LAJMI I FUNDIT:

“I huaji” dhe antiheroi i kohëve moderne

“I huaji” dhe antiheroi i kohëve moderne
Albert Camus

Nga: Sejdo Harka

“Revoltohem, prandaj ekzistoj …” – Kamy (Albert Camus)


Albert Kamy, ky emër i madh i letrave franceze dhe botërore, do të mbahet mend gjatë në memorien e lexuesit për mjeshtërinë me të cilën e përdori absurdin jo vetëm si nocion filozofik, por edhe si mjet të fuqishëm artistik – sa të vërtetë, aq dhe metaforik – për të “goditur në zemër” pabarazinë e padrejtësinë shoqërore dhe për të ngjallur shpresën te drejtësia dhe liria e vërtetë njerëzore. Njihet dhe si shkrimtari i revoltës. Absurdi në jetën e përditshme të shoqërisë së djeshme dhe të sotme është bërë lajtmotivi kryesor pothuajse i gjithë krijimtarisë së tij letrare e artistike. Si përfaqësuesi kryesor i rrymës ekzistencialiste të artit dhe letërsisë botërore, ai, nëpërmjet artit të fjalës magjike, përcakton pozicionin e njeriut në universin e sotëm dhe, duke e parë shpërfytyrimin e tjetërsimin e tij në një lodër në duart e të fortëve dhe çnjerëzorëve, revoltohet ndaj tyre dhe ndaj gjithë shoqërisë që nuk i vlerësojnë atributet dhe vlerat individuale të individit. Për Albert Kamynë, artisti çan përmes bukurisë dhe bashkësisë, prej së cilës ai nuk shkëputet dot, por vlera të papërsëritshme ka edhe individi. Artistët nuk përbuzin asgjë. Ata janë të detyruar të kuptojnë dhe jo të gjykojnë e të paragjykojnë individin dhe shoqërinë.

Por, para se të ndalemi te krijimtaria dhe vlerat e artit të këtij shkrimtari të madh me përmasa botërore, po i rikujtojmë lexuesit, me pak fjalë se cili është, në të vërtetë, Albert Kamy:

Albert Kamy lindi më 11 nëntor të vitit 1913, në Mondovi të Algjerisë Veriore, në një familje të varfër – nga një baba francez dhe një nënë spanjolle. Pas vdekjes së parakohshme të të atit, ai u rrit nën kujdesin e së ëmës. Vitet e para të shkollimit i kreu në Belkourt, fshatin ku jetonte familja, kurse gjimnazin e mbaroi në Algjer. Luftërat e shumta dhe fëmijëria e vështirë ndikuan mjaft në formimin e tij. Pasionin për letërsinë dhe artin e shfaqi që në moshë të njomë. Ai ishte i apasionuar pas historisë dhe librit, gjë që do të ndikonte në formimin e tij të përgjithshëm. Në vitin 1930, sapo përfundoi gjimnazin, iu shfaqën shenjat e para të tuberkulozit. Në vitin 1933, u regjistrua në Universitetin e Algjerit dhe u anëtarësua në Partinë Komuniste Franceze – ndonëse nuk e quante veten “marksist” – dhe u afrua me Partinë Komuniste Algjeriane që synonte pavarësinë e Algjerisë. Në këtë kohë pati dhe një lidhje martesore e cila nuk vazhdoi gjatë. Bashkë me studimet e larta për filozofi, punonte për të përballuar shpenzimet e veta dhe të familjes. Por, sëmundja e tuberkulozit sa vinte dhe thellohej më shumë.

