LAJMI I FUNDIT:

Liderë shtetërorë e partiakë përkujtojnë Fehmi e Xhevë Lladrovcin, në 25 vjetorin e rënies

Liderë shtetërorë e partiakë përkujtojnë Fehmi e Xhevë Lladrovcin, në 25 vjetorin e rënies

Liderë shtetërorë e partiakë të Republikës së Kosovës kanë përkujtuar Fehmi e Xhevë Lladrovcin, në 25 vjetorin e rënies.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se përkushtimi i tyre i palëkundur për lirinë ka bërë që ata të jenë stoikë, të guximshëm e këmbëngulës


“25 vjet më parë Fehmi e Xhevë Lladrovci, e përmbyllën bashkërisht rrugëtimin e tyre jetësor e patriotik. Përkushtimi i tyre i palëkundur për lirinë bëri që ata të jenë stoikë, të guximshëm e këmbëngulës. Si të tillë u përjetësuan, duke u bërë personifikim i vetëmohimit për lirinë e vendit”, ka deklaruar ajo.

“Xheva dhe Fehmiu u përballën me vendosmëri të palëkundur për idealin e brezave, ëndrrën për liri e shtet. Ata na kujtojnë përherë rrugën e zorshme deri te liria dhe përkushtimin që duhet pasur për ta mirëmbajtur lirinë dhe për ta forcuar edhe më tej Republikën për të cilën ranë! Kujtimi për ta qoftë i përhershëm!”, ka shtuar Osmani.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti i ka kujtuar dëshmorët me një thënie të Fehmi Lladrovcit.

“Fati im më i madh i jetës”. Kështu e kishte quajtur ai vdekjen për lirinë e Kosovës.

“Me ideale të larta kombëtare, Fehmi Lladrovci, inxhinieri i makinerisë nga Universiteti i Zagrebit, veprimtari i çështjes kombëtare, i burgosuri politik, luftëtari i UÇK-së, ia fali jetën lirisë. Më 22 shtator 1998, pas përballjes disa-orëshe me njësi të forcave të armatosura serbe, ai ra dëshmor bashkë me Xhevë Lladrovcin, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin. Fatimja është motra dëshmore e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi”.

“Në këtë çerek shekull të rënies heroike, nderojmë kujtimin e të rënëve në Gradinë. I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën në rrugën për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Lavdi!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në 25-vjetorin e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me deputetë, bënë homazhe dhe vendosën lule pranë varrezave të tyre në Gllanasellë të Drenasit.

“Heronjtë Fehmi e Xhevë Lladrovci, bashkëshortë dhe njëkohësisht bashkëluftëtarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë më 22 shtator të vitit 1998, në betejë me forcat okupatore serbe”, ka thënë Konjufca.​

Homazhe pranë shtatores së heronjve të kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci në përvjetorin e rënies ka bërë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin simbol i qëndresës dhe krah i fortë i lëvizjen për liri e pavarësi.

“Heronjtë e Kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin simbol i qëndresës, krah i fortë i lëvizjes për liri e pavarësi. Gjithmonë të parët në rresht, ata luftuan dhe ranë bashkë. Fehmiu dhe Xheva, të cilët kisha fatin edhe t’i njoh nga afër, janë themelet e Kosovës së lirë, Kosovës shtet”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka kujtuar po ashtu edhe të rënët e tjerë dëshmorë të Brigadës 114.

“I kujtojmë me respektin më të thellë po ashtu bashkëluftëtarët e tyre, Shefqet Zeka e Fatime Hetemi, dhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 114, që me krenari mbajti emrin e Fehmi Lladrovcit. Në këtë përvjetor, përulemi me nderim para veprës së tyre heroike. Ata do të jenë gjithmonë udhërrëfyesit tonë në rrugën për ndërtimin e shtetit”, ka përfunduar Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se i kujton me krenari edhe bashkëluftëtarët e pandashëm të tyre, Fatime Hetemi, Shefqet Zeka, Behxhet e Milazim Karaxha dhe Hamit Lladrovci, në 25 vjetorin e lartësimit të tyre të përjetshëm.

“25 vjet pa Fehmiun dhe Xhevën! Më e shtrenjtë është liria se jeta! Prandaj, për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, betimi “derisa vdekja të na ndajë”, nuk ishte as i mjaftueshëm dhe as i saktë. Për të dy, bashkimi në martesë nënkuptonte përjetësinë, sepse jetën tashmë ia kishin premtuar atdheut. Jeta i bashkoi për liri – e vdekja në përjetësi. Sot, kujtojmë me krenari edhe bashkëluftëtarët e pandashëm të tyre, Fatime Hetemi, Shefqet Zeka, Behxhet e Milazim Karaxha dhe Hamit Lladrovci, në 25 vjetorin e lartësimit të tyre të përjetshëm. Lavdi Heronjve të Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Kosova jashtë KiE-së, deputetja finlandeze akuzon BE-në se po tregohet e butë me Serbinë

Kosova jashtë KiE-së, deputetja finlandeze akuzon BE-në se po tregohet e butë me Serbinë

Lajme
Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Lajme
Operacioni i SPAK, RENEA ‘zbarkon’ në vilat e bosëve të krimit, ngjiten me shkallë

Operacioni i SPAK, RENEA ‘zbarkon’ në vilat e bosëve të krimit, ngjiten me shkallë

Lajme
Plagosje me armë zjarri në Nashec të Prizrenit

Plagosje me armë zjarri në Nashec të Prizrenit

Kronika e Zezë
Vjosa Osmani në Clinton Global Initiative në Bullgari

Vjosa Osmani në Clinton Global Initiative në Bullgari

Lajme
Kalo në kategori