LAJMI I FUNDIT:

Po vjen tronditja e radhës e Kinës

Po vjen tronditja e radhës e Kinës
Ilustrim

Nga: Ambrose Evans-Pritchard / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

BE-ja do të detyrohet të ndjek tarifat e Joe Bidenit kundër Kinës, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo, përndryshe Evropa do të përballet me tronditjen tregtare të përqendruar nga merkantilizmi grabitqar i Xi Jinpingut.

Ajo do të bëhet vend-depozitim kryesor për mbiprodhimin anormal të Kinës të mallrave industriale, me vërshim të makinave, të baterive dhe komponentëve të teknologjisë që së bashku paraqesin kërcënim ekzistencial për modelin e tregut social evropian.

Britania, gjithashtu, do të duhet të ndjek shembullin ose do të bëhet tregu i fundit për kompanitë kineze të tejmbushura me borxhe, të cilat dëshpërimisht kërkojnë dalje të huaj për mallrat e tepërta, të cilat nuk mund t’i shesin në ekonominë e tyre të lodhur – diçka që brenda një dekade do të asgjësonte bazën prodhuese të Mbretërisë së Bashkuar. Jemi përtej temës së diskutimeve teorike për meritat e tregtisë së lirë.

Ekonomia e hapur botërore, në modelet normale të tregtisë nuk mund të bashkëjetojë me një ekonomi të deformuar kineze që përbën 13 për qind të konsumit global, ndërsa prodhon 31 për qind të mallrave të prodhuara globale. Ky çekuilibër nuk është rezultat i flukseve natyrore tregtare. As nuk është thjesht “reflektim i vitalitetit dhe krijimtarisë së ekonomisë së Kinës”, siç na tha People’s Daily në javën e kaluar.

Është pasojë mekanike e strategjisë hiper-investuese të drejtuar nga Partia Komuniste. Suficiti tregtar i Kinës është rritur në pesë përqind të PBB-së. Capital Economics vlerëson se është dy herë më i madh në prodhimin botëror sesa para krizës Lehman më 2008, kur veçse shkaktonte telashe.

Ky kapacitet i tepërt mund të absorbohet vetëm duke eliminuar bërthamat industriale të Amerikës, Indisë dhe Evropës. Dy të parët po mbrohen. India sapo ka vendosur një ndalim për përdorimin e paneleve diellore të prodhuara në Kinë – në projektet që marrin subvencione publike. Evropa është viktima e fundit e madhe.

“Tronditja kineze” goditi botën e zhvilluar në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000 kur Kina hapi derën për uzinat shumëkombëshe perëndimore. Kompanitë amerikane dhe evropiane mund të shfrytëzonin ushtrinë e madhe të punëtorëve rezervë në Kinë, si dhe të luanin me pagat kineze kundrejt pagave në shtëpi nëpërmjet “arbitrazhit të punës”. Pjesa e fitimit të PBB-së në ShBA u rrit në ekstreme të papara që nga viti 1929. Ishte një epokë e marrëveshjeve të fshehta midis kapitalit perëndimor dhe komunizmit kinez. Ishte gjithashtu një dështim i tmerrshëm në menaxhimin politik të globalizimit.

Cunami i eksportit të Kinës u tolerua nga qeveritë perëndimore, por ne tani e dimë dëmin që i shkaktoi kohezionit të demokracive perëndimore. Tronditja e Kinës, botuar nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike në ShBA, në vitin 2016, arriti në përfundimin se efekti i përgjithshëm kushtoi drejtpërdrejt me 2.4 milionë vende pune të amerikanëve, me ulje të pagave reale dhe shkatërrim të komuniteteve lokale në rajonet e varfra.

Shumica e ekonomistëve supozuan se kjo tronditje ishte një episod i vetëm: bota do të ribalancohej, ndërsa Kina do të përparonte nga rritja e udhëhequr nga eksporti, drejt një ekonomie të ndershme konsumi. Nuk ka ndodhur kështu.

Profesori Michael Pettis i Universitetit të Pekinit thotë se investimet janë rritur me 42-44 përqind të PBB-së, duke tejkaluar çdo nivel në ndonjë vend të madh – që nga revolucioni industrial.

Xi Jinpingu i është rikthyer patologjive më të këqija të modelit të vjetër, pjesërisht si zgjidhje e shpejtë për të shmangur krizën e pronave dhe deflacionin e borxhit, dhe pjesërisht sepse Partia Komuniste ka nevojë për instrumentet e saj të kontrollit politik.

Ajo që e bën të patolerueshme këtë herë është shtytja e tij për hegjemoninë e teknologjisë dhe përpjekja e tij e hapur për të përmbysur rendin liberal universal – një grupim më i gjerë se Perëndimi, meqë përfshin Japoninë, Korenë dhe Tajvanin.

