LAJMI I FUNDIT:

Praktika e Kosovës për verifikimin e personave të dhunuar gjatë luftës “ndër më të mirat në botë”

Praktika e Kosovës për verifikimin e personave të dhunuar gjatë luftës “ndër më të mirat në botë”

Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, Minire Begaj-Balaj, thotë se nga 1,000 persona që kanë fituar statusin e viktimave të dhunës seksuale, 36 janë burra.

Ajo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se thotë po ashtu se për tri vjet janë pranuar 1,564 aplikacione.


Sipas saj, mungesa e shprehjes së lirë për të treguar për dhunën e ndodhur, po bën që shumë gra të mos tregojnë përjetimet e tyre gjatë luftës.

“Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, ka filluar zyrtarisht punën me 5 shkurt 2018. Deri më tani, Komisioni ka pranuar 1,564 aplikacione në nivel të Kosovës, ndërsa u është njohur statusi i viktimave të dhunës seksuale 1,000 rasteve.

Shumica janë gra. I kemi 36 raste që ua kemi njohur statusin burrave, të tjerat janë gra”, tha ajo.

Sipas saj, tashmë që Komisioni, brenda kompetencave, shqyrton aplikacionet dhe dokumentet e nevojshme, kanë një përgjegjësi që të gjithë ata që aplikojnë për të fituar statusin “viktimë e dhunës seksuale”, t’i trajtojnë lëndët.

“Ndërsa çështja e asaj që sa kemi raste të dhunës seksuale, ne kurrë nuk do ta dimë. Kjo për arsye se ka gra, burra ose djem e vajza që kanë mbyllur historinë dhe kanë vazhduar jetën dhe nuk duan që t’i kthehen kësaj traume.

Ka edhe prej atyre që po vdesin. Ka raste që ndoshta edhe për një situatë tjetër, për problemet që i kanë, për një stigmë që e kanë ende, dhe të jemi të sinqertë se prej këtyre viteve që ne po punojmë, kemi kuptuar që ka ende gra që janë ndaluar që të lëvizin e të vijnë në Komision. E kanë problem të vijnë ta marrin edhe pensionin, e kanë problem edhe të vijnë t’iu nënshtrohen intervistave. Kjo për shkak të mentalitetit, patriarkalizmit, stigmës që ekziston në familje, qoftë prej burrit, qoftë prej anëtarëve të tjerë të familjes. Dhe ndoshta këtu nuk kemi mundësi të dimë sa kanë pasur e sa kanë përjetuar dhunë seksuale”.

Se a është e përshtatshme mënyra e aplikimit për personat që duan të aplikojnë, ajo tha “Ne konsiderojmë që edhe atëherë, kur është ndërtuar sistemi, kemi bashkëpunuar ngushtë me shoqërinë civile. Po shihet që praktika e Kosovës po del një prej praktikave më të mira në botë. Po e them këtë për arsye se në procesin e ndihmës ose ofrimit të ndihmës për aplikim, ne i kemi katër organizata joqeveritare që janë të licencuara. I kemi zyrtarët në shtatë rajone që janë në kuadër të ministrisë, e kemi edhe sekretarinë. Palët në cilëndo mënyrë që e shohin më të mirë dhe ndihen më rehat, mund t’i drejtohen Komisionit”.

“Ta kemi parasysh gjithë këtë format pasi gjithë këta persona, të gjithë këta zyrtarë, që punojnë në kuadër të procesit për njohjen dhe verifikim e statusit, kanë nënshkruar një deklaratë konfidenciale. Që do të thotë se Komisioni i trajton lëndët me profesionalizëm me konfidencialitet. Njëkohësisht këtë trajtim e kanë edhe nga organizatat joqeveritare. Kështu që garantohet një konfidencialitet dhe një trajtim dinjitoz i rasteve”, tha më tej Begaj-Balaj.

Sipas saj, vështirësi ka mjaft.

“Keni parasysh që ne po e trajtojmë si Komision një traumë që ka ndodhur para 20 vjetëve dhe e dimë se nuk është e lehtë. Këtë më së mirë e dinë edhe organizatat joqeveritare, pasi është problem për të rikthyer ngjarjen, për t’u shprehur për atë se çka ka ndodhur. Vetë procesi është sfidues, mos të flasim pastaj për probleme e sfida të tjera.

Mund të jetë një grua që e ka problem sot të lëvizë lirshëm prej një qyteti apo një fshati të Kosovës për t’ju drejtuar Komisionit, qoftë edhe një herë.

Po themi se stigma nuk është e sforcuar siç ka qenë para disa vjetëve, por që ekziston. Ne po mundohemi që ato panelet intervistuese të jenë në një ambient miqësor në mënyrë që viktimat të shprehen sa më lehtë. Po mundohemi ta bëjmë më të mirën e mundshme për hir të procesit e për hir të asaj traume”.

“Gjendja me pandeminë e koronavirusit ka ndikuar në gjitha sferat e jetës në Kosovë. E ka prekur edhe këtë proces. Në kuadër të numrave që i kemi tash e tre vjet, nuk mund të them se jemi të kënaqur apo nuk jemi të pakënaqur, duke konsideruar që në bazë të informacioneve që kemi prej organizatave joqeveritare, ka raste që janë të dhunuar gjatë luftës, por që nuk kanë aplikuar dhe për këtë ne bëjmë thirrje edhe përmes kësaj interviste që të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale t’i drejtohen Komisionit për të aplikuar edhe për të fituar statusin e viktimave të dhunës seksuale.

Duhet të besojnë në kredibilitetin e Komisionit dhe duhet të besojnë në gjithë partnerët që punojnë në këtë proces. Ne për këtë e kemi edhe projektin që jemi të përkrahur nga Ambasada e Zvicrës, që titullohet ‘Mobilizimi i komuniteti lokal për fuqizim e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë’. E kemi konsideruar që është prej proceseve me rëndësi në këtë fazë për sensibilizimin e opinionit rreth procesit të aplikimit, me theks të veçantë që të shpërndahen informacione të sakta, në mënyrë që të aplikojnë të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale”, tha ajo.

Ndërkaq, për bashkëpunimin me autoritetet komunale në këtë proces, Begaj-Balaj tha se “Nga takimet e fundit kemi parë që ka pasur nevojë edhe më herët të ketë një bashkëpunim të tillë dhe kemi dalë të kënaqur. Mbështetja apo fjala e të parit të komunës do të thotë shumë për komunitetin. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që të organizohen të gjithë akterët relevantë rreth këtij procesi”. /Rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Inspektorati i Prishtinës në aksion, shqipton gjoba e konfiskon targa

Inspektorati i Prishtinës në aksion, shqipton gjoba e konfiskon targa

Prishtina
Kalo në kategori