LAJMI I FUNDIT:

Tha se marrëveshja e Washingtonit s’ka vlerë juridike, reagime të shumta ndaj deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë Kurti

Tha se marrëveshja e Washingtonit s’ka vlerë juridike, reagime të shumta ndaj deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë Kurti
Foto: Arkiv

Deklarata e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, se Marrëveshja e shtatorit  të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë në Washington nuk ka vlerë juridike, ka nxitur reagime të shumta. Nga përfaqësues opozitar, por edhe analistë një deklaratë e tillë po cilësohet e dëmshme për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeziu në një intervistë kishte thënë se kjo marrëveshje nuk ka vlerë juridike pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend. Mirëpo, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj kjo marrëveshje është e obligueshme.

“Marrëveshja e Washingtonit është e obligueshme me vet faktin se është nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës”, tha për Telegrafin drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, pasi u pyet për vlerën juridike të marrëveshjes së nënshkruar nga ish-kryeministri, Avdullah Hoti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


“Marrëveshja Kosovë-Serbi është lidhur në Shtëpinë e Bardhë në prani të Presidentit Trump. E njëjta marrëveshje publikisht përkrahet dhe kërkohet të zbatohet edhe nga Administrata Biden, deri në masën që është e pranueshme për palët, gjithnjë duke u bazuar në qëndrimin zyrtar të përfaqësuesve të SHBA”, tha ai.

Miftaraj shtoi se “Në  bazë të traktatit të Vjenës lidhur me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në aspektin e zbatimit të obligimeve ndërkombëtare, një marrëveshje e tillë është e obligueshme me vet faktin se e njëjta është nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës”.

Sipas tij, “Praktika e së drejtës ndërkombëtare zotimin mes dy shteteve e njeh si marrëveshje ndërkombëtare ku dy shtete janë zotuar se do të ndërmarrin veprime të caktuara, si në rastin konkret”.

Siç shtoi tutje ai, “kur kësaj i shtohet fakti se zotimi i tillë është bërë në Shtëpinë e Bardhë me vullnet të plotë dhe në prani të Presidentit amerikan”, ai tha se duhet pasur kujdes në diskurs publik sa i përket këtij zotimi.

“Kosova duhet të ketë kujdes të shtuar në diskursin publik lidhur me çdo adresim sa i përket këtij zotimi në mënyrë që të mos dëmtoj në radhë të parë kredibilitetin dhe imazhin e Shtëpisë së Bardhë por edhe për të ruajtur raportet jashtëzakonisht miqësore më një ndër shtetet kryesore që kanë kontribuar drejtë  çlirimit të Kosovës nga Serbia, dhe shtet ndërtimit dhe shumicës dërmuese të njohjeve që ka sot Republika e Kosovës, përfshirë njohjen e fundit nga Israeli, e cila njohje erdhi nga takimi i Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë”, theksoi për Telegrafin Miftaraj.

Ndërkaq, Kryeziu një ditë më parë kishte thënë se “Së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës: Marrëveshja e Washingtonit s’ka vlerë juridike
Lexo po ashtu Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës: Marrëveshja e Washingtonit s’ka vlerë juridike

“Si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie, e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet. Më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, tha Kryeziu për Ekonomia Online.

Kjo ishte deklarata për të cilët u pyet sot edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku gjatë homazheve tek varri i ish-deputetes, Nekibe Kelmendi.

Kryetari i LDK-së u përgjigj shkurt, “Aq di i shkreti s’di më shumë”.

“Çdo marrëveshje ndërkombëtare me ShBA-në është e obligueshme dhe është në interes të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Për të njëjtën deklaratë, ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

Haradinaj tha se asnjë qeveri, e asnjë kryeministër nuk mund ta rrezikojë partneritetin strategjik me Amerikën.

“Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë! Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër!”, shkroi Haradinaj.

Ndërkaq, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku tha sot se Marrëveshja e Washingtonit nuk është lojë dhe se komunikimi me aleatët, e posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bëhet përmes deklaratave e postimeve në rrjetet sociale.

Çitaku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan më tej se Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike.

“Për të satën herë: Marrëveshja e Washingtonit, apo zotimet e Washingtonit, apo si të doni quani, nuk janë hajgare e lojë fëmijësh. Me aleatët, e posaçërisht me SHBA-të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale. Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike”, shkroi ajo.

Çitaku po ashtu shtoi se, “Para pak ditësh ishte në Kosovë i deleguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Jam e bindur se në takimet të cilat janë zhvilluar ka pasur mundësi që të trajtohen këto shqetësime. Pastaj, se Administrata e Presidentit Biden qëndron fuqishëm pas marrëveshjes së 4 Shtatorit e ka bërë të ditur publikisht Sekretari i Shtetit Blinken”.

Një reagim më të ashpër e ka bërë edhe Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka shpallur armiqësore Shtëpinë e Bardhë.

Kjo pasi sipas Deliu-Kodrës, Kurti e ka kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç na kujtohet, ish-Kryeministri izraelit, pa qenë fare i pranishëm në takim dhe i përfshirë në negociata, por vetëm nëpërmjet një komunikimi me telefon me Presidentin amerikan konfirmoi vullnetin e Presidentit të SHBA-ve duke respektuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe duken e zbatuar atë me njohjen e shtetit të Kosovës”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Ajo i ka quajtur veprime të rrezikshme përpjekjet për të armiqësuar marrëdhënien e Kosovës me SHBA-në.

“Përpjekjet për të armiqësuar marrëdhënien e Kosovës me SHBA-të, duke trilluar “thika mbi harta” dhe zhvlerësuar legjitimitetin e Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë veprime të rrezikshme që kërkojnë reagimin mbarë shoqëror. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë e vetmja garanci, të cilës populli i Kosovës i beson!”, ka përfunduar Deliu-Kodra. /Telegrafi/