Duke mbushur pesëdhjetë vjet këtë muaj, singli Radioactivity i grupit Kraftwerk ishte këngë novatore që u shndërrua në këngën më protestuese politike të pionierëve gjermanë të muzikës elektronike.

Nga: Arwa Haider / BBC (titulli: How Kraftwerk's radical 1976 track Radioactivity became an anti-nuclear anthem)
Përkthimi: Telegrafi.com


Që nga sekondat e parë drithërues të këngës Radioactivity të grupit Kraftwerk - një numërues pulsues Gajger; sintetizatorë në përshkallëzim; kodi çjerrës i Morzeut që shqipton titullin - e ndien se asgjë nuk do të tingëllojë më njësoj.

Kjo këngë qendrore nga albumi i pestë në studio i pionierëve gjermanë të muzikës elektronike, Radio-Activity (1975), ndihet si himn shkencor, por ajo jep edhe nota paralajmëruese brenda motiveve të saj këmbëngulëse dhe refrenit të saj të frikshëm në Sprechgesang (këndim i folur): “Radioaktiviteti / Është në ajër për ty dhe për mua.”

Gjatë dekadave, vetë Radioactivity ka pësuar transformime - nga një melodi elegjiake në hit klubesh dhe në një thirrje të fortë anti-bërthamore, duke mbetur njëkohësisht shumë e veçantë. Gjysmë shekulli më pas, albumi rilansohet për 50-vjetorin e tij dhe ky himn ende kumbon me fuqinë krijuese të Kraftwerk-ut.

- YouTube

Kraftwerk fillimisht e incizoi albumin e tyre Radio-Activity mes periudhave të turneve transatlantike. Ai e zgjeroi popin eksperimental dhe suksesin e tyre ndërkombëtar [me albumin] Autobahn (1974), me tekste si në anglisht ashtu edhe në gjermanisht.

Ai ishte gjithashtu një kuriozitet, duke evokuar një “epokë të re informacioni” si edhe një frikë të epokës së Luftës së Ftohtë. Albumi prezantoi formacionin “klasik” të kuartetit Kraftwerk: bashkëthemeluesit Ralf Hütter dhe Florian Schneider (të cilët punonin albumin në studion “Kling Klang” të grupit, në Dyseldorf), Karl Bartos dhe Wolfgang Flür.

Muzika e tyre kaloi plotësisht në sfera elektronike, duke u shkëputur nga stili i mëhershëm folk/xhaz i Kraftwerk-ut (ku Schneider kishte interpretuar flautin dhe violinën); tingujt e tyre karakteristikë të sintetizatorit u vulosën përfundimisht, përfshirë në Minimoog-un energjik dhe koralet e frikshme të Vako Orchestron-it. Pavarësisht kohëzgjatjes relativisht të shkurtë të albumit (12 këngët zgjasin më pak se 38 minuta), atmosfera e tij është dehëse - dhe gjithmonë ekziston një ndjenjë habie mes tensionit.

“Është një lloj albumi fantastiko-shkencor,” i tha Hütter gazetarit Stephen Dalton të revistës Uncut në vitin 2009. “Tmerr dhe bukuri. Koncepti ishte infiltrimi nga stacionet radiofonike - që ndoshta është më i rrezikshëm se radioaktiviteti. Punuam me shirita, duke edituar pjesët me ngjitës. Gjithçka elektronike. Dhe, më shumë këndim dhe të folur, si simfoni e të folurit.”

“Një pikë orientimi drejt së ardhmes”

I gjithë katalogu i Kraftwerk-ut është një lloj qarku i jashtëzakonshëm elektronik, që lidhet me stile të pafundme muzikore: hip-hop; elektro; ambient; vala e re [new wave]; sint-pop; rok industrial; tekno e Detroitit; muzikë klasike bashkëkohore. Radio-Activity në veçanti përvetësoi frymën e tingullit dhe vizionit. Kopertina origjinale u krijua nga bashkëpunëtori afatgjatë Emil Schult, ndërsa muzika u paraqit në mënyra gjithnjë e më ambicioze: në librin e tij Isha robot [I Was a Robot], Flür përshkruan interpretimin live të Radioactivity-t duke përdorur një “kafaz perkusioni” të aktivizuar nga drita, i cili shpesh pësonte defekte në skenë. Albumi është përdorur si model nga shumë artistë, përfshirë New Order (më së shumti në Blue Monday), The Chemical Brothers dhe Miley Cyrus.

