LAJMI I FUNDIT:

Të gjithë e pranojnë mos-leximin, por jo përgjegjësinë

Të gjithë e pranojnë mos-leximin, por jo përgjegjësinë

Ka një zgjidhje për t’u thënë të gjithë personazheve që e pohojnë mos-leximin dhe tregojnë me gisht vetëm shtetin. Leximi varet nga individi. Shteti inkurajon me mekanizmat e veta ose thjesht e ndihmon me mbarëvajtjen e mirë. Të gjithë i janë turrur shtetit, me të drejtë, pasi ky i fundit në rastin më të mirë i bën fushatat për lexim, si paradhoma për zgjedhjet. Rastet e javëve të fundit e provojnë këtë. Ndërkohë që shteti, bashkë me të gjithë aktorët që bërtasin për librin, mund ta kishin gjetur gjuhën deri më tani, të paktën ta zbrisnin TVSH-në nga masa 20 për qind në një kuotë që të mos i vriste njerëzit e librit. Pasi njerëzit e librit bërtasin vetëm për uljen e TVSH-së. Në fakt, kjo nuk ndodh, kurse për çdo vit premtohet dhe pastaj gjithçka humbet.

Më për të ardhur keq është qarja për çdo vit në Panair të protagonistëve për vetë problemet e librit. Me asnjë mëdyshje, shkaqet sociale, ekonomike, politike janë të parat, por aman nuk veçohet dhe makutëria e shumicës së Shtëpive Botuese dhe politikave të tyre. Shumica nuk promovon autorë, por promovon projekte, sepse shumë nga librat sponsorizohen. Të thuash se botuesit janë të varfër, atëherë të vjen të qeshësh, sepse në të vërtetë shumë syresh janë realisht të pasur… dhe shumë cinikë. Dhe, më keq akoma, në kritikat permanente për shtetin, nuk kemi dëgjuar të bëjnë ndonjëherë Mea Culpa të pastër, sesi nuk dinë të bëjnë njëherë zgjedhje të drejta. Pse ankohen gjithnjë për njëri-tjetrin pas mbarimit të panairit dhe më shumë akoma: pse nuk prodhojnë vlera? Këtu ka heshtje…


Libri shqiptar ka një fat, që nuk e ka pasur në kohën e komunizmit, por që atëherë lexohej shumë e shumë më tepër. Tashmë tregu shqiptar është shumë i madh dhe përfshin një treg gati ballkanik. Kjo duhet t’i bëjë botuesit, njerëzit e librit dhe të gjithë aktorët e tjerë të mendojnë mekanizmat sesi libri të shkojë në të gjithë fashat e shoqërisë shqiptare.

Po shteti çfarë duhet të bëjë me këtë rast? Duhet ta mbyllë soditjen dhe të përfundojë Ligjin për Librin, duke ngritur Qendrën për Librin bashkë me strukturat e veta. Harruam Ministrinë e Arsimit, por ky institucion me ato kurrikula dhe me atë liberalizim që u ka bërë teksteve dhe politikat e saj do të jetë gjithnjë difektoz dhe gabimet e mbartura do t’i vuajmë për shumë e shumë kohë.

Të gjithë, pra, njerëzit që merren me librin janë fajtorë për mos leximin, ndaj më e mira gjë që mund të thuhet në këto kohë është të heshtësh, të veprosh dhe të mos presësh. Duhet që vetë njerëzit e librit të tregojnë sesa mund ta ndryshojnë këtë frymë dhe të trandin atë shifrën e frikshme të 1 milion njerëzve që nuk lexojnë. Dhe, të mos kujtohen vetëm në Nëntorin e Panairit të Librit.