LAJMI I FUNDIT:

Vendi evropian që luan me ShBA-në, Rusinë, Kinën dhe Evropën

Vendi evropian që luan me ShBA-në, Rusinë, Kinën dhe Evropën
Ilustrim

Nga: Alec Russell dhe Marton Dunai / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Për 25 vjet, një kryqëzim i ngarkuar në qendër të kryeqytetit serb të Beogradit, dominohej nga ndërtesa e dëmtuar e Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë. U la qëllimisht ashtu siç ishte, qëkur gjatë luftës në Kosovë bombat e NATO-s e shkatërruan atë në vitin 1999.

Megjithatë, kjo faltore e nacionalizmit serb, tani do të shembet dhe do të shndërrohet në kompleks atraktiv hotelesh dhe apartamentesh. Investitorët mbi të gjitha janë nga Amerika – nga kundërshtari i vjetër i Beogradit, i cili dy herë në vitet 1990 udhëhoqi ndërhyrjet ushtarake të NATO-s për të penguar agresionin serb në rajon.


Dhe, këta nuk janë financierë të rëndomtë amerikanë. Jared Kushner, dhëndri dhe ish-këshilltari i lartë i Donald Trumpit, kryeson Affinity Partners-in, fondin e investimeve që qëndron prapa marrëveshjes, ndërsa Richard Grenelli, ndihmësi i shquar i ish-administratës Trump i cili mban lidhje të ngushta me ish-presidentin, ndihmoi për të ndërmjetësuar.

Analistët thonë se marrëveshja është rast studimi se si një shtet i vogël i painkuadruar mund të përgatitet për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu pasqyron fokusin e shtuar perëndimor ndaj Serbisë, në kohën kur prioritet është bërë largimi i saj nga shpirti historik binjak – nga Rusia.

Aleksandar Vuçiqi, president i Serbisë që nga viti 2017, këmbëngul se marrëveshja është ndërmarrje tërësisht biznesore dhe hedh poshtë idenë për quid pro quo [këmbim favoresh]. “Jam shumë krenar për këtë”, thotë ai për Financial Times. “Kjo do të sjell më shumë investitorë dhe më shumë njerëz në Beograd. Pastaj do të kemi një hotel Trump, një hotel Ritz-Carlton … Shumë shpejt do të kemi gjithçka. Ishin shumë profesionalë ata njerëz të cilët negocionin në emër të amerikanëve. Kërkesat e tyre nuk ishin të lehta”.

Por, po ashtu, marrëveshja duket ashiqare si politike; në fund të fundit, pala tjetër është shteti serb. Kjo bën me dije se Vuçiqi do të ketë lidhje të ngushtë me Shtëpinë e Bardhë në rast të fitores së shokut të tij populist nacionalist, Trump, në zgjedhjet e nëntorit në ShBA.

Grenelli, aleat i hapur – për të mos thënë luftarak – i Trumpit, i cili është konsideruar si sekretar i mundshëm i Shtetit nëse ish-presidenti e fiton mandatin e dytë, për herë të parë idenë e investimit të tillë në Beograd e hodhi në kohën kur ishte i dërguari i Trumpit për Ballkanin.

Sipas njerëzve të përfshirë në marrëveshje, kjo ndërlidhej me një vizion më të gjerë të inkurajimit të investimeve amerikane në Serbi, në tentimin për ta lidhur atë me sferën e influencës së Perëndimit dhe për të dobësuar marrëdhëniet e saj të vjetra me Rusinë. Grenelli pëlqen ta paraqesë atë si mënyrë për të ndihmuar që marrëdhëniet ShBA-Serbi të lëvizin nga e kaluara, sipas mënyrës së investimeve amerikane të pasvitit 1945 ndaj Tokios.

“Besoj se kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në tërheqjen e Serbisë nga ndikimi i Rusisë dhe i Kinës dhe për të qenë më afër ShBA-së“, tha ai për FT. “E pranoj gjithashtu se duhet bërë më shumë dhe jam i përkushtuar që pikërisht këtë ta bëj”.

Për të parandaluar kritikat ndaj kësaj marrëveshjeje nga lobi i fuqishëm nacionalist serb i krahut të djathtë, i cili është fuqimisht pro Moskës, investitorët janë zotuar që në një lokacion të ndërtojnë një memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s – në konsultim me arkitektët serbë.