Grupi është përmendur gjithashtu si frymëzim nga yje të mëdha - që nga David Bowie deri te Ryuichi Sakamoto (i cili një herë i tha gazetarit amerikan Jim Sullivan se kishte bashkëthemeluar grupin Yellow Magic Orchestra [YMO] sepse “ne donim të krijonim një Kraftwerk japonez”) dhe kompozitori Max Richter (i cili një herë më tha se, në moshën 13-vjeçare i kishte shkruar BBC-së pasi kishte dëgjuar për herë të parë grupin Kraftwerk në televizor: “U trondita, sepse nuk kisha dëgjuar kurrë më parë muzikë elektronike ... Mendova: ‘Duhet patjetër të siguroj një sintetizator’ - dhe pastaj zbulova se sintetizatori kushton sa një shtëpi”).

Ndërsa teknologjia muzikore gradualisht bëhej më e qasshme, ajo nxiti mundësi të tjera - dhe si një adhuruese e re e muzikës, unë zbulova Kraftwerk-un sepse ata ishin heronjtë e heronjve të mi. Ishte si të udhëtoje pas në kohë për t’u lidhur me të nesërmen.

Gjatë dekadave, kënga “Radioactivity” është transformuar nga një melodi elegjie në një apel të fuqishëm anti-bërthamor(Foto: Alamy)

“Kraftwerk janë një nga shtyllat e krijimtarisë sime,” thotë muzikanti/kompozitori/producenti i njohur Martyn Ware, repertori i të cilit përfshin bashkëthemelimin e grupeve të njohura të fundit të viteve ’70 dhe ’80 të shekullit XX - The Human League, Heaven 17 dhe British Electric Foundation - si edhe drejtimin e serisë së podkasteve Electronically Yours. “Shumë prej artistëve të periudhës sime nuk do të kishin ekzistuar në mënyrën si ekzistojmë sot, po të mos ishte grupi Kraftwerk.”

“Gjithçka nisi kur takova Phil Oakeyn [i cili më vonë do të bëhej vokalisti kryesor i The Human League] në shkollë; ai kishte një koleksion shumë më të madh disqesh se unë, dhe kjo ishte hapje e syve. U futëm së bashku në botën e Kraftwerk-ut, para se ata të bëheshin madje grup elektronik. Gjëja që vërtet ndryshoi gjithçka për mua ishte Radio-Activity. Është art konceptual, nuk tingëllonte si askush tjetër. Më pëlqeu guximi i Radio-Activity-s, dhe gjithashtu ka një lloj butësie. Është eterike, sikur pas gjithë kësaj të fshihej një inteligjencë e thellë.”

Duke u rritur në qytetin industrial britanik të Shefildit, Ware shton se kjo muzikë rezononte thellësisht: “Impresionizmi tingullor i Kraftwerk-ut krijonte imazhe të fuqishme. Ata përdornin tinguj të gjetur në kombinim me elektronikën, dhe kjo ndihej si një shenjë orientuese drejt së ardhmes për ne.”

Një vepër jashtëzakonisht politike

Nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX, ndikimi i Kraftwerk-ut në kulturën e klubeve ishte i pamohueshëm; përmbledhja e tyre e orientuar drejt pistës së vallëzimit, The Mix (1991), përmbante versione të ripërtërira të klasikëve të viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80 të shekullit XX, si Autobahn, The Robots dhe Trans-Europe Express - si edhe një rishpikje veçanërisht radikale për Radioactivity-n.

Ndërsa versioni origjinal lavdëronte inovacionin shkencor (“zbuluar nga Marie Curie”), versioni i ri ishte qartësisht himn anti-bërthamor (“Ndaloni radioaktivitetin”), duke u hapur me një listim të katastrofave të centraleve dhe tmerrit atomik përmes vokoderit (“Çernobil ... Harisburg ... Sellafild ... Hiroshima”), me tekste shtesë që theksonin shkatërrimin bërthamor (“Reaksion zinxhiror dhe mutacion / Popullsi e kontaminuar”).

Radioactivity ishte shndërruar në një këngë emocionuese proteste dhe një himn të festave, stolisur me simbole radioaktive. Grupi Kraftwerk e interpretoi këtë version live në koncertin Stop Sellafield të vitit 1992, të organizuar nga Greenpeace, dhe në festivalin britanik Tribal Gathering në vitin 1997 - ku unë i ndoqa pa frymë si frekuentuese e re klubesh, përpara se të vrapoja në dyqanin më të afërt të disqeve për të blerë albumin tim të parë të grupit Kraftwerk.