Pas vitit 1938, për jetën dhe krijimtarinë e tij nisi një etapë e re. Pasi shëtiti gjithë botën, martohet përsëri dhe në vitin 1940 vendoset përfundimisht në Francë. Edhe pse studimet e larta i mbaroi për filozofi, gjithë jetën ia përkushtoi gazetarisë dhe veçanërisht letërsisë. Ishin këto dy armë të forta që do ta bënin atë tepër të spikatur, bile të rangut të parë në metropolet franceze të asaj kohe – që në moshën 25-vjeçare. “Kamy duket i pjekur para kohe nga atmosfera e ashpër e luftërave”, shkruante në atë kohë për Kamynë shtypi i ditës. Ishte koha kur kishte hedhur në qarkullim romanin që i dha famë botërore, “I huaji”(1942). Më pas nisi seria e pandalshme e veprave të tij, që e bënë të pavdekshëm për artin e tyre të rrallë, si drama “Kaligula” (1945), romani “Murtaja” (1947), “Shtetrrethimi” (1948) etj. Për shkak të përkeqësimit të shëndetit, veprimtaria e tij krijuese nisi të ngadalësohej, por nuk u ndal kurrë. Rishfaqet përsëri me veprën “Një rast interesant” (1955) dhe më pas me romanin “Rënia” (1956).

Ky gjeni i letrave vdes tragjikisht në një aksident automobilistik, më 4 janar të vitit 1960, në një moshë relativisht të re, duke lënë një pasuri të madhe letrare artistike, kur bota letrare e kohës kishte nevojë më shumë se çdo herë tjetër për penën e tij të artë. Të nesërmen shtypi francez, poshtë titullit me shkronja kapitale, “Vdekja enigmatike e Albert Kamysë”, shkruante: “Bota humbi një nga zërat më me peshë të shekullit XX”.

Në qendër të romanit simbolist “Murtaja”, ai vë një mjek dhe asistentin e tij që luftojnë kundër murtajës në një qytet të Afrikës, për të afirmuar ndjesinë e revoltës dhe qëndresës ndaj së keqes. Ndërsa, përmes romanit “Rënia” stigmatizohet hipokrizia universale, për të promovuar humanizmin dhe drejtësinë njerëzore. Interesante është dhe eseja filozofike “Miti i Sizifit”. Për heroin kryesor të këtij libri, lumturia e njeriut mbaron me ngritjen dhe uljen e gurit të rëndesës poshtë e lart majës së malit. Por, lexuesi, pasi e lexon këtë ese, kupton mesazhin, se s’ka gjë më të keqe, të rëndë dhe poshtëruese, sesa ta detyrosh njeriun të bëjë punë të padobishme për veten dhe shoqërinë.

Për vlerat e padiskutueshme të krijimtarisë, Albert Kamy është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, por çmimi më i madh për të ka qenë Nobeli për Letërsinë, me motivacionin: “… për prodhimtarinë e tij të rëndësishme letrare, që me sinqeritet të qartë ndriçon problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën tonë”.

Në fjalën e mbajtur në banketin e Nobelit, në bashkinë e Stokholmit më 10 dhjetor të vitit 1957, Albert Kamy mes të tjerash thekson: “… Shkrimtari nuk mund të vihet sot në shërbim të atyre që bëjnë histori. Ai është në shërbim të atyre që e vuajnë atë. Shkrimtari mund të fitojë zemrat e bashkësisë së gjallë, me një kusht, që ai të pranojë, deri në kufirin e aftësive të tij, dy detyrat që përbëjnë madhështinë e profesionit të tij: Shërbimin ndaj së vërtetës dhe shërbimin ndaj lirisë. Detyra jonë më e madhe është të parandalojmë botën nga shtypja dhe shkatërrimi i vetvetes”.

Bernhard Karlgen, anëtar i Akademisë Mbretërore Norvegjeze, studiues e gjuhëtar suedez, në banketin për dorëzimin e çmimit “Nobel” i drejtohet Albert Kamysë me këto fjalë: “Në shkrimet tuaja ne gjejmë të manifestuar në një shkallë të lartë qartësinë dhe kthjelltësinë, depërtimin dhe hijeshinë, artin e paimitueshëm, të cilin ne e admirojmë dhe e përshëndesim me ngrohtësi. Ju jeni shpirt i mrekullueshëm francez”. Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i asaj kohe i Akademisë Suedeze, Andreas Osterling, mes shumë të tjerash thekson: “Letërsia frënge nuk është më e lidhur gjeografikisht me kufijtë e Francës në Evropë. Në shumë aspekte ajo na rikujton një bimë kopshti, fisnike dhe të pazëvendësueshme, që kur kultivohet jashtë truallit të vet ruan karakterin e saj të veçantë. Laureati i sivjetshëm i Nobelit, Albert Kamy, është shembulli i këtij evolucioni”.

