LAJMI I FUNDIT:

ELEGJI

ELEGJI

Gaius Valerius Catullus (Katulo)
Shkroi dhe përktheu: Majlinda Bregasi

Lindi në Verona në vitin 84 para Krishtit. Nëse duam ta vendosim në kornizën e kohës, u lind pesëmbëdhjetë vjet pas Lucrecios, katërmbëdhjetë vjet para Virgjilit (Publius Vergilius Maro), pesëmbëdhjetë vjet para Oracios (Quintus Horatius Flaccus). Duke qenë se familja e tij ishte një nga më të pasurat e Veronas, në moshën 18-vjeçare Katulo shkon në Romë dhe bëhet pjesë e qarqeve elitare artistike e politike.


Nëse Saffoja njihet si poetja e dashurisë, Katulo është poeti, sepse dashuria është kryetemë e tij. Poezitë kushtuar Lesbias së tij (në nderim të Saffos) kanë mbijetuar mijëvjeçarë poezish dashurie duke ardhur sot me atë pasion aq lehtësisht të identifi­kueshëm.

Kush ishte Lesbia nuk është më një sekret për ne, njerëzit e kohëve moderne, që gërmojmë pa pardon në jetën e njerëzve që hodhën themele në mënyrën tonë të të menduarit, atyre që krijuan modele në mënyrën e konceptualizimit të artit.

Apuleio në Apologjinë e tij, kapitulli X, shkruan se Lesbia e Catullos ishte një farë Clodia, motra e dytë e Publius Clodius Pulcher. Në Romën antike vajzat që lindnin pas një djali merrnin emrin e vëllait, ndaj edhe Publius Clodius Pulcher që kishte tri motra, kishin emrat Clodia I, II dhe III. Clodia II, lindur më 95-94 para Krishtit, ishte Lesbia e Katulos.

Kërkuesi modern nuk mjaftohet me identifikimin e emrit e familjes së Clodias. Hulumtuesi modern kërkon ta rindërtojë historinë e njërës nga dashuritë më të famshme në historinë e njerëzimit. Kështu që arrijmë në vitin 62 para Krishtit, në njërën nga vizitat që Katulo bën në familjen e vet në Verona. Aty gjen mysafirë administratorin e provincës së Cisaplinas, mikun e Ciceronit, Quintus Caecilius Metellus Celer, me gruan e tij Clodia, 32-vjeçare, e bukur e tejet joshëse, ideale për ta joshur marrëzisht 22-vjeçarin Katulo. Klodia ishte dashuria e tij e parë, e vetme dhe unike.

Më pas Klodia kthehet në Romë, ku i shoqi në vitin 60 bëhet konsull, dhe mes Romës e Veronës, historia e dashurisë së saj me Katulon regjistrohet në vargjet më unike të lirikës së dashu­risë. Në vitin 59 Q. Cecilio Metello Celere vdes në rrethana të paqarta. Kjo ngjarje bëri që të qarkullonin fjalët se ai ishte hel­muar nga gruaja. Madje Ciceroni, i cili nuk kishte asnjë simpati ndaj poetae novi, në ‘Pro Caelio’ shkon aq larg saqë e akuzon Klodian edhe për incest me të vëllanë duke e përshkruar si një grua shumë sensuale, por edhe provokuese dhe prostitutë të paturpshme. Ndoshta ky mund të ketë qenë një reagim emocio­nal i Ciceronit pas humbjes së mikut, ndaj studiuesit e hedhin poshtë idenë që Klodia të ketë qenë ashtu si e përshkruan ai. Sigurisht qe Klodia ka qenë një grua pasionante e sigurisht që do të ketë pasur edhe dashnorë të ndryshëm, por kjo ka qenë një sjellje normale e kohës për klasën së cilës ajo i përkiste.

Ajo që mbetet e rëndësishme për letërsinë, prodhim i dashurisë në limitet e çmendurisë, janë lirikat e Catullos, ku ndjenjat eks­treme e mundojnë poetin deri në dhimbje fizike.

Odi et amo. Quare id faciam, fortasse requiris.
Nescio, sed fieri sentio et excrucior.

Të dua e të urrej. Si mund të ndodhë kjo, ndoshta mund të pyesësh.
Nuk e di, por e ndiej dhe vuaj.

Asgjë nuk e ndihmon dot poetin, as perënditë të cilave u lutet më kot që ta çlirojnë nga kjo dashuri e tmerrshme e cila zgjat deri në vitin 58, vit i cili qe dramatik për poetin. Vëllai i madh i vdes në Azi dhe varroset në bregdetin e Dardanelleve. Catullus shkon në Verona të marrë të atin. Nisen për në Azi por, më kot, nuk e arrijnë dot funeralin. Gjithë dhimbjen e madhe për hum­bjen e të vëllait e shkruan në një poezi, së cilës i paraprin një hyrje. Poezinë ia dërgon një nga miqve që i kishin mbetur bes­nikë në Romë, poezinë që shenjoi lindjen e elegjisë duke qenë njëkohësisht një nga elegjitë më të bukura që janë shkruar ndo­njëherë në letërsi, ku eleganza e kompozimit përputhet me sin­qeritetin e patosin e ndjenjave.