Njëkohësisht, Kushneri planifikon të investojë në një projekt luksoz turistik në Shqipërinë e afërt, për qejfin e kryeministrit të saj, Edi Rama. “Kemi nevojë për luks ashtu si shkretëtira ka nevojë për ujë”, thotë Rama, duke shtuar se Kushneri dhe Grenelli uverturën e bënë në Shqipëri, përpara se të shkonin për të investuar në Serbi. I vetmi ndryshim, shton ai, është se në Shqipëri ishte Kushneri e jo Grenelli ai i cili e bëri hapin fillestar. “Në Serbi sigurisht që Grenelli ishte prezantues, por këtu jo”, thotë Rama.

Në Uashington, njoftimi i marrëveshjeve ngriti pikëpyetjen mbi një konflikt të mundshëm interesi nëse Trumpi kthehet në detyrë. Grenelli dhe Kushneri e kanë hedhur këtë poshtë, duke argumentuar se po veprojnë si qytetarë privatë. Kushneri ka thënë se në rast të një mandati të dytë të Trumpit, ai nuk do të ketë rol në administratë.

Në Evropë, marrëveshja e Beogradit shihet si manovër klasike e mbrojtjes së mbijetesës së 54-vjeçarit Vuçiq, i cili për një dekadë ka dominuar në politikën e brendshme dhe rajonale – për tre vjet si kryeministër i Serbisë dhe më pas për shtatë vjet si president – dhe të cilit i pëlqen të mbajë Amerikën dhe BE-në në përballje ndaj Rusisë dhe Kinës.

“Është lojtar i mprehtë i shahut”, thotë Milan Antonijeviq, avokat serb dhe ekspert i të drejtave të njeriut i cili e portretizon Vuçiqin se po përpiqet të ndjek një kurs të mesëm që i përshtatet më së miri interesave afatgjata të Serbisë në botën gjithnjë e më shumëpolare. “Dhe, ai e di që ne nuk kemi aq shumë lojtarë në tabelën globale të shahut”.

Vuçiqi e ka një tabelë të vërtetë shahu, me kohëmatës, në bibliotekën e vet. Nëse do të përshkruhej si figurë, ai me siguri do të ishte oficer që bën zigzage në të gjithë tabelën. Në intervistën e FT-së, epokën aktuale të fluksit global e paraqet si kohë të dhe pasur me potencial – edhe pse me rrezik – për Serbinë.

Edhe teksa punonte me aleatët e Trumpit – dhe gjithnjë e më ngushtë me administratën e Bidenit – Vuçiqi për investime ka zhvilluar marrëdhënie edhe me rivalin e fuqisë së madhe të Amerikës, me Kinën. Gjithashtu e ka ruajtur lidhjen sentimentale të Serbisë me Moskën, megjithëse kryesisht nëpërmjet duarve të zgjatura dhe duke e mbajtur në distancë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Nacionalistët serbë, një forcë e fuqishme në politikën e brendshme, e shohin Rusinë si shpirtin binjak sllav.

Serbët kanë dashuri “të kalkuluar” për Kinën, thotë Sërxhan Bogosavleviq, anketuesi kryesor i Serbisë, si dhe një dashuri “irracionale” për Rusinë. Prandaj, Serbia është një nga vetëm dy vendet evropiane – tjetri është shteti i Bjellorusisë – që nuk mbështet sanksionet kundër Rusisë. Sa i përket Pekinit, Serbia dhe Hungaria ishin dy vendet e vetme evropiane të cilat presidenti i Kinës, Xi Jinping, i vizitoi në maj pas vizitës së tij shtetërore në Francë. Kina ka investuar shumë dhe shpeshherë kryeson në sondazhet e opinionit serb si fuqia më popullore e huaj.

E, megjithatë, në të njëjtën kohë Vuçiqi ka nxitur lidhjet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe po vepron të punojë me BE-në për të ndihmuar në zhvillimin e minierës më të madhe të litiumit në Evropë, në Serbinë perëndimore, në një projekt prej shumë miliardë eurove. Vuçiqi këmbëngul se qëllimi i tij është anëtarësimi në BE, që është partneri kryesor tregtar i Serbisë. Ka qenë kandidat për 12 vjet, por ka bërë pak përparime në tejkalimin e shqetësimeve të BE-së për përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe mbi statusin e pazgjidhur të ish-krahinës së Kosovës.

