LAJMI I FUNDIT:

Dorëheqja e Presidentit Sejdiu morale apo…?

A e ka ditur Presidenti se po e shkelë Kushtetutën? Nëse ai si i pari i këtij vendi dhe njeri ndër përpiluesit e aktit më të lartë juridik të vendit nuk e paska ditur ose paska menduar se duke i ushtruar dy funksione nuk e shkelë atë, kush është dashur ta dijë? Dorëheqja akt moral apo i detyruar nga ndërkombëtarët? A ka cinizëm apo sinqeritet në dorëheqjen e Sejdiut ndaj qytetarëve dhe elektoratit të LDK-së? A është fillimi i fundit i respektimit të Kushtetutës në këtë vend dorëheqja e Sejdiut, rasti Qeska etj?

Qytetarët e Kosovës sipas të gjitha hulumtimeve të opinionit të tyre, shprehen se ushtrimi i funksionit të Presidentit si i duplifikuar me atë të Kryetarit të LDK-së nga ana e Sejdiut dhe intervenimi i Kryeministrit Thaçi në rastin Qeska që ai të kthehet në postin e Kryetarit të Komunës së Rahovecit pas dorëheqjes (me të cilën dorëheqje me Kushtetutë mandati i Kryetarit merr fund), janë dy majat e Ajsbergut (Iceberg) në shkeljen dhe dhunimin më të rëndë që mund t’i bëhet kushtetutës nga dy njerëzit me funksione më të larta në vend. A e humb çdo kuptim çfarëdo akuze ndaj atyre qe e shkelin ligjin?


Duke ushtruar funksionin e dyfishtë të Presidentit dhe të kryetarit të LDK-së, Sejdiu jo vetëm që bën shkelje të Kushtetutës, por e dëmtoi LDK-në në themel. Ai bashkë me Kryetarin e LDD-së, Dacin ishin fajtorët kryesorë për “kuvendin e karrigeve” (dhjetor 2006), madje ndoshta Sejdiu më fajtor se Daci, për gjendjen në të cilën u soll partia më e madhe shqiptare deri në atë kohë. Duke ngrirë funksionin (kategori që nuk e njeh asnjë normë juridike), Sejdiu u shndërrua në uzurpator të funksionit të Kryetarit të LDK-së pa e ushtruar atë. Elektorati e di mirë sa është dëmtuar LDK-ja në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të 15 nëntorit 2007, ku ajo u përgjysmua më rezultate zgjedhore me efekt të vogël elektoral dhe ndikim të vaktë tek simpatizuesit.

Ç’është e vërteta në dy palë zgjedhjet e fundit ato të vitit 2007 dhe 2009, fitorja e PDK-së nuk është krejt meritë e kësaj të fundit, por rezultat i humbjes dhe përçarjes në LDK, ku hisja më e madhe i takon zotëri Sejdiut “të ngrirë”, i cili tash për të udhëhequr apo përçarë edhe njëherë LDK-në. Thuhet se kthimi i tij në krye të partisë do ta forcojë atë për të ardhmen. Unë mendoj se poenta kryesore e interesimit të elektoratit duhet të orientohet në kthimin e Sejdiut si Kryetar i LDK-së në kohën kur në këtë parti janë shpallur zgjedhjet në të gjitha nivelet, madje në kohën kur plot nëndegë, degë, forume të rinisë dhe ai i gruas i dërgojnë telegrame përkrahjeje për t’i dhënë përkrahje blanko. Tash kjo pas dorëheqjes së Sejdiut nga klanet parapolitike mund të bëhet edhe më me vulg dhe kjo do të jetë tejet e dëmshme për LDK-në. Ai që me “kuvendin e karrigeve” dhe funksionin “e ngrirë” të Kryetarit të LDK-së, e solli këtë parti në nivel poshtërues nga niveli i një krenari të theksuar kombëtare, nuk i duhet LDK-së.

Ata që i duan të mirën këtij vendi dhe LDK-së duhet të kërkojnë edhe shkarkimin e Sejdiut nga Kryetari i LDK-së apo moskandidimi i sërishëm i tij në këtë post. Klanet papapolitike ndoshta për përfitime të vetat në koniukturat e koalicionit apo që e shfrytëzojnë autoritetin e Sejdiut, të LDK-së si trampolinë, do të presin Sejdiun “e shkrirë” si shpëtues të LDK-së. Prandaj, do të shtrohet dilema e madhe: Sejdiu po kthehet “i shkrirë” politikisht në LDK, apo i shkrirë nga koha e perëndimit të kohës së tij? Sejdiu po kthehet si “shpëtues” i LDK-së që pak mund të besohet pas gjithë lëvizjeve tektonike brenda kësaj partie, apo po kthehet si “kalë Troje” pas “kuvendit të karrigeve” kur LDK-ja e morri rrugën rrënimit dhe të tatëpjetës?!

(Autori është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Hulumtimeve për Demokratizim dhe Integrim DOXA)