LAJMI I FUNDIT:

Lista Serbe bojkoton Kuvendin, por jo pagat

Lista Serbe bojkoton Kuvendin, por jo pagat
Foto: Arkiv

Pas gjashtë muajsh, dhjetë deputetët serbë shfaqen për disa minuta në seancën e Kuvendit të Kosovës, që të mos u hiqen mandatet për mospjesëmarrje, dhe më pas ngrihen, largohen dhe zhduken për gjashtë muajt e ardhshëm.

Hera e fundit kur u paraqitën shkurtimisht në Kuvend, ishte më 8 shkurt.


Nga dhjetë ulëset parlamentare, që Kushtetuta e Kosovës ia garanton komunitetit serb, nëntë i takojnë Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Deputeti i dhjetë vepron si i pavarur, por është anëtar i grupit parlamentar “Lista Serbe”.

Për këtë “veprim strategjik”, siç e kanë cilësuar më herët bojkotimin e institucioneve të Kosovës, ata marrin çdo muaj pagën e deputetit, në vlerë prej rreth 1.800 eurosh.

Kjo do të thotë se për këta deputetë, nga buxheti i Kosovës ndahen çdo vit rreth 200 mijë euro.

Në seanca nuk shkojnë, pagat i marrin

Dhjetë deputetë të rinj të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës kanë marrë paga nga më shumë se 7 mijë euro nga nëntori i vitit 2022 deri në marsin e vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur 26 seanca, kurse ata kanë marrë pjesë vetëm në njërën prej tyre, më 6 prill, kur, pasi janë nënshkruar, janë larguar nga salla e Kuvendit*. Paga mujore e një deputeti në Kosovë është rreth 1.700 euro.

Këta deputetë të Listës Serbe i morën mandatet e tyre në mes të nëntorit, 2022 – dhjetë ditë pasi paraardhësit e tyre dhanë dorëheqje. Atëkohë, pati dorëheqje masive të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, si shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa serbe në targa të Kosovës.

Megjithatë, ky vendim doli të ketë qenë i nxituar, sepse në atë rast ata do t’i humbnin ulëset e tyre në Kuvend dhe ato do t’u kalonin serbëve të partive të tjera, që morën pjesë në zgjedhje.

Shumica e pjesëtarëve të komunitetit serb në veri dhe në jug të Lumit Ibër, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se deputetët serbë duhet të jenë më të përfshirë në këtë moment, duke aluduar në situatën aktuale, kur po ndalohet përdorimi i dinarit serb dhe kur po mbyllen organet e përkohshme komunale, që punojnë në sistemin e Serbisë e që Kosova i konsideron të paligjshme.

“Ata duhet të luftojnë për të drejtat tona”

“Duhet të jenë më aktivë, e shihni se si është situata”, thotë Markoja nga Mitrovica e Veriut, teksa komenton rolin pasiv të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës.

“Ata [Lista Serbe] e kanë dështuar popullin më shumë se një herë, por përsëri janë tanët, nuk kemi dikë tjetër për të na përfaqësuar. Ata duhet të luftojnë për të drejtat tona. Do të jemi gjithnjë e më pak nëse nuk do të ketë kush të na mbrojë”, shton ai.

Pikëpamje të ngjashme shprehin edhe Sllobodani nga Leposaviqi, komunë me shumicë serbe në veri, dhe Millani nga Graçanica, që gjendet afër Prishtinës.

“Demagogji e pastër, e detyruan popullin të largohet nga institucionet e Kosovës dhe ata [deputetët] marrin rroga nga 2.000 euro”, thotë Sllobodani dhe shton se përfaqësuesit politikë të serbëve “nuk kanë kurrfarë plani”.

“Marrë parasysh rrethanat në të cilat populli serb jeton këtu [në Kosovë], ata as që duhet të marrin pjesë në Kuvendin e Kosovës, kot marrin rroga dhe rrisin buxhetet e tyre”, thotë Millani.

Ka edhe prej atyre që besojnë se një rol më aktiv i deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, nuk do të sillte asnjë ndryshim sa i përket pozitës dhe të drejtave të komunitetit serb.

“Mendoj se ka të bëjë me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës ndaj Listës Serbe, por edhe të gjithë elitës politike. Ata [deputetët serbë] kanë të drejtë legjitime të jenë atje. Por, nëse do të ishin atje çdo ditë dhe do të merrnin pjesë në seanca, nuk besoj se do të ndryshonte gjë”, thotë Danijella nga Mitrovica e Veriut.

Edhe Milana nga Graçanica thotë se serbët, përmes institucioneve të Kosovës, “nuk mund të luftojnë për nevojat e serbëve në Kosovë”.

Kush janë deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës?

Në Kuvendin e Kosovës, aktualisht, janë nëntë deputetë nga radhët e Listës Serbe: Millan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Ollivera Zdravkoviq, Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetisllav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq dhe Bilana Makshiq.

