Në maj të vitit 1917, tre fëmijë portugezë deklaruan se kishin parë një paraqitje të Virgjëreshës Mari në një livadh. Profecitë që morën ushqyen ndjenjat antikomuniste gjatë Luftës së Ftohtë. Në vitin 1992, një dëshmitar i tregoi BBC-së për “mrekullitë.”

Nga: Fiona Macdonald / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com


Më 13 maj 1917, Lucia dos Santos, 10 vjeçe, dhe kushërinjtë e saj më të vegjël Francisco dhe Jacinta Marto po ruanin delet në një fushë në Fatima të Portugalisë kur, sipas pretendimeve të tyre, panë një figurë të ndritshme në një lis. Thanë se vizioni ishte Virgjëresha Mari, e cila u tha se duhej të ktheheshin në të njëjtën orë, më datën 13 të çdo muaji, për pesë muajt e ardhshëm.

Fëmijët thanë gjithashtu se morën tri zbulesa. Dy prej tyre u bënë publike, por njëra, që njihet si “sekreti i tretë i Fatimës,” u shkrua dhe u mbajt fshehur në Vatikan deri në prag të mijëvjeçarit të ri. Spekulimet rreth këtij sekreti ndihmuan në ushqimin e fenomenit të Fatimës - fenomen që e shndërroi një vend të shenjtë rural në një pikë të pazakontë referimi të Luftës së Ftohtë.

Thuhej se mijëra pelegrinë ishin të pranishëm në shfaqjen e fundit të vizionit, më 13 tetor. Ajo që raportuan se kishin parë u bë e njohur si Mrekullia e Diellit. “Gjithçka që pashë ishin planetët në qiell me shumë ngjyra. Ishte një mrekulli,” i tha BBC-së në emisionin Newsnight, në vitin 1992, një nga dëshmitarët, Francisco Ferreira Rosa. “Pastaj dukej sikur një shi lulesh po binte nga qielli. Ishte si reshje bore. Dhe, më pas, Dielli nisi të rrotullohej gjithnjë e më shpejt si një rrotë zjarri. Zgjati rreth gjysmë minute. Në fund, po rrotullohej shumë shpejt.”

Ata që ishin aty atë ditë thanë se sëmundjet e rënda u shëruan dhe të verbrit rifituan shikimin. Sipas librit të vitit 1980, Fatima: Shenja e madhe [Fatima: the Great Sign] nga Francis Johnston, gazeta portugeze antireligjioze O Século [Shekulli] publikoi në atë kohë një raport me titullin: “Ngjarje e tmerrshme! Si vallëzoi Dielli në mesditë në qiellin e Fatimës.” Autori shkruante se të paktën 50 mijë njerëz ishin mbledhur aty.

Nëse ishte mrekulli apo halucinacion masiv - ose fenomen meteorologjik - kjo mbetet çështje debati. Por, duket se pati një ndikim të thellë te disa prej njerëzve që ishin të pranishëm. “Të gjithë e dinë se unë tashmë isha besimtar. Por, pas kësaj, fillova të besoja edhe më fort,” i tha Rosa BBC-së në vitin 1992. “S’kisha frikë, por shumë njerëz, kur panë Diellin duke u rrotulluar në atë mënyrë, u frikësuan. Kur ndodh diçka e tillë, duhet të besosh dhe të kesh besim.”


Dy profecitë e para

Nga tre fëmijët që panë vizionet, dy vdiqën gjatë gripit spanjoll disa vite më vonë - duke lënë Lucian si mbajtësen e vetme të mesazheve dhe profecive. Ndërsa “sekreti” i parë ofronte një vegim të Ferrit që thuhej se profetizonte Luftën e Dytë Botërore, i dyti - i dhënë fëmijëve pak para Revolucionit të Tetorit - pretendonte se, nëse lutjet do t’i kushtoheshin Virgjëreshës, Rusia mbase do të shpëtonte nga komunizmi. Fillimisht i shqetësuar nga popullariteti në rritje i Fatimës, Vatikani i miratoi zyrtarisht profecitë e Fatimës vetëm në vitin 1930.

