Real Madridi mbyll sezonin pa trofe, por dominon në çmimet individuale të Ligës së Kampionëve

Edhe pse Real Madridi nuk arriti të fitojë asnjë trofe madhor për të dytin sezon radhazi, “Los Blancos” gjithsesi u vlerësuan me disa nga çmimet më të rëndësishme individuale në përfundim të sezonit të Ligës së Kampionëve.
Gjiganti spanjoll e mbylli aventurën evropiane në çerekfinale, pasi u eliminua me rezultat të përgjithshëm 6-4.
Të shtunën, Paris Saint-Germain u shpall kampion i Evropës për të dytin vit radhazi, duke u bërë vetëm skuadra e dytë në epokën e Ligës së Kampionëve që arrin këtë sukses, pas Real Madridit.

Megjithatë, një nga fituesit më të mëdhenj individualë ishte Kylian Mbappe.
Sulmuesi francez e përfundoi turneun me 15 gola, duke siguruar titullin e golashënuesit më të mirë të kompeticionit.
As Khvicha Kvaratskhelia, i cili u shpall lojtari më i mirë i turneut me 10 gola, dhe as Ousmane Dembele me 8 realizime, nuk arritën t’i afrohen shifrave të Mbappes.
Ky është trofeu i dytë i tij si golashënuesi më i mirë, pas atij që e ndau me Harry Kane në vitin 2024.
Arda Guler shpallet “Zbulimi i Sezonit”
Mes pak pikave pozitive të Real Madridit në këtë edicion, spikati talenti turk Arda Guler. Mesfushori ofensiv ishte vendimtar në disa ndeshje të rëndësishme, duke shënuar një gol spektakolar nga distanca pas një gabimi të Manuel Neuer dhe më pas një goditje dënimi fantastike në Mynih.

Guler pati gjithashtu rol kyç në kualifikimin e Real Madridit ndaj Manchester Cityt në fazën e 1/8 së finales, gjë që bëri që UEFA ta nderojë me çmimin “Zbulimi i Sezonit”.
Ky vlerësim zëvendëson çmimin e mëparshëm për lojtarin e ri më të mirë të turneut dhe i dedikohet futbollistëve nën moshën 21-vjeçare që kanë shpërthyer gjatë sezonit.
Fede Valverde fiton çmimin për golin e sezonit
Një tjetër çmim për madrilenët shkoi në duart e Federico Valverdes. Mesfushori uruguaian fitoi çmimin për golin më të bukur të turneut falë realizimit të tij spektakolar kundër Manchester Cityt, në ndeshjen ku kompletoi një “hat-trick” ndaj kampionëve të Anglisë.

Ky moment konsiderohet si një nga kulmet e rralla të sezonit për skuadrën madrilene.
Marcos Llorente në formacionin e sezonit
Në formacionin më të mirë të turneut u përfshi vetëm një futbollist nga La Liga, mbrojtësi i djathtë i Atletico Madridit, Marcos Llorente.
Paraqitjet e tij të shkëlqyera dhe energjia e pashtershme gjatë gjithë sezonit i siguruan një vend në ekipin ideal të UEFA-s.
Llorente pati gjithashtu rol të rëndësishëm në aksionin që çoi te goli vendimtar i Ademola Lookman kundër Barcelonës në çerekfinale.
Përveç tij, i vetmi spanjoll tjetër i përfshirë në formacionin e sezonit ishte portieri i Arsenalit, David Raya. /Telegrafi/










