“Vuçiqi ka politikë të gjithanshme”, thotë Ivan Vejvoda, bashkëpunëtor në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë. “Në një moment e keni Xinë për vizitë. Pastaj … disa ditë më vonë, vijnë Zelenska [zonja e parë e Ukrainës] dhe Dmytro Kuleba [ministri i Jashtëm i Ukrainës]. Pastaj shkon në Qendrën Kulturore Ruse dhe mban një fjalim revizionist. Dhe, më pas, dy ditë më vonë, ai është me BE-në duke folur për planet e zhvillimit”.

I pyetur nëse beson te BE-ja, Vuçiqi e anashkalon pyetjen. “Nuk jam dikush që do ta mbroj apo do ta sulmoj atë”, thotë ai. “Kur shihni se njerëzit janë shumë të zjarrtë për ta sulmuar BE-në, nuk bashkohem me ata sepse ata njerëz nuk janë racionalë. Por, kur e shoh histerinë për të ashtuquajturat vlera të BE-së, unë të njëjtën gjë e bëj”.

Ka shumë mendime për BE-në, thotë ai. “Nëse shkon në takime [të BE-së], aty do të jetë një tubim i madh pro-ukrainas. Nëse dikush nuk thotë atë që të gjithë presin, perceptohet thuajse është ndërhyrës … Askush nuk dëshiron të dëgjojë mendime të ndryshme”.

Megjithatë, ai gjithashtu tregon se kur kreu i një shteti anëtar në BRICS – grupi i fuqive në zhvillim, të udhëhequra nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – sugjeroi që ai të bashkohej me arsyetimin se Perëndimi po zbehet, ai e hodhi poshtë ofertën. “I thashë se jemi në rrugën tonë drejt BE-së”.

Për fuqitë perëndimore, pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia e bëri prioritet afrimin me Vuçiqin, mes shqetësimeve të vazhdueshme se Moska mund të përpiqet të nxisë armiqësi në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovën fqinje të cilat kanë pakica të trazuara serbe.

Diplomatët perëndimorë dhe analistët rajonalë besojnë se ai po anon kah Perëndimi. Në intervistën e tij në FT e paraqet qëndrimin e tij kundër sanksioneve, si rrjedhojë e neverisë ndaj sanksioneve – pas vendosjes së tyre kundër Serbisë gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990. Ai gjithashtu konfirmon se në mënyrë diskrete e ka ndihmuar Kievin, duke ua shitur municionet palëve të treta e të cilat pastaj përfundojnë te forcat e armatosura të Ukrainës.

“Vuçiqi nuk është as përfaqësues rus dhe as Putin i vogël, siç portretizohet ndonjëherë”, thotë Vejvoda. “A e duan shumica e serbëve Putinin? Po. A e duan Rusinë? Po. Por, kur pyeten se ku doni të udhëtoni, ata të gjithë duan të shkojnë në Evropën Perëndimore”.

Vuçiqi mund të përshkruhet më së miri si kameleon. E nisi karrierën në politikë si nacionalist ekstrem dhe ndërkohë që ka hyrë në qendër, ai ende rregullisht luan me kartën nacionaliste për të ruajtur mbështetjen e së djathtës – së fundi duke organizuar një takim pan-serb në Beograd. Për kritikët e tij, ai është paksa i ndryshëm nga Viktor Orbáni, nga kryeministri joliberal hungarez i cili është tifoz i Trumpit dhe i cili përdhos qëndrimin e BE-së dhe të NATO-s ndaj Ukrainës.

“Ai [Vuçiqi] e ka korruptuar shtetin”, thotë Dragan Xhilas, themelues dhe udhëheqës i Partisë për Liri dhe Drejtësi – partia më e madhe opozitare e Serbisë. “Prokurorët, për shembull, janë zibidi, totalisht të politizuar. Vuçiqi nuk është i popullarizuar në Beograd, por e kupton se nacionalizmi është mënyra numër një për të mbetur në pushtet”.

Megjithatë, në të njëjtën kohë ka krijuar miqësi me Alex Sorosin, investitorin dhe filantropin i cili drejton bordin e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur të themeluar nga babai i tij George – prej kohësh i urryer nga mbështetësit e Orbánit dhe Trumpit, si agjent i liberalizmit shkatërrimtar. Mos asgjë, Vuçiqi është i ngjashëm me Orbánin, sugjerojnë analistët. Teksa Vuçiqi është jehonë e Orbanit, “nuk është kopje e zakonshme”, thotë avokati Antonijeviq, i cili shprehet se, për shembull, mediat në Serbi janë më pak të kontrolluara se në Hungari.

