkimi”, ishte çështja e alfabetit. Tani le të shohim se kur dhe si zë fill “Agimi” duke përmendur një letër të Atë Pashko Bardhit dërguar Mid’hat Frashërit në vitin 1929, marrë gjithashtu prej po të njëjtit libër:

Kundërshtari ma i pari e ma i madhi i alfabetit të Bashkimit ka kenë Dom Ndre Mjedja. Ky, në të dytën mbledhje, në të cilën së parit muer pjesë si pjesëtar i Bashkimit, ju kundërshtue alfabetit, e lypte një alfabet me sheja diakritike. Pak mbrapa kje ba ipeshkëv Dom Lazer Mjedja, i cili filloi me mbështetë vllaun e vet Dom Ndren, e bashkë me t’Emzot Prend Biankun, kryeipeshkvin e Durrcit e me t’Emzot Pashko Trokshin kryeipeshkvin e Shkupit, bane në mnyrë që t’u bate në Shkodër një mbledhje ipeshkvijsh, për me caktue një alfabet të pergjithshëm për Gegni. Se i cili ipeshkv muer me vedi në këtë mbledhje ka një meshtar… Në këtë mbledhje, Dom Ndre Mjedja propozoj alfabetin e vet kundra atij të Bashkimit, e kështu bani edhe Dom Gasper Jakova. Mbledhja u shpernda, pa marrë një farë vendimi. Atëherë Bianku, Trokshi e L. Mjedja u mblodhen në Nenshat,… e ktu pranuen alfabetin e Ndre Mjedjes e themeluen shoqninë Agimi. Kta ndodhí në vitin 1901.

Tani le të rikthehemi sërish te shkrimi i Ujkës rreth çështjes së alfabetit:

Prandaj shifet kjartë se tue u pranue prej shtatëmbëdhjetë germave, vetem pêsë t’alfabetit të “Bashkimit” e tue u perjashtue dymbëdhjetë, nuk ka si thohet se ky i sotshmi nuk âsht tjeter veçse i pari me pak ndryshime.

Sikurse âsht dëshmue prej pjestarëve të Kongresit, alfabeti i sodshem âsht veper e D. Ndre Mjedës i cili, në mes t’antithesave të ndryshme që u shfaqne në gji të Kongresit, që ishin duke vue në rrezik të mbërrijtunin e qellimit të tij…, ja doli në krye të qellimit tue propozue alfabetin e sodshëm, i cili u pranue prej Kongresit…, pa kurrnji ndryshim.

Alfabeti i “Bashkimit”, sikurse e thekson edhe i ndritëshmi gjuhëtar Atë Justin Rrota O. F. M. në veprën e vet të çmueshme “Për historin e alfabetit shqyp”, nuk ishte i themeluem mbi baza shkencore…

Artikulli, mandej, vijon duke treguar e shpjeguar tipare të alfabetit që përzgjodhi Kongresi dhe duke vënë në dukje ndonjë mungesë të tij. Por nuk është ky objekti i këtij shkrimi.

Në Hylli i Dritës, vjeti 1942, numri i mars – prillit, Atë Pashko Bardhi boton një artikull, gjithashtu për Doçin. Mes të tjerash, në faqen 129 – 130, ai shkruan:

Në Pjesën e dytë të “Zanit të Shna Ndout”, un kam botue do shenjime historike mbi alfabetin e gjuhës shqype, në numrin e Qershorit 1920, faqe 153 – 155 kam shkrue mbi shoqnitë letrare “Bashkimi” e “Agimi” e mbi kongresin e Manastirit gjânësisht njashtu si jam tuj shkrue sot. At herë, në mos të gjith, nemose shumica e atyne që kanë marrë pjesë në kongres të Manastirit, kanë kênë gjallë, e gjallë ka kênë edhe D. Ndre Miedia. E asnjë nuk âsht gjetun që u ka kundershtue fjalvet të mija, pse të gjithë e kanë dijtë se un tjetër së kam bâ, veç kam kallxue të verteten. E tash, mbasi kanë kalue 33 vjetë çë se âsht mbajtë kongresi i Manastirit…, po ka asish të cilët, tuj shtrembnue të verteten historike, duen me i kallxue rrjedhjet e punvet në kongres të Manastirit krejt ndryshe se kanë kênë në realitet. Këta do me thanë: I zoti e jep, e tellalli s’e jep.