Të shkruash për veprimtarinë krijuese të Albert Kamysë duhen faqe të tëra, por në këto shënime të shkurtra do të ndalemi te thelbi i filozofisë ekzistencialiste dhe tek absurdi i personazhit më të çuditshëm të krijimtarisë së tij, që ai do ta pagëzonte me emrin “Mërso”, ose siç quhet ndryshe “I huaji”. Por, para se të ndalemi tek filozofia e këtij karakteri sa real aq edhe metaforik, do të ndalemi pak për të treguar prejardhjen dhe thelbin e filozofisë ekzistencialiste. Kamyja, duke qenë bashkëkohësi i Zhan Pol Sartrit, ka mbetur një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të rrymës ekzistencialiste e cila eci në gjurmët e filozofisë daneze dhe asaj gjermane të pasluftës. Edhe pse është produkt i shoqërisë franceze të shekullit XX, me filozofinë dhe talentin e tij ai i ka tejkaluar kufijtë kohorë dhe hapësinorë.

Botëkuptimi i tij është produkt i harmonisë mes fantazisë arabe dhe qytetërimit latin që “noton mbi elegancën e shpirtit të trazuar spanjoll. Emri i tij u bë i njohur që në vitin 1942 me esenë filozofike “Miti i Sizifit” dhe romanin “I huaji”. Mjafton që lexuesi t’i lexojë këto dy vepra për të kuptuar jo vetëm mesazhet universale që ka dashur të përçojë, por edhe filozofinë e stilin e tij të rrallë.

Për të evidentuar disa nga vlerat e padiskutueshme të krijimtarisë së Albert Kamysë, ne po ndalemi kryesisht tek kryevepra e tij, romani “I huaji”, brendia e të cilit merret nga koha kur Franca ishte pushtuar nga nazizmi dhe nga shtypja e censura e egër e qeverisë së Vishisë. Ndoshta ishin këto rrethana që e bënë këtë roman të kërkuar e të suksesshëm. Patjetër që personazhi kryesor dhe më i realizuari në këtë roman është Mërsoi. Ka pasur mendime se një personazh i tërhequr si Mërsoi, në ato kohë të vështira, kur kërkohej guximi, është çmobilizues për njerëzit. Ka pasur të tjerë që kanë menduar se Mërsoi i Kamysë i ngjan protagonistit të “Neverisë” së Sartrit, por në fakt ai ka edhe tiparet e tij të papërsëritshme. Në literaturën botërore thuhet se autori, për të shkruar këtë roman, u frymëzua nga ekzekutimi i heroit në gijotinë. Vetë Albert Kamyja thotë se Mërsoi vdes për të mbrojtur të vërtetën, ndaj vendos të largohet nga shoqëria. Ky është dhe thelbi i kuptimit të emrit Mërso (Mersault). Por, si shfaqet në të vërtetë ky hero i tipit antihero i Albert Kamysë në romanin “I huaji”, me këtë emër kuptimplotë.

Me psikologjinë dhe tiparet e tij të çuditshme, ai është simbol i njeriut absurd të kohërave moderne që ka tjetërsuar jo vetëm shpirtin e zemrën, por edhe gjakun e ëndrrën. Mërsoi është “i huaj” jo vetëm për të tjerët, por edhe për veten e tij. Ai shfaqet si “i huaj” edhe në varrimin e nënës, edhe para gjykatës, edhe para priftit që kërkon ta shpëtojë nga vdekja. Mërsoi nuk pendohet as për krimin që ka kryer. Edhe fatin e jetës së tij e lë në dorën e një gjykate absurde. Edhe stili i këtij romani, madje dhe vetë emri i këtij personazhi është “i huaj”. Këtej buron dhe titulli tepër kuptimplotë i këtij romani.

