LAJMI I FUNDIT:

Reportazh nga Shkupi, Dibra, Struga dhe Kumanova: Shqiptarët e harruar nga pushteti

Reportazh nga Shkupi, Dibra, Struga dhe Kumanova: Shqiptarët e harruar nga pushteti

Në mesditën e ngrohtë të fillimit të prillit, tri vajza të vogla të moshës pesë apo gjashtëvjeçare, dallohen nga turma e njerëzve që lëvizin në të dy anët e rrugës kryesore të Çarshisë së Shkupit. Vajzat, të kapura dorë për dore, këndojnë ‘Këngën e Xhamadanit’ dhe duke vallëzuar përbirohen hapësirave që gjejnë përpara. Ato janë të veshura me rroba kombëtare, që është shenjë se po shkonin apo po ktheheshin nga ndonjë shfaqje e shkollës. Dikur, vajzat simpatike u zhdukën në mesin e turmës, por zëri i tyre i ëmbël dhe i kumbueshëm ende dëgjohej, sidomos kur vinte radha të këndohej vargu ‘Sa e madhe është Shqipëria’ që e theksonin me tërë zërin që kishin. Kjo paraqitje është manifestim publik i patriotizmit, pa asnjë dyshim. Dikur kjo gjë në Shkup dhe Maqedoni ka qenë e ndaluar. Për çudi, ky veprim, sot i lejuar, nuk tërhoqi ndonjë vëmendje të njerëzve të shumtë që kalonin rrugës. Nuk thuhet kot që vetëm gjërat e ndaluara janë të ëmbla apo atraktive.

Bota fëmijërore është për lakmi. Por, në jetën reale gjasat janë të mëdha që vajzat kur të rritën do ta marrin vesh pakuptimësinë e këngës. Shqipëria nuk është as e madhe e as e lumtur siç e paraqesin këngët. Dhe, më se keqi qëndron pjesa shqiptare ku do të rritën këto vajza.


Historia na dëshmon se kur udhëpërshkruesit vizitojnë vende të huaja, përshkrimet i fillojnë kryesisht nga arkitektura. Ndërtimet janë gjëja e parë që bien në sy dhe flasin për gjendjen ekonomike dhe sociale të banorëve. Pastaj vijnë përshkrimet për njerëzit. Në këtë aspekt, shqiptarët e Shkupit nuk qëndrojnë mirë.

Deri vonë Shkupi ka qenë qendër e rëndësishme për shqiptarët. Thënia ‘Shkup e Shkodër’ flet për rolin e rëndësishëm që këto dy qytete rivalizuese kanë luajtur në jetën e banorëve të Shqipërisë Veriore deri në fillim të shekullit XX. Për shkak të arsyeve të shumta, por kryesisht për shkak të lokacionit gjeografik, Shkupi ka prirë në tregti-ekonomi, kurse Shkodra në kulturë. Sot, Shkupi e ka humbur rolin dominues që e ka patur, por ende e ruan një rëndësi të posaçme dhe është atraktiv për grupe sporadike të turistëve të huaj dhe vizitorëve vendas.

Pjesa më e vjetër e qytetit, Çarshia e Shkupit, i është nënshtruar procesit të ndryshimit të karakterit të vjetër të cilin e ka ruajtur me shekuj. Pronarët në mënyrë dominante janë shqiptarë, por për çudi, një numër i madh i emrave të dyqaneve figurojnë të shkruara në maqedonisht dhe me alfabet cirilik. Gjuha shqipe vazhdon të mos e ketë vendin e merituar edhe pse përdorimin e saj e lejon ligji.

Gjatë meremetimeve apo restaurimeve duket se pronarët nuk janë të interesuar t’i ruajnë pamjet e vjetra të lokaleve. Në këtë pjesë ekzistojnë qindra objekte që kanë vlera të mëdha historike. Por, pothuajse asnjë nuk ruhet apo mirëmbahet. Këmba dhe dora e shtetit nuk shihet andej. Kjo me siguri për shkak se kjo pjesë e qytetit konsiderohet si trashëgimi kulturore që ka të bëjë me shqiptarët.

