Pse Miles Davisi ende ka rëndësi

Nga: Kevin Powell, poet i shpërblyer, autor i 17 librave / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Po jua them troç, pa doreza: Miles Davis ishte yll roku [rock] me vetëbesimin e hip-hopit, i amplifikuar në përmasa profetike në një idhull të xhazit amerikan. Kjo është ajo që më vjen ndërmend ndërsa ky komb - dhe mbarë bota - flet me terma shkencorë për rëndësinë e Miles Dewey Davis III, i cili këtë vit do të bëhej 100 vjeç.
Si për shumë të tjerë, hyrja ime në botën e Milesit ishte Kind of Blue, një nga kryeveprat e tij. E di se këtë album gjigant e kam dëgjuar po aq sa çdo album tjetër që kam dëgjuar ndonjëherë.
Pa dyshim, kur isha shkrimtar i ri që luftoja për të mbijetuar në Nju-Jork, shefi dhe mentori im, Sam Anderson - veteran i Lëvizjes për të Drejtat Civile - ma bëri të qartë se nuk dija asgjë për xhazin. Kështu që ai më udhëzoi të filloja me Kind of Blue. Mbeta i mahnitur nga bukuria e tij e lindur natyrshëm, nga ndjesia mistike e kohës dhe vendit, improvizimet e tij fine, kolazhet hirplota të tingujve. Shkurt, doja të ndieja mënyrën se si tingëllonte trumbeta e Milesit: në paqe dhe në një gjendje të përhershme qetësie.
Të thuash se Miles Davisi ishte një Goliati i krijimtarisë amerikane të shekullit XX, nuk do t’i bënte drejtësi arsyes pse ai ka ende rëndësi. Ai ishte biri i një nëne që ishte mësuese e muzikës nga Ist Sent Luisi në Ilinois, dhe i një babai dentist. Milesi vetëm “preku qiellin” për 65 vjet, por ai ishte i pranishëm në skenat tronditëse që ne i quajmë bibop [bebop], kull-xhaz [cool jazz], hard-bop; dhe, për më tepër, ai i dha shtysë një konglomerati të fusionit të xhazit [jazz fusion] që bashkoi themelet e tij me rokun, fankun [funk], soulin [soul] dhe ritmet globale. Dua të them, ky ishte një gjeni i lindur që ndau hapësirë me emrat si Charlie “Bird” Parker, Dizzy Gillespie, Thelonious Monk, John Coltrane, Herbie Hancock, dhe që qëndroi në krah të Prince-it dhe producentit të hip-hopit, Easy Mo Bee.
Miles ishte po ashtu ikonë e certifikuar mode, nga kostumet elegante dhe të kuruara deri në detaje të epokës së artë të xhazit në vitet 1950-‘60, te veshjet e hipikëve dhe ato të Fuqisë së Zezë [Black Power] në vitet ’70 të shekullit XX, e deri te ekstravaganca shumëngjyrëshe “vish çfarë të duash” e viteve ’80 të shekullit XX. Dhe, si vetë xhazi, Milesi, si artist, udhëheqës orkestre dhe influencues kulturor, ishte mishërimi i asaj që duhet të nënkuptojë liria. Ne vazhdojmë të luajmë dhe të ndiejmë skenën së bashku; ka diçka për të gjithë, nëse janë të gatshëm ta ndajnë. Me fjalë të tjera, Milesi ishte në vijën e parë me të gjithë dhe kishte një burrë të bardhë, Gil Evans, si aranzhuesin/bashkëpunëtorin e tij të preferuar.
Po, sa më shumë zhytesha në gjenialitetin e Milesit, aq më shumë dashurohesha me aspekte të ndryshme të personalitetit të tij: krenaria e zhveshur racore e një burri të formuar në Amerikën e viteve ’20 të shekullit XX, ku Rilindja e Harlemit dhe Epoka e Xhazit bashkëjetonin me trupat e pajetë të zezakëve që vareshin nga pemët dhe me sulmet ndaj komuniteteve të zeza si në distriktin Grinvud në Tulsa të Oklahomës. Milesi nuk i duronte budallenjtë; ai ishte ai lloji i rrallë i zezakut, pavarësisht identitetit gjinor, që thoshte dhe bënte pikërisht atë që ndiente, edhe kur kjo çonte te rastet si ai kur policia e Nju-Jorkut e rrahu brutalisht teksa qëndronte jashtë një klubi nate, vetëm sepse ai, si artisti kryesor që performonte aty, refuzoi të largohej.
