LAJMI I FUNDIT:

Na ka dalë boja, jemi katandisur fare

Na ka dalë boja, jemi katandisur fare

“Poshtërimi më i madh në jetë është kur të punosh shumë në diçka nga e cila pret mirënjohje të madhe, dhe pastaj dështon ta marrësh atë” – Edgar Watson Howe, novelist amerikan.

E fillova këtë shkrim pikërisht me këtë thënie nga novelisti i lartcekur amerikan si një prelud se si katandisja dhe teposhtëza jonë ka filluar shumë kohë më parë duke vazhduar pastaj në mënyrë pothuajse kronologjike, sikurse nëpër librat e historisë, brez pas brezi, me ngritje të vogla dhe me rënie të thella, aq të thella sa që nuk ka litar aq të gjatë në botë që do të mund të na ngrinte lart përsëri.


Ndoshta natyra jonë si qenie njerëzore na është mveshur pak më ndryshe në dallim nga qeniet tjera. Ndoshta atëherë kur është bërë edhe diferencimi i llojit dhe karakterit të njeriut, ishim na ata të cilët e humbëm keq lojën e asaj kohe, apo dikush na e hodhi si të tillë, se përveç tipareve tjera të dobishme dhe shumë fisnike që iu dhanë apo i mori dhe i përvetësoi paraardhësi jonë, disa të tjera ose na i mveshen ose ne i morëm si të mirëqena apo ndoshta edhe na ra hise t’i marrim si tonat.

Na është thënë tash e qindra e mijëra vjet ndoshta, e me gjasë jemi gënjyer keq, se një ndër virtytet më fisnike dhe më morale të një shqiptari/kosovari janë besnikëria (besa) apo fjala e dhënë. Janë këto dy atribute me të cilat ne identifikohemi kudo dhe kurdo, secilën herë kur e ndiejmë vetën superior karshi tjerëve, karshi shokut e jaranit, karshi të huajit, karshi mikut dhe armikut. Dhe, jo medoemos kemi gabuar. Besa apo fjala e dhënë janë edhe sot virtyte shumë të pranishme dhe në masë të aplikueshme në mesin e shoqërisë, komunitetit dhe popullsisë.

Shume tregime, teori, novela e libra janë shkruar duke marrë si bazë këto dy virtyte. Veçse tash besa apo fjala e dhënë nuk e kanë më të njëjtin qëllim, nuk e kanë të njëjtën peshë dhe rëndësi siç e kishte më parë. Tash besë jep çdokush, kudo dhe kurdo. T’i japësh besën apo fjalën sot dikujt nuk është punë aq vështirë sepse sot nuk ngarkohesh as moralisht e as kombëtarisht, sepse nuk jemi më të njëjtit, nuk jemi si ata, të cilët, për aq sa na ka mësuar historia, kur ata jepnin besën apo fjalën, ata sakrifikoheshin për të, vdisnin, digjeshin apo edhe asgjësoheshin. Edhe sot shumë vdesin, digjen dhe sakrifikohen, ama për diçka tjetër, jo për besën apo fjalën e dhënë.

Na ishte dhënë besa se fill pas çlirimit ne do të punonim aq shumë saqë lakminë do na kishte edhe Zvicra dhe shtetet skandinave, se ata që dhanë jetën për lirinë tonë pas luftës do të ngjiteshin në piedestalin më të lartë heroik dhe se gjaku i tyre nuk do të shkojë huq për asnjë çmim, se ashtu siç ishim treguar të fortë, të qëndrueshëm dhe të bashkuar para dhe gjatë luftës po ashtu do të qëndronim të fortë të bashkuar dhe krah përkrah njëri-tjetrit tani, se nuk do të ketë më asnjë, hiq asnjë rast ku buka e gojës do të përbente problem për një individ apo familje në Kosovë, se bir shqiptari nuk do të vuajë më asnjëherë ashtu siç kishte vuajtur para dhe gjatë luftës, se të gjithë do të jemi të barabartë, të lirë për të zgjedhë e për tu zgjedhur, se askush më nuk do të ketë nevojë t’i marrë malet e fushat përtej kufijve në kërkim të një jete më të mirë. Na ishte dhënë besa edhe për shumëçka. Por, në fakt, ajo qe neve na u dha vazhdimisht ishte poshtërimi dhe degradimi konstant përgjatë viteve.