Paratë e buxhetit shtetëror derdhen matanë Urës së Gurit, në pjesën perëndimore ku shtrihet pjesa e re e qytetit dhe ku shqiptarët janë pakicë. Megithatë, kjo pjesë vazhdon të ruajë dhe zhvillojë aspekte të urbanizmit modern. Rreth urës janë ndërtuar objekte dhe përmendore të reja për të cilat është folur shumë. Vendi është bërë ‘kryeqytet i kiçit’ pasi që është stërngarkuar me statuja, buste dhe ndërtesa që emitojnë klasiken duke krijuar kopje të zbehtë dhe të çuditshme të një të kaluare që nuk ka të bëjë me Maqedoninë e sotme. Pamja është aq e pazakonshme sa që njeriu nuk di nëse efekti është tragjik apo komik. Tërë ky ndërtim ka për qëllim forcimin e ndjenjës së të qënit maqedon dhe njëkohësisht duke e përjashtuar tërësisht dhe me ngulm prezencën shqiptare. Për të qenë ironia edhe më e madhe, ndërtimi është bërë me aprovimin e qeverisë në të cilën kanë qenë pjesë, dhe ende janë, partitë politike shqiptare. Me fjalë tjera, me paratë e taksapaguesve shqiptarë është ndërtuar ndjenja dhe mburrja e nacionalizmit maqedon i cili në esencë është antishqiptar.

Në anën shqiptare, në komunën e Çairit, ku qeverisja lokale është në duar të shqiptarëve, ndërtimet pa leje e pa shije kanë bërë që qyteti të duket si është më së keqi. Kriteret e ndërtimit dhe ligjet apo rregullat urbanistike respektohen fare pak. Ndërtimet janë shpesh pa leje dhe bëhen duke i shkatërruar edhe objektet e rëndësisë historike të mbrojtura me ligj. Kur një mik i imi dhe banor i kësaj ane të qytetit kishte shkuar për t’u ankuar në Komunë për problemet që lagjes së tij po i shkaktonin ndërtimet e reja, zyrtarja (maqedone) i kishte thënë: ’Çair është ky. Pse po ankohesh’? Me fjalë tjera, për shqiptarët nuk vlejnë as rregullat urbanistike dhe shteti abstenon së intervenuari. Sikur në Kosovë dhe Shqipëri, edhe këtu mafia e ndërtimit është e fuqishme dhe e lidhur me pushtetin. Çrregullimi urbanistik duket se reflektohet edhe në çrregullim shoqëror. Rruga që vjen nga Bit Bazari dhe kalon nëpër Çair për të përfunduar në lagjen Dizhon, është e gjatë dhe e gjerë. Lisat e trashë dhe të gjatë që gjenden përskaj, dëshmojnë vjetërsinë qindravjeçare të rrugës dhe ndërtesave të kësaj pjese të qytetit.

Edhe pse fushata zgjedhore për president të Maqedonisë Veriore ka filluar me 1 prill (kjo nuk është shaka), publikisht në sipërfaqe njerëzit duken të qetë dhe të painteresuar. Duhet gërvishtur sipërfaqen për të parë fotografinë e vërtetë. Kandidatura e Blerim Rekës e ka elektrizuar gjendjen politike në mesin e shqiptarëve dhe maqedonëve. Ka shkaktuar brenga serioze në kreun e partive shqiptare që janë në qeveri dhe shqetësime te funksionarët dhe aktivistët e këtyre partive që varen ekonomikisht dhe politikisht nga pushteti. Partitë shqiptare që janë pjesë e qeverisë përkrahin një kandidat maqedon i cili quhet Stevo Pendarovski, kurse opozita maqedone (VMRO-DPMNE) përkrah Gordana Silanovskën. Me këtë, partitë shqiptare në pushtet, të prira nga BDI, e kanë detyruar veten t’i hyjnë një pune kontroverse dhe të vështirë.

Në tubimet me qytetarët që mbahen gjatë fushatës shihet gjendja e vërtetë e shqiptarëve, e cila është e rëndë, por nuk është gjithkund e njëjtë. Shkupi, për shkak të arsyeve të shumta, është vend jo i lehtë për të definuar destinacionin e votës. Me banorët maqedonë, shqiptarë, turq, romë, tërbeshë etj., qyteti ofron pamjen më multinacionale të mundshme. Ky fakt duhet të paraqes edhe një konglomerat të veçantë politik dhe kulturor. Shqiptarët dominojnë në pjesën lindore të qytetit dhe rrethinës së tij.

