LAJMI I FUNDIT:

Rasti “Pronto”, akuzat e prokurores Hajdari për punësimet e kundërligjshme dhe kundërshtimet e mbrojtjes për “huqjet” e Prokurorisë Speciale

Rasti “Pronto”, akuzat e prokurores Hajdari për punësimet e kundërligjshme dhe kundërshtimet e mbrojtjes për “huqjet” e Prokurorisë Speciale
Foto: Arkiv

Pak ditë pasi që është konfirmuar aktakuza nga Gjykata e Apelit, ka nisur gjykimi në rastin e njohur si “Pronto”.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të tjerët, akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.


Seanca e së mërkurës, kryesisht është karakterizuar me tensione e mos pajtime, ndërmjet prokurores speciale Drita Hajdari, si dhe mbrojtësve të të akuzuarve.

Krejt kjo ka nisur në momentin kur prokurorja Hajdari, ka filluar dhënien e fjalës hyrëse, e të cilën nuk ka arritur që ta përfundojë, pasi që atë ia ka ndërprerë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, me arsyetimin se ajo gjatë kësaj fjale ka dal jashtë pikave të aktakuzës në këtë rast.

Në fjalën e saj, prokurorja Hajdari, kryesisht ka folur për dukurinë e punësimeve të kundërligjshme në Kosovë, për njerëzit e fuqishëm, që sipas saj, qëndrojnë prapa një dukurie të tillë, si dhe për aspekte tjera, duke bërë që të nxis reagimet e mbrojtësve të të akuzuarve, të cilët në disa raste, fjalimin e saj e kanë cilësuar si politik.

Prokurorja Hajdari, ka thënë se “fajin” se aktakuzat e prokurorisë hedhen poshtë, e ka edhe gjykata dhe avokatët, që sipas saj, po mbrojnë “të pandehurit e fuqishëm”.

Me këtë rast, ajo ka përmendur rastet e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, të cilët ishin liruar nga akuzat për korrupsion, nga Themelorja dhe Apeli, por që Gjykata Supreme kishte vlerësuar se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e dytë, kishin bërë shkelje kur kishin vendosur në favor të të pandehurve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi mbrojtësit e të akuzuarve i kanë kundërshtuar këto deklarime të prokurores, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, nuk e ka lejuar atë që të lexojë të gjithë fjalën hyrëse, me pretendimin se duhet theksuar vetëm aspektet të cilat janë pjesë e kësaj procedure gjyqësore.

Por, në fjalën e saj hyrëse me shkrim, ajo “fajin”  për dështimin e aktakuzave përpos gjykatësve, ia ka lë edhe avokatëve.

“Pra, gjatë procedurës së punësimit, çdo gjë duket e ligjshme, procedurës së punësimit i jepet një formë juridike, dhe pastaj personi i caktuar caktohet në pozitën e caktuar, ndërsa në realitet vendimet për punësim i merr dikush tjetër, dikush nga hija, nga prapaskena. Nuk mundemi që mos ta parashtrojmë pyetjen tjetër: kush janë njerëzit nga hija, nga prapaskena? Janë ata që i shohim shpesh në publik. Janë veshur me kostume të mira. Duken mirë, dhe me vetëbesim, sepse këtë ua mundëson pasuria e krijuar pasluftës. Përshëndeten përzemërsisht, buzëqeshjen nuk e heqin nga fytyra as atëherë kur hyjnë në Pallatin e Drejtësisë për tu përgjigjur për vepra penale. Madje, komunikojnë në mes vete me përshëndetjen “Pronto”. A e dini pse? Sepse, ata janë zyrtarë të lartë shtetërorë, dhe në Kosovë ata nuk dënohen. Madje, kundër tyre as aktakuza nuk lexohet, edhe pse kjo kërkohet sipas ligjit. Sepse, në Kosovë është krijuar një mentalitet i shëmtuar ku nuk mendohet se si të vendoset drejtësia, por mendohet se si të shmanget drejtësia”, thuhet në një pjesë të fjalës hyrëse të prokurores, e cila nuk ka arritur ta përfundojë gjatë seancës të së mërkurës.

Ajo ka folur edhe për akuzat kur Prokurorisë së Shtetit ia hedhin fajin pse po dështojnë aktakuzat në rastet e profilit të lartë, për pretendimet se organi i akuzës, ka ngritur aktakuza në bazë të inateve personale, dhe se kur të akuzuarit shpallen të pafajshëm, sipas saj, ata bëjnë kallëzime penale ndaj prokurorëve.

