LAJMI I FUNDIT:

Për ta kuptuar Izraelin dhe Palestinën, së pari duhet kuptuar historia e racizmit dhe antisemitizmit

Për ta kuptuar Izraelin dhe Palestinën, së pari duhet kuptuar historia e racizmit dhe antisemitizmit

Nga: Rachel Shabi / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Të shtunën, qindra mijëra vetë morën pjesë në marshin për Gazën – që do të mbahet mend – teksa turmat e urrejtjes së imagjinuar nga tashmë ish-sekretarja e Brendshme Suella Braverman, të cilat u përleshën me policinë, rezultuan të jenë nga e djathta ekstreme. Është e vërtetë që marshi i solidaritetit për Palestinën përmbante një sërë të mesazheve me urrejtje, por është absurde t’i portretizosh ato si karakteristika të të gjithëve. Protestuesit kërkuan ndalimin e vdekjeve, të katastrofës dhe të terrorit që po u shkaktohet palestinezëve në Gazë. Kërkesat për armëpushim po përshpejtohen në aspekt global, pasi rreth 11 mijë njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës – duke përfshirë mbi katër mijë fëmijë dhe me mijëra të tjerë të plagosur ose që mbetën jetimë. Kauza palestineze prek zemrën e të majtëve, por sondazhet tregojnë se po shkon më gjerë se kaq: shumica e publikut britanik e mbështet armëpushimin.


Demonstrata e së shtunës përmbante një numër të konsiderueshëm të hebrenjve të cilët marshuan pavarësisht paralajmërimeve alarmante – në të gjithë politikën dhe median tonë – se protestat ishin vatra të antisemitizmit. Hebrenjtë (përfshirë edhe mua) për shumë arsye marrin pjesë në marshet e solidaritetit për Gazën. Por, vë bast se asgjë nga kjo nuk e përfshin dhënien e lejes për antisemitizëm nga të majtët – dhe, as prania e hebrenjve nuk duhet të përdoret për të reduktuar ekzistencën e ndonjë paragjykimi të tillë në këto protesta. Mbi të gjitha, e kuptojmë se teksa kjo urrejtje e lashtë mund të shfaqet kudo, nuk është faji i palestinezëve se pse Evropa e krishterë ka një problem të gjatë, të zgjatur dhe kryesisht të papranuar me antisemitizmin.

Madje, të fillosh ta trajtosh këtë në mes të një sulmi të rëndë ndaj Gazës, së pari do të thotë të pranosh se roli i lëvizjeve progresive është aktualisht i ndërlikuar. Na duhen dy biseda paralele. Njëra për të korrigjuar standardin e dyfishtë që prej kohësh është ekspozuar nga liderët globalë, duke ndezur dritën e gjelbër ndaj goditjeve të patolerueshme të Izraelit në Gazë. Pas mizorive të Hamasit të 7 tetorit, gjatë të cilave 1 200 vetë u vranë në një sulm të dhunshëm dhe mbi 200 u morën peng – mes tyre fëmijë – me të drejtë pamë një vërshim të simpatisë për tmerret e shkaktuara në Izrael. Por, udhëheqësit perëndimorë janë kryesisht të heshtur përballë vuajtjeve të paimagjinueshme në Gazë, duke financuar goditjet e ndërtesave dhe të njerëzve nga Izraeli, ose duke bërë thirrje vetëm për “pauza” humanitare të cilat agjencitë e dëshpëruara të ndihmës i kanë përshkruar si të padobishme. Ekziston një hipokrizi jashtëzakonisht e njohur mbi atë se jeta e kujt ka rëndësi – aq më tepër në kontekstin e këtij konflikti asimetrik që zgjat me dekada me palestinezët që jetojnë nën një okupim të dhunshëm izraelit dhe në një sistem që disa grupe të të drejtave të njeriut e kanë përshkruar si aparteid.

Por, nevojitet një bisedë e dytë edhe brenda lëvizjeve progresive, nga të cilat shumë hebrenj – shpeshherë me ngurrim – tani po mungojnë. Ato sulme të tmerrshme të Hamasit i lanë hebrenjtë të zhytur në dhimbje dhe të frikësuar për rritjen alarmante globale të antisemitizmit. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, traumën e hebrenjve mbi ato krime të Hamasit, qeveria izraelite e thekson si justifikim për sulmin e saj në Gazë, ndërsa e djathta britanike dhimbjen e gërsheton në agjendën e vet kulturore-luftëtare. Progresistët në mënyrë të arsyeshme përqendrohen tani në Gazë, por duke e bërë këtë ata shpeshherë nuk po flasin për agoninë e një pakice të tronditur të hebrenjve që mund të mos jetë në gjendje të fokusohet vetëm në këtë tablo të madhe urgjente. Frika dhe trauma japin përgjigje të ndryshme. Në mungesë të ndonjë informate në lidhje me këtë, ose të një hapësire në të cilën mund ta shpërndajnë atë, shumë mbështetës hebrenj të kauzës palestineze – pa marrë parasysh mbështetësit e fundit – thjesht nuk po shfaqen.