Në Saraj, sidomos në Haraqinë, shqiptarët janë të indinjuar me pushtetin i cili ndaj tyre vepron tejet nën nivel të premtimeve. Këto janë vendbanime të lëna tërësisht pas dore. Në situata normale këto dy vende do të ishin qyteza të bukura me njerëz që kanë afinitet afarist. Në fakt, këto dy vende janë fshatra të mëdha e të prapambetura. Edhe pse gjenden vetëm pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit, buxheti i shtetit nuk mbërrin dot. Shumica e pjesëmarrësve në këto dy vende periferike të Shkupit janë të rinj dhe kërkojnë zgjidhje të pozitës së tyre të rëndë. Nuk është vështirë të shihet se ata janë të gatshëm që t’i bashkëngjiten çdo kërkese që ofron ndryshim. Alternativë e vetme për këta të rinj, mbetet shpërngulja e cila është duke u përhapur sikur sëmundja e kolerës në Mesjetë.

Në Haraqinë, dëshpërimi ndaj qeverisë dhe pushtetit maqedon është tejet grafik dhe publik. Mbishkrimet e firmave, shitoreve dhe kafeterive janë të shkruara vetëm në shqip. Këtu vetëm gjërat e karakterit patriotik shqiptar zënë vend brenda kornizës së jetës së tyre.

Bllaca është emri i fshatit kufitar i cili në kujtesën historike të shqiptarëve do të qëndrojë gjatë si monument i tragjedisë. Fshati përbëhet nga disa lagje të shtrira në kodrina të pjerrëta ku mungon toka pjellore siç është ajo e Haraqinës dhe Sarajit. Pos kushteve të rënda ekonomike, fshati ka një problem të veçantë. Një numri të konsiderueshëm të banorëve, shteti maqedon ua mohon shtetësinë. Kjo krijon probleme të mëdha të qarkullimit pasi që Bllaca është e lidhur ngushtë me vendbanimet e Kosovës.

Liqeni i Mavrovës gjendet 100 kilometra në jug të Shkupit dhe në lartësi mbidetare 1250 metra. Në perëndim të liqenit rruga fillon të zbret duke gjarpëruar anëve të kodrave. Malet e larta ofrojnë pamje mahnitëse. Pas disa kilometrave, përskaj rrugës afrohet lumi Radika për ta krijuar paralelen me asfaltin. Kur përmendet Radika, të gjithë shqiptarët e dinë se kjo është rruga për Dibër dhe se këtupari ka kaluar Hajredin Pasha me ushtrinë e perandorisë që ishte nisur për t’i ‘disiplinuar’ shqiptarët. Fjala është për kryengritjen e shqiptarëve të kësaj ane që ishte zhvilluar kundër Portës së Lartë në vitin 1844. Dibranët, pasi që kishin lidhë besë në fushë të Gjoricës, i dolën pashës në mejdan dhe ia ‘grinë’ 12 mijë ushtarë. Kështu thotë kënga e Hajredin Pashës e cila është ruajtur nga atëherë e deri sot për të qëndruar në top listë të këngëve folklorike shqiptare.

Sidoqoftë, pas pamjeve piktoreske që ofrojnë fshatrat e ndërtuara lart në male, majat e të cilave ruajnë borë deri në fillim të muajit maj, gryka e ngushtë e Radikës vjen duke u zgjeruar. Në lartësinë mbidetare 625 metra lajmërohet një fushë e gjerë në të cilën shtrihet qyteti i Dibrës, i cili ka më pak se 20 mijë banorë. Qyteti është ndërtuar aty ku bashkohet Radika me Drinin e Zi, i cili në këtë vend është zgjeruar për të marrë formën e një liqeni. Dibra është vendi ku brutaliteti dhe turpi i padrejtësisë ndaj shqiptarëve shihet ‘live’. Vetëm disa hapa matanë vijës ku përfundon qyteti, shihen disa vendbanime të cilat janë pjesë territoriale e Shqipërisë.