Vepra me karaktere të tilla të çuditshme mund të krijohen vetëm në laboratorët krijues modernë të shkrimtarëve të mëdhenj, si Albert Kamy. Heroi kryesor i këtij romani, Mërsoi, nuk është një i huaj për çështje kombësie, por si një njeri i çuditshëm që absurditetin e shpreh me mendimet dhe veprimet absurde. Është kjo arsyeja që kritika letrare botërore e ka pagëzuar atë me një mori epitetesh metaforike, si: antihero, hero absurd, kriminel, viktimë, dështak, Krisht, antikrisht etj. Këto tipare që janë pjellë e shoqërisë së kohës, janë bërë shfaqje e shpirtit të tij të gjymtuar. Mërsoi është tip kontrovers, gjë që e gjen shprehjen në antinominë mes brendisë së telegramit që përcjell lajmin e vdekjes së nënës dhe qëndrimit të tij indiferent. Pas marrjes së këtij telegrami, ai jo vetëm që nuk qan mbi varrin e nënës, por që të nesërmen shkon në plazh me të dashurën. Kur një shok i tij grindet me dy arabë, aq sa është gati të përdorë revolen, Mërsoi ia merr për të larguar sherrin, por papritur e përdor vetë duke vrarë njërin prej tyre – në rrethanat që as vetë nuk i kupton. Ky veprim absurd i tij dënohet me vdekje nga drejtësia, duke u nisur jo nga shkalla e fajit, por vetëm nga paragjykimi moral absurd i gjykatësit i cili arsyeton: “Nëse një njeri nuk derdh lot as mbi varrin e nënës së vet, ai ka një zemër krimineli që meriton dënimin me vdekje”. Mërsoit të Kamysë nuk i intereson jeta, por krenaria, morali dhe e vërteta absurde. Në gjyqin e tij ai është indiferent, aq sa i duket sikur njerëzit aty flasin jo për të, por për dikë tjetër. Nuk orvatet as për t’u mbrojtur.

I huaji i Kamysë, është e vërtetë që ka lindur në mjediset franceze, por për shkak të universalitetit të kësaj figure, “sozia” e saj edhe sot rend mespërmes globit duke lënë pas klithmat e një “të huaji” që sa vjen e bëhet më absurd. Këtë “të huaj” të çuditshëm e shohim të rendë i llahtarisur përmes “mjegullnajash e tymnajash” – edhe mbi trojet shqiptare. Ai mbetet klisheja më e çuditshme, e tjetërsuar dhe e përshtatur me psikologjinë shqiptare të kohës, sepse absurditeti i shoqërisë sonë në kohë të ndryshme ka marrë pamje dhe fytyra të ndryshme, në kohëra e vende të ndryshme. Prandaj, “mërsotë” shqiptarë jo vetëm janë shëmbëlltyra më e keqe e “Të huajit” të Kamysë, por në periudha ekstreme i kanë kapërcyer kufijtë e arsyes njerëzore. Ky është produkt i traumave shoqërore dhe shpirtërore që shfaqen te diktaturat çnjerëzore dhe tranzicionet e egra që kemi kaluar për një kohë të gjatë.

Shtypja dhe skllavëria, padrejtësia dhe varfëria e tejskajshme janë bërë “toka e djegur dhe e infektuar” mbi të cilën kohërat do të mbillnin “çibanët” më absurdë të rruzullit tokësor. Nëse “I huaji” i Kamysë vdes për të thënë e mbrojtur të vërtetën, Mërsoi shqiptar i periudhës së diktaturës “hidhet mbi grykën e topit” duke thirrur: “Rroftë Partia!”. Sozi të çuditshme të këtij absurdi të kohës u bënë dhe figura të tjera tragjikomike e metaforike si ajo e xha Brahos, i cili kërkon të vdes për udhëheqësin, por nuk di si. Antiheronj të tillë janë “mërsonjtë” që lindi absurditeti i diktaturës së kohës. Ata i polli edukimi i njeriut në serat e bodrumeve të errëta të asaj kohe. Ata janë antiheronj absurdë që e falnin jetën për ata që i skllavëronin dhe i varfëronin deri në mjerim ekstrem.