“Së fundi faji për këtë i hedhet prokurorisë, e cila “nuk ka ofruar prova të mjaftueshme”. Pastaj vazhdohet me plasimin e gënjeshtrave se aktakuza ishte çështje personale e një prokurori. i cili për ndonjë arsye, donte të hakmerrej ndaj të pandehurit dhe ndonjë arsye donte ta shkatërrojë të pandehurin. Gënjeshtrat e përsëritura shumë herë bëhen të vërteta, aq sa edhe vet të akuzuarit fillojnë të besojnë se janë viktimat e prokurorëve dhe pasi që shpallen të pafajshëm ata ushtrojnë kallëzime penale kundër prokurorëve. Në këto rrethana funksionon sistemi jonë i drejtësisë dhe në këtë atmosferë dhe mentalitet të krijuar funksionon prokuroria. Se si duket e gjithë kjo gjendje në praktikë, më së miri dëshmon rasti e fundit i Salih Mekaj dhe ai i Emin Beqirit, që të dyja rastet të shënjestruara në procesin e liberalizimit të vizave”, ka vazhduar prokurorja në fjalën e saj hyrëse.

Sipas saj, “të pandehurit e fuqishëm”, ndihmohen edhe nga disa avokatë, të cilët sipas saj, zgjedhin rrugë dhe kanale për të anashkaluar ligjin.

“Ne këto rrethana, dhe në këtë ambient të krijuar vite me radhë, me “mundin” e të pandehurve të fuqishëm, por falë edhe këshillave “juridike” të avokatëve të tyre (sepse kjo situatë në sferën e drejtësisë nuk kishte mund të krijohet pa ndihmën dhe angazhimin e disa avokatëve të cilët nuk zgjedhin mjete dhe gjejnë rrugë dhe kanale për të anashkaluar ligjin), unë sot po hyj në një betejë juridike, e gatshme për tu ballafaquar me të gjitha sfidat e rastit “Pronto”, me shpresë se do të triumfoj drejtësia. Sepse, unë besoj në drejtësi”, theksohet ndër të tjerash në fjalën hyrëse të prokurores speciale, Drita Hajdari.

Për shkak të këtyre veprimeve, ajo ka thënë se Kosova nuk mund të hyjë në Evropë, pasi sipas saj, në Kosovë triumfon padrejtësia dhe mburrja me rrëzimet e aktakuzave në gjykatë.

“Nëse dikush mendon se kështu do të na pranojë Evropa gabon. Evropa kërkon shtet ligjor. Jo shtet në të cilin triumfon padrejtësia dhe mburrja kur prokuroria e humb rastin në gjykatë”, thuhet në fjalën hyrëse të Hajdarit.

Prokurorja Hajdari ka thënë se rasti “Pronto”, qysh nga paraqitja është bërë sinonim i punësimeve të kundërligjshme.

Me këtë fenomen, sipas saj, është ballafaquar Kosova në procesin e shtet-ndërtimit.

“Kanceri i papunësisë çdo ditë përhapet, çdo një e më shumë, në vendin tonë papunësia është në vend të lartë, përderisa stacionet tona të autobusëve me vite janë mbushur me punëtorë”, ka thënë ndër të tjerash prokurorja Hajdari.

Ajo ka thënë se këtij grupi i nevojiten njerëz të dëgjueshëm, jo të ngritur profesionalisht.

“I nevojiten ata që nuk do të marrin asnjë vendim, veç ka me ushtru detyrën, gjatë procedurës së punësimeve çdo gjë duket e ligjshme dhe pastaj personi i caktuar caktohet në pozitën e caktuar, ndërsa vendimet i merr dikush tjetër. Nuk mundemi të mos e parashtrojmë pyetje kush janë njerëzit nga hija, nga prapaskena, janë njerëz që i shohim çdo ditë në publik, njerëz të veshur me kostume të mira”, ka thënë tutje ajo.

Gjatë fjalës së saj, ka thënë se në këtë rast, nuk do të propozojnë dëshmitarë, por që sipas saj, fajësia e të akuzuarve do të vërtetohet në bazë të provave materiale, siç ka thënë se mund të jenë, CD-të me bisedat e përgjimeve.

