LAJMI I FUNDIT:

Edith Durham dhe çorapet e gjyshes sime

Edith Durham dhe çorapet e gjyshes sime

Kur vinte vjeshta, gjyshja fillonte punën e thurjes së çorapeve të leshta. Materialin e siguronte gjatë verës. Gjatë asaj kohe, ajo m’i jepte disa lëmsha, zakonisht tre, dhe më tregonte se njëri duhej të ngjyhej me ngjyrë të kuqe, një me të zezë dhe një ngjyrë qelibari. Së bashku me porosinë, unë i dërgoja lëmshat të bojaxhiu, i cili e kishte punëtorinë në hyrje të një sokaku karshi me tregun e qytetit.

Gjyshja e fillonte thurjen me lëmshin e zi. Me këtë ngjyrë e thurte pjesën e gishtërinjve. Pastaj vazhdonte me lëmshin e bardhë dhe të thembra vinte sërish e zeza. Kur e kryente thembrën më urdhëronte që të ulesha afër saj në minder ose në shilte. I largonte kërrabëzat, e merrte këmbën time dhe e vendoste në shputën që e kishte punuar për të parë nëse më binte tamam. Mbi pjesën e thembrës, me vazhdimin e thurjes, fillonte ta zbatonte një dizajn të saj që i thoshte yrnek. I kombinonte ngjyrat dhe në fund dilte një figurë zigzage me simetri gjeometrike. Kjo pamje, deri-diku hasej edhe në punimet e qilimave dhe janave që bëheshin atëherë në vek.


Aspak nuk i kam dashtë këto çorape. Me to e kisha vështirë ta fusja këmbën në çizme. Edhe më vështirë ishte kur i zbathja për shkak se mbeteshin në çizme dhe këmbët dilnin të zbathura. Ishte më lehtë kur kisha ‘toplinka’ por ato mua m’i blinin rrallë për shkak se ishin më shtrenjtë se çizmet e gomës që prodhoheshin në Borovo ose Pirot. Arsyeja tjetër ishte shpotitja që vinte pamëshirshëm nga fëmijët që ishin më të mëdhenj se ata të moshës sime unë i zapoja lehtë. Më thoshin fshatar kur më shihnin mbathur me këto çorape dhe unë nuk dëshiroja të identifikohesha kështu. Në atë kohë, në qytetet tona ka ekzistuar një urrejtje e kultivuar me intensitet të madh kundër fshatit.

Çorapet e leshta më krijonin edhe një problem tjetër. Tojat me të cilat ua lidhja grykën, dilnin nga vegëzat dhe zhagiteshin përtokë. Në këtë rast, dikush gjithmonë guxonte të m’i shkilte dhe unë rrëzohesha në borë apo akull që atëherë kishte me bollëk. Pastaj ngritesha për t’u hakmarrë dhe përleshja përfundonte me hundë të përgjakura. Megjithatë, përkundër dëshirës sime dhe pasojave të pakëndshme, unë nuk hiqja dorë nga çorapet e leshta.

Me kalimin e kohës, gjërat ndryshuan. Në treg erdhën çorape të ndryshme të dimrit, si duket me çmime të volitshme, dhe gjyshja mbeti pa punë. Por, ajo nuk e pranonte këtë realitet. Dimri, sipas saj, nuk kishte kuptim pa çorape të leshta. Para fillimit të dimrit ajo na pyeste me radhë duke na u lutur ‘a t’i maroj lokja ni parë çerapa’? Të gjithë ne fëmijët i përgjigjeshim me shpejtësi dhe vendosmëri: ‘Jooo…’! Në shenjë habie ajo e tundte kokën dhe thoshte duke u betuar se ‘pa çerapa t’leshta e merrni iletin’. Dhe, kështu çorapet e leshta, sidomos ato të llojit të gjyshes sime, dolën nga moda dhe nga prezenca në shtëpitë e këmbët tona.

