eksperti-banner

Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur rreth orës 20:30 në rrugën “Sali Nivica”, në lagjen Bregu i Diellit.


Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së informatës, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor.

Sipas tij, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e një personi të gjinisë mashkullore.

“Rreth orës 20:30 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën ‘Sali Nivica’ në Prishtinë. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi (mashkull). Policia në koordinim me prokurorinë ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka deklaruar Pllana.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka bërë të ditur për media se viktimë e të shtënave me armë zjarri në Prishtinë mbrëmjen e sotme është Agron Hajdari.

Ndërkaq vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e të dyshuarve./Telegrafi.