LAJMI I FUNDIT:

De-coca-colonizimi dhe Kosova sot

De-coca-colonizimi është neologjizëm, nënkupton mendimin dhe veprimin politik, por edhe kulturor, i cili kundërshton dhe mundohet ta reduktoj e parandaloj përhapjen e të mirave dhe vlerave kulturore, ekonomike e politike dhe të tjera të botës perëndimore, posaçërisht të ShBA-ve, tek të tjerët. De-coca-colonizimi konsideron se ka invazion kulturor, ekonomik dhe politik nga bota perëndimore të cilat rrezikojnë kulturat lokale, vetë vendosjet politike dhe pavarësitë e natyrave të tjera. De-coca-colonizimi është edhe antiglobalizëm. Këtë frymë kulturore dhe politike e gjejmë në vende të ndryshme të botës, posaçërisht tek ato që kanë politika antiamerikane. Të shpeshtën fryma e de-coca-colonizimit shkon paralel me konceptet majtiste, por viteve të fundit ato i gjejmë edhe tek konceptet islamiste. Kjo frymë jo e re politike është prezente ku më shumë e ku më pak edhe në Evropë, atë gjithsesi mund ta gjejmë edhe në Ballkan.

Të kësaj natyre dhe me nuanca autoktone, është ta zëmë de-coca-colonizimi në Serbi. Dy deceniet e fundit kjo frymë është e shprehur larg më shumë se sa që mund ta gjenim zakonisht atë në mendimin dhe kulturën politike serbe. Kjo është e determinuar nga lufta e fundit ku Serbia është bombarduar nga forcat e NATO-s. Shumë serbë mendojnë se Serbia pas përfundimit të luftërave për shkak të këtyre intervenimeve është defaktorizuar krahasuar me gjendjen që dikur kishte në rajon, por edhe në krahasim me potencialin e përgjithshëm që ka aktualisht. E vërteta është se pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ndryshimeve kualitative në Ballkan, faktori Serbi për herë të parë po vije në vendin e saj të ri gjithsesi të merituar. Kjo mund të ndryshoj në të mirë të Serbisë edhe pse jo shumë, por gjithsesi për aq sa Serbisë në Ballkan dhe më gjerë, i shkon për dore të bëhet edhe gjenerator i paqes dhe stabilitetit si dhe frymës së bashkëpunimit. Anti-Coca-colonizimi serb është ende i fortë që Serbia brenda një afati të shkurtë të mund të bëhet e tillë.


Edhe në Greqi një frymë është e pranishme, gjithsesi jo e theksuar sa dhe si në Serbi, por krahasuar me vendet e tjera në Ballkan atje një anti-coca-colonizimi një si qasje, një koncept politik i natyrës është i shtrirë më shumë dhe më gjerë se gjetiu në rajon. Në të parë kjo të duket e çuditshme kur dihet se qytetërimi perëndimor shtyllat kruciale i ka mu tek Greqia, apo thënë më saktë te konceptet fillestare politike e filozofike të saj. Por duket se në Greqi si rrjedhojë e të qenit të këtij kombi edhe pjesë aktive e qytetërimit ortodoks, janë krijuar lidhjet e forta me idetë dhe konceptet majtiste. Sot Greqia është një nga vendet e pakta evropiane ku ka parti komuniste në parlament me ndikim të theksuar dhe ku konceptet majtiste kanë shpesh frymë anti-perëndimore. Këtu qëndron edhe baza mbi të cilën ngrihet edhe ideja e de-coca-colonizimit që e gjejmë të shfaqur sheshazi në protesta, sikundër ishin ato kundër intervenimit të NATO-s në Serbi apo ato antiglobaliste. Kjo frymë herë t’i kujton ideologjitë e disa vendeve latino-amerikane, herë idetë e lëvizjes komuniste tё Kurdistanit, herë konceptet e Fidel Kastros e herë të Hugo Shavezit. Mbase është kjo frymë ajo që po e pengon Greqinë ta luaj një frymë më konstruktive në integrimin e Ballkanit në BE.

Sipas shumë sondazheve Kosova dhe përgjithësisht shqiptarët vazhdojnë të mbesin më proamerikanët jo vetëm në Ballkan. Arsyet i dimë mirë, edhe pse vlen të ceket se pro-uesternizmi shqiptar është më i hershëm se sa ardhja dhe intervenimi i amerikanëve në Ballkan, apo thënë ndryshe, sesa rritja liberal –demokratike e amerikanëve për t’i arritur këndet e ndryshme të planetit. Megjithëkëtë duke përcjellë me vëmendje atë çfarë thuhet dhe si thuhet dhe duke marrë parasysh kush dhe pse e thotë, mund të konstatohet se ka indice që na japin të drejtë të konstatojmë se në Kosovë ka një frymë në rritje të de-cocacolonizimit. Atë e gjejmë në dy variante.

