LAJMI I FUNDIT:

Gratë në BE paguhen 13 për qind më pak se burrat për të njëjtën punë

Gratë në BE paguhen 13 për qind më pak se burrat për të njëjtën punë

Gratë në Bashkimin Evropian paguhen mesatarisht 13 për qind më pak se burrat që bëjnë të njëjtën punë, pavarësisht se ato kanë të drejtë në pagë të barabartë sipas ligjit të BE-së, njoftoi sot Komisioni Evropian.

“Paga e barabartë për të njëjtën punë ose punë me vlerë të barabartë është një nga parimet themelore të BE-së. Ajo u përshkrua në Traktatin e Romës në 1957”, thuhet në njoftimin e Komisionit.


“Megjithatë, progresi në mbylljen e hendekut gjinor të pagave, ka ngecur këtë vit dhe ka qenë i ngadaltë për vite me radhë”, u tha ndër tjera, transmeton Telegrafi.

Për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit, Komisioni nxori Direktivën për Transparencën e Pagesave, e cila hyri në fuqi në fillim të qershorit.

Direktiva, një ligj i BE-së, përcakton kuadrin për zbatimin e idesë së “punës me vlerë të barabartë” dhe kriteret e krahasimit që përfshijnë aftësitë, përpjekjen, përgjegjësinë dhe kushtet e punës.

Qëllimi i direktivës është të ndihmojë punëtorët të njohin dhe të kundërshtojnë diskriminimin e pagave. Por tani ajo duhet të transmetohet në ligjet kombëtare, për të cilat 27 vendet e BE-së kanë tre vjet. /Telegrafi/