Në pasditen e fundjavës së parë të prillit, Dibra duket se ka rënë në gjumë. Njerëzit lëvizin rrallë nëpër rrugët e qytetit. Në realitet, Dibrës vazhdimisht i zvogëlohet numri i banorëve. Asnjë qytet shqiptar nuk ka përjetuar më shumë shpërngulje. Llogaritë thonë se vetëm në SHBA, gjegjësisht në Staten Island të New Yorkut, ka më shumë dibranë se në Dibër. Mbrëmja e ndryshon situatën. Para orës 7:00 të mbrëmjes dibranët vërshojnë rrugët dhe marrin drejtimin e Shtëpisë së Kulturës ku mbahet tubimi ku flet Blerim Reka, kandidati për president të Maqedonisë Veriore. Shtëpia e Kulturës është ndërtesë e stilit socialist të cilën e ka shkelur koha, por ende është funksionale. Salla e mbushur përplot me njerëz ofron pamje surreale. Shumica e burrave janë të moshës të fundit të karrierës ose pensionistë. Pothuajse të gjithë janë të veshur bukur dhe me kravata dhe gati gjysma e të pranishmëve në sallë janë gra. Të gjithë sillen e flasin bukur, janë të sofistikuar dhe duken sikur banorë të ndonjë qyteze të qetë angleze ku ngjarjet publike janë të rralla.

Tubimi në Dibër, sikur çdo kund tjetër, është vendi dhe koha për t’ia nxjerrë qeverisë të palarat në shesh. Politikanët shqiptarë të Maqedonisë, siç janë Zijadin Sela, udhëheqës i Aleancës për Shqiptarët, dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, që të dy në opozitë dhe përkrahës të fushatës së Blerim rekës, elaborojnë qëndrimet e tyre me elekuencë. Megjithatë, fjalimi i Blerim Rekës para dibranëve është brilant. Kjo shihet nga fakti që dibranët disa herë ngrihen në këmbë dhe aplaudojnë me brohoritje të gjata.

Krahas zgjedhjeve për president të vendit, dibranët me 21 prill votojnë edhe për kryetarin e Komunës. Arben Agolli është mjek (pediatër) në spitalin e qytetit dhe është kandidatë i Aleancës për Shqiptarët për kryetar të Komunës. Hekuran Duka është kandidati tjetër, po ashtu mjek dhe i respektuar, dhe vjen nga radhët e BDI-së. Shpresat e qytetarëve janë të mëdha që fituesi ta zvogëlojë numrin e problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet kjo komunë.

Është kënaqësi të bisedosh me dibranët. Ata nuk i lëshojnë mysafirët të largohen pa darkë, sidomos nëse janë nga Kosova. Gjatë bisedave vërtetohet thënia që ‘dibranët janë ajka’ e shqiptarisë në Maqedoni. Qyteti është i vogël, por ka dhënë shkrimtarë, shkencëtarë, muzikantë dhe personalitete tjera të rëndësishme. Dibra është ndër vendet e rralla që njeriu ka dëshirë të kthehet sërish dhe shpejt për vizitë. ‘Të fala Kosovës. Kosova na shkolloi’, janë fjalët përshëndetëse të tyre në ndarje.

Në aspektin kulturor, Struga nuk dallohet shumë nga Dibra. Struga është vendlindja e Ibrahim Temos, njeriut të cilit historia jonë nuk i ka dhënë hapësirë të merituar. Megjithatë, në literaturën e huaj (angleze, franceze, gjermane, turke …) kapitujt e librave të historisë që kanë të bëjnë me Lëvizjen Xhonturke, nuk hapen pa emrin e mjekut Ibrahim Temo. Ai është ndër tre themeluesit e parë të organizatës që më vonë mori emrin Lëvizja Xhonturke dhe njihet si Xhonturku Numër 1. Në këtë mënyrë, Kosova dhe Shqipëria ende vazhdojnë t’i injorojnë kontributet dhe rolin e shqiptarëve të Maqedonisë edhe sot.

