LAJMI I FUNDIT:

Lufta në Ukrainë mbaron vetëm kur Putini përmbyset

Lufta në Ukrainë mbaron vetëm kur Putini përmbyset

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Sugjerimi i Papa Françeskut se liderët e Ukrainës duhet të pranojnë humbjen, të gjejnë “guximin për të ngritur flamurin e bardhë” dhe të negociojnë për ndalimin e luftës me Rusinë, provokoi zemërim të justifikuar në Kiev dhe në Evropën Lindore. Ai gaboi kur tha se Ukraina është mundur dhe dështoi të dënonte agresionin e paligjshëm të Moskës dhe krimet e luftës. Megjithatë, Françesku nuk është i vetmi që pyet se si përfundon ky konflikt.


Dy vjet më vonë, nuk ka asnjë shenjë për fituesin. Ndoshta kjo është në rregull, në kuptimin që fitorja e drejtpërdrejtë për secilën palë mund të jetë katastrofike për të gjithë. A ndikon disi kjo konsideratë joheroike, në qasjen e kujdesshme të dy mbështetësve më të mëdhenj perëndimorë të Kievit, të ShBA-së dhe Gjermanisë? Nëse po, mungesën e një procesi të besueshëm të paqes kjo vetëm se e përkeqëson – dhe potencialisht e bën shumë të rrezikshme.

Javën e kaluar, Vladimir Putini përsëri kërcënoi se do të përdorte armë bërthamore, kjo pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se NATO duhet të konsiderojë dërgimin e trupave për të qenë të sigurt se Ukraina do t’ia dalë mbanë. Pjesa më e madhe e asaj që thotë Putini është qëndrim apo lojë, sepse ai beson se koha është në anën e tij. Ai po e lë luftën të ziejë, derisa në fundjavë e kreu një puç tjetër të cilin e maskoi si zgjedhje.

Por, Putini nuk ishte aq i vetëkënaqur 18 muaj më parë, kur forcat ukrainase – që avanconin – kërcënuan të rimarrin Krimenë dhe të dëbojnë pushtuesit. Javën e kaluar u zbulua se zyrtarët amerikanë dërguan detektorë rrezatimi dhe tableta të jodurit të kaliumit për në Kiev, duke vepruar kështu sipas vlerësimeve të inteligjencës që flasin për një shans 50-50 për një sulm taktik bërthamor rus për të parandaluar rënien e Krimesë.

Aq i madh ishte shqetësimi, saqë Shtëpia e Bardhë i kërkoi një grupi të ekspertëve të hartonin një “manual” të ri për emergjencat bërthamore, për reagimet e mundshme ushtarake amerikane dhe për skenarët e përshkallëzimit, raportoi New York Times. E gjithë kjo bazohej në llogaritjen se sulmi bërthamor tash është më shumë i mundshëm se në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Megjithëse rreziku është zvogëluar që nga viti 2022, ai ende është i lartë.

Skenari “Rusia humb” është veçanërisht i rrezikshëm në atë që Putin e karakterizon Ukrainën si luftë kundër ShBA-së dhe NATO-s – dhe sondazhet sugjerojnë se shumica e rusëve e besojnë këtë. Për të, disfata është e papranueshme, pasi do të nënkuptonte disfatën më të gjerë të Rusisë nga Amerika dhe mund të rezultonte në përmbysjen e tij. Nëse vihet në qoshe, ky qelbës frikacak do të fajësonte Perëndimin dhe do t’i merrte të gjithë me vete.

Për arsye të ndryshme, është po aq alarmante perspektiva se Ukraina do të humbasë. Pasojat njerëzore do të ishin të tmerrshme, me miliona refugjatë të tjerë që ikin drejt Perëndimit. Nëse Buça dhe Mariupoli janë ndonjë udhërrëfyes, mizoritë, krimet e luftës dhe rrëmbimet do të shtoheshin. Putini fitimtar mund të përpiqet të pushtojë të gjithë vendin – ose të imponojë një zgjidhje dhe një regjim të marionetave. Në çdo rast do të pushonte ekzistenca e pavarur e Ukrainës si komb i lirë. Do të shuheshin demokracia dhe aspiratat e saj për BE.

