LAJMI I FUNDIT:

Pesëdhjetë vjet në anën e errët të jetës së përditshme

Pesëdhjetë vjet në anën e errët të jetës së përditshme

– Për pesëdhjetëvjetorin e albumit The Dark Side of the Moon, të grupit Pink Floyd

Agron Shala


A e kapët tash? Kjo është pyetja që lideri i parë i grupit Pink Floyd, Syd Barrett, e shtronte në ushtrime. Ideja e tij ishte për një këngë të re, me një titull ngatërrues – Have You Got it Yet? Meqë shumicën e kohës i binte të njëjtit akord, ideja dukej e thjeshtë, por kohë pas kohe gjithçka ndryshonte. E, Barretti vazhdimisht pyeste: A e kapët tash? Tingëllonte si tallje në lidhje me titullin e këngës, pa e ditur se ishte shenjë e kalimit të Barrettit në fazën kur do të njihet si “Gjeniu i Çmendur”. Por, shtrimi i pyetjeve dhe sidomos kërkimi i përgjigjeve, do ta identifikojë periudhën post-Barrett të grupit.

Pink Floyd u formua në vitin 1965 nga studenti i artit Syd Barrett dhe nga studentët e arkitekturës Roger Waters, Richard Wright dhe Nick Mason. Ishte kjo koha kur rinia angleze dhe britanike nis ta ndërtojë revolucionin shoqëror të njohur si kundërkultura – me rebelimin kundër stereotipave, kundër sistemit politik, vlerave morale, imponimit të mendimeve … Kundërkultura solli edhe lëvizjen muzikore dhe artistike të njohur si psikodelia – që ndërlidhet me përdorimin e drogës sintetike, LSD. Përdorimi i kësaj droge ndikonte pos në eufori dhe në humor, po ashtu edhe në perceptimin e tingujve, ngjyrave, objekteve … Këtë përvojë Pink Floyd e shpërfaqi në muzikë dhe në paraqitjen skenike, me dritat e sinkronizuara dhe me projektimin e efekteve likuide, duke u bërë përfaqësues kryesor i rokut teatral. Dëshmi për këtë është edhe koncerti në Pompej [Pink Floyd: Live at Pompeii, 1972], që mund të mendohet si version tjetër i katër minutave dhe tridhjetë e tre sekondave të kompozitorit John Cage [4’33’’]. Cage – kompozitor, filozof, teoricien dhe pionier i muzikës elektronike – e krijoi një vepër pa asnjë notë, gjatë interpretimit të së cilës muzikantët rrinin pa bërë asnjë lëvizje. Ai kështu ka dashur t’i hulumtojë tingujt e heshtjes dhe zhurmat e publikut – gjërat që rëndom nuk dëgjohen në koncerte. Kjo vepër unike ndikoi që nga shumëkush ai të njihej edhe si “autor i heshtjes”. Pink Floyd, në anën tjetër si “grup i zhurmës” (muzikologu dhe kritiku i njohur i muzikës klasike, Hans Keller, më 1967 në BBC i cilësoi si shumë të zhurmshëm), mban koncert pa asnjë person në publik. Muzika kishte rëndësi për anëtarët e grupit, jo numri i njerëzve në publik. Për dallim nga Cage, ata e bënë një eksperiment tjetër arti, për të dëshmuar se shfaqja duhet të vazhdojë dhe se artisti duhet të këmbëngulë në atë që beson dhe jo te perceptimet dhe entuziazmi i masave. Në fakt, janë masat ato që grupin e shtyjnë më vonë drejt izolimit, gjë që dëshmohet me rok-operën më të njohur: me murin e ndërtuar në skenë [The Wall, 1979]. Oferta e tyre ishte merre ose leje, kompromis nuk kishte dhe kjo dëshmohet që herët me këmbënguljen e Barrettit që albumi i parë i grupit, The Piper at the Gates of Dawn (1967), të mos e ketë asnjë singël promovues.