Nën diktaturën ultra-konservatore të António de Oliveira Salazarit në Portugali, fshati rural u bë një nga vendet më të njohura të pelegrinazhit të Virgjëreshës Mari në katolicizmin e shekullit XX. Mijëra pelegrinët ende e vizitojnë atë. Besimtarët shpesh ecin në gjunjë përgjatë një rruge prej mermeri - Via Penitencial - drejt Kapelës së Aparicioneve ku thuhej se kishin ndodhur pesë nga gjashtë shfaqjet e Virgjëreshës Mari.

Por, në vitet që pasuan vegimet e fëmijëve, Fatima fitoi një lloj tjetër ndjekësish. Duke përfshirë një parashikim për përhapjen dhe më pas rënien e komunizmit në Rusi, profecitë morën një dimension politik. Gjatë Luftës së Ftohtë, Fatima u bë faltore ideologjike për antikomunistët.

Duke folur për BBC-në në vitin 1992, një vit pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, teologu Michael Walsh tha: “Problemi i vërtetë me Fatimën është mesazhi për Zonjën Tonë, i cili u zhvillua në vitet ’20 [të shekullit XX], rreth antikomunizmit të Fatimës ... ajo është bërë pothuajse forcë përçarëse brenda Kishës.”

Papa Gjon Pali II u bë mbështetës i zjarrtë i Fatimës pas atentatit të vitit 1981(Getty Images)

Lidhjet antikomuniste të Fatimës u forcuan kur Papa Gjon Pali II, me origjinë polake, u bë mbështetës i zjarrtë në vitin 1981, pas një ngjarjeje që ndodhi më 13 maj - në përvjetorin e vizionit të parë. Ndërsa ndodhej në “papamobilin” e tij në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ai u qëllua dy herë nga afër. Pavarësisht arrestimit të autorit të vetëm të sulmit, pati teori se persona të tjerë qëndronin pas atentatit. Papa pretendoi në kujtimet e tij të vitit 2005 se “dikush tjetër e kishte organizuar.” A mund të kishte qenë dikush në BRSS?

Udhëheqja sovjetike e shihte Papën si kërcënim, me një direktivë të Partisë Komuniste që paralajmëronte në vitin 1979 se Papa ishte “armiku” i tyre për shkak të mbështetjes së tij për lëvizjen Solidariteti në Poloni. Dokumente të marra nga ish-shërbimet sekrete të Gjermanisë Lindore në vitin 2005, tregonin se inteligjenca ushtarake sovjetike kishte nisur komplotin për ta vrarë - diçka që rusët e mohuan.


Sekreti në zarfin e vulosur

Për shkak të datës kur u qëllua, Papa ia atribuoi shërimin e tij Zonjës së Fatimës - duke sjellë edhe më shumë zjarr antikomunist te besimtarët e profecive. Ai e vizitoi faltoren dy herë dhe një nga plumbat e nxjerrë nga trupi i tij u vendos pranë diamanteve në kurorën e artë që mban statuja e Madonës atje.

Përveçse tërhiqte besimtarë për shkak të interpretimeve të saj antikomuniste dhe mbështetjes nga Papa, Fatima u bë objekt spekulimesh të ethshme të nxitura nga ekzistenca e “sekretit të tretë.” Lucia e shkroi atë në vitin 1944, duke kërkuar që të mos zbulohej deri në vitin 1960, dhe papët pasues refuzuan ta bënin publik.

I ruajtur në një zarf të vulosur në Vatikan dhe i njohur vetëm nga secili papë dhe rrethi i tij i ngushtë i këshilltarëve, bëri që Fatima të tërhiqte teori konspirative dhe sekte apokaliptike. Në përpjekjen për ta detyruar Vatikanin të zbulonte sekretin, fanatikët e Fatimës hynë në grevë urie dhe njëri madje rrëmbeu një aeroplan.

