LAJMI I FUNDIT:

BDI bojkoton KSHZ-në?! Flet Subhi Jakupi!

BDI bojkoton KSHZ-në?! Flet Subhi Jakupi!

Anëtari Subhi Jakupi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga BDI, sot nuk mori pjesë në një mbledhje të komisionit në të cilën konfirmohet lista e kandidatëve për deputetë nga OBRM-PDUKM, kurse ata të PSDM-së dhe NDM-së u kthyen pas për shkak të parregullsive, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Përveç Jakupit në takim nuk ishin edhe anëtarët e LSDM-së, ku me ketë ngritet pyetja nëse BDI, pasi zyrtarisht tha se nuk do të merr pjesë në zgjedhje dhe do të bojkotojë seancat. Jakupi gjatë takimit ishte në hapësirat e KSHZ-së, por nuk është përgjigjur në pyetjen pse nuk ishte i pranishëm në seancë.


Ndryshe nga ai, seanca u ndoq nga përfaqësuesi i PDSH-së në KSHZ, Bedredin Ibrahimi, edhe pse kjo parti nuk do të merr pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit.

Anëtari i KSHZ-së Subhi Jakupi në deklaratën e tij për Portalb ka përgënjeshtruar zërat që dolën në disa media se ai ka bojkotuar seancën e sotme të KSHZ-së. “Isha në intervistë për RTK-në, vonë isha informuar se do të kemi mbledhje. Kur ka filluar mbledhja unë tanimë kisha caktuar kohën për intervistë”, tha Jakupi.

Në pyetjen e Portalb sesa do të jetë e rëndësishme pjesëmarrja kur partinë të cilën e përfaqëson- BDI, nuk do të merr pjesë në zgjedhje, Jakupi përgjigjet:

“Ne tash jemi zgjedhur me konkurs me çka jemi të obliguar të veprojmë në aspekt ligjor dhe të respektojmë kodin zgjedhor. Ne nuk jemi në cilësinë e deputetëve, ata janë politikë. Ndërkaq, ne jemi së pari profesional pastaj politik. Kemi obligim ligjor për të qenë pjesëmarrës në proces”.

Sipas tij, rreth organizimit të zgjedhjeve, në aspekt teknik nuk do të ketë probleme, por në aspekt politik është problem shumë i rëndë, duke pas parasysh mospjesëmarrjen e partive shqiptare dhe opozitës maqedonase.

“Unë jam tanimë 10 vite këtu, deri tani nuk ka ndodhur një rast i këtillë. Maqedonia veçmë është në ngërç politik. Në aspektin formalo-juridik mund të jenë legale, por jo edhe të jenë legjitime. KSHZ do ta bëje punën e vet, por nga aspekti politik paraqet një ngërç politik. Në demokraci nëpërmjet partive politike organizohen çështjet- e funksionimit të sistemit. Megjithatë, kjo kërkon legjitimitet të plotë, duke i plotësuar standardet demokratike. Në këtë rast do të jetë shumë e vështirë të pranohet legjitimiteti politik. Kurse, legjitimiteti juridik është në rregull”, sqaroi Jakupi. /Telegrafi/