LAJMI I FUNDIT:

Duke kujtuar Gëzim Erebarën

Duke kujtuar Gëzim Erebarën

Luan Rama

Një ditë, duke kërkuar në bibliotekën time, dora më ndaloi në një botim të vjetër të para dhjetë vjetëve, Shkëlqimi i meteorëve, botuar nga “Toena”, ku kisha përmbledhur një sërë artikujsh mbi kinematografinë franceze dhe veçanërisht për aktoret franceze dhe lojën e aktrimit, atë çka ndodhte në sheshin e xhirimit, magjinë e krijimit. Ç’lloj qeniesh ishin aktoret? Ishin ato të brishta, të fshehta, narcise, apo që dhuronin shumë dashuri?


Kishin kaluar dhjetë vjet dhe shumë gjëra kishin ndryshuar. Aktoret franceze kishin bërë udhë, kishin interpretuar role të reja, duke u duartrokitur gjithnjë nga publiku. Annie Girardot ishte sëmurë me alzheimer. Ajo nuk dilte më në skenë, edhe pse fjala e vetme “motor”, asaj i sillte menjëherë në kujtesë aktrimin dhe magjinë e krijimit të rolit, filmit. Catherine Deneuve, edhe pse në moshë të thyer, si gjithnjë vazhdonte të shfaqej në film me atë fisnikërinë e saj të dukshme, ndërsa Jeanne Moreau kishte mbetur gjithnjë moskokëçarëse ndaj pamjes së saj edhe pse ishte mbushur me rrudha…

Miku im, regjisori Gëzim Erebara, sapo kishte vdekur. Ishim njohur në Kinostudio në fillimin e viteve ‘80-të. Kineast i ri, pata fatin ta njihja nga afër dhe të shkruaja me të skenarin tim të parë për një film artistik, “Vajzat me kordele të kuqe”. Pastaj shkruajta dhe një skenar tjetër, “Një jetë më shumë”, që ai do ta realizonte bashkë me Gavrosh Haxhihysen, operator Spartak Papadhimitri dhe asistent regjisor të palodhurin Shkëlqim Daja.

Ishte pasioni i kinemasë që n’a lidhi. Tani që e kujtoj, më vjen të qesh, pasi shpesh, kur pasi kishim qëndruar gjithë paraditen në kafenenë e vjetër “Kursal”, e cila më pas u quajt “Kafene Rinia”, ku strukeshim në një nga këndet e lokalit, vendi ynë i preferuar ku takoheshim, kur vinte dreka unë e përcillja në këmbë deri në shtëpinë e tij. Gjatë gjithë rrugës, me çantën nën sqetull, ai më fliste për histori aktorësh, të preferuarit e tij, për regjisorë dhe ndodhi në botën e kinemasë dhe kur vinte momenti të ndaheshim, i pasionuar siç ishte, ai kthehej të më përcillte deri në shtëpinë time, duke vazhduar të më tregonte njërën histori pas tjetrës. Dhe unë, për mos ta lënë të kthehej vetëm, e shoqëroja pastaj përsëri deri në gjysmë të rrugës dhe më së fundi përtej Bibliotekës Kombëtare ndaheshim. Tashmë “Kursali” nuk ekziston më. Kafeneja e bukur me lulishten përpara mjerisht u prish, për t’i lënë vend bazamentit të shtatores së Enver Hoxhës.

Gëzim Erebara jetonte me botën e kinematografisë botërore, me veprat e regjisorëve Grifith, Ejzenshtein, Lubitch, De Sica, Stroheim… Shpesh kujtonte vitet e rinisë, kohën e studimeve të tij në Pragë në shkollën e kinematografisë, kthimin e tij në Shqipëri dhe hapat e para në kinematografi, duke më folur pastaj për Viçeslav Nezvalin, një poet avangardist, një poemë e të cilit u ekranizua nga Hollivudi. Ky njeri ishte një enciklopedi e vërtetë dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme: emra aktorësh, regjisorësh, datash, anekdotash. Ti e pyesje për vëllezërit Lumière, shpikësit e kinematografit, apo për të parin gjeni të kinematografisë, George Meliès dhe ai fillonte të tregonte historinë e krijimit të artit të shtatë. Ti pyesje për Renoirin apo René Clairin dhe ai të fliste për romantizmin poetik francez, Marcel Carné, Duvivier, pa harruar aktorin e madh Michel Simon… Fliste për Godardin dhe Truffautin dhe ai të mbante një ligjëratë të gjatë për shkollën e “Valës së Re” franceze të viteve ‘60-të në Francë.

