LAJMI I FUNDIT:

Alaphilippe nga EU DisinfoLab: Agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar nivel të ri të dezinformimit, veçanërisht në vendet e Ballkanit

Alaphilippe nga EU DisinfoLab: Agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar nivel të ri të dezinformimit, veçanërisht në vendet e Ballkanit

Drejtori ekzekutiv i EU DisinfoLab, Alexandre Alaphilippe thekson se agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar një nivel të ri të akterëve të dezinformimit në kontinentin evropian.

Alaphilippe në një intervistë për The Geopost shprehet se kjo ka prekur veçanërisht shtetet e Ballkanit.


“Mendoj se pushtimi i Ukrainës nga Rusia që filloj në muajin shkurt ka shkaktuar një nivel krejtësisht të ri të akterëve të dezinformimit që luajnë në Evropë, duke përfshirë Ballkanin në muajt e fundit, mendoj se kjo është mjaft e qartë për të gjithë”, shprehet Alaphilippe.

Sipas tij, për ta përballur këtë duhet të ketë kontroll të fakteve dhe gazetari hulumtuese.

“Kjo shkon nga kontrolli i fakteve, tek kërkimi, gazetaria hulumtuese dhe për të vënë përgjegjësinë mbi njerëzit dhe mbi faktorët që po ndihmojnë dezinformimin të rritet dhe të përhapet dhe kjo është sfida më urgjente që kemi tani në Evropë”, thotë ai.

Ai shton se EU DisinfoLab është duke bërë identifikimin e akterëve që janë përhapës të desinformatave, siç e quan ai kërcënues të demokracisë.

“Shumë nga akterët që ne shohim janë përhapës të përsëritur të dezinformatave, kështu që ne duhet të jemi më të mirë në sanksionimin e akterëve të këqij që po e bëjnë këtë me demokracitë tona”, shton Alaphilippe.

Në fund, ai në këtë intervistë ka folur edhe për punën e vazhdueshme që gazetarët duhet ta bëjnë për ta luftuar fenomenin e lajmeve të rreme dhe propagandës.

Intervista e plotë:

Cilat janë sfidat më të mëdha të dezinformimit, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë?

Mendoj se pushtimi i ri i Ukrainës që filloi në shkurt ka shkaktuar një nivel krejtësisht të ri të aktorëve të dezinformimit që luajnë në Evropë, duke përfshirë Ballkanin në muajt e fundit, mendoj se kjo është mjaft e qartë për të gjithë. Unë mendoj se sfida tani për të gjithë është të sigurohemi që ne të kemi një qëndrueshmëri në shoqëri që është e ndërtuar, e qëndrueshme dhe e financuar për të punuar në të vërtetë për të luftuar dezinformimin.

Dhe kjo shkon nga kontrolli i fakteve, tek kërkimi, gazetaria investigative dhe për të vënë përgjegjësinë mbi njerëzit dhe mbi faktorët që po ndihmojnë dezinformimin të rritet dhe të përhapet, dhe kjo është sfida më urgjente që kemi tani në Evropë.

Çfarë po bën EU DisinfoLab për të luftuar dezinformatat që vijnë nga Rusia?

Në EU Disinfolab, ne po bëjmë kërkime dhe po publikojmë hetime që tregojnë, për shembull, se si aktorë me bazë ruse kanë imituar mediat në Ukrainë, por edhe në Evropën Perëndimore për t’u maskuar si media autentike dhe për të maskuar brendet e njohura të mediave autentike, dhe ne e zbuluam këtë kohët e fundit, dhe ishte një fushatë shumë e gjatë që aktori rus ka bërë për këtë.

Pra, pjesë e punës është t’i ekspozojmë këto dhe t’i zbulojmë publikut, sepse kjo është pjesë e interesit publik. Tani, pjesa tjetër e punës është të sigurohemi që të ketë pasoja për këta aktorë, që aktorët që po krijojnë këto faqe dezinformuese, fushata dezinformuese, në disa pika të sanksionohen dhe ne sigurohemi që të mos kenë kapacitet për të vepruar sërish ose për të ripërhapur dezinformatë.

Shumë nga aktorët që ne shohim janë përhapës të përsëritur të dezinformatave, kështu që ne duhet të jemi më të mirë në sanksionimin e aktorëve të këqij që po e bëjnë këtë me demokracitë tona.

Mesazhi për shtetet e Ballkanit dhe gazetarët, si të përgatitemi për këto fenomene të reja të quajtura dezinformim?

Nuk jam i sigurt se është një fenomen i ri, mendoj se është një fenomen i përditësuar, por mendoj se më e rëndësishmja është të vazhdojmë të bëjmë punën e zbulimit, hetimit, kërkimit për interesin publik, dhe kjo është diçka që ne të gjithë duhet ta bëjmë, sepse ne jemi një shoqëri civile si komunitet.

Ne jemi në vijën e parë për këtë dhe kjo është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe gjithashtu duhet të kemi dhe të kërkojmë më shumë mbrojtje për gazetarët, viktimat e ngacmimeve, ne shohim kërcënime me vdekje që ndodhin gjithnjë e më shumë në Evropë, në fakt duhet që t’i jepet fund kësaj në mënyrë që të gjithë të mund të punojmë në një mjedis të sigurt për të vazhduar këtë luftë. /The Geopost/