Arsimimi ka për qëllim edukimin dhe ngritjen e kulturës në bazë të diturive të kualifikuara. Arsimi si gjithëkund, edhe në Maqedoni zbatohet në institucionet shoqërore dhe ato private. Maqedonia edhe pse është një shtet në tranzicion edhe arsimi poashtu përjeton vështirësitë e veta. Banorët e Maqedonisë gjenden në pesë vendet e fundit të shteteve që lexojnë më së paku në botë, thuajse nuk dinë asgjë për shkencën dhe janë matematicientë të dobët, kështu vlerësoi para nëntë muajve raporti i PISA që bëri rangimin e vendeve në botë për nivelin arsimor të nxënësve.

Nga ana tjetër, Maqedonia thirret për një sistem të avancuar arsimor. Ky sistem në Maqedoni, vazhdimisht është kritikuar nga mësuesë, sepse sipas tyre, nuk janë krijuar kushtet për zbatimin e metodikës evropiane, gjegjësisht çalon në shumë instanca. Kjo duke filluar nga shumë aspekte, metodat didaktike, pedagogjike, kushtet jetike brenda klasës e deri tek çantat që peshojnë më shumë sesa është paraparë. Rasti në vijim tregon vetëm një shembull që lë për të dëshiruar. Bëhet fjalë për shkollën fillore në fshatin Leshnicë, që është në kuadër të Komunës së Zhelinës.

Ajo që rëndon më shumë rastin, është se në një fshat të vogël siç është Leshnica, funksionojnë dy objekte, njëri në Leshnicën e Poshtme dhe tjetri në pjesën e epërme. Problemi nuk qëndron këtu, por tek paralelet. Mësuesit janë të detyruar të zhvillojnë orën mësimore në dy pjesë, sepse paralelet janë kombinuara. Klasa e parë, e dytë dhe e tretë mësojnë bashkë dhe klasa e katërt dhe e pestë poashtu mësojnë bashkë. Kurse në Leshnicë të Poshtme, situata qëndron pak më ndryshe, mësohet prej klasë së parë deri në klasën e pestë, kështu rrëfen prindëri dhe njëkohësisht mësuesi që kërkoi të mbetet anonim për Telegrafin.

‘Në Leshnicë të Poshtme situata qëndron pak më ndryshe. Mësohet prej klasë së parë deri në klasën e pestë. Pasi nxënësit e klasës së pestë janë në moshë më rritur, udhëtojnë deri në Zhelinë për shkak se duhet të mësojnë tre klasë me një arsimtar’.

Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar drejtorin e shkollës së Zhelinës, i cili është njëkohësisht edhe drejtor i shkollës fillore në Zhelinë por edhe të shkollave në Leshnicë. Në pyetjen nëse u është mundësuar transport nxënësve të Leshnicës për të mësuar së bashku në Zhelinë dhe për të mos u zhvilluar ora mësimore me paralele të kominuara ai thotë, se Komuna dhe ne kemi insistuar që nxënësit të mësojnë në objektin e shkollës në Zhelinë, por një gjë të tillë nuk kanë pranuar banorët e Leshnicës së Poshtme.

‘Përpos se janë ligjore paralelet e kombinuara kur numri i nxënësve është i vogël, kryetari i Komunës së Zhelinës edhe unë si drejtor, kemi bërë përpjekje me banorët e Leshnicës së poshtme që nxënësit e kësaj shkolle të vijnë në shkollën qendrore në Zhelinë, por një gjë e tillë u kundërshtua nga vetë banorët’, prononcohet drejtori Ruhi Demiri.

Nga ana tjetër mësuesi që kërkoi të mbetet anonim pohon atë që thotë drejtori në lidhje me atë se u është mundësuar transporti por sipas mësuesit, nëse do të ndodhte kjo, qëndrimi jonë dhe i prindërve është se, të mbyllish një shkollë, domethënë të hapësh një burg. Arsyja tjetër është se mbyllen 4-5 vende pune.

‘Nëse duan realisht ta ndihmojnë arsimin, duhet të bëhet ndarja e paraleleve të veçanta, me numër më të vogël, çdo klasë me mësuesin e vetë dhe kjo është e mundur sepse ne vendbanimin tonë ka klasa edhe me shtatë nxënës. Normalisht efektiviteti dhe rezultatet do të ishin më të mira sepse mësuesi do të angazhohet vetëm për një paralele. Tjetër çfarë kemi kërkuar është edhe objekti i ri shkollor. Sepse prej viteve 75 e këndej nuk ka objekt të ri dhe Inspektoriati ka vlerësuar se çatia është kancerogjene dhe nga ana tjetër poashtu është ngarkesë për nxënësit e klasave të ulëta dhe udhëtimi deri në Zhelinë do të ishte ngarkesë, por këto gjëra deri më tani nuk janë mundësuar nga komuna’, shton ndër të tjera mësuesi.