Administrata Biden ka investuar kohë dhe para për ta sjell Vuçiqin në kampin e Perëndimit dhe e ka mbështetur një projekt ambicioz të energjisë diellore në Serbi. Megjithatë, nuk ka dyshim se Trumpi do të ishte partner më i natyrshëm se Bideni. “Ai beson se nëse Trumpi fiton, do të jetë mirë për të”, thotë një diplomat evropian. “Grenelli ka qenë shumë aktiv në rajon në katër vitet e fundit, në anën e Beogradit”.

Kur u pyet se si një mandat i dytë i Trumpit mund të ndikojë në Serbi, Vuçiqi i mbron qëllimet e veta. “Nuk jam lider aq i madh sa shumë të tjerë në Evropë që marrin anë”, thotë ai. “Miku im Viktor [Orbán] është 100 përqind në anën e Trumpit. Miqtë e mi nga Brukseli janë 100 për qind në anën e Bidenit. Unë nuk jam. Unë jam në anën serbe, në pritje të rezultateve”.

Por, ai vazhdon të kujtojë një vizitë në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit – dhe ta krahasojë atë me takimet e përkohshme me Bidenin. “Kur e vizitova Shtëpinë e Bardhë, kjo ishte në një kohë të mosmarrëveshjeve të mëdha me Rick Grenellin, por ai ishte person shumë i zellshëm, shumë i përkushtuar. Patëm gati tri orë diskutime në një dhomë të ngjashme me nëndetëse. Nuk mund të them se tani e kam të njëjtin trajtim. Por, mund të them se pata një bisedë të mirë me Trumpin”. “Kam pasur biseda të mira me Bidenin para se të bëhej president. Pas kësaj e takova një herë, dy herë në pritje, për dy minuta, por jo në biseda thelbësore. Nëse e pyetni shumicën e serbëve, 90 përqind do të jenë në anën e Trumpit”.

Tashti, pyetja e madhe për rajonin është se si mund të ndikojë rizgjedhja e Trumpit në ndarjet e thella dhe të vazhdueshme midis fqinjëve më të afërt të Serbisë.

Në rrugën nga aeroporti që çon në Beograd, shkronjat e mëdha të zeza shtrihen mbi një mbikalim: “Kosova është Serbi”. Ana tjetër e mbikalimit, e dukshme për ata që largohen nga qyteti, thotë: “Mos harroni – Kosova është Serbi”.

Statusi i Kosovës, vendlindja e sajuar e kombit serb, ka qenë plagë politike në rajon që nga viti 1999, kur fushata bombarduese e NATO-s ia hapi rrugën ish-krahinës për të shpallur në vitin 2008 pavarësinë nga Serbia.

Vitin e kaluar, negociatorët e BE-së ndërmjetësuan një marrëveshje tentative, të mbështetur nga administrata Biden, sipas së cilës Beogradi do të lejonte joformalisht Kosovën që të integrohej në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Prishtina do të jepte autonomi më të madhe për rajonet me shumicë serbe. Por, marrëveshja nuk është zbatuar kurrë.

Intensiteti i negociatave mund të rritet në mënyrë dramatike nëse Trumpi rizgjedhet. Në diskutimet private, Grenelli ka sinjalizuar se nëse ai emërohet në një rol të lartë në një mandat të dytë të mundshëm të Trumpit, Ballkani do të ishte prioritet për të dhe se ai e sheh Serbinë dhe rajonin si aleat të natyrshëm të Amerikës.

Sipas diplomatëve në rajon, kur Grenelli ishte i dërguari për Ballkanin, ai e shtyu fort para marrëveshjen për Kosovën. E ndërpreu strategjinë e BE-së duke argumentuar për zgjidhje të shpejtë, duke zemëruar shumë zyrtarë evropianë dhe disa diplomatë të Departamentit të Shtetit për tonin e tij konfrontues.

Ai gjithashtu e bëri të qartë se ka pak kohë për qëndrimin e Albin Kurtit, të kryeministrit të Kosovës. Vitin e kaluar, zyrtarët e BE-së dhe administrata e Bidenit gjithashtu janë frustruar me Kurtin, duke e akuzuar atë si të pakompromis dhe se po e minon shpresën për zgjidhje.