Ndikimi në Evropë do të ishte i tmerrshëm. Sigurisht që në Poloni dhe në tri shtetet baltike, suksesi rus do të shihej si prelud i luftërave të reja të agresionit ekspansionist. Moldavia pro-perëndimore, në kufirin jugor të Ukrainës, është objektiv i mundshëm. Pasojnë problemet e mëdha ekonomike dhe gara e armatimeve, teksa NATO dhe BE-ja përpiqen të forcojnë mbrojtjen e Evropës. Do të inkurajohen partitë populiste të ekstremit të djathtë dhe ato pro-ruse.

Humbja e Ukrainës do të kishte pasoja të qëndrueshme globale, duke vendosur një precedent të tmerrshëm të kapjes së territorit me forcë dhe shënjestrimin e civilëve. A do ta inkurajonte kjo Kinën për ta sulmuar Tajvanin? Apo të tjerët që ta bëjnë të njëjtën gjë? Është plotësisht e besueshme. Karta e OKB-së do të shkatërrohej dhe, bashkë me të, parimet më themelore të konventave të Gjenevës dhe të së drejtës humanitare.

Udhëheqja ndërkombëtare e ShBA-së – dhe NATO-s – do të pësonte gjithashtu pengesa të pariparueshme. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ndalimi i ndihmës ushtarake nga Uashingtoni, siç është rasti tani, kontribuon në humbjen e Ukrainës. Kush atëherë do t’i besonte ShBA-së se e mban fjalën, veçanërisht nëse Donald Trump e pason Joe Bidenin? Thuhet se Trumpi miqësor ndaj Putinit ka deklaruar se “nuk do t’ia japë asnjë qindarkë” Ukrainës.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, muajin e kaluar paralajmëroi se “nëse Putini është i suksesshëm, ai nuk do të ndalet” në Ukrainë. Dhe, efekti i goditjes do të ishte shkatërrues. “Udhëheqësit e tjerë anembanë botës, autokratët e tjerë, do të inkurajohen sepse ne nuk arritëm ta mbështesim një demokraci … Sinqerisht, nëse Ukraina bie, unë me të vërtetë besoj se NATO do të jetë në luftë me Rusinë”.

Nëse demokracitë perëndimore nuk mund të bashkohen rreth synimit për të siguruar një disfatë gjithëpërfshirëse ruse, pavarësisht nga rreziqet e natyrshme, negociatat – edhe pse jo siç janë përcaktuar nga Papa Françesku – duken e vetmja rrugëdalje. Megjithatë, siç pritej, nga Kievi është refuzuar propozimi i fundit i Turqisë për një samit të paqes dypalëshe. Ndërmjetësuesit e tjerë të mundshëm nuk janë askund. Dhe, plani 10-pikësh i Ukrainës përbuzet nga Moska. S’ka proces të paqes, s’ka paqe.

Ka një rrugë të mesme, thonë gurutë e politikës së jashtme amerikane, Richard Haass dhe Charles Kupchan. Ukraina duhet të negociojë një armëpushim me Rusinë, argumentojnë ata. “Kiev nuk do të hiqte dorë nga rivendosja e integritetit territorial apo nuk do të hiqte dorë nga përgjegjësitë ekonomike dhe ligjore të Rusisë për agresionin e saj, por do të pranonte se prioritetet afatshkurtra duhet të ndryshojnë – nga përpjekja për të çliruar më shumë territore, drejt mbrojtjes dhe riparimit të më shumë se 80 për qind të vendit që ende është nën kontrollin e tij”.

Armëpushimi i mbështetur nga Perëndimi mund të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin dhe të krijojë hapësirë frymëmarrjeje për diplomacinë – pa sakrifikuar objektivat më të gjera të Ukrainës. Problemi është se Putini, i cili mendon se po fiton, duhet të pajtohet. Dhe, njëra ose të dy palët thjesht mund të përdorin një pauzë për t’u riarmatosur dhe rigrupuar, të gatshme për të vazhduar përsëri nëse dhe kur bisedimet prishen.

Armëpushimi është joshës, por, në rastin më të mirë, do të ishte ndalesë e përkohshme. Dhe, siç tha Macron, në qortimin ndaj Papës, paqja në Ukrainë nuk mund të nënkuptojë “kapitullim”. E vetmja mënyrë e sigurt për t’ia dhënë fund kësaj lufte, përgjithmonë e me kushte të drejta, është largimi nga pushteti, me çfarëdo mjeti legjitim të qasshëm, të vrasësit masiv që këtë e filloi: Vladimir Vladimirovich Putinit. Nuk do të ketë paqe derisa tirani nuk përmbyset. /Telegrafi/