Është e vërtetë se shkolla e Leshnicës së Poshtme mëson në një barakë por për Telegrafin nga Inspektoriati i arsimit të Komunës së Zhelinës thonë se bëjnë përpjekje së bashku me Ministrinë e Arsimit për rregullimin e njërit të objekteve në këtë vendbanim.

‘Kuptohet që sipas programeve arsimore krahasuar me metodat perendimore, këtu del se kombinimi i paraleleve nuk është produktive. Ne në vazhdimësi jemi në përpjekje dhe kërkojmë që nxënësit të jenë të ndarë, kryesisht të formohen paralele të veçanta, mirëpo nuk kemi marrë pëlqim sepse ligji është i tillë. Dhe këtu ka një mangësi, prandaj vazhdojmë që paralalet t’i mbajmë të kombinuara pasi me ligj parashihet që formimi i paraleles duhet të përmbushë kushtin e 24 deri 34 nxënësve’, vlerëson Saubi Avziu.

Ai më tej shton se çështja e transportit mund të organizohet nëse arrihet cenzusi prej dy kilometrave por shkolla e Leshnicës së Poshtme deri në Zhelinë i ka afërsisht 800 metre apo më pak dhe kështu që e humb kushtin për organizimin e transportit sepse kështu e parasheh rregullativa ligjore, të cilës do moshë qofshin nxënësit.

Bashkimi i dy paraleleve të ndryshme mund të ndodh në raste kur ky ështe opsioni i fundit, por vetëm në qoftë se plotësohen disa parakushte themelore. Të domosdoshme janë që kurikula të jetë e kombinuar me synime dhe pritshmëri të unifikuara të rezultateve dhe mësimdhënës të trajnuar me metodologjinë e ndryshueshmërisë së mësimdhënies të cilat në rastin në fjalë nuk besohet që janë të plotësuara, kështu vlerëson për Telegrafin, profesori universitar dhe njohës i sistemeve arsimore në perëndim, Artan Limani.

‘Në arsim, të gjitha elementet kyçe si mësimdhënia, mësinmnxënia, resurset e ndryshme siç jane bibliotekat digjitale, sistemet digjitale për mesim, librat dhe kushtet fizike, janë ngushtë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe kanë domino efekt. Në qoftë se një nga elementet kyçe mungon, i gjithë sistemi nuk është funksional.

Ne piramidën e Maslow, ekzistojnë disa elemente të cilat shpjegojnë nevojat që një njeri, e në këtë rast një fëmijë, i ka për t’i plotësuar nevojat, siç ai i quan, themelore, psikologjike dhe ata të vetë-plotësimit. Në këte rast, gjykoj që këtyre nxënësve, me faktin që ata detyrohen të mësojnë me nxënës të një grupmoshe tjetër, iu cenohet mundësia për vetë-aktualizim, si për shembull mundësia për të treguar potencialin e plotë, duke pasur parasysh që fëmijët e moshës më të re mësojnë bashkë me fëmijë më të rritur të cilët me automatizëm dominojnë në klasë. Gjithashtu, sa i përket elementit psikologjik që e përmendëm më herët, fëmijët e të dy moshave do të kenë vështirësi të plotësojnë nevojën e përkatësisë (belongingness) dhe të krijojnë relacione bashkëpunimi në mësim pasi që të njëjtët rallë apo aspak nuk do të kenë nevojë të bashkëpunojnë. E gjithë kjo duke u bazuar në faktin se flasim për dy kurikula të ndryshme me pritshmëri dhe për rezultate të ndryshme. Une jam i sigurt se të dy grupeve të nxënesve iu cenohet nevoja e prestigjit dhe ndjenja e arritjes akademike dhe sociale për shkak të këtij bashkimi të grupmoshave’, potencon Limani për Telegrafi Maqedoni.

Një rast i këtillë, përveç kushteve tjera jetike të nxënësve, kërkon që së paku të rishikohet kurrikula dhe të trajnohen mësimdhënësit për të plotësuar nevojat e këtyre nxënësve. Duke patur parasysh kontekstin, situata lë për të mbetur skeptik dhe nëse vazhdohet me këtë avaz, qoftë edhe me vështirësi tjera jetike që pengojnë formimin e nxënësve, me keqardhje mund të thuhet se nxënësit ngelin vetëm numër për statistika e jo më tepër. /Telegrafi/