LAJMI I FUNDIT:

Sikur të isha burrë i pasur …

Sikur të isha burrë i pasur …
Topol më 1971

Nga: Helen Brown / The Financial Times
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com

“Sigurisht, e kuptoj se nuk është turp të jesh i varfër, por nuk është as nder i madh”, psherëtin Tevye, blegtori që është kryepersonazh i muzikalit të vitit 1964, Violinisti në çati, përpara se mendja t’i tundet e lëkundet në shpenzimin e një pasurie imagjinare. “Do ta ndërtoj një shtëpi të madhe, të lartë me një duzinë dhomash”, këndon ai. “Do ta ketë një shkallë të gjatë që shkon vetëm lartë / Dhe, një edhe më e gjatë që zbret teposhtë / Dhe, një tjetër që nuk shkon askund, e që është sa për t’u parë”.


Sot është e vështirë të mendohet se Sikur të isha burrë i pasur do të këndohet nga dikush tjetër pos nga Chaim Topol, që vdiq në mars në moshën 87-vjeçare. Me sytë që vezullojnë, me tonalitetet poshtë e lartë dhe baritonin e pasur që shkon drejt kulminacionit të këngës në [notën] C, Topoli e luajti karakterin Tevye në Uest-End të Londrës në vitin 1967, më pas në filmin fitues të çmimit Oscar [me të njëjtin titull] të Norman Jewisonit më 1971, dhe më pas për dekada të tëra në skenat anembanë botës. Por, ishte Zero Mostel – Tevye origjinal – që i ndihmoi kantautorët e Violinistit që ta kapin ritmin e plotë jidish në pikën më të spikatur të muzikalit.

Kompozitori Jerry Bock, tekstshkruesi Sheldon Harnick dhe dramaturgu Joseph Stein, e përshtatën Violinistin nga seria e tregimeve jidishe të vitit 1894, të Sholem Aleichemit, rreth një patriarku të devotshëm që luftonte t’i rriste vajzat rebele në qytetin Bojarka të Ukrainës (atëherë pjesë e Perandorisë Ruse).

Duke folur në Muzeun e Holokaustit në Floridë, në vitin 2013, Harnicku tha se ai dhe Bocku (të dy hebrenj) i kishin kërkuar anëtarët e trupës në një koncert humanitar për Unionin e Aktorëve Hebrenj, kur një nënë dhe një vajzë kënduan “një këngë hasidike, pa tekst, në të gjashtat dhe të tretat”; ishte vetëm një varg rrokjesh. Harnicku kujtoi se Bocku ishte “aq i magjepsur saqë shkoi në shtëpi dhe punoi gjatë gjithë natës” derisa ta shkruajë “nocionin e tij për një këngë hasidike”.

Harnicku i pëlqente meloditë dhe këngët e ngjashme korale, gjë që ia kujtoi kolegut se në tregimet e Aleichemit, Tevye shpeshherë paramendonte se çfarë do të bënte “nëse do të isha Rothschild”. Harnicku e përshkroi konceptin duke e ndryshuar emrin e dinastisë bankare në “njeriun e pasur” më të thjeshtë.

Por, pranoi se “nuk dinte t’i shkruante rrokjet hasidike”. Mostelit i ra në mendje “didli-didli-dridlis”. Ai i tha Harnickut: “Nuk do t’i largohem kësaj. Jam rritur në atë traditë. Mund ta bej”. Pra, “ja ba diba dam” dhe “jidli didli” që ia japin këngës lavdinë e saj, janë që të gjithat improvizime të Mostelit.

Jewison (emri i të cilit bëri që drejtuesit e studios të supozojnë se ishte hebre, por që në të vërtetë ishte i rritur si protestant) donte që një interpretues më modest – sesa qesharaku Mostel – të luante në filmin e tij. Danny Kaye dhe (mbase) Frank Sinatra kishin shprehur interes për këtë, por Jewisoni e zgjodhi aktorin relativisht të panjohur izraelit, Chaim Topol, i cili atëherë luante në produksionin londinez të shfaqjes. Teksa britanikët vazhdonin ta shqiptonin gabimisht Chaim-in e tij si “Turp [Shame]”, ai tashmë e kishte riemërtuar veten thjesht si “Topol” dhe e kishte përmirësuar anglishten e tij të re me ndihmën e Trupës Mbretërore të Shekspirit.

Ai nuk ishte i pari që e regjistroi këngën: regjistrimi i Mostelit u publikua në vitin 1965. Një vit më pas Herb Alpert e publikoi një version më ritmik instrumental. Topoli e regjistroi për herë të parë Sikur të isha burrë i pasur, në Londër më 1967 (singli i kaloi 20 javë në top-listat e Mbretërisë së Bashkuar). Në të njëjtin vit, dyshja e popit nga Zelanda e Re, Bill & Boyd, e lansuan ​​një version folk që u fut në top-listat në Australi. Në vitin 1969, Ivan Rebroff (këngëtar gjerman me origjinë ruse, i famshëm për diapazonin e zërit me katër oktava e gjysmë) e incizoi një version të ngrohtë francez, “Ah! Si j’étais i ricihe …”!

Melodia tërheqëse dhe tema e përjetshme e kanë bërë atë të njohur me sempla. Në vitin 1990, grupi i trip-hopit Massive Attack, cituan copëza të saj në këngën e tyre të turbullt urbane, Ëndrra me sy hapur,  me reperin Tricky që merret me ekonominë e vitit – kur Margaret Thatcher la postin – me fjalët: “Megi kjo, Megi ajo, Megi do të thotë inflacion”.

Në vitin 1993, dyshja britanike e rege-soulit, Louchie Lou & Michie One, e kthyen këngën (bazuar në një copëz të incizimit të Mostelit) në këngën e tyre debutuese Vajza e pasur. Mbi linjat e thella të basit, merren pabarazitë sociale të kohës: “Është gjë mbarëbotërore / të pasurit bëhen më të pasur ndërsa të varfrit po lëndohen”. Ish-liderja e grupit No Doubt, Gwen Stefani, e bëri një version të dyshes në vitin 2004. Së fundmi, reperja nga Alabama, Flo Milli, e përdori si bazë të këngës së saj të vitit 2021, Ulërima e të njëzetave.

Por, kënga do të jetë gjithmonë e lidhur më shumë me Topolin, i cili për herë e luajti karakterin Tevye në moshën 31-vjeçare dhe për herë të fundit në moshën 74-vjeçare. “Sa njerëz njihen për një rol?”, tha ai në vitin 2015. “Sa njerëz në profesionin tim njihen në mbarë botën? Unë nuk ankohem”. /Telegrafi/