Sa herë kthehesha nga shtëpia e tij kthehesha me një libër në frëngjisht… libra poetikë si ata të serisë së botimit “Seghers”, apo vëllimet poetike të Pierre Reverdy, Paul Eluard, Jacques Prevert, René Guy Cadou apo dhe disa libra të disidentëve rusë që atëherë ishin të ndaluar. Një nga ato ditë më dha di libra njëherësh: një libër të Isac Babel dhe një tjetër të Bulgakov. “Bëj kujdes më tha”… Nga ai mësova shijen e kinemasë dhe kureshtjen për të depërtuar në magjinë dhe gjuhën e filmit, pasi dhe filmi, si çdo art, kishte gjuhën, metaforat dhe figurat e tij. Sa herë i shkoja në shtëpi, një shtëpi tiranase, në bibliotekën e tij pikasja librat e mjeshtërve të mëdhenj të kinemasë: aty ishin librat e Jean Renoir, autorit të kryeveprës “Iluzioni i madh”, Abel Gance, regjisori i filmit “Napoleoni”, Jean Duvivier, René Clair, Marcel Carné, esteti Jean Mitry apo George Sadoul, historiani i kinematografisë; libra biografikë apo të estetikës së kinematografisë. Nga ai mësova gjithashtu dhe për emrin Henri Langlois, njeriun që ngriti Cinémathèque Française për të shpëtuar nga shkatërrimi gjithë filmat e vjetër dhe atë trashëgimi të paçmuar të artit filmik botëror.

Kur binte fjala për kinematografinë franceze, ai fliste shpesh regjisorin Alain Resnais, autorin e filmit që e bëri shumë të njohur, Hiroshima mon amour (Hiroshima, dashuria ime), shkruar nga shkrimtarja e preferuar e francezëve në atë kohë, Marguerite Duras. Filmi i tij dokumentar, Nuit et Brouillard, (Natë dhe mjegull), mbi kampet naziste të përqendrimit, kishte bërë atëherë mjaft jehonë, por filmat e tij nuk mund t’i shikonim atë kohë në ekranet shqiptare, ku shfaqeshin veçse filma të huaj historikë, apo filma të revolucionit kulturor kinez. Kur më foli për Hiroshima mon amour, ai më nxiti të gjeja një revistë të l’Avant Scène du cinéma, ku ishte botuar skenari i këtij filmi, i shoqëruar nga disa fotografi me aktorët kryesorë. Duke parë fotografinë e aktores Emmanuelle Riva, që luante rolin kryesor, u përpoqa të rikrijoja skena dhe imazhe, zhvillimin e atyre ngjarjeve në kohën e fundit të Luftë së Dytë Botërore. Ishte historia e një dashurie tragjike, dashuria e një vajze franceze me një ushtar gjerman që vritet ditët e fundit të luftës. Sigurisht, për ne shqiptarët atë kohë kjo dashuri ishte një lloj herezie ndaj realizmit socialist dhe “patriotizmit revolucionar”, por unë, me atë frëngjishten time të çalë u ula dhe e përktheva në disa fletë të holla ngjyrë rozë. Të parit që i a dhashë ishte miku im Nexhati Tafa, skenarist i talentuar dhe që e çmoja shumë. Pra, ishte një film për Paqen, siç thoshte në një dialog dhe aktorja e atij filmi, e cila tragjedinë personale të luftës e rijetonte tashmë në qytetin martir të Hiroshimës:

“- Në çfarë filmi interpretoni?

– Në një film për Paqen. Ç’mund të xhirohet tjetër në Hiroshima veçse një film për Paqen?… Në fillim ne takoheshim në hambaret dhe rrënojat, më pas nëpër dhoma e kudo. Pastaj ai u vra. Dashuria ime që u vra, ishte një armik i Francës…”

Bashkë me Gëzim Erebarën ne realizuam dhe një film dokumentar për përvjetorin e historisë së kinematografisë botërore, në vitin 1985. Ishte e çuditshme, se kur tregonte për kinematografinë franceze, ai më fliste për rrugë, sheshe xhirimi, apo ndërtesa e vende që lidheshin me filmat e realizuar, apo vetë autorët, aktorët, regjisorët, operatorët, studiot e montazhit. Ai i dinte ato ekzaktësisht, edhe pse nuk i kishte parë kurrë. I dinte më mirë se vetë një francez. I kishte parë në fotografi librash, revistash, dhe i kishte imagjinuar të animuara, ato rrugë që kryqëzoheshin, zgjateshin e formonin sheshe atje ku filmi kishte lënë gjurmët e tij.

Ai e njihte Parisin në një botë imagjinare edhe pse nuk e kishte shkelur kurrë atë. Para tre vjetësh e ftova që të vinte në Paris dhe ta shoqëroja në të gjitha vendet mitike të kinematografisë, ta çoja në Grande Café, në bulevardin e Italianëve, për të cilën më kishte folur aq shumë dhe ku ishte shfaqur për herë të parë filmi i vëllezërve Lumière, Dalja nga uzina (Sortie de l’usine), apo dhe në shumë vende të tjera ku ishin xhiruar filmat mitikë, studiot kinematografike të Billancourt etj. Dhe kështu ne do të rifillonim nga bisedat tona të gjata e të pambarimta. Por, mjerisht miku im nuk erdhi. Pas një sëmundje të gjatë vdiq me trishtin që nuk e vizitoi atë vend që e kishte ëndërruar aq shumë në rini të tij. Vdiq me një Paris imagjinar në sy.

Ja pse kur e rimora përsëri këtë libër në duar, menjëherë m’u shfaq miku im Erebara, njeriu fisnik që kur i drejtohej tjetrit, edhe pa e njohur, i thoshte “i dashur mik”. Për shumë çaste nuk m’u shqitën sytë nga ajo botë e paqtë e tij, nga ajo botë inteligjente, e mençur dhe bujare. Ndoshta dhe atje ku është, mbase e dëgjon përshëndetjen time, si 30 vjet më parë…