&ME, Ricardo Villalobos, Ben Klock, Cinthie, DJ Tennis, Craig Richards dhe shumë emra të tjerë të skenës elektronike do të ngjiten në skenën e festivalit UNUM në Shëngjin, i cili mbahet në Shqipëri pas pak javësh.

UNUM Festival ka kompletuar line-upin për edicionin e vitit 2026, duke konfirmuar programin e plotë muzikor për këtë edicion. Krahas emrave të përfshirë në line-up, festivali ka paralajmëruar edhe një risi të veçantë: një skenë të fshehur, e cila do të debutojë për herë të parë këtë vit.


Duke u rikthyer në bregdetin e Adriatikut, në Shëngjin, UNUM Festival do të sjellë sërish 5 ditë dhe 5 net me muzikë pa ndërprerje, duke bërë bashkë disa prej emrave më të njohur të skenës underground të house, techno dhe minimal.

Në valën e fundit të artistëve të konfirmuar prin &ME, bashkëthemelues i Keinemusik, krahas Cinthie, një prej emrave të rëndësishëm të skenës house në Berlin, selektorit Voigtmann me ndikim nga skena rumune, inovatorit zviceran të minimalit Alci dhe artistit të njohur nga Amsterdami, Reiss.

Ata i bashkohen një line-upi të gjerë ku përfshihen Ricardo Villalobos, Ben Klock, Raresh, Craig Richards, Dan Ghenacia, Dan Andrei, DJ Tennis, Dyed Soundorom, East End Dubs, Francesco Del Garda, Franco Cinelli, Gerd Janson, Krystal Klear, Margaret Dygas, Maher Daniel, Richy Ahmed, Priku, Praslea, Prospa, Tobi Neumann dhe shumë të tjerë.

Që nga edicioni i parë në vitin 2019, UNUM ka ndërtuar një reputacion të fortë si një prej festivaleve më të veçanta të muzikës elektronike në Evropë, falë formatit 24/7 dhe lokacionit buzë detit në bregdetin shqiptar.

Pas shpalljes si “Best Global Festival” në DJ Awards 2025, festivali po e zgjeron edhe më tej konceptin e tij me prezantimin e një skene të katërt, të quajtur “secret stage”.

Sipas organizatorëve, kjo hapësirë e fshehur do të sjellë performanca të paparalajmëruara nga artistë kryesorë, të ftuar ndërkombëtarë dhe talente të reja nga Ballkani, në disa lokacione të pazbuluara brenda hapësirës së festivalit.

E qasshme vetëm për pjesëmarrësit që arrijnë ta zbulojnë, skena lëvizëse është konceptuar për të krijuar momente më të afërta, spontane dhe të veçanta, larg hapësirave kryesore të festivalit.

Sipas UNUM, kjo risi synon të krijojë një përvojë më ndryshe për publikun, duke nxitur zbulimin e hapësirave të reja brenda festivalit dhe duke i dhënë më shumë vëmendje skenës elektronike në rritje të rajonit.

Biletat për UNUM Festival 2026 fillojnë nga 95 euro, ndërsa paketat me akomodim dhe udhëtim janë në dispozicion nga më pak se 300 euro.

Sipas organizatorëve, kërkesa për edicionin e vitit 2026 tashmë po e tejkalon atë të viteve të kaluara.

Për më shumë informacione, vizitoni faqen zyrtare të UNUM Festival.