Kur profecia u zbulua nga Vatikani në vitin 2000, rreth 500 mijë besimtarë u mblodhën në faltoren e Fatimës për njoftimin. Megjithatë, për disa, ajo ishte zhgënjyese. The New York Times raportoi në atë kohë se “zbulimi i vonuar i sekretit të tretë të Fatimës javën e kaluar ishte disi si FBI-ja të njoftonte se Elvisi është, në fakt, i vdekur,” dhe se dëshmitarët e përqeshën njoftimin si një “zbulesë të sajuar sipas porosisë.”

Teoricienët e konspiracionit kishin sugjeruar se profecia paralajmëronte një luftë të tretë botërore ose një tjetër ngjarje apokaliptike që kërcënonte njerëzimin. Megjithatë, Vatikani e përshkroi sekretin si një vegim të atentatit të vitit 1981 ndaj Papa Gjon Palit II, duke paralajmëruar se një burrë “i veshur me të bardha ... bie në tokë me sa duket i vdekur.”

Më 13 maj 2025, rreth 270 mijë besimtarë u mblodhën në faltore(Getty Images)

Pavarësisht zbulimit të “sekretit të tretë”, spekulimet kanë vazhduar për lidhjet e supozuara mes asaj që ndodhi në Fatima dhe ngjarjeve të Luftës së Ftohtë. Disa argumentojnë se nuk ishte rastësi që, kur Gjon Pali II bëri atë që kishte kërkuar Virgjëresha - duke ia kushtuar Evropën Lindore “zemrës së saj të panjollë” në vitin 1984 - Mikhail Gorbachev u bë udhëheqës sovjetik dhe filloi Perestrojka.

Megjithatë, ka kritikë që vënë në pikëpyetje si interpretimet sensacionaliste të profecive, ashtu edhe mënyrën se si ato u përqafuan nga njerëzit në pushtet. Kur publikoi “sekretin e tretë” si kardinal, Joseph Ratzinger - i cili u bë Papa Benedikti XVI në vitin 2005 - tha se “nuk zbulohet asnjë mister i madh dhe as nuk shpaloset e ardhmja,” duke e larguar vëmendjen nga parashikimet apokaliptike.

“Raportet fillestare thjesht thoshin se Virgjëresha u kërkonte njerëzve të luteshin për ‘konvertimin e botës’,” thotë Michael Carroll, autor i librit Kulti i Virgjëreshës Mari: Origjinat psikologjike [The Cult of the Virgin Mary: Psychological Origins]. “Vetëm më vonë, në fund të viteve ’20 [të shekullit XX], Lucia (atëherë në një manastir) e rishikoi historinë dhe sugjeroi se Virgjëresha u kishte kërkuar njerëzve të luteshin për ‘konvertimin e Rusisë’.”

Ai argumenton: “Nuk ka dyshim se Kisha, sidomos në periudhën menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, i përdori vizionet e Fatimës në luftën e saj kundër komunizmit. A kontribuoi kjo në rënien e Bashkimit Sovjetik? Duke lënë mënjanë vetë Fatimën, kundërshtimi i Kishës ndaj komunizmit në përgjithësi ka të ngjarë të ketë luajtur një rol në atë rënie, por po ashtu ka të ngjarë të kenë ndikuar edhe shumë faktorë të tjerë.”

Por, nuk ka asnjë dyshim për ndikimin që patën vegimet. Kur Lucia vdiq në vitin 2005, në moshën 97-vjeçare, Portugalia shpalli një ditë zie dhe fushata për zgjedhjet e përgjithshme u pezullua. Dhe, më 13 maj 2025, rreth 270 mijë besimtarë u mblodhën në faltore për të përkujtuar ditën kur fëmijët thanë se panë vegimin e tyre të parë. /Telegrafi/