Dhe, kështu …. gjithçka evoluon dhe kulmon në vitin 1973! Deri atëherë, grupi ishte në kërkim. Largimi i Barrettit dhe zëvendësimi i tij me David Gilmourin, i ka shtyrë kritikët të shkruajnë se grupi mbaron shpejt, se pa forcën shtytëse nuk mund të bëjë asgjë. Albumet e radhës – A Saucerful of Secrets (1968), More (1969), Ummagumma (1969), Atom Heart Mother (1970), Meddle (1971) dhe Obscured by Clouds (1972)  – ishin albume konceptuale, kreative, me tema të caktuara interesante, por që përfaqësonin kakofoni të mendimeve dhe të ideve. Nuk kishin qartësi të konceptit, drejtim – siç edhe grupi nuk e kishte një dirigjent [lider]. Ishin në gjendjen si “pas vdekjes së Stalinit” (frazë të cilën e ka përdorur Masoni, pas largimit të Watersit nga grupi më 1984), meqë anëtarët duhej ta gjenin veten dhe të ardhmen e përbashkët.

Dhe, erdhi ana e errët e hënës … Gjithçka është konkrete, sidomos çmenduria. Tash, e kapën! Kriza mentale e Barrettit u bë frymëzim, siç do të jetë në të ardhmen edhe egoizmi i Watersit. “Po të mos e kishim Sydin e çmendur dhe Rogerin e çmendur, mbase do të bënim Chirpy Chirpy Cheep Cheep [këngë ‘limonadë’, hit i vitit 1971 i grupit Middle of the Road, që sot askush nuk e mban mend]”, ka thënë Mason.

Në shtëpinë e Masonit një ditë mblidhen anëtarët e grupit dhe i diskutojnë gjërat për të cilat ata më së shumti shqetësohen. Përgjigja ishte koha, paraja, çmenduria dhe vdekja. Nga këto përgjigje krijohet koncepti për një album, i cili zhvillohet gjatë koncerteve të vitit 1972. Ishte kjo koha kur bota dridhej nga tingujt më të vrazhdë të glem-rokut [Marc Bolan, David Bowie, Gary Glitter, Slade, Sweet, Suzi Quatro …] dhe nga paraqitjet skenike me veshje ekstravagante lara-lara dhe me fytyrat përplot grim. Në një kohë cinike të Aferës Uotergejt dhe të Luftës në Vietnam, përfaqësuesit e këtij trendi muzikor trajtonin temat ezoterike, kozmike dhe të fantashkencës. Por, Pink Floyd nuk i ndoqi rrjedhat. Pink Floyd zbret në tokë. Eskapizmi psikodelik merr fund.

Pas koncerteve, grupi për tetë muaj punon në studion Abbey Road, për t’i finalizuar idetë e projektit me titull pune: The Dark Side of the Moon – A Piece for Assorterd Lunatics. Incizimet, për herë të parë në histori, bëhen në studion me 24 kanale. Rezultat është një album eksperimental, me melodi te pasura dhe me tekste intriguese që grupin e largojnë nga statusi i kultit për të qenë titanë të industrisë së rokut.

Albumi The Dark Side of the Moon ka 10 tema, nga të cilat tri janë instrumentale (Speak To Me, On the Run dhe Any Colour You Like) dhe një këngë pa vargje (The Great Gig in the Sky). Interpretimet janë të shumta për konceptin e grupit, por mund të thuhet se albumi si tërësi e trajton jetën e njeriut të rëndomtë. Speak To Me në një mënyrë e nënkupton kërkimin e ndihmës; Breathe flet për jetën nën bindje (Ngutu, lepur, ngutu / Vrimën gërmo, diellin harro); On the Run pasqyron stresin dhe ankthin; Time është rinia e kaluar kot (Sorollatesh në një copë toke në tëndin katund / Duke pritur që dikush a diçka të tregojë rrugën), vetmia dhe kërkimi i prehjes (N’shtëpi, prapë n’shtëpi); Great Gig in the Sky është frika nga vdekja; Money flet për lakminë si mëkat (Paratë janë karburanti); Us and them për konfliktin, për gjendjen mes dy zgjedhjeve (Herë të lumtur herë të pikëlluar / Në fund shkojmë vetëm rrotull e rrotull e rrotull); Any Color You Like për mungesë të zgjedhjeve; Brain Damage për çmendinë (I përhanti është në kokën time); ndërsa Eclipse për jetën si iluzion apo si realitet i zymtë (Dhe gjithçka nën diell është në harmoni / Por dielli nga hëna është errësuar). Me fjalë të tjera, ky album flet për anën e errët të jetës së përditshme.

