LAJMI I FUNDIT:

Para 70 vitesh u incizua kënga “Kur gjethet bien në vjeshtë”: Me këngëtarin Rudolf Stambolla, të parin e muzikës moderne shqiptare

Para 70 vitesh u incizua kënga “Kur gjethet bien në vjeshtë”: Me këngëtarin Rudolf Stambolla, të parin e muzikës moderne shqiptare
Foto: Agron Shala

Nisi në shekullin XIX, kulmoi në mesin e shekullit XX. Fjala është për zhanrin muzikor që njihet si “Muzika e lehtë” – e lehtë ndoshta për t’u dëgjuar e për t’u pëlqyer, por jo edhe aq e lehtë për ta krijuar kur dihet se tema të tilla kanë kompozuar edhe Mozarti dhe Haydni. Në shekullin XX, ky term do të jetë sinonim i muzikës pop (të popullarizuar) – asaj që do të zë vend në transmetimet e radiove dhe televizioneve.

Elementet e muzikës së lehtë i hasim te shqiptarët në vitet ’20-’30 të shekullit të kaluar, por ajo merr tamam formë pas Luftës së Dytë Botërore, me disa të rinj të rritur dhe edukuar edhe me rrjedhat e muzikës moderne të asaj kohe. Këngëtari i parë që e kultivoi në këtë kohë këtë zhanër është shkodrani Rudolf Stambolla.


U lind më 1931 në Tiranë. Prindërit e tij zhvendosen nga Shkodra për në Tiranë, para se Rudolf Stambolla të vinte në jetë. Rikthimi i tij për ca vite në Shkodër, më 1940, do të ndryshojë rrjedhat e muzikës shqiptare. Në këtë qytet, më 1941, si dhjetëvjeçar angazhohet të këndojë këngën satirike të Pjetër Gjinit, “Kënga e Salepit”.

“Kjo ishte hera e parë që u sfidova nga muzika. Deri atëherë nuk mendoja se mundesha të këndoja”, thotë Stambolla, karriera e të cilit u shtri për pak kohë edhe si aktor në teatër.

Më 1943 kthehet në Tiranë, ndërsa më 1946 do të jetë pjesë e grupit “Havajana”, të parit grup shqiptar të muzikës së lehtë. Anëtarë të këtij grupi ishin që të gjithë muzikantë me nam: Njac Guralumi (kontrabas), Medi Prodani (kitarë), Mustafa Zymeri (klarinetë e saksofon) dhe kompozitori i madh shqiptar i muzikës së lehtë, Agim Prodani (fizarmonikë).

Para 70 vitesh, më 1948, me ritmet e tangos incizohet një nga këngët më të bukura shqiptare, “Kur gjethet bien në vjeshtë”. Me këtë këngë të paharrueshme mund të thuhet se nisi muzika e lehtë shqiptare. Këngën e ka kompozuar Leonard Deda (që ndër të tjera ka kompozuar këngën “Kur perëndon dielli”). Tekstin e ka shkruar Odhise Grillo, më vonë i njohur si një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë për fëmijë. Ndërkaq, është interpretuar nga Rudolf Stambolla.

Por, karriera aktive e Stambollës që nis më 1946, nuk do të zgjasë shumë. Më 1963 merr pjesë në edicionin e dytë të Festivalit të RTSH-së. Aty këndon këngën “Për dashurinë do këndoja”, dhe e lë muzikën.

“Atëherë shqiptarët kishin shumë e më shumë këngëtarë. Ndjeva se nuk duhej të vazhdoja tutje”, thotë ai, duke shtuar se nuk e ndali punën si teknik për centralet telefonike në Uzinën e PTT-së (Post Telegraf Telefonave), ku ishte punësuar që nga hapja e këtij sektori më 1954.

Nga kompozitorët tjerë me të cilët ka bashkëpunuar janë edhe Abdulla Grimci, Vath Çangu, Tasim Hoshafi… Dy të parët ishin nismëtarët e Festivalit të RTSH-së.

Deri më 1963, kur merr fund karriera e tij muzikore, Stambolla incizon 35 këngë, si: “Një natë në det”, “Flutur” (në duet me Anita Taken, bashkëshorten e Agim Prodanit), “A të kujtohet”, “Përsëri ke me u afru”, “Këndo kitara ime”…

Shumica e këngëve të tij janë incizuar në Rumani, Bullgari, Çeki, Lituani dhe Rusi. Këto këngë janë pëlqyer edhe nga të huajt, e dëshmi për këtë është letra me lavde që aktorja e madhe ruse, Tatiana Samoilova, ia kishte shkruar Rudolf Stambollës.

Këtë emër të madh të muzikës shqiptari, dhe këngët e tij të vlefshme, i ktheu sërish në kujtesë, më shumë se kush, regjisorja Iris Elezi me filmin e saj “Bota” – kolona zanore e të cilit film përmbante këngët e Rudolf Stambollës. Fatkeqësisht, ndonëse këngët e tij dëgjohen e këndohen, shumë pak njihet ky emër. Sepse, shqiptarët, kudo qofshin ata, nuk ia dhanë nderin dhe respektin e duhur këtij kolosi të muzikës së lehtë shqiptare. /Telegrafi/