Kjo pjesë e shkrimit mbyllet me një pohim interesant i cili, kundërshtisë me nota të forta i jep një sens të lehtë dashamirësie. Por më përpara, le të lexojmë se për çfarë artikulli flet Atë Bardhi:

I botuar në “Zani i Shna Ndout”, shkrimi mban titullin Shoqnija e “Bashkimit” e shoqnija e “Agimit”. Në të, mes të tjerash, tregohen dallimet mes këtyre dy shoqërive, librat që u botuan me alfabetin e njërës dhe të tjetrës. Sipas tij, ndasija mes tyre qëndronte në një pikë:

Pak mbrapa kundra shoqnijet të “Bashkimit” kje themelue shoqnija e “Agimit”. Kundërshtimi i “Agimit” ishte të përdorumet e shkronjave me shejë në vend të shkronjave të dyzume, e kështu n’alfabet t’“Agimit” ishin nandë bazhkëzanore me shejë siprit.

Në vijim, kur flet për çështjen e Kongresit të Manastirit, Bardhi thotë:

…Për këtë arsye, atdhetarët e zgjedhun në komision, e panë me udhë që për gjuhen shqype t’u përdorojshin dy alfabeta: i Stambollës e i “Bashkimit” me ato ndryshime që përdorohen sot.

Dom Ndre Mjeda përmendet vetëm si përfaqësues i Agimit në Kongres, pa iu dhënë asnjë meritë e atillë sikurse është ajo që pretendon Ujka.

Për t’u rikthyer te shkrimi i Atë Bardhit në Hyllin e Dritës, në mbyllje ai thotë:

Emzot Doçi e D. Ndre Miedia kan kênë dy burra e dy atdhetarë të ndershem e, ndonse kundershtarë në çashtje t’alfabetit – të dy – gjithcili simbas pikpamjet të vet – kanë punue per të mirë t’atdheut. Por gjithcili ka meritimet e veta e nuk âsht nevoja me marrë lavdet e njênit e me ja mbështetë tjetrit. Unicuique suum.

…Kurrkush nuk mundet me e mohue se D. Ndreu ka kênë një nder shkrimtarë e vjershtarë mâ të mirë që ka pasë Shqypnija. Pra i mjaftojnë lavdet e veta e s’ka nevojë per të huejat, të cilat, po t’ishte gjallë – si burrë me karakter që ka kênë – ai vetë nuk kishte me i pëlqye.

Na të gjithë punojmë me një program: “Fe e Atdhe”. Por çdo polemikë që bâhet sot mbi ket çashtje krejt të pavend e të panevojshme, veç dâm se kurrfarë dobije s’i bje as fesë e as atdheut.

Me sa duket, Ujka këtë shënim e ka marrë sikur i drejtohej atij, prandaj, sërish në Kumbona e së Diellës (vjeti 5, nr. 34, fq. 410 – 411) boton një shkrim, me po të njëjtin titull si i pari: Shênjime rreth alfabetit:

Një artikull i vogel i imi me të njajtin titull botue në “Kumbonen e së Diellës”… paska tërhjekë oroen e të ndertit Atë Pashko Bardhit i cili, ndonëse tërthuer e pa më emnue, më ka nderue me një përgjegje nder fletët e “Hyllit të Dritës”…

Pasi citon çfarë Bardhi ka shkruar, vijon:

Këto fjalë t’Atë Pashkos nuk kanë se si me i u shkrepë tjeter sendit, por njatij pohimit të paraqitun prej mejet n’artikull se: alfabeti i sodshëâsht veper e D. Ndre Mjedës. Por, tue më bâ mue një padi kaq të randë, se kam shtrembnue të verteten historike, ishte lypë që Atë Pashkja të kishte diftue njikohësisht se kush kje, mbas tij, autori i alfabetit. Pse këtu nuk e kemi çâshtjen se kush e mori iniciativën për të përbâm alfabetin, as kujt i shkoi meritimi për përpjekjet e bâme që lumnisht ja mbërriten qellimit të pranimit të tij, por të pyetunit që bâhet asht: kush e hartoi alfabetin?