The Dark Side of the Moon është albumi më avangard dhe më novator në aspektin e inxhinierisë së zërit [inxhinier ishte Alan Parsons], i mbushur me efekte të të rrahurave të zemrës, me tiktake dhe zile të orëve, me qeshjet maniake, me britmat e tmerrshme, zhurmat elektronike … Dhe, me fjali të njerëzve të rëndomtë. Watersi në copa letre i shkruan pyetjet: Kur ke goditur herën e fundit dikë? A kishe të drejtë? A do ta bëje përsëri? Çfarë do të thotë për ty ana e errët e hënës? Në këto pyetje përgjigjen edhe Paul McCartney dhe gruaja e tij Linda, por përgjigjet e tyre ishin “shumë të zgjuara” për t’u përfshirë në album. Përgjigjet e duhura ishin të emrave të panjohur, përfshirë rojat e studios (në tekstet e albumit në fund të këtij shkrimi – të përkthyera nga Besnik Hamiti dhe nga autori i këtij shkrimi – ato janë në thonjëza).

Watersi ishte arkitekti kryesor i këtij projekti, ku e dëshmon veten edhe si poet, por Gilmouri ishte ai që muzikës ia shtoi bukurinë, me vokal dhe solo të papërsëritshme. Në fakt, i gjithë grupi funksiononte si orë precize. Harmoni kudo, edhe mes anëtarëve. Richard Wright (të cilin Watersi e dëboi më 1979) si asnjëherë më parë nxitet për të punuar në një nga veprat më unike të rokut: Great Gig in the Sky. Ai po ashtu inkurajohet për ta shndërruar instrumentalin që e bëri për filmin Zabriskie Point (1969) – të regjisorit Michelangelo Antonioni – në këngën Us and Them.

Por, edhe diçka tjetër e bën të veçantë këtë klasik të rokut: është album pionier në rokun progresiv dhe në muzikën moderne elektronike. Ndërsa, temat që trajton janë aktuale edhe sot. Ky album nuk njeh moshë: qëndroi për 972 javë në toplista, deri sot është shitur në 45 milionë kopje (kur del CD-ja në vitet 1980, një kompani gjermane për muaj të tërë nuk ka prodhuar asgjë tjetër pos këtij albumi), ndërsa rimiksohet dhe lansohet në çdo vit jubilar. Veçantia ka të bëjë edhe me kopertinën më ikonike, të thjeshtë dhe të guximshme, dhe prapë enigmatike – si çdo gjë tjetër në këtë album: spektri i ngjyrave në prizëm (i realizuar nga Storm Thorgerson i ekipit Hipgnosis).

Pink Floyd gjithmonë është cilësuar si grup enigmatik dhe i vështirë për t’u imituar. Mirëpo, kryevepra e tyre është shumë e thjeshtë. Ajo që i karakterizon më shumë është guximi për të eksperimentuar, kërkimi i duhur dhe saktësia në mendim, artikulim dhe interpretim. Kjo u dëshmua edhe me dy albumet inovative të radhës, Wish You Were Here (1975) dhe The Wall. Por, egoja e Watersit e veniti spektrin e ngjyrave, harmoninë, ndërsa grupi futet në anën e errët të hënës: anëtarët bëhen karaktere të fabulës që krijuan – për zgjedhjet dhe për mungesën e zgjedhjeve. Kështu, gjërat shkuan siç tha roja Gerry në fund të albumit: “Në të vërtetë, nuk ka anë të errët të hënës; në fakt, gjithçka është e errët”. Por, trashëgimia vazhdon, gjithmonë e freskët.

The Dark Side of the Moon dëgjohet edhe sot, nga çdo gjeneratë. Kritiku i filmit Ty Burr këtë album e ka dëgjuar si 15-vjeçar. E dëgjon prapë dhe thotë: Nëse albumi nuk është plakur, nuk jemi plakur as ne. Prandaj, dëgjojeni që të jeni përherë të rinj. /Telegrafi/

***

FOL ME MUA
(Speak të Me)

“Kam qenë i çmendur për shumë vjet të poshtra, absolutisht me vjet, për një kohë të gjatë, duke punuar shumë për grupet …”

“Gjithmonë kam qenë i çmendur, e di që kam qenë i çmendur, si shumica prej nesh … është shumë e vështirë për të shpjeguar pse je i çmendur, madje edhe nëse nuk je i çmendur …”

