Ali Ahmeti, Kurtit: Me çështje të larë me gjak nuk bëhet majtap, po dëmtohen të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit

Кryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni dhe Marrëveshjen e Ohrit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ahmeti thotë se "dua të ndaj një shqetësim që mbrëmë kam përjetuar me shumë pezm: prononcimin e Albin Kurtit në televizionin e Kosovës rreth statusit të gjuhës shqipe këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo është një çështje që nuk duhet të më shqetësojë vetëm mua, por është një shqetësim kombëtar që të gjithë bashkë ta mendojmë dhe porosi të delegojmë jo vetëm tek Albin Kurti, por tek çdo institucion si në Shqipëri, si në Kosovë, ashtu edhe tek VLEN-i, se me çështje të ndjeshme, me çështje që janë larë me gjak, nuk bëhet majtap".
Ahmeti totë se ca prej nesh në Shkup, por edhe në Prishtinë dhe Tiranë, me vetëdije ose jo, po ja bëjnë argatin të së keqes; ndoshta nga mungesa e informacionit të mirëfilltë, ndoshta edhe të informuar me qëllim gabimisht ose, larg qoftë, edhe me agjendë partiake, po i dëmtojnë të arriturat kombëtare.
"Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është gurthemeli edhe i planit të Ahtisarit për Pavarësinë e Kosovës. Për këtë marrëveshje gjak derdhën edhe vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria.
Kjo marrëveshje nuk është ideale, sepse është kompromis në kohë lufte, ku të dyja palët dolën barabartësisht të pakënaqur, por zgjodhën paqen dhe bashkëjetesën.
Me këtë marrëveshje unë e lashë këtë vend me gjuhë shqipe zyrtare, me flamur kombëtar zyrtar, me tre universitetet në gjuhën shqipe, me mbi 25.000 administratorë shqiptarë, me kryeministër shqiptarë, me kryeparlamentarë shqiptarë e me pafund e me pafund institucione shtetërore të drejtuara nga shqiptarët.
Unë e lashë presidencën duke folur shqip në çdo komunikim, bashkë edhe me qeverinë, kuvendin, komunal, policinë dhe të gjitha institucionet shtetërore.
Qeveria ime, Albin, të ftoj në Shkup për mbledhje të përbashkët ku flitet shqip, edhe ti edhe ministrat e mi, nga fillimi gjerë në fund.
Qeveria ime. Edhe këtu, qeveria ime, Albin, e la të gatshme rrugën Shkup-Bllacë, kufirin e përbashkët me Kosovë, kalimin e kufirit me letërnjoftim, ndërtoi korridorin e tetë, realizoi projektin për rrugën Tetovë-Prizren dhe ta dha ty të gatshëm para pesë viteve, bashkë me 11 marrëveshje të tjera bilaterale.
Qeveria ime, Albin, e njohu pavarësinë e Kosovës. E lëvdoi atë. Po, po. E loboj. E loboj për Kosovën.
Deri në vitin 2008, Albin Kurti, pika e parë në të gjithë agjendën politike dhe punën time ka qenë Marrëveshja e Ohrit. Dhe pika e dytë ka qenë Pavarësia e Kosovës.
Sepse, sepse nuk mund të ndahen. Popujt me shpatë, shqiptarët e ish-Jugosllavisë, luftën e betejat i kanë bërë bashkë.
Nuk ka shqiptar të Maqedonisë që nuk është solidarizuar me luftën për liri të Kosovës, qoftë me financa, qoftë me njerëz, qoftë me strehime.
Lufta ka qenë e përbashkët. Luftën këtu Ushtria Çlirimtare Kombëtare e ka bërë me ushtarët më të zot e më të mirë të Kosovës", thotë Ahmeti./Telegrafi/










