Sidoqoftë, Struga është më e madhe se Dibra dhe për shkak që shtrihet në brigjet e liqenit, është vend turistik. Shtëpitë dhe rrugët rreth liqenit dhe lumit janë elegante ku dominojnë hotelet dhe restoranet. Hoteli kryesor ende quhet “Hotel Beograd”. Në Strugë, asnjë rrugë nuk ka emërtim të ndonjë personaliteti shqiptar, edhe pse qyteti zyrtarisht është i banuar me rreth 60 për qind shqiptarë. Për këtë gjendje nuk duhet fajësuar vetëm pushtetin maqedon, por edhe atë lokal i cili kohëve të fundit është nën qeverisjen e partive politike shqiptare.

Kumanova është qyteti më verior i Maqedonisë dhe me rëndësi të veçantë për shqiptarët. Ky është vendi ku serbët më 1912 e mundën ushtrinë otomane, por edhe vendi ku gjeneralët serbë më 1999 e nënshkruan kapitullimin para ushtarakëve të NATO-s. Lufta e vitit 2001 dhe Rasti i Vitit 2015 kanë lënë pasoja të cilat ende shihen në masën e elektrizuar të shqiptarëve. Statistikat zyrtare maqedone tregojnë se qyteti ka rreth 26 për qind shqiptarë, por me rrethinë përqindja mund të shkojë shumë më lart. Për t’ia shtuar kompleksitetin kësaj çështje, duhet përmendur që Kumanova është vend në të cilin jetojnë një numër i konsiderueshëm i banorëve serbë.

Tubimi i qytetarëve për të dëgjuar paraqitjen e kandidatit shqiptar për president të këtij vendi ka ngjallur interesim të madh. Një orë para fillimit të tubimit, salla kryesore e qytetit, por edhe korridori është mbushur plot. Nga korridori vargu i njerëzve shtrihet deri në rrugën kryesore e cila është bllokuar për shkak të numrit të madh të të interesuarve. Interesimi është i madh për shkak se nga Kosova vjen Albin Kurti për ta përkrahur kandidaturën e Blerim Rekës. Tubimi vonohet për shkak se çdo kush, që nga rruga e deri në sallë, dëshiron të fotografohet me udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje! Ata që nuk arrijnë të fotografohen, zgjasin duart për ta prekur. Kur moderatorja thërret Albin Kurtin për të marrë fjalën, ovacionet dhe aplaudimet janë gjata. Në Kumanovë Albin Kurti e ‘vodhi’ shfaqjen duke i lënë politikanët vendas nën hijen e tij.

Megjithatë, situata politike në Maqedoni ka veçoritë e saja. Me kalimin e kohës dhe për dallim nga Kosova, këtu atmosfera bëhet gjithnjë e më e egër. Për çudi ashpërsimet dhe konfliktet verbale nuk janë të relacionit shqiptar-maqedon. Maqedonët ‘përlahen’ mes veti sikur edhe shqiptarët. Por, shqiptarët zihen mes veti për shkak se mbrojnë një kadidat shqiptar dhe një maqedon.

Gjykuar sipas mediave sociale, interesimi në Kosovë për këto zgjedhje është dukshëm më i madh se ai në Shqipëri. Kjo është për shkak të lidhjeve që ekzistojnë mes Maqedonisë dhe Kosovës, por edhe për shkak se Blerim Reka konsiderohet si njeri nga Kosova ku ka jetuar dhe punuar për një kohë të gjatë. Sërish sipas mediave sociale, Blerim Reka në debatet televizive qëndron më mirë se dy kandidatët tjerë maqedonë. Megjithatë, problemi që më së shumti diskutohet është nëse shqiptarët masovikisht do të votojnë për Blerim Rekën. Ky dyshim është i pakuptueshëm për shqiptarët e Kosovës te të cilët mbretëron ndenja nacionale e cila te një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë duket të jetë më e zbehtë. Gjasat që zgjedhjet të dështojnë janë të mëdha për shkak të mosdaljes në votim të numrit të caktuar të votuesve. Sidoqoftë, se çfarë do të jetë rezultati, do ta shohim me 21 prill. Kjo është dita kur shqiptarë e Maqedonisë do ta tregojnë fuqinë e tyre politike. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
XHUBLETA

XHUBLETA

Poezi
FRIKË

FRIKË

Poezi
Didaktikë historie

Didaktikë historie

Kulture
Vepra poetike Kadare!

Vepra poetike Kadare!

Analiza
Shqipja e kërcënuar!

Shqipja e kërcënuar!

Analiza
Kalo në kategori