***

FRYMÓ

Teksti: Roger Waters (kënga Breathe (In the Air))
Përkthimi: Besnik Hamiti

Frymó, frymó ajër
Mos u frikëso të ndjesh
Largohu, por mos më harro
Kërko përreth dhe zgjidh vendin tënd

Sa të jetosh e sa lart të fluturosh
Buzëqeshjet që dhuron dhe lotët që loton
Gjithë çka prek e gjithë çka sheh
Është vetë jeta që do të jetosh

Ngutu, lepur, ngutu
Vrimën gërmo, diellin harro
Dhe kur në fund të kesh mbaruar punë
Mos u ndal, gërmoje tjetrën mengadalë

Sa të jetosh e sa lart të fluturosh
Por vetëm nëse shalon valën
Balancuar në më të madhen
Herët cak do të kesh varrin.

***

NË VRAP
(On the Run)

“Jetoj sot, nesër iki, ky jam unë, hahaha …”

***

KOHA

Teksti: Roger Waters (kënga Time)
Përkthimi: Besnik Hamiti

Tik-taket lënë prapa momentet e ditës së zymtë
Thërmon dhe hedh orët shkujdesshëm
Sorollatesh në një copë toke në tëndin katund
Duke pritur që dikush a diçka të tregojë rrugën

I lodhur nga shtrirja në rreze dielli rri në shtëpi të shikosh shiun
Je i ri e jeta e gjatë ka mjaft kohë të vrasësh sot
Dhe një ditë e merr vesh dhjetë vjet prapa shpine le
Askush s’të tha kur të vraposh, e ke huqur krismën e nisjes

Dhe vrapon e vrapon të zësh diellin, por ai zhytet
Në garë të të dalë nga prapa edhe një herë
Dielli është ai i njëjti në mënyrë relative, po ti je plakur
Një frymë më pak, vdekjen jo aq larg

Çdo vit veç shkurtohet, duket kurrë kohë nuk ke
Plane që të shkojnë huq apo gjysmë faqeje shkarravina
Të rrish pezull në dëshpërim të heshtur është anglezçe
Koha kaloi, kënga mbaroi, mendova se kam edhe diçka për të thënë

N’shtëpi, prapë n’shtëpi
Më pëlqen të jem këtu saherë kam mundësi
Kur vi i mërdhirë e i lodhur
I nxej eshtrat pranë oxhakut
Diku larg, përtej fushave
Tingëllimë e këmbanës së hekurt
Thërret besimtarët të bien në gjunj
Magjinë magjepsëse të thënë butësisht ta dëgjojnë

***

KONCERTI I MADH NË QIELL

(The Great Gig in the Sky)

“S’ia kam frikën vdekjes, kurdo që vjen mirëseardhtë, nuk brengosem. Pse të kem frikë të vdes? Nuk ka arsye për këtë, një ditë duhet të shkosh.”

“Nëse mund ta dëgjosh këtë pëshpëritje, je duke vdekur …”

“Kurrë nuk thashë se kam frikë nga vdekja …”

***

PARATË

Teksti: Roger Waters (kënga Money)
Përkthimi: Besnik Hamiti

Para, largohuni.
Gjej një punë që paguhet mirë dhe je i lirë.
Paratë janë karburanti
Rrëmbeje atë kesh me të dy duart e fshehe në arkë
Veturë e re, kaviar, ëndrra sa Stambolli,
Mendoj t’i blej vetes një ekip futbolli.

Para, kthehuni,
Unë jam mirë, Xhek, dengun tim as mos e prek
Paraja është hit
Mos më thuaj broçkulla se duhet të bëj mirë
Po udhëtoj me aranzhman të klasit të parë
Por mendoj se më duhet një aeroplan privat

Paraja është krim.
Ndaje drejtësisht por mos merr rriskë nga torta ime
Thonë se paraja
Është rrënja e gjithë ligësive
Por nëse kërkon rritje page mos u befaso
Që s’të japin gjë

“Hëh! Kisha të drejtë!”
“Po, kisha plotësisht të drejtë!”
“Sigurisht që kisha të drejtë!”
“Përfundimisht ti kishe të drejtë. Ai haveri kërkonte dajak!”
“Po!”
“Pse e bëjnë njerëzit këtë?”
“Nuk e di, isha shumë i dehur në atë kohë!”

