LAJMI I FUNDIT:

Referendumi historik, kurdët votojnë për pavarësi

Referendumi historik, kurdët votojnë për pavarësi

Në rajonin e Kurdistanit në Irak ka nisur votimi për referendumin kontrovers të pavarësisë.

Kryeministri irakian paralajmëroi se do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur unitetin e vendit, edhe pse nuk e specifikoi se për çfarë masash bëhej fjalë.


Shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësimin se referendumi do të provokojë konflikte të reja, e do të tërheqë vëmendjen nga lufta kundër Shtetit Islamik.

Por, pavarësisht kësaj, kurdët që luftojnë prej kohësh për shtetin e tyre nuk janë ndalur.

Gjithsesi, rezultati i referendumit, që pritet të mbyllet me fitoren e kampit pro shkëputjes, nuk është detyrues.

Në prag të votimit, kryeministri Haider al-Abadi tha se ai ishte antikushtetues dhe kërcënonte paqen.

Qeveria e al-Abadit u kërkoi vendeve të tjera të mos blejnë naftë nga rajoni i Kurdistanit, e që të hyjnë në ujdi me qeverinë për naftën dhe kufijtë.

Nafta është një prej produkteve kryesore të eksportit në Kurdistan. Udhëheqësi i kurdëve irakianë, Massoud Barzani tha se, pavarësia është e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve të tij.

Megjithatë, ai u zotua se referendumi nuk do të ndikojë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Rajoni autonom në veri të vendit drejtohet nga qeveria rajonale e Kurdistanit dhe është njohur zyrtarisht në Kushtetutën e vitit 2005 të Irakut. /kp/Telegrafi/