LAJMI I FUNDIT:

Bajram Kosumi promovon librin “Zhanret e Gazetarisë”

Bajram Kosumi promovon librin “Zhanret e Gazetarisë”

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare u promovua libri “Zhanret e Gazetarisë” i autorit Bajram Kosumi.

Recensentët e këtij libri thanë se krahas studentëve të gazetarisë, këtë libër mund ta përdorin edhe studiuesit e tekstit dhe të zhanreve në gjuhësi, letërsi, si dhe përfaqësuesit e medieve.

Milazim Krasniqi, profesor i gazetarisë, u shpreh se promovimet e tilla janë rast që po reflektohet veçmas lidhur me injorimin kronik që është duke u bërë në Universitetin e Prishtinës, për nevoja të studentëve që të kenë libra universitarë cilësorë në gjuhën shqipe në pajtim me programin studimor.

Recensenti tjetër i këtij libri, Besim Abazi, tha se në këtë kohë shumë të vështirë kur kufijtë midis zhanreve po thyhen për shkak të ndryshimeve të mëdha teknologjike, teknologjia e re na ka bërë të gjithëve gazetarë, por gazetarëve iu ka shtuar më shumë misionin.

Autori i librit, Bajram Kosumi, tha se ndjehet i lumtur që arriti ta botojë këtë libër, duke shprehur falënderim për të gjithë ata që kontribuuan në botimin e tij.

Një falënderim të veçantë, Kosumi ua dedikoi studentëve, pa të cilët tha se nuk do të ishte i mundur botimi i këtij libri.

Ai foli edhe për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi arsimor në Kosovë. “Kemi njerëz të zotë në Kosovë, kemi njerëz të mençur, shkencëtarë, por në institucionet tona të arsimit të lartë mungon pak fryma akademike”, ka shtuar ai.