Formacioni klasik i kuartetit Kraftwerk përbëhej nga Karl Bartos, Ralph Hütter, Wolfgang Flür dhe Florian Schneider(Foto: Getty Images)

Versioni i ripunuar i Radioactivity është bërë element i pandashëm i koncerteve të mbushura plot me publik të Kraftwerk-ut në vitet e fundit, megjithëse shpesh konsiderohet si vepër jashtëzakonisht politike nga një grup kryesisht enigmatik. Në një recension të vitit 2012, revista Rolling Stone e përshkroi Radioactivity-n si “e vetmja vepër haptazi aktiviste e grupit ... një protestë e plotë [alarmi] DEFCON 3 kundër energjisë bërthamore”.

Për Warein, përshtatja kishte plotësisht kuptim: “Mendoj se, kur arritën te albumi me remikse, ata ishin njerëz krejtësisht të ndryshëm,” thotë ai. “Funksioni i një artisti është të pasqyrojë kohën dhe të bëjë një deklaratë autentike bazuar në përvojën e jetuar. Kështu që nuk jam aspak i habitur.”

Kënga jeton në një botë të pasigurt

Gjithashtu, Radioactivity me gjasë tingëllon më aktuale se kurrë në një botë moderne të goditur nga luftërat dhe dëmtimet mjedisore. Në vitin 2012, Ryuichi Sakamoto e ftoi Kraftwerk-un të performonin në koncertin No Nukes në Tokio, dhe tekstet e këngës Radioactivity u zgjeruan sërish, duke përmendur Fukushimën ku ndodhi një katastrofë e madhe bërthamore në vitin 2011.

Në atë kohë, Sakamoto shpjegoi në një transmetim për stacionin japonez të radios J-Wave: “Ata [Kraftwerk] kanë përcjellë mesazhe të forta anti-bërthamore që nga viti 1991, kështu që mendova se mund të simpatizonin me ne ... Ne shkëmbenim letra elektronike pothuajse çdo ditë, dhe unë i ndihmova pak, dhe tekstet [e Radioactivity] i bëmë në japonisht. Ishte gjithashtu hera e parë që Kraftwerk dhe YMO takoheshin pas 31 vitesh.”

Radioactivity mbetet në ajër - dhe në ekran (ajo është përdorur në kolona zanore që nga filmat artistikë gjermanë deri te telenovelat braziliane). Kënga është interpretuar në stile të ndryshme muzikore, nga ripërpunimi kiç-fank i Fatboy Slim deri te një version ëndërrimtar kantri-folk nga Haruomi Hosono i Yellow Magic Orchestra. Për brezat e rinj të artistëve dhe adhuruesve të muzikës, Kraftwerk ende tingëllojnë si një tronditje për sistemin.

Radioactivity, dhe albumi përreth saj, është si një koleksion skicash, duke eksperimentuar me sintetizatorë të ndryshëm dhe efekte tingullore, dhe duke krijuar ide të reja prej tyre,” thotë indi muzikantja/shkrimtarja Nabihah Iqbal, e cila do të prezantojë premierën e kompozimit të saj të ri për elektronikë dhe instrumente me tela në Goodwood Art Foundation më vonë këtë muaj. “Gjëja mahnitëse është se edhe tani mund të dëgjosh se si ajo vepër ka depërtuar në kaq shumë lloje të ndryshme muzike. Ata krijuan modelin bazë të asaj që është e mundur.”

“Kraftwerk kanë një qasje kaq unike ndaj muzikës,” thotë Kees Berkers nga grupi holandez psiko-fank, Yin Yin (të cilët më parë kanë interpretuar një tjetër klasik të Kraftwerk-ut, The Model). “Është vërtet e pabesueshme që Radioactivity u publikua 50 vjet më parë. Me ato pulse të larta të kodit të Morzeut, bateritë elektronike me gjysmë-tempo dhe basin epik të sintetizatorit, mund të ishte një këngë e re veporvejv. Ndryshues absolutë të lojës!”

Bota moderne mund të duket e pasigurt, por Radioactivity vazhdon të jetojë në epokën digjitale. “Të rinjtë nuk i lidhin më këngët aq shumë me një periudhë të caktuar kohore,” thotë Ware. “Ata nuk e shohin këtë këngë si një udhëtim nostalgjik. Ata po dëgjojnë ADN-në e lingua franca-s së tyre, që është muzika e krijuar në një laptop.” /Telegrafi/