“Aktakuzën e kemi bazuar në prova materiale, pasi nuk kemi propozuar dëshmitarë. Provat materiale flasin më shumë se çdo dëshmitar. Janë prova në bazë të dokumentit të hartuara nga institucione të ndryshme në Kosovë. Prokurori i rastit do të insistojë se çdo provë e propozuar të administrohet nga gjykata, e jo të konsiderohen të lexuara. Do të kërkoj që audio incizime e bisedave të të akuzuarve të vendosura si CD të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor. Shumica e të pandehurve në fazën hetimore janë mbrojtur në heshtje. Ademi është mbrojtur në heshtje në fazën hetimore, disa prej tyre deklaruan se nuk i mbajnë mend bisedat me Ademin. I kanë mohuar veprimet kundërligjore, ndërsa disa prej tyre mohuan çdo përfshirje në këtë rast. Shqyrtimi gjyqësor është mundësi që të akuzuarit kanë mundësi që të japin shpjegim për këtë përgjime”, ka thënë prokurorja.

Ndërkaq, pas pauzës prej disa minutash, kur mbrojtësit e të akuzuarve janë pajisur me komplet fjalën hyrëse të prokurores Hajdari, ka pasur reagime nga ana e tyre, të cilët e kanë quajtur këtë  aktakuzë “huqje” dhe dështim të prokurorisë.

Mbrojtësi i Adem Grabovcit, avokati Florent Latifaj, e ka kritikuar mënyrën e fjalës hyrëse të prokurores speciale, Drita Hajdari, e cila ka “fajësuar” gjykatën dhe avokatët për rrëzimin e aktakuzave të të “pandehurve të fuqishëm”.

Ai ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, me provat e propozuara do të vërtetohet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ishte ajo që e kishte shkelur ligjin në tërë këtë procedurë penale.

Ai ka thënë se prokurorja Hajdari në aktakuzë kishte theksuar se prokurori i çështjes më 18 qershor 2014, kishte pushuar hetimet kundër Adem Grabovcit për disa vepra penale dhe në terminologjinë juridike sipas avokatit Latifaj, i bie se ekzistonte një vendim i formës së prerë dhe se më të njëjtat prova nuk mund të rihapet një procedurë tjetër penale.

Për të ekzistuar vepra penale, ai ka thënë se duke të ekzistojë pala e dëmtuar, por sipas tij, në aktakuzë nuk kishin dëgjuar asnjë emër apo mbiemër të një personi të palës së dëmtuar.

Avokati Latifaj, ka thënë se në fjalën hyrëse prokurorja Drita Hajdari, jo pa qëllim përmendi dy raste të cilat janë pjesë e procesverbalit, rasti i Sali Mekaj dhe Emin Beqirit.

“Në njërin nga rastet jam informuar se ky trup gjykues ka qenë në shkallën e parë dhe se njëjtë ka vendosur edhe shkalla e dytë se dhe Supremja paska marrë një vendim tjetër. Këtë nuk e kuptoj ndryshe pos si formë e presionit ndaj këtij trupi gjykues, nga ana e prokurores. Nuk kam parë këso fjale hyrëse”, ka thënë avokati Latifaj.

Reagime në fjalën hyrëse të prokurores Hajdari, ka pasur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Beqaj, avokati Besnik Berisha, i cili fillimisht ka thënë se e përgëzon gjykatën që “pati durim të dëgjojë përrallat e Prokurorisë”.

Duke u përgjigjur në deklarimet e prokurores Hajdari, lidhur me atë se kush është fajtor për këtë sistem të drejtësisë, avokati Berisha, ka thënë se adresa për këtë është pikërisht, Prokuroria e Shtetit, duke përfshirë këtu edhe prokuroren Drita Hajdari.

“Kam detyrim etik ligjor për ta theksu se në qoftë se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk qenka ajo që ne të gjithë e duam, nuk është për fajin e avokatisë, por për dështimet e Prokurorisë, duke filluar nga kjo që është përballë meje këtu, e deri më lartë. Andaj fyerja që i bëhet komunitetit të avokatisë se kinse ne po i kontribuojmë padrejtësisë konfirmon edhe njëherë se këta e dinë se janë të dështuar, se nëse ne po i kontribojshim sistemit të keq të drejtësisë, këta janë të dështuar se jo ne, sa herë që dojnë mundemi me ja u dëshmu se si janë punësu, si kanë marrë pozitat e krejt, kaq kisha për këtë pjesë”, ka thënë avokati Berisha.

Ai ka thënë se nga publikimi i kësaj aktakuze, prokuroria kishte manipuluar me ligjin me qëllim për t’i ikur parashkrimit relativ, ngase sipas tij, kishte abuzuar me interpretimin e normës ligjore, që siç ka thënë ai, prokuroria kishte vënë në cilësi të personit zyrtar edhe ata që nuk kanë qenë fare në marrëdhënie pune, në atë kohë.

Sipas tij, do të vërtetohet se lidhur me të mbrojturin e tij, ish-ministrin Besim Beqaj, prokuroria “ia ka huq edhe kësaj radhe”.