***

NE DHE ATA

Teksti: Roger Waters (Kënga Us and Them)
Përkthimi: Besnik Hamiti

Ne dhe ata
Në fund të fundit veç njerëz të thjeshtë jemi

Unë dhe ti
Kjo s’është zgjedhja jonë, vetë Zoti e di

“Përpara!” dha urdhër nga prapavija
Dhe kush ish në front vdiq
Gjenerali u ul dhe linjat në hartë
Lëvizën anë më anë

Të nxirë e të mavijosur
Dhe kush e di cili është cili e kush është kush?

Herë të lumtur herë të pikëlluar
Në fund shkojmë vetëm rrotull e rrotull e rrotull

A s’keni dëgjuar, është betejë fjalësh?
Bërtiti ai që mbante poster
Dëgjo çun, burri i armatosur i tha në sy
Ka një vend edhe për ty

“Paj, dua të them, ata do t’ju vrasin, andaj, nëse ua jep një goditje të fortë e të rreptë, s’do ta bëjnë prapë. E kupton? Dua të them se ai shpëtoi lehtë, se kam mundur ta shungulloja, por unë e godita vetëm një herë. Është vetëm ajo që e dallon të drejtën nga e padrejta, apo jo? Dua të them se mirësjellja nuk kushton gjë, apo jo? Eh?”

Të pashpresë, të pastrehë,
S’mund t’i shmangësh se gjithkund i sheh

Me pasë e mos me pasë
E mohon kush se për këtë luftohet me gjasë?

Rrugën lëshoma
Shumë punë kam akoma
Gjërat më sillen në mendje
Pa metelik në xhep
Për një çaj e rriskë buke
Plaku shpirt jep

***

CILADO NGJYRË QË TË PËLQEN
(Any Colour You Like)

***

DËMTIMI I TRURIT

Teksti: Roger Waters (kënga Brain Damage)
Përkthimi: Agron Shala

I përhanti është në lëndinë
I përhanti është në lëndinë
Kujtoj lojërat, kurorat me lule dhe të qeshurat
Teveqelët duhet t’i mbaj nën kontroll

I përhanti është në paradhomë
Të përhantit janë në paradhomën time
Fytyrat e tyre në gazeta të palosura në dysheme
Përditë shpërndarësi i gazetave sjell edhe më

Dhe nëse diga çahet shumë vite para kohe
E në kodër s’ka mbetur hapësirë e lirë
E koka të shpërthen me parandjenjat e errëta
Do të takohemi në anën e errët të hënës

I përhanti është në kokën time
I përhanti është në kokën time
Briskun e merr, ndryshimin e sjell
Sërish mua mendjen ma kthjell

Ti derën e mbyll e çelësin e flak
Dikush rri në kokën time, por ai s’jam unë.

Dhe nëse reja bubullimat në vesh t’i pëlcet
Ti bërtet dhe duket se askush nuk dëgjon
Dhe nëse grupi me të cilin bën muzikë fillon t’i luajë meloditë tjera
Do të takohemi në anën e errët të hënës

“Asgjë nuk më bie ndërmend të them, pos …
Mendoj se është e mahnitshme! Ha, ha, ha!”

***

ERRËSIMI

Teksti: Roger Waters (kënga Eclipse)
Përktheu: Agron Shala

Gjithçka që prek
Dhe gjithçka që sheh
Gjithçka që shijon
Gjithçka që ndjen

Dhe gjithçka që dashuron
Dhe gjithçka që urren
Gjithçka që nuk e beson
Gjithçka që mbron

Dhe gjithçka që jep
Dhe gjithçka që merr
Dhe gjithçka që blen
Lyp, merr hua ose vjedh

Dhe gjithçka që krijon
Dhe gjithçka që shkatërron
Dhe gjithçka që bën
Dhe gjithçka që thua

Dhe gjithçka që ha
Dhe secilin që takon
Dhe gjithçka që nuk përfill
Dhe secilin që e lufton

Dhe gjithçka që është tash
Dhe gjithçka që ka kaluar
Dhe gjithçka që vjen
Dhe gjithçka nën diell është në harmoni
Por dielli nga hëna është errësuar

“Me të vërtet, nuk ka anë të errët të hënës
Në fakt, gjithçka është e errët”

/Telegrafi/