Dhimbja e krahut mund të vijë nga qafa? Sqaron fizioterapisti Blend Bytyqi

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, fizioterapisti Blend Bytyqi foli për dhimbjen e krahut dhe shpatullës, një problem që shpesh zgjat me muaj, largohet përkohësisht dhe më pas rikthehet sërish.
Sipas Bytyqit, dhimbja e krahut është një nga problemet më interesante në fizioterapi, pasi vendi ku pacienti e ndjen dhimbjen nuk është gjithmonë burimi real i saj.
“Dhimbja e krahut është një prej dhimbjeve më interesante, për shkak që aty ku dhemb, shpesh mundet mos me kon problemi”, tha ai.
Fizioterapisti shpjegoi se në disa raste dhimbja e shpatullës apo krahut mund të vijë nga qafa, për shkak të lidhjes së nervave që dalin nga kjo pjesë dhe shpërndahen drejt dorës.
“Në këto raste mundet me qenë një referim prej qafës që e shkakton një mpirje të krahut, një lodhje”, u shpreh Bytyqi.
Ai sqaroi se nervat që dalin nga qafa formojnë një rrjet nervor, i cili lidhet me pjesë të ndryshme të dorës dhe krahut. Për këtë arsye, dhimbja që ndihet në shpatull apo krah mund të ketë origjinë nga shtylla kurrizore.
“Nervat që dalin prej qafës formojnë një pleksus. Ato i nervojnë edhe pjesët tjera të dorës, domethënë ne mundemi me pas dhimbje të krahut, të shpatullave, ndërsa referimi me qenë prej qendrës të boshtit kurrizor”, tha ai.
Megjithatë, Bytyqi theksoi se dhimbja mund të jetë edhe problem lokal i vetë nyjës së krahut, prandaj vlerësimi profesional është i domosdoshëm.
Sipas tij, nyja e krahut kërkon ekzaminim të kujdesshëm, sepse stabiliteti i saj varet shumë nga muskujt.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com








