Në variantin e parë këtë frymë e gjejmë tek ajo pjesë e qytetarëve të Kosovës të shpeshtën të rinj, të cilët kanë përqafuar idetë islamiste të përhapura në Kosovë, sidomos pas luftës. Tek ata ndjenjat dhe idetë e de-coca-colonizmit nuk shprehen me vrazhdësitë e mohimit dhe veprimit ekstrem, por ato shprehen më shumë me kritika dhe vlerësime negative p.sh. ndaj intervenimeve të botës perëndimore, posaçërisht SHBA-ve, në shtetet e ndryshme me popullsi myslimane si në Irak, Afganistan, Palestinë etj. Tek ata feja dhe kultura islame, e interpretuar në mënyrën e tyre, zë vend larg më primarë sesa kombi dhe shteti. Për një pjesë të tyre është më brengosëse se çfarë ndodhë me fatin e Irakut, sesa veriut të Kosovës, fatit të Palestinës, sesa integrimeve shqiptare në Ballkan apo të Ҫeçenisë sesa integrimit të Kosovës në BE. Ndërkaq në planin e brendshëm në Kosovë kjo frymë kritike p.sh. për fenomenet negative socio-kulturore si prostitucioni, alkoolizmi, korrupsioni etj, fajëson shpesh konceptet liberal-demokratike, kulturën perëndimore dhe si zgjidhje mundohen të ofrojnë konceptin e ri politiko-islamistë. Edhe pse e re kjo frymë, megjithëkëtë nuk është e përhapur shumë, as edhe nuk mund të gjendet e fortë nëpër institucione, bile as në ato fetare.

Në variantin e dytë de-coca-colonizimi shprehet me karakteristika autoktone të Kosovës, jo të njohura më parë. Kjo frymë gjithsesi është e përhapur tek një pjesë e të rinjve të cilët për pengesat dhe problemet e jetësimit të plotë të pavarësisë së Kosovës, fajsojnё involvimin e shteteve të ndryshme perëndimore e jo rrallë edhe të ShBA-të në çështjet e Kosovës. Kjo frymë nuk po mbetet vetëm në suazat e shprehjes së mendimit ndryshe, por po merr edhe karakteristika tjera. Prandaj atë e gjejmë edhe në disa media bile edhe në parti politike, sikundër është ta zëmë Lëvizja Vetëvendosja. Këtë frymë e gjejmë më të theksuar te kjo parti, tek e cila për herë të parë majtizmi politik në Kosovë nuk e ka ndikimin e drejtpërdrejtë nga Tirana, sado që edhe ajo si jo pak majtizma të tjerë në Ballkan, gërshetohet suksesshëm me nacionalizmin. Ndërkaq tek disa media, analistë e publicistë , kjo frymë është më e sofistikuar. Për dallim atje indicet e para të kësaj fryme i gjejmë tek përpjekja për të vënë dallime më të mëdha sesa ato ekzistuese ndërmjet Evropës konkretisht BE-së dhe SHBA-sё. Jo rrallë këtë dallim e vejnë jo për ta lavdëruar njërën në dëm të tjetrës, por për ta paraqitur involvimin e amerikanëve në Ballkan si pengesë për pranin më të lirshëm e më pozitiv të Evropës në këtë rajon.

Nëse dekodohen me vëmendje këto teza, ato vijnë shumë të sofistikuara dhe të njësuara në kuptimin e akuzave konkrete si p.sh ndaj ambasadorëve përkatës apo të zyrtarëve të ndryshëm amerikanë në Ballkan. Ironia është se këto cilësime vijnë nga njerëz, klane dhe grupe të cilat kohë më parë kanë përfituar shumë dhe shpejtë mu nga ndihma konkrete e SHBA-ve. Këta njerëz dhe këto grupe, mungesën e ndihmës konkrete të cilën e kanë pasur për kohë të gjatë nga SHBA-ja e konvertojnë në zhgënjim dhe revoltë dhe pastaj mbi ato ngrehin teori të ndryshme që sado që janë të sofistikuara mbesin thjeshtë antiamerikane.