Me lëkurën e tij bukur të errët dhe trupin vital e të skalitur nga ushtrimet e boksit, Milesi kishte një zë të ngjirur në mënyrë ikonike, rezultat i një operacioni në fyt gjatë të cilit ai nuk iu bind urdhrit të mjekut për të mos folur për disa ditë. Ai foli gjithsesi - disa thonë se bërtiti - dhe kështu lindi ai vokal i princit të errësirës.
Mendova për të gjitha këto dhe më shumë ndërsa ndodhesha në “Jazz”, në Qendrën Linkoln për homazhin e orkestrës së tij me rastin e njëqindvjetorit të Miles Davis. E udhëhequr nga trumbetisti Wynton Marsalis për afro 40 vjet, mund të argumentohet se statusi po aq legjendar i Wyntonit dhe vetë ekzistenca e kësaj qendre janë rezultat i pararendësve të xhazit si Milesi. Përpara një audience të larmishme dhe salle të mbushur plot, orkestra na çoi në një udhëtim magjepsës përmes disa prej veprave më të rëndësishme të Milesit nga fundi i viteve ‘50 dhe fillimi i viteve ’60 të shekullit XX - përveç Kind of Blue. Me trombonistin Christopher Crenshaw si drejtor artistik i këtij organizimi mbretëror, gjithçka ndihej, mirë ... paqësore. Kjo është magjia e Miles Davisit: edhe 100 vjet pas lindjes së tij dhe 35 vjet pas vdekjes së tij, shpirti i tij endet pezull, si tymi i një cigareje që ai dikur thithte, duke ledhatuar çdo cep të një dhome.
Mendoj se kjo është arsyeja se pse kjo pyetje del kaq shpesh kur bëhet fjalë për Miles Davisin: Si ka mundur dikush, që krijoi muzikë kaq hipnotizuese, kaq revolucionare, kaq shëruese dhe kaq provokuese, të ishte gjithashtu kaq tmerrësisht i dhunshëm ndaj grave? Të paktën ishte i ndershëm fakti që Milesi foli për abuzimin e tij të përsëritur ndaj grave në autobiografinë e tij - të shkruar bashkë me poetin e njohur Quincy Troupe. Por, nuk pati kurrë ndonjë kërkimfalje të vërtetë, ndonjë pendesë të vërtetë. Thjesht ishte ashtu. Pikërisht për këtë arsye, shkrimtarja që ka fituar shumë çmime, Pearl Cleage, pas rrëfimit të tij shkroi librin e saj brilant të shkurtër, E nervozuar me Majlsin [Mad at Miles]. Fjalët e Pearlës për mua, disa ditë më parë, janë këto:
“Besoj se duhet ta nderojmë gjeniun artistik, por njëkohësisht të pranojmë abuzimin e tij ndaj grave. Duhet ta bëjmë këtë. Arsyeja pse isha kaq e zemëruar me të ishte se dhuna e tij ndaj grave ma vodhi kënaqësinë e përthithjes nga Kind of Blue. Është një kundërthënie e tmerrshme me të cilën gratë duhet të përballen rregullisht kur gjenitë dhe heronjtë tanë na abuzojnë.”
E dhimbshme, tragjike, por ajo që Pearl më mësoi përmes mundimit të saj lidhur me Milesin, dhe ajo që gratë në dokumentarin e shkëlqyer të realizuar nga Stanley Nelson Jr., Miles Davis: Birth of the Cool, na mësojnë gjithashtu, është se ne burrat nuk mund të presim të konsiderohemi plotësisht të mëdhenj - askush prej nesh - nëse mentaliteti ynë përfshin refuzimin për të marrë përgjegjësi për kundërthëniet tona më të shëmtuara. Për fat të keq, dhuna e vazhdueshme ndaj grave është gjithashtu pjesë e trashëgimisë së Milesit. Ai ka parë dhe dëgjoi të atin duke lënduar nënën e tij kur ishte i ri. Ai kishte traumat e veta si burrë, si burrë zezak në Amerikë, me dhe pa drogë. Ai krijoi muzikë me fuqi të përjetshme. Por, gjithashtu, lëndoi shumë njerëz, shumë gra.
Ndaj, ndërsa i afrohemi 250-vjetorit të këtij shteti, me gjithë plagët e tij të dukshme, mendoj të njëjtën gjë edhe për Miles Davisin që mbush 100 vjet. Cilat janë mësimet? Çfarë mund të bëjmë ndryshe, në mënyrë që, një ditë, ajo ndjesi që na falin albumet si Kind of Blue, Sketches of Spain dhe Tutu, të jetë në të vërtetë ajo çka ne jemi? /Telegrafi/







