Mërsoi i Kamysë takohet tri herë me vdekjen dhe nuk trembet asnjëherë prej saj, sepse është viktimë e moralit absurd. Vdekjen e nënës e sheh me sytë e vet, ndërsa vdekjen e tij e sheh me sytë e të tjerëve. Përplasja mes këtyre dy këndvështrimeve e çon atë në tragjedi. Prandaj, thelbi i mesazhit të këtij romani është protesta ndaj vdekjes dhe tjetërsimit të njeriut.

Mungesa e lirisë, varfëria dhe politika indoktrinuese e ka tjetërsuar Mërsoin në një robot pa dhembshuri e ndjenja, aq sa kur i propozojnë t’i japë lamtumirën e fundit nënës, ai shprehet: “Ai trup i shtrirë nuk është më nëna ime”. Mërsoi e ndien veten të huaj në çdo qelizë, sepse jo vetëm që të gjithë njerëzit përreth nuk e kuptojnë, por luftojnë ta asgjësojnë atë duke i dhënë të shtyrën e fundit drejt humnerës. Ai e ndien se fati i tij drejtohet nga qeniet misterioze: nga gjumi, dielli, gjyqi dhe vdekja. Prandaj, është indiferent i çuditshëm që as merret me politikë, as bën moral, as synon karrierë, as ka frikë nga vdekja. Ai është fryt i hidhur i ideologjisë indoktrinuese të elitave politike, i mungesës së lirisë dhe i shurdhmemecërisë së pushtetarëve, i padrejtësisë dhe i pandëshkueshmërisë së atyre që jo vetëm e konsiderojnë veten “Zeus”, por dhe vjedhin e grabitin popullin e shtetin pa i vënë fre lakmisë.

Mungesa e shpresës dhe pasiguria, amullia dhe padrejtësia kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë “robotë” absurdë, që e ndiejnë veten “të huaj” jo vetëm për familjen dhe shoqërinë, por dhe për veten e tyre. Në mendjen dhe shpirtin e “të huajve” të tillë nuk gjen as ambicie, as xhelozi, as paragjykime, as hipokrizi. Është kjo arsyeja që Mërsoin e Kamysë nuk e dënojnë për fajin e vet, porse me veprimet e tij vë në pikëpyetje normat e moralit shoqëror të kohës. Për gjykatësit, Mërsoit duhet t’i pritet koka vetëm për të fshehur të vërtetën që ai mban brenda shpirtit. Si antihero tipik ai shkon drejt vdekjes vetëm për t’i qëndruar besnik së vërtetës. Ai nuk e vë lirinë në shërbim të jetës, por në shërbim të vdekjes, gjë që e shpreh në sentencën absurde: “Gjithçka është e vërtetë dhe asgjë s’është e vërtetë”.

“I huaji” i Kamysë, Mërsoi, ka dekada që rend mespërmes globit, herë “përmes telash me gjemba, herë mbi mrekulli përrallore”. Atë, fatkeqësisht, e gjen edhe në gjirin e shoqërisë e të familjes së sotme shqiptare. Vëllai vret vëllanë, djali vret prindërit, burri porosit kriminelët të vrasin gruan e tij në sytë e fëmijëve … Mërsonjtë e kohëve moderne u ngjajnë karaktereve tragjikomike të antikitetit. Po të qe gjallë Albert Kamyja, ndoshta do të bënte një roman tjetër në brendinë e të cilit do të gjallonin “mërsonjët” e tillë, më absurdë se absurditeti, të cilët janë produkt i frakturës së thellë të shoqërisë së kohës, që për fat të keq, sa vjen dhe thellohet.