Qeveria në detyrë ndau 2 milionë euro për “linjat e fluturimit”, Bajrami: Po tentohet të blihet vota

Qeveria në detyrë në mbledhjen e saj të 21-të me radhë të mbajtur të martën e të zhvilluar në formë elektronike, ka miratuar disa vendime me karakter buxhetor dhe mbështetës për aktivitete ndërkombëtare dhe institucionale.
Në kuadër të vendimeve të marra, Qeveria ka ndarë 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, me qëllim mbështetjen e linjave të fluturimit drejt destinacioneve që shërbejnë diasporën e Kosovës.
E lidhur me këtë ka reaguar ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Bajrami në një postim në Facebook këtë vendim të Qeverisë në detyrë e ka quajtur të turpshme, të papranueshme dhe keqpërdorim i buxhetit në kohë zgjedhjesh.
“Para një jave ndau rreth 100 milionë euro. Sot edhe 2 milionë të tjera për bileta. 100-she, 500-she, subvencione e bileta - krejt këto jo pse Kurti brengoset për ju, po sepse ju votoni me 7 qershor.
Mos harroni: këto janë paratë e rrugëve që nuk u kryen, shkollave e çerdheve që nuk u ndërtuan, digjitalizimit të arsimit që nuk nisi asnjëherë, barnave që mungojnë në spitale dhe naftës që e keni paguar më shtrenjtë.
Mbi të gjitha janë paratë tuaja e tonat me të cilat po tentohet të blihet vota juaj me 7 qershor e me të edhe heshtja juaj për 4 vjet.
Kurrë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhë keqpërdorim kaq i madh i buxhetit në prag të zgjedhjeve.
Turp”, shkruan Bajrami. /Telegrafi/








