Pasi shtron këtë pyetje, Ujka thotë se nuk mund të jetë “një komision” pse, sipas tij, veprimi njerëzor nuk mundet me pasë një kavi impersonale, actiones sunt suppositorum. Ai vazhdon t’i mëshojë idesë se është pikërisht Dom Ndre Mjeda hartuesi, tanimë duke dhënë një fakt i cili mund të mos jetë bindës, por është mjaft interesant:

Por unë pohimin se hartuesi i alfabetit asht Dom Ndreu nuk e kam trillue prej vedit. Tue lânë në njanen anë çka kam mujtë me ndî edhe prej pjestarëve të tjerë të Kongresit, unë pohimin e treguem e kam ndî shi prej gojës së Dom Ndre Mjedës, i cili, në një rasë, formalisht ka deklarue se alfabetin e Manastirit e ka hartue ai rrokull punimeve të Kongresit, e se ky alfabet i paraqitun prej tij, kje pranue prej komisionit e prej Kongresit pa kurrnjë ndryshim.

Sipas Gjon Ujkës, nuk ka qenë vetëm ai personi i cili e ka dëgjuar këtë deklaratë; kanë qenë edhe të tjerë, emrat e të cilëve nuk thuhen:

Ket deklaratë të Dom Ndreut e kanë ndî edhe të tjerë sikurse unë. Pra nuk asht rasti kur: i zoti e jep e tellalli s’e jep, por asht tellalli që bâhet jehona e fjalës së të zotit.

Duke u bazuar edhe në pohimin e Atë Bardhit për karakerin e Mjedës, Ujka vijon:

Pohimi i bamë prej Dom Ndreut lypet të besohet pa tjeter, sepse, si e thekson edhe Atë Pashkja vetë, Dom Ndre Mjeda ka kênë një burrë i ndershem e me karakter, e përveç kësajë, ka kênë edhe një Meshtar katholik shembulluer në të cilin posë virtyteve tjera, ka spikatë ai i përvujtnisë, e pra kishte me kênë absurd me mendue se ai ka bâ një deklaratë të rrêjshme tue i mveshë vedit një meritim që s’do ta kishte.

Ujka e di se një deklaratë e tillë ngjan e pabesueshme pasi, sikurse thonin latinët, verba volant, scripta manent, ndaj shkrimi i tij vazhdon:

Mundet me kênë se ndoshta nuk ka me u besue dëshmia e jême prej Atë Pashkos ose kujtdo kjoftë. Ani çka. Detyra e jême e e të tjerëve si unë, âsht gjithmonë me dhanë dëshminë ma të plotë e formale për çka kemi ndî prej Dom Ndreut.

Puna pse Dom Ndre Mjedja ket deklaratë nuk e ka bâ me të shkrueme sa kje gjallë, nuk provon kurrgja. Përveçse ai nuk ishte një reklamist i veprimtarive të veta, çashtja se kush asht kênë hartuesi i alfabetit nuk asht çilë asnjë herë, e nuk asht gjetë kurrë kush që me i thanë Dom Ndreut: Alfabetin e kam hartue unë e jo ti. Prandej nuk ka kênë nevoja me bâ një pohim që asht kenë i dijtun e i pranuem prej pjestarëve të Kongresit sa ishin gjallë. Vetem në një rast të posaçëm që asht paraqitë, e ka ba gojas deklaraten e naltregueme, tue theksue se po e thote jo për me i bâ një lavd vetvedit, por sa me u dijtë.

Pra, tanimë kemi një dëshmi të supozuar nga Dom Ndre Mjeda se ka qenë ai hartuesi i fjalorit. Duhet kuptuar qartë, jo ai që ka krijuar shkronjat, pasi shkronjat e alfabetit të Agimit janë me shenja diakronike dhe jo dyshe, sikurse qe ai që u vendos nga Kongresi, por ai i cili ka “përzgjedhur” grafemat për t’iu përgjigjur fonemave të shqipes.

Në periodikët e asaj kohe, mund të lexoje shpesh për këtë temë. Por pse ajo ka hapur dhe vijon të hapë diskutime akoma dhe sot? Le të bëjmë një udhëtim të shkurtër kronologjik në ditët kur u mbajt Kongresi, duke u bazuar në raportin e bërë gjatë gjithë ditëve që ai zgjati, botuar në numrin special të revistës LEKA me rastin e XXV – vjetorit të pavarsisë, datë 28 nëntor 1937, fq. 350 – 363.

Si fillim flitet për dy ditët e para të Kongresit kur prezantohen delegatët dhe bëhet e qartë arsyeja përse ishin mbledhur. Secili jep mendimin e vet për çështjen e alfabetit, dikush duke kërkuar të përdorej ai i Stambollit, dikush i Agimit e dikush i Bashkimit. Ditën e tretë duket se merr udhë fundi i një moskuptimi dhe fillimi i punës serioze në këtë drejtim:

Dit’ e tretë

Manastiri këtë ditë u gdhi i bardhë prej dëborës. Kjo ish një shënjë që edhe delegatët do të dalin faqebardhë prej kongresit, dhe ky mejtim do t’ish në të tërë delegatët se e pamë që të ftohtët dhe të lagëtit e kohës dimënore nuk ua pakësoj as fare dëshirënë e zjarrtë.

