LAJMI I FUNDIT:

Rileximi i mërzitshëm i “Uliksit”!

Rileximi i mërzitshëm i “Uliksit”!
Amor Towles

Nga: Amor Towles, shkrimtar i njohur amerikan (titulli origjinal: Amor Towles: ‘When I reread Ulysses I found it insufferable. Don’t @ me’)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur isha në klasën e parë – teksa jetoja në qarkun e Bostonit – shkrimtari i poezisë për të vegjël, David McCord, erdhi në klasën tonë për të lexuar diçka nga librat e vet. U mahnita nga gjithë kjo: nga imagjinata e tij, nga loja e tij me fjalë, nga mënyra se si poezia arrin tek audienca. E dija që atëherë se doja të bëhesha shkrimtar. Atë natë nisa të shkruaj poezi, njësoj si të tijat, dhe që atëherë vlente kjo: lexo, shkruaj, përsërit.


Libri im i preferuar, teksa rritesha

Në moshën 13-vjeçare, shumë më pëlqeu libri i Ray Bradburyit me tregime fantastiko-shkencore, Njeriu i ilustruar [The Illustrated Man] – të cilin e zgjodha në panairin e librave shkollorë, duke u bazuar vetëm në kopertinën e tij. Për ditëlindjen time, disa vite më vonë, nëna ma dhuroi përmbledhjen e tregimeve të tij. Ishte hera e parë që lexova një autor, duke lëvizur në mënyrë kronologjike përgjatë dekadave të krijimtarisë të tij. Që atëherë, preferenca ime ka qenë që këtë ta bëjë me autorët të cilët unë i adhuroj.

Libri i cili më ndryshoi si adoleshent

Leximi gjithmonë nxitej në shtëpinë time. Por, kur isha në adoleshencën e hershme, babai herë pas here më jepte para për të lexuar librin të cilin ai ishte i bindur se do ta pëlqej, por nguroja ta kapja në dorë për shkak të trashësisë që kishte. Tre librat për të cilët më pagoi për t’i lexuar: Kryezoti i unazave [The Lord of the Rings] i JRR Tolkienit, Shoguni [Shōgun] i James Clavellit dhe Njëqind vjet vetmi [One Hundred Years of Solitude] i Gabriel García Márquezit. I doja që të tre, por Njëqind vjet vetmi m’i hapi sytë drejt nivelit krejtësisht të ri të rrëfimit. Mbetet një nga tre librat e mi të preferuar (së bashku me Luftën dhe paqen të Tolstoyt dhe Mobi-Dikun e Melvilleit).

Shkrimtari që ndryshoi mendjen time

Kur isha në kolegj, e përcolla një mik drejt një librarie të stripave. Nuk isha lexues i stripit dhe mbase atë formë e shihja me përbuzje. Por, ndodhi që atë javë doli numri i parë i Kthimit të Kalorësit të Errësirës [The Dark Knight Returns] i Frank Millerit. E mora dhe menjëherë u mahnita nga invencioni grafik, nga pesha psikologjike dhe ndërthurja tematike. Është e panevojshme të thuhet se i lexova të katër pjesët e serisë. Disa muaj më vonë doli numri i parë i Rojës [Watchmen] kreative të Alan Mooreit. Me shumë kënaqësi e ndoqa zhvillimin e romanit grafik, në kulmet e reja si Miu [Maus] i Art Spiegelmanit dhe Persepolisi [Persepolis 1: The Story of a Childhood dhe Persepolis 2: The Story of a Return] i Marjane Satrapit.

Libri që rilexova

Veprat e Homerit janë pus që nuk thahet kurrë.

Libri të cilin nuk mund ta lexoj sërish

Për 20 vjet, kam lexuar me tre miq. Duke u takuar për çdo muaj, i ndjekim projektet, marrin një sërë novelash nga i njëjti autor, nga i njëjti rajon ose nga e njëjta periudhë kohore. Disa vjet më parë, vendosëm t’i rishikonim veprat e James Joyceit, të cilat që të gjithë ne i kishim lexuar në vitet e kolegjit. Dublinasit [Dubliners] ishte kaq shpikës në ndërtimin dhe përdorimin e gjuhës, aq i bukur në përshkrimin e njerëzve; e kam dashur më shumë si i rritur sesa si i ri. Por, Uliksi [Ulysses] tregoi se ishte një përvojë e kundërt. Teksa u magjepsa si i ri, mu duk pothuajse i padurueshëm si i rritur. Mos më akuzoni [Don’t @ me].

Librin të cilin e zbulova më vonë gjatë jetës

Kohët e fundit, tre miqtë e mi dhe unë i lexuam tri romane të ndërlidhura nga Alfred Hayesi: Në dashuri [In Love], Fytyra ime të cilën bota duhet ta shohë [My Face for the World to See] dhe Fundi im [The End of Me]. Puna e tij ishte zbulim për të gjithë ne. Është mjeshtër i nënvlerësuar amerikan.

Libri të cilin aktualisht po e lexoj

Po e lexojmë Deti, deti [The Sea, the Sea] të Iris Murdochut, pasi e kemi përfunduar së fundmi Princin e zi [The Black Prince]. Askush nga ne nuk e kishte lexuar Murdochun më parë dhe të gjithë jemi të kënaqur. /Telegrafi/