“Sidoqoftë ajo çfarë do të provohet lidhur me z.Beqaj është se Prokuroria ja ka huq edhe kësaj radhe se përkundër që parashtruan këtu se ligji qenka përmbushur, por në dispozitiv thonë se duke vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike. Prokuroria ka dështuar ta kuptoj një post bazik në ndërmarrjet publike, pra këta se kanë idenë, dhe do të provohet se kanë idenë se si caktohet një ushtrues detyre i një funksioni të përkohshëm, ndërsa dikush që ka kompetencat e ligjit zgjedh personin me mandatin që ja jep ligji i referohem këtu ushtruesit të detyrës së ndërmarrjes publike, Postës dhe Telekomit të Kosovës, personit i cili historikisht sikur ka qenë apo s’ka qenë z.Beqa ministër e deri në ditën e sotit”, ka deklaruar avokati Berisha.

“Ku është krimi këtu, ku është shkelja e statusit të barabartë, kush ishin ata persona që ju ka shkel statusi, emër mbiemër, që ju paska nënshtru një konkursi që ju paska shkel statusi i tij”, ka thënë ai.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi ka thënë se ai personalisht nuk ndihej i ofenduar nga ajo se çfarë kishte deklaruar prokuroja në fjalën hyrëse, pasi sipas tij, nuk kishte rëndësi për të se çfarë lloj etiketimi iu kishte dhënë prokurorja mbrojtësve, ngase siç ka thënë ai, ky është reflektim i etikës personale të secilit.

“Ama mu bash hiq nuk më vjen mirë që Prokuroria Speciale ka ra në këtë nivel prej andrrës time të re kur e kam themeluar këtë prokurori, tashti kjo është për të të ardhur keq pas 13 vitesh. Sido që të jetë unë moralisht nuk pranoj kurrë që një gjykim me u mbajt si pamflet politik, e kjo fjalë hyrëse nuk është asgjë tjetër pos pamflet politik. Ka mjaftuar veç edhe një kongres me duartrokitje”, ka thënë Kërveshi.

Ai ka thënë se gjatë gjykimit do të kuptohet se i mbrojturi i tij nuk kishte ushtruar asnjë funksion publik për të kryer veprën penale, ose për të mbetur në tentativë dhe se prokuroria asnjëherë nuk e ka marrë në pyetje për të ballafaquar së paku me një provë.

“Do të dëshmohet se Prokuroria e Shtetit se ka idenë se si konstituohet marrëdhënia e punës dhe çfarë lloji të marrëdhënieve të punës ka në sistemin publik. Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se i mbrojturi im nuk ka kryer dhe as që ka mbetur në tentativë kryerja e veprës penale të cilën Prokuroria nuk e mbështet me asnjë lloj kategorizimi sepse se kanë asnjë të vetmen provë edhe nëse dojnë se kanë atë provë me e ngjyros politikisht përcaktimin e përzgjedhjes”, ka thënë Kërveshi.

Fjalën hyrëse në seancën e së mërkurës e ka dhënë edhe edhe mbrojtësi i Zenun Pajazitit, avokati Ekrem Hoxha.

Ai ka thënë se asnjë provë e vetme nuk ishte paraqitur për të mbrojturin e tij dhe se një bisedë se “A e njeh Ekremin a nuk e njeh”, nuk ishte shkak që klientit të tij, t’i bëhej një gjyq publik.

Ai ka thënë se nuk ishte provuar në asnjë rast të vetëm se Pajaziti kishte ndërmarrë ndonjë veprim në konsumim të veprës penale dhe se në asnjë rast biseda e tij telefonike, nuk mund t’i kontribuohet si veprim për të kryer ndonjë vepër penale.

“Nuk ka dëshmitar, nuk ka të dëmtuar si mund të zhvillohet një gjykim kur s’ka as palë të dëmtuar, e as dëshmitarë. Klienti im është i pafajshëm dhe do lirohet me aktgjykim lirues”, ka thënë avokati Ekrem Hoxha.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gëzim Kollqaku, i cili ka thënë se aktakuza e prokurorisë ishte ngritur vetëm në bazë të një prove material, e cila sipas tij, ishte e papranueshme ligjërisht.