Nuk mund të jetë asgjë më e rëndë dhe më e vështirë për një individ sesa kur poshtërimi dhe injorimi i bëhet pjese përbërëse e jetës së tij. Nuk ka asgjë më të rëndë e më të vështirë sesa kur e ndjen vetën të poshtëruar dhe të lënë anash përgjatë viteve dhe si shpërblim merr jetesën e një varfanjaku ekstrem.
Degradimi dhe injorimi sistematik përfshin sot një masë të madhe të popullsisë. Një përqindje e lartë e shtresës më shpresëdhënëse, shtresës që ka potencialin, dijen dhe profesionalizmin për të bërë ndryshime pozitive në të mirë të shoqërisë dhe vendit siç është shtresa e rinisë 20-30 vjeçare, i është vënë sot laku në fyt dhe po ngulfatet ngadalë dhe sigurt. Një përqindje e re e popullsisë në vend që të jetë motor i ndryshimeve të mëdha dhe pozitive, ka marrë sot botën në sy dhe ikën nga ky vend sikurse ikën viktima nga xhelati. Hiq më mirë nuk e gjen vetën as shtresa tjetër e popullsisë, apo thënë më mirë shtresa të cilët rrota e historisë i ka shkelë dhe stërshkelë vazhdimisht.

Si mund t’i shpjegohet një 50-vjeçari sot, i aftë fizikisht dhe mendërisht për punë, i cili gjatë këtyre viteve nuk e ka shijuar të paktën një herë një pagë fikse nga institucionet; një 50-vjeçari fëmijët e të cilit potencialisht mund të jenë të moshës madhore, të rritur mjaftueshëm sa për ta filluar edhe ata jetën e tyre personale, se ai duhet të presë ende, të jetë i durueshëm, të mos kërkojë, të mos protestojë, të mos shpreh mllefin e tij, të mos gjuajë e të mos shajë, sepse ditë të mira po vijnë dhe se bërja e shtetit po kërkuaka të sakrifikosh dikë e shumëkë për më shumë se 15 vite. Si do të arsyetohet ky 50 vjeçar para fëmijëve të tij (të moshës madhore) kur ata do t’i thonë se i kanë bërë 20 e kusur vjet por nuk mund të vijojnë mësimin si duhet, nuk mund të udhëtojnë, nuk mund të blejnë diçka kur dëshirojnë, nuk mund të hanë diçka kur dëshirojnë, se nuk mund të punojnë edhe ata sepse nuk kanë dhe sepse punë për ta nuk ka. Çfarë arsyetimi do të kishte ky prind për fëmijët e tyre të cilët kërkojnë diçka që një pjesë (elita) e bashkëmoshatarëve të tyre i kanë? Çfarë mund tu thotë ky prind fëmijëve të tyre, si do t’i ngushëllojë ai ata? A do duhet tu thotë se ai dhe shumë të tjerë si ai janë sakrifikuar, janë lënë anash dhe janë poshtëruar me vite vetëm për hir të bërjes së shtetit dhe institucioneve? A do duhej tu thotë ai fëmijëve të tij se lufta që ai ka bërë (qoftë aktive apo pasive) për vendin e tij dhe familjen ka qenë për qëllimin e vetëm që të tjerët ta shijojnë lirinë, se sakrifica që atij ju ka m’veshë po bëhet që fëmijët e tij të privohen nga shumë gjëra esenciale përderisa fëmije të tjerë (fëmijë të hajdutëve, bashibozukëve, matrapazëve e gurmanëve të veshur me petk politikani) t’i shijojnë e stërshijojnë ato në maksimum duke abuzuar shpesh me to.

Edhe ky 50 vjeçar sikurse shumica e qindra e mijëra 40-50 vjeçarëve të tjerë, dikur kishte dhënë besën apo fjalën e tij se lufta që ai po bën, lufta e tij do të jetë luftë për një jetë më të mirë për të gjithë, për një shtet të pavarur, i barabartë për të gjithë, edhe për të e për fëmijët e tij. Por kush ia var atij sot nëse ai ka luftuar apo s’ka luftuar? Kush qan kokën sot nëse fjala apo besa e tij e dhënë atëherë nuk mund të realizohet dot, sepse është fjalë koti dhe e pavlerë. Duke qenë i poshtëruar dhe i injoruar vazhdimisht, duke u nëpërkëmbur dhe lënë anash vazhdimisht nga shteti dhe shoqëria, duke mos qenë në gjendje që si prind to mos mund që, bile një herë, ta përmbushë një kërkesë të fëmijëve tu, të mos mund të përmbushë së paku një herë një dëshirë sado të vogël e simbolike kur fëmija ia kërkon atë, atëherë si mund t’i mohohet këtij 50-vjeçari dëshira për të ikë nga ky vend, nga vendi për të cilin ai kishte dhënë shumë dhe në këmbim kishte marrë asgjë.