Multas per gentes et multa per aequora vectus
advenio has miseras, frater,
ad inferias,
ut te postremo donarem munere mortis
et mutam nequiquam
alloquerer cinerem.
Quandoquidem fortuna mihi
tete abstulit ipsum.
Heu miser indigne frater adempte mihi!
Nunc tamen interea haec,
prisco quae more parentum
tradita sunt tristi munere ad inferias,
accipe fraterno multum manantia fletu,
atque in perpetuum, frater,
ave atque vale

Shumë njerëz e dete kalova,
për të mbërritur në këtë funeral,
i mjerë, o vëlla,
për të të sjellë dhuratën
më të mirë të vdekjes
dhe për të folur më kot
me hirin tënd të heshtur.
Pasi që fati të rrëmbeu,
pikërisht ty.
O vëlla i mjerë
si të shkulën nga zemra ime!
Tashmë gjithë këto dhurata,
që po i lë si e do zakoni
traditat janë të dhimbshme për funeral,
pranoi se janë të lara me lotët e vëllait,
të përshëndes përjetësisht,
o vëlla, lamtumirë.

Carme V

Vivamus, mea Lesbia, atque amemus,
rumoresque senum severiorum
omnes unius aestimemus assis
soles occidere et redire possunt;
nobis cum semel occidit brevis lux,
nox est perpetua una dormienda.
Da mi basia mille, deinde centum,
dein mille altera, dein secunda centum,
deinde usque altera mille, deinde centum;
dein, cum milia multa fecerīmus,
conturbabimus illa, ne sciamus,
aut ne quis malus invidere possit,
cum tantum sciat esse basiorum.

Të jetojmë, Lesbia ime, e të duhemi,
fjalët e ashpra të pleqve t’i zhdukim
diejt mund të perëndojnë e të lindin
ne, me t’u fikur kjo dritë e shkurtër
nata është një gjumë i përjetshëm
Jepmë një mijë puthje, pastaj njëqind
pastaj një mijë të tjera, pastaj edhe njëqind
pastaj, kur të jemi puthur mijëra herë
le t’i ngatërrojmë, mos t’i dime
që syri i keq mos të na shohë
që kaq shumë jemi puthur

LI

Ille mi par esse deo videtur,
ille, si fas est, superare divos,
qui sedens adversus identidem te
spectat et audit
dulce ridentem, misero quod omnis
eripit sensus mihi: nam simul te,
Lesbia, aspexi, nihil est super mi
[tum quoque vocis,]
lingua sed torpet, tenuis sub artus
flamma demanat, sonitu suopte
tintinant aures, gemina teguntur
lumina nocte.

Ai më duket sikur shoh një Zot,
mund të thuhet se ai i tejkalon gjithë Zotat,
ai që të ulet përballë e herë pas here
të shikon e të dëgjon
ndërsa ti qesh ëmbëlsisht,
e që mua të mjerit më shkul çdo ndjesi.
Se sapo të shoh, Lesbia,
asgjë më nuk mbetet në mua
(as një grimë zë).
Gjuha më ngin,
një fije flakë merr turr nëpër trup,
një zhurmë më ushton në veshë
dhe për këta dy sytë e mi
vjen nata.

LXXXVII

Nulla potest mulier tantum se dicere amatam
Vere, quantum a me Lesbia amata mea est:
nulla fides ullo fuit umquam foedere tanta,
quanta in amore tuo ex parte reperta mea est.

Asnjë grua s’mund të thotë që ka qenë kaq e dashuruar
Sa ka qenë e dashura ime Lesbia.

Asnjë besnikëri në asnjë pakt nuk ka qenë aq e madhe
sa dashuria për ty që lindi nga unë.

CIV

Credis me potuisse meae maledicere vitae,
ambobus mihi quae carior est oculis?

Non potui, nec, si possem, tam perdite amarem,
sed tu cum Tappone omnia monstra facis.

Mendon që do mundja të flisja keq për jetën time,
për atë që e kam më të shtrenjtë se këta sy?

Jo, nuk munden kur e dua deri në çmenduri,
Por je ti, me atë Trapin, që bëni poshtërsi.

Është pikërisht vargu i fundit që i ka çorientuar studiuesit. Kujt i drejtohet Catullus me këtë varg? Kenneth Quinn (The poems, London, 1970: 443) jep dy hipoteza, ose i drejtohet Lesbias, ose lexuesit, i cili kërkon që ai të flasë keq për Lesbian e tij. Por të gjitha këto janë rrugëtime për t’u zbuluar për hulumtuesit e lexu­esit e apasionuar. /Revista “Akademia”/Telegrafi/