Zyrtarët kosovarë dhe kundërshtarët vendorë shqetësohen se një administratë e dytë e Trumpit do të ishte e butë ndaj Vuçiqit. Aleatët e Grenellit përgjigjen duke treguar se si ai, në të kaluarën, i ka bërë presion Vuçiqit për t’u larguar nga Moska dhe e kanë shtyrë atë të diversifikojë furnizimin me energji nga Rusia – nga shteti që siguron pjesën më të madhe të gazit të Serbisë.

Për Vuçiqin, shtytja e përshpejtuar për një marrëveshje do të paraqiste një dilemë. Pranimi i pavarësisë së Kosovës është kusht formal për integrimin e Serbisë në BE. Megjithatë, të dorëzohesh ndaj presionit të Perëndimit dhe të pajtohesh me të, kjo mund të jetë vetëvrasje politike. “Askush nuk ka qenë aq popullor sa Vuçiqi në 30 vjetët e fundit”, thotë Bogosavleviq. “Por, edhe me këtë popullaritet, edhe sikur të donte të thërriste referendumin për pavarësinë e Kosovës, ai nuk do të mund ta kalonte atë”.

Duke u kthyer kah Kosova, Vuçiqi së fundmi ka nxitur rritjen e ndjenjave nacionaliste në Bosnjë. Megjithatë, diplomatët perëndimorë thonë se e besojnë kur thotë se prioriteti i tij është zhvillimi ekonomik. Projekti i tij kryesor, i cili do të përkojë me përfundimin e planifikuar të presidencës së tij në vitin 2027, është Expo-ja, panairi botëror i cili shpreson se do ta vë Serbinë në një rrugë të re ekonomike. “Kur flas për Expo-n, flas për ndryshime thelbësore të këtij vendi”, thotë ai.

Në këtë kontekst, Vuçiqi sheh mundësi për investime, nga kushdo që fiton zgjedhjet në ShBA – duke bërë me dije për projektet e pasurive të paluajtshme në linjat e marrëveshjes Kushner/Grenell, si dhe për Ujoren e Beogradit – projektin në bregun e lumit Sava. Kjo u mbështet nga i njëjti zhvillues i Emirateve, Mohamed Alabbar, i cili qëndron prapa projektit Marina në Durrës në Shqipëri.

Për kundërshtarët e tij të dëshpëruar, llafet e tilla janë të kota. Ata e shohin Vuçiqin si dyfytyrësh të cilit nuk i besohet. Vuçiqi shmang kritikën dhe thotë se të gjithë duhet të mësojnë të ndryshojnë. “Duhet të mësosh, për çdo ditë”, thotë ai. “Vetëm gomarët nuk ndryshojnë mendje”. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Trump po ‘harron’ që Harris është e martuar me një hebrenj - mundohet ta paraqes demokraten si antisemite

Trump po ‘harron’ që Harris është e martuar me një hebrenj - mundohet ta paraqes demokraten si antisemite

Amerika
Vesa Luma kritikon estradën për performancat në Sunny Hill: Nuk e kuptoj se si kolegët këndojnë 'playback' në skena të mëdha të festivaleve

Vesa Luma kritikon estradën për performancat në Sunny Hill: Nuk e kuptoj se si kolegët këndojnë 'playback' në skena të mëdha të festivaleve

Magazina
Policia e Shtetit publikon pamje se si 32-vjeçari në Durrës ua mori dy shtetasve varëset nga qafa, vihet në pranga

Policia e Shtetit publikon pamje se si 32-vjeçari në Durrës ua mori dy shtetasve varëset nga qafa, vihet në pranga

Lajme

"Heroi rus i luftës në Ukrainë" rrahet për vdekje në stacionin policor në Rusi

Evropa
E gjuajtën edhe në Kosovë, Bebe Rexha i drejtohet sigurimit në shqip që të mos e largojë fansin: Lëre lëre, është vetëm një bluzë

E gjuajtën edhe në Kosovë, Bebe Rexha i drejtohet sigurimit në shqip që të mos e largojë fansin: Lëre lëre, është vetëm një bluzë

Magazina
Barcelona do të detyrohet të paguajë më shumë se sa klauzola e lirimit për transferimin e Williams

Barcelona do të detyrohet të paguajë më shumë se sa klauzola e lirimit për transferimin e Williams

La Liga
Kalo në kategori