Si mund t’i ndalohet atij të ikë nga kjo ngrehinë që quhet shtet e që në fakt nuk e ka të përmbushur as kriterin primar për të qenë shtet. Si mund t’i thuhet këtij 50-vjeçari të mos e lëshojë këtë vend e në anën tjetër të mos i afrohet asgjë si këmbim. “Poshtërimi të qet në rrugë”, tha para disa ditësh një publicist i mirënjohur kosovar. Më shumë se varfëria dhe skamja, janë poshtërimi dhe injoranca që të shtyjnë të tjetërsohesh pa dashje, të shtyjnë ta bësh atë veprimin që kurrë nuk e kishe menduar, të shtyjnë t’i marrësh malin e fushat e të kalosh kufijtë dhe të mos kthesh kokën prapa.

Cili prind do të ishte aq i çmendur mendërisht që t’i rrezikojë fëmijët e tij, familjen e tij në temperatura nën zero dhe të ikën nga vendlindja e tij përveçse nuk do të ishte i shtyrë për muri dhe nuk do t‘kishte kah t’ia mbante më. Se besoj se një prind rrezikon vetën, familjen e tij, fëmijët e tij deri në atë masë sa ta gjejë vetën përtej kufijve në kërkim të një jetë më të mirë, më të sigurte dhe më të dinjitetshme përveçse paraprakisht nuk do ti ishte vënë laku në fyt dhe nuk do ta kishte ndier veten të poshtëruar, denigruar, injoruar dhe lënë anash si një objekt studimi i cili nga shteti e pushteti llogaritet si njeri, shtetas, bashkëkombës vetëm atëherë kur i duhet atyre për votë dhe statistika. Dhe kur ata e bëjnë një gjë të tillë, ne i gjykojmë ata pa të drejtë duke i dënuar apriori se ata po e bëjnë atë nga kureshtja apo në kërkim të një mrekullie tjetër përtej kufitare. E ata që nuk kanë hyrë asnjëherë nën lëkurën e tyre, ata që se kanë provuar akoma tmerrin e të qenit i poshtëruar dhe i lënë anash vazhdimisht, po ata janë më të zëshmit në gjykimin e tyre të padrejtë. Ata të cilët jetën e këtyre e kanë sjellë në skaj të varfërisë duke i injoruar dhe poshtëruar, po ata bëhen kinse po e bëjnë engjëllin mbrojtës për secilin prej tyre duke tentuar ti ndalojnë ata të mos ikin, duke përdorur retoriken e njëjtë, të njëjtat arsyetime dhe premtime boshe sikurse përgjatë 15 viteve qe kaluan. Dhe natyrisht qe nuk po kanë sukses, e nuk do të kenë sukses kurrë përderisa kjo retorikë banale, këto premtime e arsyetime boshe bëhen nga të njëjtit njerëz prej të cilëve ata po ikin. Nuk u besojnë më, sepse nuk e meritojnë tu besojnë më. Dhe kanë të drejtë.

Po ku mund të jetë zgjidhja e krejt kësaj katrahure do të mund të pyeste dikush? Cili mund të jetë çelësi qo do ta zgjidhte këtë nyje njëherë e përgjithmonë? Askush me gjasë nuk e di, apo ndoshta e di por e sheh të pamundshme të bëhet. Për aq sa u provuam dhe përjetuam gjatë këtyre viteve, një gjë është e sigurtë, ndryshimet nuk bëhen asnjëherë me ata që nuk ndryshojnë në vetvete. Ndryshimet nuk arrihen me ata që nuk duan dhe nuk dinë se kur duhet ndryshuar gjërat. Për aq kohë sa pandryshueshmëria e situatës do t’ju konvenojë atyre, të jetë në favor të tyre, ndryshimet nuk do të ndodhin. Dhe ata do të bëjnë çmos, do të luftojnë me shpirt e me zemër (fatkeqësisht) që gjerat të mbesin të njëjta. Nuk e kanë ndërmend që aq kollaj t’i humbin privilegjet e tyre, luksin dhe të mirat materiale. Kanë “luftuar” për këto privilegje dhe me gjasë nuk do t’i lëshojnë kollaj.

Ndryshimet do të ndodhin vetëm atëherë kur do të bëhet i mundur largimi apo zëvendësimi komplet i kësaj garniture të tanishme politike. Vetëm atëherë kur kjo klasë, ky grup individësh të udhëhequr nga komandantë e ushtarë, biznesmenë e fajdexhi, oportunistë dhe të paditur, matrapazë dhe bashibozukë, langonj e hiena të largohen apo t’i pushojnë së funksionari aktivitetet e tyre “shtet ndërtuese”, vetëm atëherë do të kishim mundur së filluari të shpresojmë për të parë dritën në fund të tunelit, por me kusht që edhe kjo dritë to mos na ikën sa herë qe i afrohemi.