* * *

Dje, me dy miqtë e mi, Arbenin dhe Petritin, shkuam në njërin nga muzetë e shumta të Londrës. Shkuam për arsye se aty kanë ardhur për t’u ekspozuar disa veshmbathjet të cilat Edith Durhami i kishte sjellë në Londër nga Shqipëria, në fillim të shekullit XX. Pra, para më shumë se 100 viteve. Kishte edhe eksponate të vendeve tjera por, për ne, dhe pothuaj edhe për të gjithë vizitorët tjerë, shumica dërmuese gra, vëmendjen e tërhiqnin rrobat e Shqipërisë. Një fustan, i shënuar si ‘Giubba’ që është xhubletë, qëndronte në pjesën prominente të sallës. Ishte impozant dhe askush nuk kalonte pa e studiuar mirë dhe pa u mahnitur.

Veshje nga Peja

Eksponatet tjera ishin po ashtu mbresëlënëse. Vëmendjen e tërhiqnin sidomos jelekët e punuar me përkushtim të madh dhe mjeshtëri të rrallë. Veshmbathja e shqiptarëve në shekuj është shënuar si e mrekullueshme nga të gjithë udhëpërshkruesit që i kanë vizituar tokat shqiptare që nga shekulli XVIII. Në atë kohë, të tjerët visheshin si shqiptarët. Një ndër portretet më të bukura dhe më të famshëm në botë është ai i Lord Bajronit me veshjen shqiptare. Një popull që ka patur dashuri të madhe për veshje duhet të ketë të kaluar të vlefshme.

Veshje nga Zadrima

Edith Durham i ka dashur shqiptarët dhe Shqipërinë pa kusht dhe pa masë. Në çfarëdo paraqitje që ka bërë në Londër e gjetiu, ka folur në favor të çështjes shqiptare dhe gjithmonë ka bërë me dije për padrejtësitë dhe masakrat që grekët, serbët dhe malazezët kanë kryer ndaj shqiptarëve. Kështu ishte edhe me rastin e paraqitjeve të eksponateve në fjalë. Ta zëmë, nën legjendën që flet për rrobat që janë nga Peja, ajo flet për masakrat e malazezëve ndaj shqiptarëve të Pejës dhe rajonit. Për ato të Beratit ajo ka shënuar sesi këto rroba të mrekullueshme i kishte dhuratë nga bejlerët e Beratit si shenjë falënderimi për kujdesin që ajo tregonte për Shqipërinë. Me këtë rast, Durham, në legjendën shpjeguese të rrobave flet sesi ka shkuar në Berat dhe në jug të Shqipërisë, së bashku me gazetarin e famshëm Nevison të ‘The Times’-it për të shkruar për shtypin britanik në lidhje me masakrat greke në këto anë. Me fjalë tjera, Durham edhe në revytë e modës flet për masakrat që kanë përjetuar shqiptarët.

Veshje nga Berati

Unë u shtanga para një tavoline, nën xhamin e së cilës ishin tri eksponate nga Zadrimja. Aty ishin çorapet shumë të ngjashme me ato që m’i thurte gjyshja ime. Moment mjaft rrëqethës dhe melankolik, për të kaluarën. Është moment kur brenda pak sekondave para syve ju shfaqen njerëz të dashur dhe shumë vite të largëta të fëmijërisë.

Veshje nga Shkodra

Edith Durham me punën e saj ka luajtur rol dhe ndikim te unë dhe te shumë njerëz tjerë. Por, unë kurrë nuk kam pritur që ajo në Londër të ma sjell kujtimin për gjyshen dhe fëmijërinë time. Do të duhej të ishim të lumtur sikur ta dinim dhe çmonim vetëm përafërsisht sa shumë punë ka bërë Edith Durham për ne. /Telegrafi/

Nje fustan mbreselenes nga Shkodra. Kete fustan ne Londer e solli Edith Durham ne fillim te shek. XX. Fustani tashti eshte eksponat ne museume britanike ku qendron per t’i mahnitur vizitoret.

Publiée par Daut Dauti sur Samedi 1 février 2020