LAJMI I FUNDIT:

Mehmeti: Kosova duhet të ketë rritje ekonomike deri në 7 për qind që ta përballoj papunësinë dhe deficitin tregtar

Mehmeti: Kosova duhet të ketë rritje ekonomike deri në 7 për qind që ta përballoj papunësinë dhe deficitin tregtar

Me një fokus më të madh në sektorin ekonomik, Kosova mund të arrijë një rritje ekonomike prej 6 deri në 7 për qind, e cila brenda një periudhe të shkurtër kohore do të mund të adresonte dy nga problemet me të cilat përballet vendi, siç është papunësia dhe deficiti i lartë tregtar. Kështu është shprehur guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në një intervistë për REL.

Sipas tij, sektori financiar në Kosovë është stabil dhe se kreditimi ka ndikuar në rritjen ekonomike në vend.


“Kreditimi është njëri prej faktorëve ose indikatorëve kryesorë që ka ndikuar në rritjen ekonomike në vend. Këtu, në mënyrë të theksuar ka ndikuar edhe Fondi i Garantimit të Kredive, fond që është themeluar nga Qeveria e Kosovës dhe donatorëve, që këtë vit është rritur vlera e këtij fondi prej 20 milionë euro. Diku mbi 100 milionë euro janë garantuar prej këtij fondi dhe në masë të theksuar kjo ka ndikuar që të kreditohen sektorët më pak të kredituar”, tha ai.

Mehmeti thotë se skemat e shumta sociale në Kosovë që në vit kapin shumën e rreth 400 milionë eurove dhe janë një barrë për buxhetin e shtetit, ndonëse, siç thotë ai, janë duke u menaxhuar mirë.

“Mjetet buxhetore që shkojnë për skema sociale janë të planifikuara në buxhet. Si guvernator mund të them se skema sociale është duke u menaxhuar mirë. Kur flasim për veteranët e luftës fillimisht është dashur të dihet se sa është numri i saktë dhe pastaj të përcaktohet shuma apo përqindja se sa duhet të paguhen. Nuk e konsideroj risk, por është barrë për buxhetin e Kosovës. Edhe Qeveria e Kosovës edhe të gjithë ne jemi të interesuar që t’i përkrahim skemat sociale, por ato raste që më të vërtet i përkasin skemës sociale. Rasti i veteranëve të luftës është dashur të menaxhohet më mirë si proces, pasi që është rritur numri në mënyrë të theksuar që është barrë për buxhetin e Kosovës, por nuk e konsideroj që e cenon apo destabilizon aspektin financiar të buxhetit të Kosovës” thotë ai.

Ai nënvizuar se Kosova ka hapësirë ligjore që të rrisë edhe borxhin publik në favor të investimeve.

“Ka ende hapësirë që të rritet borxhi publik, po e jap edhe si këshillë se ka nevojë të rritet ky borxh, por që rritja e borxhit publik duhet të rritet kujdesshëm, të investohet aty ku krijohet vlera jo ku nuk krijohet vlera. Të gjithë pajtohemi se pa hyrë borxh nuk mund të zhvillosh ekonominë, por duhet aty të bëhet me qëllim që të ketë vlerë të shtuar ai investim që është bërë”, ka nënvizuar ai. /Telegrafi/