Gastronomi Adnan Akiki nga Zherovjani i Tetovës, i cili u bë pjesë e një dokumentari në Netflix për përgatitjen e burekut, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo Në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për historinë e tij, si dhe punën që ai e bënë në Split të Kroacisë.

Akiki është bërë pjesë e dokumentarit "Somebody Feed Phill", nga regjisori Phill Rosenthal i cili realizoi emisione me restorantet më të mira nëpër vende të ndryshme.


Adnan Akiki tha se Netflix fillimisht ka realizuar anketa dhe restoranti i tij është zgjedhur ndër më të mirët në Split të Kroacisë.



"Produksioni bëri anketë për kërkimin e lokaleve në Split që merren me ushqime dhe janë më të kërkuarat. I tregova djalit dhe ai më tregoi për vlerën që ka Netflix. Dokumentari është incizuar për tre ditë. Puna është shtuar për 100%. Dhe për herë të parë bureku është bërë brend botëror, si sendviçat, pizzat. Falënderoj artistin Phil Rosenthal".

"Pas dokumentarit në Netflix klientët janë nga të gjitha shtetet e botës. Kur vijnë klientët na thonë a ka qenë Fili në këtë lokal dhe marrin nga 2-3 burekë. Sot e kësaj dite jemi në top-ushqimet botërore. Unë jam gjenerata e katërt. Jemi 10 të punësuar. Djali im me 2 djemtë e vllaut, i kemi edhe nuset e djemve", tha Adnan Akiki.

Sa i përket jetesës në Maqedoni dhe Kroaci, ai tha se vendlindja gjithmonë është më e mirë.

"Qyteti i Splitit është shumë i bukur, por vendlindja gjithmonë më tërheq. Këtë vit e bëmë 40-vjetorin e maturës dhe u kënaqa".

"Kam lindur në Zherovjan. Gjimnazin dy vjet në Bogovinë dy vjet në Tetovë. Pas gjimnazit, shkova në ushtri dhe pas ushtrisë u regjistrova në Prishtinë. Tre muaj shkuan mirë, por në atë kohë në Kosovë nisën trazirat, ora policore, dhe kjo më detyroi të bashkohem me prindërit dhe të punojmë në biznesin familjar", tha gastronomi Akiki.

I kërkuam që të jep edhe një mesazh për të rinjtë, ndërsa u sugjeroi që gjithmonë të kenë besim për punën që bëjnë.

"Besimi nuk duhet të humbet, çfarë do pune të bësh. Atë që e ke qëllim duhet të kesh besim. Duhet të punojnë me sakrificë dhe drejtësi", tha Akiki./Telegrafi/