I dhjeti, Cvetko Velkoviq, pasi e mori mandatin, u largua nga Iniciativa për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ministri aktual për Komunitete dhe Kthim. Sot, si deputet i pavarur, është pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.

Shumica e këtyre deputetëve, përveç mandateve në Kuvendin e Kosovës, kanë pozita edhe në institucionet e Serbisë dhe, rrjedhimisht, të ardhura të dyfishta.

Për shembull, Millan Joksimoviq është kryetar i autoritetit të përkohshëm komunal të Lipjanit në sistemin serb; Radosh Mihajlloviq është anëtar i autoritetit të përkohshëm në Leposaviq dhe Nenad Radenkoviq është mësues në një shkollë fillore që punon në sistemin serb.

Në nëntor të vitit 2022, në emër të deputetëve serbë, Millan Joksimoviq nga Lista Serbe tha se marrja e mandatave “është një akt politik, që nuk do të thotë se do të marrim pjesë në mënyrë aktive në punën e Kuvendit”.

REL-i u përpoq të merrte një deklaratë nga Joksimoviq më 13 dhe 14 shkurt, por pa sukses.

As deputeti i pavarur, Cvetko Velkoviq, nuk deshi të komentonte në hollësi për bojkotimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë shkurtimisht: “I keni nëntë deputetë nga Lista Serbe, telefononi tek ata”. Megjithatë, shtoi se bojkotimi do të vazhdojë, derisa të zgjidhet çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Politika e bojkotimit

Lista Serbe, përmes deklaratave të saj për media, tërheq rregullisht vërejtjen për “pozitën e vështirë të serbëve”, për politikën “antiserbe” të Qeverisë së Kosovës me në krye Albin Kurtin dhe për “spastrimin etnik” – edhe pse nuk sjell ndonjë provë për këto pretendime.

Kjo parti nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse do të vazhdojë me politikën e bojkotimit të institucioneve të Kosovës, apo do të jetë më aktive dhe do t’i adresojë problemet që përmend.

Millija Bishevac, një nga themeluesit e partisë së sapoformuar të serbëve të Kosovës, Lëvizja Popullore Serbe, thotë se anëtarët e Listës Serbe kanë qenë gjithmonë “kukulla” në Kuvendin e Kosovës dhe se kjo nuk është hera e parë që zëri i tyre nuk dëgjohet.

“Ata marrin rroga dhe nuk bëjnë asgjë – gjë që nuk është zgjidhje, absolutisht”, thotë Bishevac, i cili e përkrahu dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022, duke u tërhequr nga pozita e këshilltarit në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut.

“Ne zgjodhëm politikën e bojkotimit të institucioneve, por, gati dy vjet pas, e shohim që nuk ka sjellë rezultate. Andaj, besoj se duhet të flitet për problemet. Nëse ata janë deputetë, puna e tyre është t’i paraqesin pikëpamjet e serbëve, t’i paraqesin problemet”, thotë Bishevac për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, “Qeveria e Kosovës nuk i do serbët”, as nuk do që të merret me problemet e tyre, ndaj, siç thotë ai, u takon përfaqësuesve politikë që të flasin për to në çdo kohë dhe në çdo vend.

KDI: Është detyrë e deputetëve t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve

Tringa Dreshaj, hulumtuese në organizatën joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, thotë se mungesa e vazhdueshme e deputetëve serbë, është e papranueshme dhe paraqet një precedent të keq.

“Detyrë e deputetit është t’i përfaqësojë interesat e të gjitha komuniteteve, veçanërisht të atyre që e kanë votuar. Mungesa e vazhdueshme e Listës Serbe në punën e Kuvendit, si në seanca, ashtu edhe në komisione, minimizon hapësirën për komunikim dhe mirëkuptim mes komuniteteve dhe pushtetit”, thotë Dreshaj për Radion Evropa e Lirë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021, Lista Serbe fitoi shumicën e votave të komunitetit serb në Kosovë.

Dreshaj sqaron se deputetët në Kuvendin e Kosovës nuk mund ta humbin mandatin nëse paraqiten në seancë çdo gjashtë muaj, por shton se puna e tyre mund të vihet në pikëpyetje.

“Kuvendi, përmes kodit etik që është duke u zhvilluar, po përpiqet të imponojë masa për sanksionimin e deputetëve, të cilët nuk e përmbushin mandatin e tyre për pjesëmarrje aktive në punimet e Kuvendit”, shton ajo.

Duke folur për kodin e ri etik, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha më 8 shkurt se ai parasheh masa më rigoroze për të gjithë deputetët që nuk e kryejnë detyrën me përgjegjësi.

Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, nga të cilët dhjetë mandate janë të rezervuara për komunitetin serb dhe dhjetë të tjera për komunitetet tjera pakicë që jetojnë në Kosovë.

Në trend Lajme

Më shumë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Kalo në kategori