Delegatët përpara drekës u mblodhën në mbledhje të mbyllur dhe zunë të kuvendojnë për zgjedhjen e komisionit.

Sikundrë q’ishte shkruar dhe në program, delegatët të tërë do të zgjidhnin një komision në mes tyre, i cili do të kuvëndonte për të dhënë një funt çështjes së abecesë.

Pas shumë kuvendë, u vendos që të zgjithet një komision fuqi-plotë prej njëmbëdhetë vetash; u vendos dhe që ky komision të zgjidhet me zë të fshehtë; vendimet (kararët) e komisionit do të marrin funt me shumë të zëravet, dhe delegatët të tërë janë të betuar që të bëjnë kabull ç’të vendosnjë komisioni.

Pas dreke nisi zgjedhja e komisionit.

Çdo klubi, shoqënije dhe qyteti j’u dhanë dy zëra; pra ata delegatë që kishin’ ardhur me një shok, kishin secilido nga një zë; ata që kishin’ ardhurë vetëm nga dy zë dhe ata q’ishinë të dërguarë prej dy shoqërive kishin’ nga katrë zë.

Çdo delegati j’u dhan’ aqë bileta sa zëra kishte, dhe u vendos që ay që të fitojë më tepër zë, do të jetë kryetar i komisionit.

Na fryt i zgjedhjesë:

Bajram Topulli

Buda Dimitraq

Cilka Ligor

Fishta Gjergj

Midhat Frashëri

Mjeda Andrea

Nyzhet Vrioni

Peci Sotir

Qiriaz Gjergji

Shahin Kolonja

Me qenë se Zoti Fishta nga 52 zërë fitoj 49, u zgjodh për kryetar. U vendos që komisioni të mblidhet të nesërmen në mëngjes…

Atë Fishta, pastaj me ate fuqi së fjalës q’e ka vetiu, tha se sado q’ësht’ i dërguar prej shoqërisë “Bashkim”, s’ka ardhurë për të mprojtur atë abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë…

Për tre ditët e ardhshme, thuhet komisioni këto ditë punoj në mbledhje të mbyllurë. Pikërisht këto ditë nxitën diskutimin se kush e hartoi alfabetin, duke krijuar edhe debatin mes Gjon Ujkës dhe Atë Pashko Bardhit që ndërtoi këtë shkrim. Duhet thënë se në asnjë moment, pyetjes së shtruar që në titull nuk synojmë t’i japim një përgjigje shterruese, por të parashtrojmë një çështje e cila vijon të mbetet e pazgjidhur përfundimisht, duke treguar të dy anët e saj.

Më poshtë është vendimi përfundimtar i komisionit i cili vendosi të përdoreshin dy alfabete nga të cilët mbijetoi i dyti, ai që akoma dhe sot përdoret për të shkruar gjuhën shqipe.

Pasi u prezantuan alfabetet nga Luigj Gurakuqi, Atë Fishta mori fjalën dhe, sikurse tregon raporti, çkoqiti abecenë dhe tha se abece e Stambollit ësht’ e mjaftë për nevojat e kombit, po, me qenë se shumë herë për të shtypur libra larg Shqipërisë dhe për të hequr telegraf kemi nevojë për një abece latine, komisioni u shtrëngua të marrë dy abece…

Pas fjalës së tij, gjindja rrëfeu gazë duke përpjekurë duartë dhe duke thirurë: Roft abeceja!

Nëse shkrimtarët shqiptarë do të ishin një komb, kjo ditë mund të ishte festa e tyre kombëtare. Gjuha shqipe, si atdheu i tyre i përhershëm, ia del të kapërcejë çdo kufi politik e shoqëror, duke i marrë të gjithë në truallin e vet, majë të cilit është ndërtuar tempulli me faqet e secilit libër që javën e kaluar u ofrua nëpërmjet Panairit online. Prandaj alfabeti është në secilin skaj të tempullit të letërsisë shqipe, vende – vende prej xhami nga ku përgjatë shekujve futej brenda e vetmja dritë lirije. /Gazeta “ExLibris”/