Uashingtoni nuk do ta tolerojë këtë goditje të dytë më të madhe të Kinës. “Në Evropë po i lënë kompanitë prodhuese jashtë biznesit. Nuk lejojmë që kjo të ndodhë këtu në Amerikë”, tha Joe Biden. “Nuk do ta lëmë Kinën të vërshojë tregun tonë. E ardhmja e makinave elektrike do të përcaktohet në Amerikë, nga punëtorët e sindikatave. Pikë”, shtoi ai.

Tarifat e shpallura – javën e kaluar – janë befasuese: 100 përqind për makinat elektrike; 50 përqind për panelet diellore, gjysmëpërçuesit dhe shiringat; 25 përqind në çelik, alumin, bateri litiumi, magnet etj.

Adam Smithi i njohu kufijtë e tregtisë së lirë. I mbështeti Aktet e Lundrimit për të mbajtur një flotë transporti me qëllime të dyfishta, duke i konsideruar “ndalimet absolute” si të nevojshme kur siguria kombëtare ishte në rrezik. Është e qartë se në kushte normale nuk mund të bëni tregti me një fuqi armiqësore të mbushur me ideologji leniniste dhe në lidhje me Putinin.

Tarifat e Bidenit mbulojnë katër përqind të importeve totale të Amerikës nga Kina. Ato nuk janë aspak si plani i Trumpit për tarifa për gjithçka dhe kundër të gjithëve. Nuk janë as si tarifa Smoot-Hawley – pa pagesë për të gjithë. Janë kirurgjikale.

Xi thotë se “nuk ekziston një gjë e tillë si ‘problemi i mbikapacitetit të Kinës’”. Vërtet?

Prodhimi i paneleve diellore të Kinës ishte 310 gigavat (GW) më 2022, 567 GW më 2023 dhe do të shkojë në 1000 GW vitin e ardhshëm – pesë herë më shumë se kapaciteti total i instaluar në ShBA deri më sot.

Kapaciteti i prodhimit të baterisë ishte 550 gigavat orë (GWh) më 2022; 800 GWh më 2023 dhe do të jetë 3000 GWh më 2025 – katërfishi i tregut aktual botëror. Kina tashmë ka mjaft fabrika të makinave elektrike për të përmbushur kërkesën globale për tre herë më shumë. Ky kapacitet i tepërt është promovuar nga planifikuesit shtetërorë dhe po i afrohet Evropës.

Vala e makinave elektrike ka filluar. Capital Economics thotë se tri të katërtat e 4.8 milionë makinave të eksportuara nga Kina vitin e kaluar – nga një milion më 2021 – ishin modele me benzinë dhe naftë. Makinat e vjetra me motor me djegie të brendshme (ICE) nuk po shiten në Kinë ku tregu i makinave po tkurret dhe ku mbi gjysma e të gjitha blerjeve të makinave, në fillim të prillit, ishin elektrike dhe hibride. Në vend të kësaj, ato po devijohen në tregun global.

Kina tashmë ka zhdukur industrinë diellore të BE-së, fillimisht duke kopjuar teknologjinë dhe më pas duke përmbytur tregun. Po ndjek të njëjtin skenar me turbinat me erë. Elektrolizerët janë në radhë. Kjo do të ndodhë së shpejti me makinat elektrike, sepse prodhuesit kinezë të makinave mund të arrijnë fitim shumë më të madh për një makinë jashtë shtetit.

Ekonomia politike e Evropës nuk është në gjendje të duhur për të përballuar këtë tronditje. Rritja ekonomike ka qenë e papërfillshme – për 15 vjet në ekonomitë e mëdha të arrira. Është anemik shërimi pas koronavirusit. Raportet e borxhit publik janë të këqija dhe masat shtrënguese fiskale janë rikthyer. Qendra politike po shembet pothuajse kudo.

Xi e goditi Evropën në fytyrë në fillim të këtij muaji, duke vizituar shokët e vet në Hungari dhe në Serbi, me një ndalesë të shkurtër në Paris. Duhet të lëviz me kujdes. Sa më tej shkon në ndihmë të Putinit për të shtypur Ukrainën, aq më e vështirë do të jetë për kampin globalist të Evropës të ruajë linjën e tregtisë së lirë.

Hetimi i Komisionit për automjetet elektrike kineze do të përfundojë në fillim të korrikut. Nuk duhet një top i kristalit për të parë se një mur gjigant tarifor po vjen dhe se ai do të përhapet në çdo zonë të synuar në ofertën e Xisë për hegjemoninë e teknologjisë.

Evropianët mund të dëshirojnë të hapin një rrugë të tretë mes ShBA-së në Kinë. Realiteti nuk do t’i lejojë ata. /Telegrafi/