Të gjitha këto i prekin çështjet më të thella në konceptit të së majtës për konfliktin Izrael-Palestinë dhe për antiracizmin në përgjithësi. Me antisemitizmin që shpeshherë shihet si historik, kornizat e tij të qëndrueshme mezi po analizohen – madje as në Britaninë që shpiku komplotin e gjakut të shpifur kundër hebrenjve, gjë që nxiti shekujt e persekutimit në mbarë Evropën. Antisemitizmi rrallëherë vendoset në katalogun e racizmit evropian që përfshin kolonializmin dhe skllavërinë, me secilin racizëm të caktuar dhe të veçantë që ndikon te tjetri. Në periudhën e pasluftës kemi humbur thjerrëzën e intelektualëve që gërmuan lidhjet midis racizmit, kolonializmit dhe antisemitizmit. Mes shumë të tjerëve, teoricienja politike Hannah Arendt argumentoi se dhuna raciste e kolonializmit evropian në Afrikë, ia dha formën dhe ia hapi rrugën antisemitizmit të urryer nazist që bazohej në hierarkinë racore, gjë që çoi në tmerret unike të Holokaustit. Pas vizitës në geton e Varshavës në vitin 1949, gjigandi afrikano-amerikan i të drejtave civile, W. E. B. Du Bois, shkroi se përvoja atij ia dha “një koncept më të gjerë se si duhet bërë lufta kundër ndarjes racore, diskriminimit fetar dhe shtypjes nga të pasurit, nëse qytetërimi dëshiron të shkojë kah triumfi dhe të zgjerohet në botë”.

Ndërkohë, pikëpamja e përbashkët majtiste për origjinën e Izraelit si koloniale, dëshmohet nga baballarët themelues të kombit që atë e përshkruan me këta terma, ndërsa palestinezët që veçse jetonin në atë tokë, e përjetuan si të tillë përmes dëbimeve dhe shpronësimeve të detyrueshme. E njëjta logjikë ekspansioniste, ajo që me dhunë po zhvendos palestinezët, vazhdon edhe sot e kësaj dite në rrjetin e vendbanimeve të paligjshme të hebrenjve përtej kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Izraelit, si dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jerusalemin Lindor.

Por, kjo e errëson atë gjënë që në radhë të parë shtyu kaq shumë hebrenj evropianë drejt Palestinës: shekujt e antisemitizmit të pafund evropian që kulmuan me Holokaustin. Nuk do të ishte asnjë projekt kombëtar hebraik në Izrael, nëse nuk do të kishte pasur antisemitizëm vdekjeprurës që do të garonte nëpër Evropë në atë kohë. Intelektuali palestinez Edward Said, e shprehu këtë dualitet të formimit të Izraelit, duke i përshkruar palestinezët si “viktima të viktimave, refugjatë të refugjatëve”.

Kësaj mund t’ia shtojmë faktin se përvojat e hebrenjve që kanë jetuar në vendet arabe për mijëra vjet, pa asnjë arsye për t’u larguar, përfunduan si shumicë e pafavorizuar socio-ekonomike në Izrael. Kryesisht të lirë nga masakrat që ishin tipar i Evropës së krishterë, këto komunitete u shkulën nga pinca e forcave konkurruese: nacionalizmi hebraik në Izrael dhe nacionalizmat arabë të vendeve si Iraku, duke u përpjekur që të shkundnin zgjedhën e imperializmit britanik.

Asnjë nga këto nuk e justifikon shpronësimin e vazhdueshëm të palestinezëve, ose anulon të drejtën e tyre për të njëjtat liri që të gjithë njerëzit i meritojnë. Në vend të kësaj, paraqet kuptimin universal të antiracizmit, për të plotësuar analizën e këtij konflikti si çekuilibër të pamëshirshëm të fuqisë midis shtypësit dhe të shtypurit. Kjo do të thotë që ne mund ta shohim Nakbën (katastrofën) palestineze, Holokaustin dhe eksodin e hebrenjve nga tokat arabe si lëmsh të komuniteteve të kapura në hapësirën e kolonializmit evropian dhe të mendimit ekstrem racor. Kjo hap mundësinë e një pikëpamjeje koherente morale dhe politike të pakicave të ndryshme të racializuara, edhe pse përvojat tona marrin rrugë të ndryshme. Mundëson refuzimin e çdo konkurrence me shumën zero mbi vuajtjet dhe një refuzim të idesë se siguria e një populli mund të shkojë ndonjëherë në kurriz të tjetrit. Na lejon, me fjalë të tjera, të imagjinojmë një të ardhme të përbashkët, të barabartë, në të cilën të gjithë janë të lirë. /Telegrafi/