LAJMI I FUNDIT:

Rreth 15 milionë euro borxh për ujin e shpenzuar në katër komunat në veri të Kosovës

Rreth 15 milionë euro borxh për ujin e shpenzuar në katër komunat në veri të Kosovës

Përveç energjisë elektrike që nuk paguajnë banorët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, ata nuk paguajnë as ujin e shpenzuar që nga paslufta.

Madje as autoritetet përkatëse nuk kanë qasje në atë pjesë për inkasimin e ujit të faturuar.


Drejtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi theksuan se borxhet e krijuara në veri të Mitrovicës kanë arritur rreth 15 milionë euro.

Në anën tjetër, anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Mimoza Kusari-Lila duke komentuar shumën e lartë të borxheve të krijuara në veri, tha se atje ka sfida në vazhdimësi për Qeverinë, Kuvendin dhe ndërmarrjet publike.

Kusari-Lila ngriti edhe çështjen e mos pagesës së ujit nga objektet e kultit.

“Kam dy-tri pyetje në raport me rekomandimet tuaja specifike, të cilat i keni ngrit, keni kërkuar që Qeveria të vazhdon me konsolidimin dhe integrimin të shërbimit të ujit në pjesën veriore të Kosovës. E dimë që kemi një problem që në vazhdimësi e përcjell Kuvendin, Qeverinë, ndërmarrjet publike të cilat ofrojnë shërbime. Në rastin konkret ju theksuat se e keni të ndaluar apo nuk faturoni shpenzimet e ujit të pamatur. Dhe çfarë qasje ka ARRU-ja ose i i trajton humbjet të cilat i ka në këtë rast ndërmarrja publike ‘Mitrovica’. Pyetja e dytë ka të bëjë për objektet e kultit, e keni ngritë si çështje se nuk bëhet matja e furnizimi me ujë tek objektet e kultit?”, ka pyetur Kusari Lila.

Ndërsa, Xhelal Selmani zëvendësdrejtor i ARRU-së gjatë raportimit për raportin vjetor 2020, tha se sa i përket pjesës veriore problemi më i madh është mos pagimi i ujit të pijes edhe pse faturohet.

Kjo çështje sipas tij, i përket edhe Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e kësaj sfide të cilën e quajti politike.

Përderisa është përgjigjur se asnjë objekt i kultit në Kosovë nuk paguan ujin e shpenzuar.

“Problemi më i madh është se atje [kompania] ‘Mitrovica’ diku 40 për qind e ujit të cilin e prodhon, e përpunon, e dorëzon në pjesën veriore. Ujë faturohet, nuk paguhet në pjesën veriore. Ne nuk kemi qasje atje përkundër asaj se pjesa veriore e ka një padi në gjykatë më herët për mos licencim. Çmimi i ujit i cili dorëzohet në pjesën veriore është 0.17 cent. Kështu që është i akumuluar një borxh i madh rreth 15 milionë euro. Për këtë kjo kompani është në një gjendje të vështirë. Ky është edhe problem politik, ndoshta kësaj duhet me i paraprirë Qeveria. Sa i përket pyetjes së dytë për objektet e kultit, ne vazhdimisht gjatë amandamentimit të ligjit kemi kërkuar që edhe objektet e kultit të paguajnë ujin, sepse askund në botë nuk ndodhë që objektet e kultit mos ta paguajnë ujin aq më tepër që ne kemi harxhimin diku 3-4 për qind prej të gjitha këtyre harxhimeve që i bëjnë objektet e kultit në Kosovë”, tha Selmani.

Shtyhet për javën tjetër raportimi i ministres Rozeta Hajdari
Lexo po ashtu Shtyhet për javën tjetër raportimi i ministres Rozeta Hajdari

Sa i përket mospagimit të ujit nga ana e objekteve të kultit, kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se ka paqartësi ligjore, për të cilën çështje ai tha duhet të zgjidhet në këtë legjislaturë.

“Vetëm një plotësim, te çështja e objekteve të kultit, ne edhe në legjislaturën e kaluar e kemi trajtuar. Problemi ekziston tek ligjim përkatësisht tek neni 20, ka një paqartësi juridike, pra nuk është e precizuar saktë çështja e kësaj”, u shpreh Shala.

Deputeti nga LVV-ja, Driton Hyseni ka kërkuar nga ARRU-ja monitorim më të madh të kompanive rajonale të ujësjellësit, përfshirë edhe atë të “Prishtinës” që të ketë furnizim të mjaftueshëm të ujit për gjithë komunat e këtij rajoni edhe gjatë verës.

“Një element tjetër që ceket në raport, është që vetëm 22 për qind e popullsisë së Kosovës momentalisht nuk ka qasje në rrjetin e këtyre kompanive rajonale të ujësjellësit. A e keni monitoruar një performancë jo shumë të mirë sidomos gjatë muajve të verës në disa prej komunave siç është rasti i kompanisë rajonale ‘Prishtina’ që disa prej komunave nuk arrin t’i furnizon e që do të duhet t’i furnizon. A është monitoruar performanca e tyre dhe e kanë marrë masa si ARRU që performanca e KRU-ve të jetë në nivelin më të lartë. Ne e kemi parasysh që gjatë verës shpenzimi i ujit rritet, prandaj përderisa qytetarët janë të kyçur në rrjetet e ujësjellësit ata duhet të kenë ujë”, theksoi Hyseni.

Ndërkaq, ujë i pafaturuar në nivel vendi vazhdon të mbetet një sfidë serioze gjatë vitit 2020, ku arrin 55 për qind.

Po ashtu në Komision ishte në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot ishte paraparë të raportojë ministrja e Ministrisë së Industrisë̈, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë̈, Rozeta Hajdari për planin e vitit 2021, por me kërkesë të saj ky raportim është shtyrë për një mbledhje tjetër.

Kryetari i këtij Komisioni, Ferat Shala tha se me kërkesë të ministres kjo pikë e rendit të ditës shtyhet për javën tjetër, të cilën kërkesë e ka quajtur të arsyeshme. /KP/Telegrafi/