LAJMI I FUNDIT:

Ndihmoni fëmijën tuaj të ndërtojë vetëbesim të mirë: Këto janë mënyrat se si mund ta bëni

Ndihmoni fëmijën tuaj të ndërtojë vetëbesim të mirë: Këto janë mënyrat se si mund ta bëni

Vetëbesimi nuk është një tipar me të cilin lindim. Ai fitohet dhe ndërtohet mbi bazën e vëzhgimit, përvojës sonë, nga situata në situatë, por gjithashtu edhe humbet

Baza të vetëbesimit të fortë dhe sigurisë janë, në rend të parë, marrëdhëniet e shëndetshme dhe të ngrohta familjare dhe marrëdhëniet me moshatarët, transmeton Telegrafi.


Mos i lini pas dore shenjat e vogla me të cilat fëmija ju lut për ndihmë, sepse më vonë ka gjasa të shëroni probleme shumë më të mëdha.

Prindërit do të duhej t’i kushtojnë më shumë kujdes zhvillimit të vetëbesimit te fëmijët e tyre, sepse ai është i rëndësishëm për jetën e tyre në të ardhmen.

Mirëpo, meqenëse prindërimi është një punë e vështirë, një qëllim i tillë është i komplikuar të realizohet në mënyrë adekuate. Prindërit kryesisht përpiqen të përkrahin fëmijët e tyre në çdo gjë, me qëllim që t’ua zhvillojmë vetëbesimin.

Fëmija duhet të ketë pavarësi në veprimet e tij, sepse nxitet përpjekjet e vazhduara dhe e bën të mos heq dorë. Shprehja e lavdërimit dhe e krenarisë te fëmija, e mbush atë me pozitivitet dhe besim në vete.

Marrja e mendimit dhe përfshirja në vendimmarrje e fëmijës në familje, është një tjetër pikë ku duhet të fokusohen prindërit, për të rritur vetëbesimin e fëmijës.

Një rregull i artë thotë: “Të kesh besim te fëmija yt është hapi i parë i besimit të tij në vetvete.”

Disa veprime në dukje të thjeshta, kane një ndikim shumë të madh te fëmijët, i cili i ndihmon ata të rrisin vetëbesimin. Ju mund të bëni pjesë të komunikimit me fëmijët tuaj:

Zhvilloni aktivitete për fëmijën

Një fëmijë që nuk ka besim në vetvete do të refuzojë atë që i propozojmë, jo sepse i mungon dëshira, por nga frika se nuk do të jetë në lartësinë e duhur. Ndihmojeni fëmijën të marrë pjesë në aktivitete të reja apo të pranojë ato që i propozojnë shokët.

Zgjidhni fjalët

Nëse fëmija ka bërë një gabim, kritikoni aktin në fjalë dhe jo fëmijën.

Mos bëni krahasime me vëllezërit e motrat

Bëni kujdes kur flisni në mes të rriturish dhe mësoni të pranoni fëmijën tuaj me interesat dhe cilësitë personale.

Propozojini fëmijës t’i shkruajë frikërat e tij

Propozojini fëmijës të imagjinojë veprime që ai ka vështirë t’i bëjë apo t’i thotë. Më pas, për çdo frikë të tij, kërkojini të përcaktojë të gjitha pasojat e mundshme: p.sh. frika se mos skuqet dhe të tjerët tallen me të.

Jepini fëmijës përgjegjësi

Besojini fëmijës përgjegjësi të vogla të realizueshme të jetës së përditshme, që nuk i duken si një detyrim. Kërkojini të bëjë ndonjë blerje të vogël, t’ju ndihmojë në punët e shtëpisë.

Tregojini që keni besim tek ai

Evitoni vëzhgimin pa ndërprerje të aktiviteteve të tij. Përgëzojeni për atë që ka arritur, para se të vini në dukje atë që ai nuk e ka bërë siç duhet.

Mbrojeni fëmijën

Për të pasur besim në vetvete, fëmija duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i përkrahur. Mbrojeni fëmijën e nga objektet dhe situatat shumë të rrezikshme.

Shikoni nëse nevojat e tij përmbushen (gjumi, ushqimi, shëndeti, dashuria).

Nëse shihni se fëmija juaj ka humbur vetëbesimin, kërkoni faktorin që e ka shkaktuar

Mospërfillja e një mësuesi, mungesa e shoqërisë në klasë, sëmundje apo depresion i ndonjërit nga prindërit, ndryshimi i banimit, divorci, etj., janë shkaktarë të dëmshëm në sjelljen e tij.

Mos e teproni me ato që prisni prej tij

Pritjet dhe kërkesat e tepruara mund të jenë origjinë e frenimit të fëmijës tuaj. Nga frika e dështimit, mund të ndodhë që fëmija nuk ka më guxim për të marrë iniciativa në çdo lloj fushe. /Telegrafi/