“Gjatë shqyrtimit kryesor me prova materiale, të cilat janë pjesë përbërëse e aktakuzës do të vërtetohet se i mbrojturi im nuk ka shkelur ligjin për shërbime civile, siç pretendohet në aktakuzë dhe nuk është shkelur asnjë e drejtë e asnjë pjesëtari në konkurs, ngase i mbrojturi im nuk ka vepruar ashtu siç thotë prokuroria si person zyrtar, por ka vepruar si anëtar i komisionit pre vlerësimin e kritereve, me ç’rast sipas vendimit të ministrisë në këtë komision kanë qenë pesë anëtarë e i mbrojturi im ka qenë kryetar. Do të vërtetohet se për të dy rastet ka ekzistuar konkursi, do të vërtetohet se këtu janë zgjedhur dhe e kanë bere vlerësimin 5 anëtare e jo vetëm nga i mbrojturi im”, ka thënë avokati Kollqaku.

Mbrojtësi i Fatmir Shurdhajt, avokati Emrush Kastrati, ka thënë se nëse dikush do të mbante përgjegjësi së paku morale, ajo duhej të ishte prokuroria, pasi sipas tij, fjala hyrëse e prokurores ishte më shumë fjalor politik se sa juridik.

“Askund në aktakuzë nuk kam parë se më këto veprime shkojmë apo jo në Evropë. Për mua fjala hyrëse e prokurorisë është më shumë fjalor politik se sa juridik, e mbi të gjitha tenton të iu kërcënohet juve si gjykatë dhe neve si avokatë duke na paralajmëruar se do të bëjë këtë apo këtë, duke paragjykuar se do të administrohen patjetër këto prova apo jo, qëllimi i kësaj aktakuze është që ti diskrediton personat e akuzuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, ata ishin duke humbur kohë në një proces gjyqësor për shkak të një aktakuzë të ngritur me prova të papranueshme.

Avokati Gafurr Elshani, mbrojtës i Ismet Nezirajt, ka thanë se prokuroria jo vetëm që nuk i kishte shqyrtuar provat lehtësuese me rastin e ngritjes së aktakuzës, por edhe i kishte sajuar.

“Ne të gjithë e dimë, edhe në aktakuzë është e evidentume se të gjithë të pandehurit kanë pasur detyra zyrtare, por pasi ka kaluar afati ligjor dhe nuk mund të akuzohen për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare, është dashur mi akuzu  se kanë shkelë ligjin mbi ndërmarrjen publike. Nëse është bërë shkelja e statusit të barabartë ku janë të dëmtuarit, nuk ka të dëmtuar, e për mos me ekzistu kjo provë është bërë tentimi i kryerjes së veprës penale”, ka thënë avokati Elshani.

I akuzuari Xhavit Dakaj, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se nuk qëndron aktakuza e prokurores se ai dhe i akuzuari Grabovci, ishin marrë vesh për formimin e komisionit, pasi sipas tij, komisionin e kishte formuar ministri i mëparshëm, dhe as që i akuzuari Grabovci i kishte kërkuar që të privilegjojë kandidaten Arbenita Pajaziti.

“Besoj se në rastin tim është shumë me specifik edhe pse na kanë fut me një ekip futbolli prej 11 vetash, këtu kemi të bëjmë me zbatueshmëri të ligjit të shërbyesit civil, e jo me ndonjë vepër penale. Do të bindim gjykatën se këtu s’kemi të bëjmë me shkelje të ligjit por me zbatim të ligjit”, ka thënë  i akuzuari Dakaj.

Mbrojtësja e Rexhë Abazit, avokatja Albana Kelmendi, ka thënë se aktakuza ishte ngritur sipas preferencave dhe zhurmës mediale, e jo mbi bazën e Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal, pasi sipas saj, provat në të cilat ishte mbështetur aktakuza ishin juridikisht të papranueshme dhe si të tilla duhej të shpalleshin si të papranueshme.

“Edhe prokuroria vet e ka dilemën se përshkrimi dhe cilësimi i veprave penale është shumë i mangët faktet përkatësisht dëshmitë që i ka prezantuar nuk paraqesin në mënyrë të qartë dhe të drejtë gjendjen faktike dhe rrjedhimisht nuk e vërtetojë se Abazi të ketë ndërmarrë ndonjë veprim inkriminues, apo të ketë kryer veprën penale e cila i vihet në barrë. Nëse bashkëbisedimi në telefon me një shok të vjetër paraqet vepër penale për mu është absurd”, ka thënë avokatja Kelmendi.

I akuzuari Sedat Gashi, ka thënë se qëndron pranë kundërshtimit më të cilin mbrojtësi i tij Mahmut Halimi, i cili nuk ka qenë prezent në seancë, e kishte parashtruar, ndërsa fjalën e saj hyrëse e akuzuara Arbenita Pajaziti ia ka dorëzuar gjykatës me shkrim.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 6 shtator 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura./Betimipërdrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kalo në kategori